Suretu Ali Imran

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Për t'a lexuar tërë Suren shih Wikibooks:Suretu Ali Imran

Suretu Ali Imran është surja e tretë e radhitur në Kur'an. Kjo sure përmban 200 (dyqind) ajete nga të cilët i pari është i ngjashëm me ajetin e parë në Suretu El Bekare.

Përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit ! 3:1. Elif, Lam, Mim. 3:2. All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës. 3:3. Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin. 3:4. Udhërrëfim për njerëz, e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S’ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e All-llahut i pret ndëshkimi i rreptë. All-llahut është ngadhënjyes, shpagimtar. 3:5. S’ka dyshim se All-llahut nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë e as në qiell. 3:6. Ai është që ju krijon (formon) juve në mitra ashtu si të dojë. S’ka Zot pos Tij, e që është fuqiplotë, i urti. 3:7. Ai është që ta zbriti librin ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos All-llahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: “Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë”! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes. 3:8. “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. 3:9. “Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim. All-llahu nuk e shkelë premtimin e vet”. 3:10. Është e vërtetë se atyre që nuk besuan nuk do t’u vlejë asgjë para All-llahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit. 3:11. Si gjendja e pasardhësve të faraonit dhe e atyre që ishin para tyre, që përgënjeshtruan argumentet tona, e All-llahu i shkatërroi me fajet e tyre, All-llahu ndëshkon shumë ashpër. 3:12. Thuaju atyre që nuk besuan: “Do të jeni të mposhtur (në këtë jetë) dhe do të hidheni në xhehennem. Sa i shëmtuar është ai djep (shtrat)”. 3:13. Ju (jehudi) patët një përvojë të madhe në ato dy grupe që u konfrontuat ndërmjet vete. Njëri grup luftonte në rrugën e All-llahut, e tjetri ishte pabesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po, All-llahu me ndihmën e vet përforcon atë që do. Vërtet, në këtë është një përvojë e madhe për ata që kanë mendje të kthjellët. 3:14. Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë. 3:15. Thuaj: “A t’ju kumtoj për diç shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e Dunjasë)? Për ata që janë ruajtur, ata kanë tek Zoti i tyre xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra e gëzojnë edhe kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i kujdesshëm për robtë. 3:16. Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne sinqerisht besuam, na i falë mëkatet tona na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit”! 3:17. Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë. 3:18. All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit. 3:19. Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami, e atyre që u është dhënë libri, pasi mësuan për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e All-llahut, le ta dijë se All-llahu shpejtë do t’i japë llogarinë. 3:20. E nëse ata polemizojnë me ty, ti thuaj: “Unë me tërë qenien time i jam dorëzuar All-llahut, e edhe ithtarët e mij”! E thuaju edhe atyre që u është dhënë libri dhe injorantëve: “A pranuat fenë islame”? Nëse e pranuan islamin, atëherë e kanë gjetur të vërtetën, e nëse refuzojnë, ti ke për obligim vetëm t’u kumunikosh; All-llahu i di shumë mirë punët e robëve. 3:21. Ata që mohojnë argumentet e All-llahut, mbysin pejgamberët pa farë të drejte, mbysin edhe njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata lajmëroi për një ndëshkim të dhëmbshëm e pikëllues. 3:22. Ata veprat e tyre i asgjësuan në këtë botë dhe në botën tjetër, ata nuk kanë ndonjë mbrojtës. 3:23. A nuk i sheh ti ata, të cilëve u është dhënë mjaft nga libri, kur thirrën që ndërmjet tyre të gjykojë libri i All-llahut, se si një grup prej tyre prapësohet. Ata janë refuzues. 3:24. E atë (e bënin) ngase ata thonin: “Neve nuk do të na djegë zjarri vetëm për pak ditë të numëruara, e ajo që shpifën për fenë e tyre, i mashtroi keq”. 3:25. E, si do të jetë gjendja e tyre kur Ne do t’i tubojmë ata një ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe çdo njeriu do t’i ofrohet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë atyre kurrnjë e padrejtë. 3:26. Thuaj: “O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”! 3:27. Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do! 3:28. Besimtarët të mos i miqësojnë mosbesimtarët, e t’i lënë manash besimtarët. E kush bën atë, ai nga feja e All-llahut nuk ka asgjë, përveç nëse është për qëllim ruajtja prej të keqes së tyre. All-llahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij, pse vetëm tek All-llahu është e ardhmja. 