Shtëpitë shkolla në Kosovë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shtëpia shkollë e familjes Hërtica në Prishtinë
Shtëpitë shkolla të familjes Mërnica në Vushtrri

Shtëpitë shkolla ishin shkolla të vendosura në shtëpi ose objekte tjera private në Kosovë, për shkak të dëbimit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nga objektet e tyre legale, nga autoritetet shtetërore serbe. [1] [2]

Vështrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Puna në shtëpitë-shkolla filloi në vitin shkollor 1991/92, kur mësimi në gjuhën shqipe u pengua në të gjitha nivelet përmes përjashtimit të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkolore. Projektin për mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe përmes vazhdimit ë procesit edukativ dhe arsimor nëpër shtëpitë shkolla e hartoi Enti Pedagogjik i Kosovës, mbështetur nga të gjitha instancat dhe subjektet politike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë e Përkohshme të Kosovës në emigrim. Strategjinë me modalitetin e arsimit në shtëpitë - shkolla dhe planet e programet mësimore për rrethanat e krijuara e miratoi Pleqësia e Arsimit të Kosovës në vitin 1991. Strategjia parashikonte zhvillimin e mësimit jashtë objekteve të uzurpuara nga autoritetet serbe, në shtëpi private, në institucione të bamirësisë, në objekte private të pashfrytëzuara, në institucione fetare etj. E para shkollë që filloi mësimin sipas kësaj strategjie ishte Gjimnazi "Xhevdet Doda" në Prishtinë, i cili filloi mësimin më 6 janar 1992 në shtëpinë e Zijadin Gashit. Në shkolla të tilla funksionuan kryesisht shkollat e mesme të Kosovës dhe njësitë e Universitetit të Prishtinës.

Shtëpitë - shkollat vazhduan të funksiononin deri më 24 mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s në caqet ushtarake dhe policore serbe. Financimi i këtyre institucioneve arsimore bëhej përmes kontributeve vullnetare, përmes skemës së vetëfinancimit, përmes fondacioneve të ngritura brenda dhe jashtë vendit, si dhe të mjeteve financiare të grumbulluara nga Këshilli për Financim i Qeverisë së Kosovës në emigrim. [1] [3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1629–1630. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://ekonomiaonline.com/historite-e-ndritshme-kosovare-shtepite-shkolla/
  3. ^ https://telegrafi.com/historia-e-shtepive-shkolla-ne-kosoven-e-kohes-se-millosheviqit-video/

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]