Shtëpia Studio Kadare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Muzeu Shtëpia Studio Kadare u hap më 25 maj 2019 dhe ndodhet në Tiranë, është një vend ku mund të krijohet një ide e punës së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Apartamenti ku ka banuar Kadare në vitet 1974 – 1989, i ndodhur në katin e tretë të një pallati në Rrugën e Dibrës projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, është shpallur në vitin 2015 Monument Kulture i Kategorisë II. Ndërtesa ose siç quhej në atë kohë "pallati me kuba" përfaqëson në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën. Roli kryesor i muzeut kushtuar Kadaresë është edukimi. Ai ka si qëllim të tërheqë një audiencë gjithëpërfshirëse dhe t’u paraqesë vizitorëve vendas dhe të huaj vlerat e veprave të Kadaresë dhe punën e jashtëzakonshme që ai ka arritur gjatë jetës së tij.