3:29. Thuaj: “Edhe nëse e fshehni atë që keni në zemrat tuaja ose e publikoni, All-llahu e di atë, Ai di gjithçka ka në qiej e ç’ka në tokë; All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send. 3:30. Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve. 3:31. Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë. 3:32. Thuaj: “Bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë All-llahu nuk i do pabesimtarët ”! 3:33. All-llahu e zgjodhi (pejgamber) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë (të asaj kohe). 3:34. Që janë pasardhës njëri prej tjetrit. All-llahu dëgjon gjithçka dhe i di të gjitha. 3:35. (Përkujtohu) Kur gruaja e Imranit pat thënë: “Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vertet Ti je Ai që dëgjon e di”! 3:36. E kur ajo e lindi tha: “Zoti im, unë e linda femër”! Po All-llahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”. 3:37. Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e vuri nën kujdesin e Zekirijasë. Sa herë që hynte Zekirijaja në mihrabin (dhomën) e saj, gjente te ajo ushqim e thoshte: “Oj Merjeme, prej nga ty ky ushqim”? Ajo i thonte: “Ai është nga All-llahu, se All-llahu atë që do pa masë e furnizon”! 3:38. Aty në atë moment Zekirijaja e lut Zotin e tij e thotë: “Zoti im, më falë edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes”! 3:39. E duke u falur ai në faltore, engjëjt e thërrasin: “All-llahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga All-llahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit”! 3:40. Ai (Zekirijaja) tha: “Zoti im, si mund të kem unë djalë kur mua më ka arritur pleqëria dhe shoqja ime beronjë (sterile)”? Tha (All-llahu): “Kështu,All-llahu punon çka të dojë”! 3:41. Ai (Zekirijaja) tha: “Zoti im më jep mua një shenjë”! Shenja e jote - tha Ai - është që tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, pos me gjeste (mimikë), e ti përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje mbrëmje e mëngjes”! 3:42. Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. 3:43. “Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen”! 3:44. “Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete”. 3:45. Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në Dunja e Ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit). 3:46. E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve, e edhe si i rritur e që është nga të përsosurit. 3:47. Ajo tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar) “? Ai (All-llahu) tha: “Ja, kështu, All-llahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”. 3:48. Ai (All-llahu) ia mëson atij librin (besimin), urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin. 3:49. Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: Unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i shëroj të verbërit, të sëmurit në lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut i ngjall të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpitë tuaja. Vërtet, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë. 3:50. Dhe (kam ardhë) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve, kam ardhë me argument nga Zoti juaj, pra kini frikë All-llahun dhe më dëgjoni mua. 3:51. All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë; kjo është rrugë e drejtë! 3:52. E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin), tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të All-llahut”? Havarijjunët thanë: “Ne jemi ndihmëtarë të fesë së All-llahut, ne i besuam All-llahut, e ti dëshmo për ne se jemi myslimanë (të bindur, të dorëzuar)”! 3:53. Zoti ynë, ne e besuam atë që e zbrite (shpalljen), e pasuam të dërguarin (Isain), pra shënona bashkë me ata që dëshmojnë (besimin e drejtë) “! 3:54. E, ata (jehuditë) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), All-llahu iu kundërvu dredhisë së tyre, All-llahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi. 3:55. (Përkujto, o i dërguar) Kur All-llahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngrej te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngrejë lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kijametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, e Unë gjykoj mes jush për atë që kudërshtoheshit”. 3:56. Për sa u përket atyre që nuk besuan, Unë do t’i ndëshkoj me një ndëshkim të ashpër në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata nuk do të kenë ndihmëtarë. 3:57. E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u jap shpërblim të plotë. All-llahu nuk i do të padrejtit. 3:58. Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, janë nga Kur’ani i pa të meta (i rezistueshëm). 3:59. Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu”! ai u bë. 3:60. E vërtetë është (kjo) nga Zoti yt, e ti kurrsesi mos u bën nga ata që dyshojnë. 