Suretu el-En`amë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Suretu el-En`amë është surja e gjashtë e radhitur në Kur'an dhe përmban 165 ajete.

Përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]



Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


6:1. Falënderim i qoftë vetëm All-llahut që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithëkëtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan, i barazojnë (idhuj) me Zotin e tyre.

6:2. Ai është që ju krijoi nga balta, e mandej ju caktoi një afat (për vdekje) dhe një afat është i caktuar pranë dijes së Tij, dhe pas (gjithë kësaj të vërtete) ju dyshoni.

6:3. Ai është All-llahu (që adhurohet e madhërohet prej çka ka) në tokë; Ai i di fshehtësitë dhe publikimet tuaja dhe Ai e di atë që bëni.

6:4. Nuk ka argument që u vjen atyre nga argumentet e Zotit të tyre, e që ata nuk i shmangen.

6:5. Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur u erdhi, e më vonë do ta kuptojnë lajmin e asaj me të cilën talleshin.

6:6. A e vërejtën ata sa gjenerata para tyre i shkatërruam e që Ne u patëm mundësuar atyre (komoditet) në tokë çfarë juve nuk ju mundësuam; u patëm lëshuar nga qielli shi me bollëk dhe u patëm bërë që të rrjedhin lumenj ndër ta, e për shkak të mëkateve të tyre i shkatërruam dhe pas tyre sollëm (breza) të tjerë.

6:7. Edhe sikur të zbritnim ty një libër të shkruar në letër, e ta preknin atë me duart e tyre, ata që mohuan do të thoshin: “Kjo nuk është tjetër përveç një magji e qartë”.