3:61. E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e All-llahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve”. 3:62. S’ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër pos All-llahut. All-llahu është Ai, i plotfuqishmi, i vetëdijshmi. 3:63. E nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), ata janë ngatërrestarë, për të cilët All-llahu e di shumë mirë. 3:64. Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)”! 3:65. (madje thuaju): “O ithtarë të librit, pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk janë shpallur as Tevrati as Inxhili, vetëmse pas tij?! A nuk e kuptoni (gënjeshtrën tuaj)”? 3:66. Ja, ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain) e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)? All-llahu e di të vërtetën e ju nuk dini. 3:67. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte mysliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve. 3:68. Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (ummeti i këtij). All-llahu është mbrojtës i besimtarëve. 3:69. Një grup nga ithtarët e librit kishin dëshirë t’u shpiejnë në rrugë të gabuar por ata nuk mashtrojnë tjetër pos vetes së tyre, dhe nuk e vërejnë. 3:70. O ithtarë të librit, përse nuk i besoni ajetet (Kur’anin) e All-llahut, e duke e ditur të vërtetën? 3:71. O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vertetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe e fshihni realitetin? 3:72. Një grup nga ithtarët e librit thanë (të vetëve): “Besoni paradite në atë që u është shpallur atyre që besuan (myslimanëve), e pasdite mos e besoni, e ndoshta edhe ata (myslimanët), do të zbrapsen (nga besimi i tyre)”. 3:73. Dhe (u thonin): “Mos i besoni askujt përveç atij që është në fenë tuaj”! Thuaj (o i dërguar): “I vetmi udhëzim është udhëzimi nga All-llahu”! (u thoni të vetëve mos besoni nga droja) Se po i jepet ndokujt (pejgamberllëku) sikurse u është dhënë juve dhe (nga droja) se t’ju paraqesin fakte (myslimanët) para Zotit tuaj (ditën e gjykimit). Thuaju: “E tërë e mira është në duar të All-llahut, Ai ia jep atë kujt të dojë; All-llahu është dhurues i gjërë, i gjithëdijshëm”. 3:74. Ai veçon me mëshirën e vet (me pejgamberllëk) kë të dojë. All-llahu është Zot i mirësisë së madhe. 3:75. Ndër ithtarë të librit ka asish, që po ia besove një sasi të madhe (ari), ai ta kthen ty atë, por ka të atillë që po ia besove një dinar, ai nuk ta kthen ty atë, përveç nëse gjithnjë i rri gati (ia kërkon pajada). Këtë (e bëjnë) për arsye se ata thonin: “Ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie ndaj (pasurisë që u marrim) të të paditurve (arabëve analfabetë)”. Pra, duke e ditur të vërtetën, ata bëjnë gënjeshtër ndaj All-llahut. 3:76. Jo, (nuk është ashtu si thonë ata) po kush e përmbush amanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, All-llahu i do ata që ruhen. 3:77. Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë All-llahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në ditën e kijametit All-llahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm. 3:78. Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po ajo nuk është nga All-llahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për All-llahun. 3:79. S’është e drejtë as nuk i takoi asnjë njeriu që t’i ketë dhënë All-llahu librin, urtësinë dhe pejgamberllëkun, e pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robë të mi (adhuromëni mua) e jo të All-llahut”! Por (ju thotë): “Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë. 3:80. Dhe as që ju urdhëron ai (pejgamberi) që t’i adhuroni engjëjt, as pejgamberët për zota. Vallë, a ju urdhëroi ai juve mosbesimin pasi që ju jeni myslimanë ? 3:81. Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur All-llahu mori zotimin e pejgamberëve: Nga ajo se juve ju dhashë libër e urtësi, ju patjetër do ta besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas juve, e që vërteton atë që ju keni pranë vetes. Tha (All-llahu): “A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim”? Ata thanë: “Ne e pranuam”! Tha (All-llahu): “Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”! 3:82. E kush shkel këtë (zotim) pas kësaj, ata janë jashtë respektit ndaj All-llahut. 3:83. A mos kërkojnë ata (ithtarët e librit) fe, pos fesë së shpallur nga All-llahu? E Atij i është dorëzuar gjithëçka ka në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje dhe tek Ai kthehen. 3:84. Thuaj: “Ne i kemi besuar All-llahut, edhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”. 3:85. E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit. 3:86. E si ta udhëzojë All-llahu një popull që pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë dhe pasi dëshmoi se i dërguari është i vërtetë, dhe pasi t’ju kenë ardhur atyre argumente të qarta? All-llahu nuk ia mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqarë. 3:87. Ndëshkimi i të tillëve është: mallkimi nga All-llahu, nga engjëjt dhe nga gjithë njerëzimi tok. 3:88. Ata përgjithmonë janë në të (në zjarr), atyre as nuk ju lehtësohet dënimi dhe as nuk u jepet afat. 3:89. Përveç atyre që pas asaj u penduan dhe u përmirësuan. Vërtet, All-llahu shumë falë dhe mëshiron. 3:90. Ata, të cilët pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë, e pastaj e shtuan mosbesimin, atyre kurrsesi nuk do t’u pranohet pendimi. Të tillët janë mu ata të humburit. 3:91. Ata që nuk besuan dhe vdiqën si mosbesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plotë faqen e dheut ari. Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë. 3:92. Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di. 3:93. I tërë ushqimi ishte i lejuar për bijtë e israilit, përveç atij që Israili (Jakubi) para se të zbriste Tevrati, ia ndaloi vetvetes. Thuaju: “Silleni pra një Tevrat dhe lexoni atë, nëse jeni të vërtetë (në çka thoni) “? 3:94. Ai që edhe pas kësaj shpif gënjeshtra kundër All-llahut, ata vërtet janë mizorë. 3:95. Thuaj: “All-llahu e tha të vërtetën, pra ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit, sepse ai nuk u takonte idhujtarëve”. 3:96. Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. 3:97. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit. 3:98. Thuaj: “O ithtarë të librit, përse i mohoni ajetet (argumentet) e All-llahut”? E All-llahu mbikëqyr atë që veproni. 3:99. Thuaj: “O ithtarë të librit, përse e pengoni atë që besoni nga rruga e All-llahut, duke u angazhuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërsa vetë ju, jeni dëshmues se është e vërtetë! Veprimi juaj nuk mund t’i shmanget mbikëqyrjes së All-llahut. 3:100. O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre që iu është dhënë libri, ata, pas besimit tuaj, do t’ju kthejnë në mosbesimtarë. 3:101. Si bën të mos besoni, kur juve janë duke iu lexuar (duke iu shpallur) ajetet e All-llahut dhe kur në mesin tuaj gjendet i dërguari i Tij? E kush i përmbahet fesë së All-llahut, ai pa dyshim është i udhëzuar në rrugën e drejtë. 3:102. O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)! 3:103. Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur. 3:104. Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit. 3:105. E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh. 3:106. Në ditën kur ka fytyra që zbardhen dhe ka fytyra që nxihen. E për sa u përket atyre fytyrave që janë nxirë (u thuhet): “A edhe pas besimit tuaj u bëtë pabesimtarë? Vuajeni pra dënimin, për shkak se ishit që nuk besonit”! 3:107. Ndërsa atyre që fytyrat e tyre u janë zbardhur, ata janë në mëshirën (xhennetin) e All-llahut dhe aty janë përgjithmonë. 3:108. Ja, këto që po t’i lexojmë ty janë argumentet e sakta të All-llahut. E All-llahu nuk është ai që e do padrejtësinë për njerëz. 3:109. Të All-llahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe vetëm te All-llahu kthehen çështjet. 3:110. Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit. 3:111. Ata kurrsesi nuk mund t’ju sjellin ndonjë dëm juve, përveç ndonjë shqetësimi, po edhe në ju luftofshin, ata do të zbrapsen prej jush. Mandej ata nuk janë të ndihuar. 3:112. Atyre (jehudive) u është vënë njollë e nënçmimit kudo që të gjenden, vetëm nëse kapen për litarin (fenë) e All-llahut dhe kthehen në besën e njerëzve (të myslimanëve), ata kanë shkaktuar kundër vetes përbuzje nga All-llahu, andaj atyre u është shtruar shtypja e mjerimi. Këtë, për shkak se ata i mohonin argumentet e All-llahut, i mbytnin mizorisht pejgamberët dhe për shkak se kundërshtonin (udhëzimet e Zotit) dhe tejkalonin (çdo normë njerëzore). 3:113. Ata (ithtarët e librit) nuk janë të njëjtë. Nga ithtarët e librit ka që janë në rrugë të drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e All-llahut duke u lutur. 3:114. I besojnë All-llahut dhe ditës së gjykimit këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të këqijat, përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve. 3:115. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. All-llahu i di shumë mirë të devotshmit. 3:116. S’ka dyshim se atyre që nuk besuan, nuk do t’u bëjnë dobi ndaj (dënimit të) All-llahut as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banues të zjarrit dhe aty janë përgjithmonë. 