6:8. E pastaj thanë: “Pse të mos i zbret atij (Muhammedit) një engjëll (të na thotë për Muhammedin se është i dërguar)”. E sikur të zbritnim Ne një engjëll, çështja do të merrte fund duke mos u dhënë atyre afat.
6:9. Sikur ta bënim Ne atë (të dërguarin) engjëll, atë do ta bënim (në formë) njeriu e do t’ua përzienim (ngatërronim) atyre atë që i përzien ata vetes së tyre. 6:10. Edhe të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin. 6:11. Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve. 6:12. Thuaj: “E kujt është e tërë kjo në qiej e tokë?” Thuaj: “Vetëm e All-llahut”. Ai ia përcaktoi mëshirën Vetes. Ai do t’ju tubojë në ditën e gjykimit, për të cilën gjë nuk ka dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë. 6:13. Vetëm e Tij është gjithçka që pushon e lëviz natën e ditën. Ai gjithçka dëgjon dhe gjithçka di. 6:14. Thuaj: “A pos All-llahut, krijues i qiejve dhe i tokës, që ushqen të tjerët, ndërsa vetë nuk ushqehet, të pranoj Zot tjetër?” Thuaj: “Unë jam i urdhëruar të jem i pari që bindem dhe (urdhërohem): të mos bëhem kurrsesi nga idhujtarët. 6:15. Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem dënimit të ditës së madhe, nëse nuk i përulem Zotit tim”. 6:16. Kush mënjanohet atë ditë nga ai (dënimi), atë Ai e ka mëshiruar dhe ai është shpëtim i qartë. 6:17. Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë pos Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i gjithëfuqishëm për çdo send. 6:18. Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij. Ai hollësisht di punët e Tij dhe të robërve të Vet. 6:19. Thuaj: “Cili send ka dëshminë më të madhe?” Thuaj: “All-llahu është dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kijametit). Ju po dëshmoni se pos All-llahut ka edhe zota të tjerë, a?” Thuaj: “Unë nuk dëshmoj!” Ai është vetëm një Zot dhe unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” 6:20. Atyre që Ne u kemi dhënë librin, e njohin atë (Muhammedin) sikurse i njohin bijtë e tyre. Janë ata që asgjësuan vetveten, andaj nuk besojnë. 6:21. Kush është më mizor se ai që ndaj All-llahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S’ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim. 6:22. Përkujto ditën kur Ne i tubojmë të gjithë dhe u themi atyre që i shoqëruan: “Ku janë ata të shoqëruarit tuaj që i trillonit?” 6:23. Atëherë (pas atij sprovimi) përgjigje tjetër s’u mbetet përveç të thonë: “Për All-llahun, o Zoti ynë, ne nuk ishim idhujtarë!” 6:24. Shih se si bëjnë gënjeshtra kundër vetes dhe si u shkoi huq ajo që trillonin! 6:25. Ka prej tyre që ty të dëgjonë (kur lexon Kur’anin). Po Ne kemi krijuar mbulesë mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë dhe në veshët e tyre sajuam shurdhim, dhe edhe sikur t’i shohin të gjitha faktet, ata nuk besojnë, derisa kur vijnë te ti e të polemizojnë, ata që mohuan thonë: “Nuk është tjetër ky (Kur’ani) vetëm se mit i hershëm. 6:26. Ata ndalojnë (të tjerët) nga ai dhe vetë largohen prej atij (Kur’anit), e me atë nuk shkatërrojnë tjetër vetëm vetveten, dhe nuk e hetojnë. 6:27. E sikur t’i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: “Ah sikur të ktheheshim (në Dunja), të mos gënjejmë faktet e Zotit tonë e të bëhemi nga besimtarët!” 6:28. Jo, (s’është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata, do ta përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s’ka dyshim, ata janë gënjeshtarë. 6:29. Ata thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm kjo jeta jonë në këtë botë, dhe ne nuk do të rigjallemi”. 6:30. Dhe, sikur t’i kishte parë ata kur të ndalohen para Zotit të tyre e u thuhet atyre: “A nuk është kjo (ringjalja) e vërtetë?” Ata thonë: “ Po, për Zotin tonë!” Thotë: “Shijoni pra dënimin për atë që mohonit!” 6:31. Ata që përgënjeshtruan se do të takohen me All-llahun (në ditën e gjykimit) kanë humbur përderisa t’u vijë momenti (kijameti) befas e të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam” (nga punët e mira në Dunja), e duke i bartur gabimet e veta në shpinë, dhe, e shëmtuar është ajo që bartin. 6:32. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S’ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni? 6:33. Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të gënjejnë ty, por ata mizorë mohojnë argumentet e All-llahut. 6:34. Janë përgënjeshtruar të dërguar para teje, duruan atë gënjeshtër dhe u torturuan përderisa u erdhi ndihma Jonë, prandaj s’ka kush që ndryshon fjalët (premtimet) e All-llahut. E ti je i njohur me disa nga ngjarjet e të dërguarve (edhe ti do të ndihmohesh sikurse ata). 