3:117. Shembulli i asaj që ata e japin në këtë jetë (për t’u lavdëruar e për t’u përmendur) është si i një erë me breshër që godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli që e ka lëshuar rrugën në dëm të vetes. All-llahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i benë të padrejtë vetes së vet. 3:118. O ju që besuat, mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, u dëshirojnë çka u mundon juve. Urrejta kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjoksat tyre është edhe më e madhe. Ne pra, ua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni. 3:119. Ja, ju (myslimanë) jeni që i doni ata, e ata nuk u duan juve. Madje ju i besoni librat në tërësi (të gjitha shpalljet), e kur ju takojnë thonë: “Ne kemi besuar”! E kur veçohen, ata nga mllefi kundër jush grisin majet e gishtërinjve. Thuaju: “Vdisni me atë mllef tuajin”! All-llahu e di shumë mirë se çka mbajnë (të fshehtat) zemrat e tyre. 3:120. Nëse ju përjetoni ndonjë të mirë, ata i dëshpëron ajo, e nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak. Është e sigurt se All-llahu e ka në dorë atë që punojnë ata. 3:121. Përkujto (O i dërguar) kur dole nga familja jote që t’ua përcaktosh besimtarëve vendet për luftë, e All-llahu është që dëgjon (fjalët) dhe që kupton (qëllimet). 3:122. Kur dy grupe prej jush gati u treguan të dobëta, po All-llahu ishte që u ndihmoi atyre (që të mos largoheshin), andaj besimtarët le t’i mbështeten vetëm All-llahut. 3:123. All-llahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. 3:124. Kur ti u thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t’ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur”? 3:125. Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t’ju vinë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar. 3:126. E atë (ndihmë) All-llahu nuk e bëri për tjetër por vetëm për t’iu gëzuar dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej All-llahut, ngadhënjyesit, të urtit. 3:127. (U ndihmoi) Që ta këpusë një grup nga ata që nuk besuan (duke i mbytur a zënë robër), ose për t’i demoralizuar dhe ashtu të kthehen të dëshpëruar. 3:128. Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë. 3:129. Vetëm e All-llahut është gjithë ç’ka në qiej e në tokë, Ai i fal atij që do dhe Ai e dënon atë që do. All-llahu është mëkatfalës, mëshirues. 3:130. O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) All-llahut ashtu që të gjeni shpëtim. 3:131. Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për pabesimtarët. 3:132. E bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, ashtu që të mëshiroheni. 3:133. Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. 3:134. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit. 3:135. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre - e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? - dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). 3:136. Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë. 3:137. Përpara jush kanë kaluar popujt ndaj të cilëve janë zbatuar ligjet, ndaj udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni si qe përfundimi i atyre që përgënjeshtruan. 3:138. Ky (Kur’ani) është sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit. 3:139. E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë. 3:140. Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët. 3:141. Dhe që All-llahu t’i pastrojë besimtarët, ndërsa gradualisht t’i shkatërrojë mosbesimtarët. 3:142. A mos menduat ju se do të hyni në xhennet e All-llahu pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm. 3:143. Ju ishit ata që dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me te. Ja pra, atë e patë dhe e shikuat me sytë tuaj. 3:144. Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t’i shpërblejë mirënjohësit. 3:145. Askush nuk vdes pa vullnetin dhe lejen e All-llahut. Ai është shënim i afatit të caktuar. E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, Ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botës tjetër, edhe atij do t’ia japim atë, kurse mirënjohësit Ne do t’i shpërblejmë. 3:146. E sa pejgamberë pati që së bashku me të luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e All-llahut, ata nuk u dobësuan dhe as nuk u përulën. All-llahu i do durimtarët. 3:147. Fjala e tyre nuk ishte tjetër pos vetëm të thonin: “Zoti ynë, na i falë mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona dhe na forco në vendet tona (në luftë), ndihmona kundër popullit jobesimtar”! 3:148. Ndaj All-llahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër; All-llahu i do punëmirët. 3:149. O besimtarë, nëse u nënshtroheni jobesimtarëve, ata ju kthejnë prapa aty ku ishit (në kufër) dhe atëherë do të jeni të humbur. 3:150. Sepse vetëm All-llahu është ndihmëtar i juaji dhe Ai është më i miri ndihmës. 3:151. Ne do to mbjellim frikën në zemrat e atyre që nuk besuan sepse ata All-llahut i trillojnë e i mveshin zota të tjerë, duke mos pasur për këtë kurrfar fakti, ndaj vendbanimi i tyre do të jetë xhehennemi. Sa i shëmtuar është vendi i mizorëve. 3:152. All-llahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata (me shpata) deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit (prenë e luftës), e atëher kundërshtuat (urdhrin e Pejgamberit). Pati prej jush që e deshën këtë jetë (ata u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshtën botën tjetër. Pastaj, për t’ju sprovuar u zbrapi juve nga ata. Po All-llahu u fali juve; All-llahu është dhurues i madh ndaj besimtarëve. 3:153. Dhe kur largoheshit e nuk përfillshit as njëri-tjetrin, ndërsa i dërguari ju thërriste mbrapa. Atëherë u goditi me dëshpërim për dëshpërim (që i shkaktuat Pejgamberit), ashtu që mos pikëlloheni për atë që ju shpëtoi (preja e luftës) e as për atë që ju goditi. All-llahu është i njohur hollësisht me atë që veproni. 3:154. Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai u lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumë të lehtë) që i kaploi një grup prej jush, kurse një grup e kishte preokupuar vetëm çështja e vetvetes. Ata formuan bindje të padrejtë ndaj All-llahut, bindje injorante, e thonin: “Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje”! Thuaj: “E tërë çështja është vetëm në duar të All-llahut”! Ata fshehin në vetvete atë që ty nuk ta shprehin. Thonin: “Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu”! Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre”! Në mënyrë që All-llahu të provojë atë që është në zemrat e tuaja (sinqeritetin ose hipokrizinë) dhe që ta pastrojë atë që është në zemrat tuaja. All-llahu i di shumë mirë të fshehtat në zemra. 3:155. Vërtet, ata që u zbrapën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë në Uhud), ata vetëm djalli i shtyri të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po All-llahu ua fali atyre gabimin; All-llahu është mëkatfalës dhe i butë. 3:156. O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan dhe, për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi) ose që kishin shkuar në luftë thonin: “Sikur të kishin ndejtur pranë nesh (e të mos dilnin), ata as nuk do të vdisnin as nuk do të mbyteshin”. Atë (bindje), All-llahu ua bëri një dëshprim në zemrat etyre. Pse All-llahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje dhe All-llahu sheh atë që ju punoni. 3:157. E sikur të ishit mbytur në rrugën e All-llahut, ose t’u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej All-llahut që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë. 3:158. Po edhe nëse vdiqët (në shtrat) ose u vratë, patjetër do të tuboheni te All-llahu. 3:159. Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten. 3:160. Nëse All-llahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që dot’ju ndihmojë? Pra vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët. 3:161. Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile dhe kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në ditën e kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë. 3:162. A është i njëjtë ai që iu bind All-llahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga All-llahu dhe e ardhmja e tij është xhehennemi, që është përfundim shumë i keq? 3:163. Ata kanë dallim te All-llahu, e All-llahu sheh shumë mirë atë që veprojnë. 3:164. Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur. 3:165. E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: “Prej nga kjo”? Thuaj: “Ajo është nga vetë ju”! S’ka dyshim se All-llahu është i plotëfuqishëm për çdo send. 3:166. Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e All-llahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqert. 3:167. Dhe, për t’u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre u është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e All-llahut ose mbroni veten!” E ata thanë: “Sikur të dinim se do të luftohej, ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, po All-llahu e di mirë për atë që fshehin. 3:168. Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: “Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të mbyteshim!” Thuaju: “Largojeni pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?” 3:169. Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti ityre. 3:170. Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar rradhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. 3:171. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s’ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtërëve. 3:172. Të cilët edhe pasi i goditi plaga iu përgjegjën All-llahut dhe të dërguarit. E për ata prej tyre që bënë, mirë dhe u ruajtën, është një shpërblim i madh. 3:173. E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” 3:174. Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh. 3:175. Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju friksojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtar. 3:176. E ty të mos të brengosin ata që përpiqen për mosbesim, ata kurrsesi nuk mund të dëmtojnë asgjë All-llahun. All-llahu me urtësinë e vet dëshiron që atyre të mos u takojë kurrfarë e mire në botën tjetër dhe ata kanë një dënim të madh. 3:177. Ata që në vend të besimit pranuan kufrin, nuk i bëjnë asgjë dëm All-llahut, ata i pret një dënim i idhët. 3:178. Të mosmendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret dënim nënçmues. 3:179. All-llahu nuk është që t’i lë besimtarët ashtu siç jeni, pa dalluar të keqin nga i miri. All-llahu nuk ju zbulon juve të fshehtat (e të dini se ç’mbajnë në zemrat e tyre). Por All-llahu është Ai që nga të dërguarit e vet zgjedh atë që do (e i zbulon ndonjë të fshehtë). Prandaj, besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, e në i besofshit dhe nëse ruheni, atëherë ju keni një shpërblim të madh. 3:180. Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë më atë që veproni. 3:181. All-llahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: “All-llahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ne do të shënojmë atë që thanë ata dhe që i mbytën pejgamberët pa kurrfarë faji, e do t’ju themi: “Vuajeni mundimin e djegies së zjarrit. 3:182. Kjo është meritë e duarve tuaja, se All-llahu nuk është zullumqar ndaj robëve”. 3:183. Ata janë që thanë: “All-llahu na ka porositur që të mos besojmë asnjë të dërguar derisa ai të na sjellë një kurban që do ta ngrënë zjarri. Thuaju: “Para meje juve u erdhën të dërguar me argumente dhe me atë që e thatë, e përse i mbytët ata, nëse thoni të vërtetën?” 3:184. Po nëse ata ty të përgënjeshtrojnë, janë përgënjeshtruar edhe para teje të dërguar që u erdhën me argumente të prera, me shkrime qiellore dhe me libër të ndritshëm. 3:185. Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kijametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues. 3:186. Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare. 3:187. Dhe kur All-llahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshehni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe. 3:188. Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (e fshehen çështjen tënde) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e punuan mos llogarit shpëtim për ta (nuk e thanë të vërtetën), ata kanë një dënim të dhëmbshëm. 3:189. Vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe All-llahu është i gjithfuqishëm për çdo send. 3:190. Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. 3:191. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit! 3:192. Zoti ynë, atë Ti e fute në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë! 3:193. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët! 3:194. Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarëve Tu, na e premtove dhe në ditën e kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!” 3:195. Zoti i tyre iu përgjegj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu. 3:196. Të mos mashtrojë bredhja nëpër qytete e atyre që nuk besuan. 3:197. Ajo është një kënaqësi e pakët, e pastaj vendi i tyre është xhehennemi që është vend mjerimi. 3:198. Por ata që ia patën frikën Zotit të tyre, ata i kanë xhennetet nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty janë përgjithmonë. Ajo është pritje nga ana e All-llahut, e për të mirët më e dobishmja është ajo që është tek All-llahu. 3:199. Po edhe nga ithtarët e librit ka që besojnë All-llahun, e besojnë atë që u është shpallur juve, e besojnë atë që është shpallur atyre, janë të bindur ndaj All-llahut, dhe argumentet e All-llahut në shpallje nuk i shesin për pak send të kësaj jete, të tillët kanë shpërblimin e vet tek Zoti i tyre, e All-llahu është që llogarinë e bën shpejt. 3:200. O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.

Përbërja[redakto | redakto tekstin burimor]

Elif Lam Mim (الم)[redakto | redakto tekstin burimor]

Suretu Ali Imran (3), Suretu El Bekare (2), Suretu El Ankebutë (29), Suretu Er Rrum (30), Suretu Llukman (31), Suretu Es Sexhde (32) janë sure Kur'anore që fillojnë ajetin e parë vetem me tri shkronja الم, (Elif Lam Mim) kuptimi i sakt i të cilave nuk dihet por që komentuesit e shumtë të Kur'anit japin medime të ndryshme ose të ngjashme.

Komente[redakto | redakto tekstin burimor]

Tjera të dhëna[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih edhe këtë[redakto | redakto tekstin burimor]

Wikibooks:Category
Wikibooks ka më shumë informacione për ketë temë:
Suretu Ali Imran
Wikibooks:Category
Wikibooks ka më shumë informacione për ketë temë:
Kur'ani
Commons-logo.svg         Wikimedia Commons ka materiale multimediale në lidhje me: Category:Qur'an

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]