6:35. Por, nëse refuzimi i tyre të është bërë brengë e madhe, ti kërkoje, nëse ke mundësi, ndonjë vrimë në tokë ose shkallë në qiell e t’u sjellësh atyre ndonjë argument (po ti s’mund ta bësh këtë). Të kishte dashur All-llahu i kishte tubuar në rrugë të drejtë; po ti mos u bën nga të padijshmit (dhe mos u brengos). 6:36. Vetëm ata që kanë dëgjim të shëndoshë i përgjigjen (ftesës). Të vdekurit (ata që nuk dëgjojnë dhe nuk besojnë) All-llahu i ringjall, e pastaj te Ai kthehen (u jep atë që e meritojnë). 6:37. Dhe thanë: “Përse të mos i zbret atij (Muhammedit) një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “S’ka dyshim se All-llahu ka fuqi t’ia zbresë një mrekulli, por shumica e tyre nuk e dinë (se çka do t’i gjente më pas). 6:38. Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen. 6:39. E ata që i bënë të rreme faktet Tona janë shurdhëmemecë të mbetur në errësira. All-llahu e humb kë të dojë dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do. 6:40. Thuaju: “ Nëse u vjen dënimi nga All-llahu ose u vjen kijameti, më tregoni,nëse jeni të sinqertë, a do të thirrni kë pos All-llahut (për ndihmë)?” 6:41. Jo, vetëm Atij (All-llahut) do t’i luteshi, e nëse do Ai, ju heq atë për çka i luteni, e do t’i harronit ata (zota) që ia shoqëronit. 6:42. Ne kemi dërguar (pejgamberë) edhe te popujt para teje (e derisa nuk dëgjuan), i dënuam me skamje e mjerim, ashtu që të përulen. 6:43. E pse të mos përuleshin kur ju erdhi atyre dënimi jonë? Por zemrat e tyre ishin ngurosor, po edhe djalli ua hieshoi atë që bënin. 6:44. Meqë lanë pas dore atë me çka u këshilluan (t’i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që ju kishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer. 6:45. Ndaj u zhduk mbeturina e fundit e popullit mizor, pra Falënderim i qoftë Zotit të botëve! 6:46. Thuaj: “Nëse All-llahu ua merr të dëgjuarit, të pamurit dhe ua mbyll zemrat, pos All-llahut cili zot tjetër do t’ua sjellë atë?”. Shih se si ua sqarojmë faktet e megjithëkëtë ata nuk ua vënë veshin! 6:47. Thuaj: “Më tregoni nëse dënimi nga All-llahut ju vjen befas ose me parashenja, a shkatërrohet kush tjetër pos popullit mizor?” 6:48. Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë. 6:49. Ata që i përgënjeshtruan faktet tona, ata i kap dënimi ngase nuk respektuan normat. 6:50. Thuaj: “Unë nuk u them juve se i kam në kompetencë depot e All-llahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregoj se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk u them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua. Thuaj: “A janë baras i verbëti dhe ai që sheh?” A nuk mendoni? 6:51. Ti tërhiqju vërejtjen me këtë (Kur’an) atyre që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre, në mënyrë që të ruhen, sepse pos Tij nuk do të ketë as mbrojtës as ndërmjetës. 6:52. Dhe mos i përze ata që adhurojnë Zotin e tyre pa pra mëngjes e mbrëmje, duke qenë të sinqertë ndaj Tij. Ti nuk përgjigjesh asgjë nga llogaria e tyre e as ata nuk kanë kurrfarë përgjegjësie nga llogaria jote, e po i dëbove ata do të bëhesh nga të padrejtit. 6:53. Kështu Ne i sprovojmë disa me disa të tjerë (pasanikun me varfanjakun, atë me autoritet dhe atë pa të) ashtu që të thonë: “A këta janë mes nesh që All-llahu i dhuroi?” A nuk është All-llahu më i dijshmi për ata që janë mirënjohës?! 6:54. E kur të vijnë ty ata që i besojnë ajetet tona, thuaju: “Selamun alejkum, Zoti juaj ia ngjeshi vetes mëshirën. Kush bën prej jush ndonjë të keqe pa dije, e mandej pas asaj (të keqe) pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se All-llahu është që falë shumë dhe është Mëshirues. 6:55. Ja, kështu Ne i sqarojmë argumentet, në mënyrë që të dalë në shesh rruga e kriminelëve. 6:56. Thuaj: “Unë jam i ndaluar të adhuroj ata që i adhuroni ju, pos All-llahut! Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, pse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarve (në rrugë të drejtë). 6:57. Thuaj: “Unë i përmbahem të vërtetës (që më erdhi) nga Zoti im. Ju e gënjyet atë, e për atë që nguteni ju (dënimin), nuk e bëj unë, vendimi i takon vetëm All-llahut; Ai e rrëfen të vërtetën dhe Ai është më i miri i gjykatësve. 6:58. Thuaj: “Sikur të ishte ajo për të cilën nguteni ju te unë, çështja mes meje dhe jush do të ishte e përfunduar. All-llahu më së miri di për mizorët. 6:59. Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi - Mahfudh). 6:60. Ai është që ju vë në gjumë natën dhe e di çka vepruat ditën, pastaj ju ngjall-zgjon në të (ditën) deri në afatin e caktuar (vdekje). Pastaj do të ktheheni e do t’ju njoftojë me atë që keni pas vepruar. 6:61. Vetëm Ai është mbizotërues ndaj robërve të vet. Ndaj juve dërgon rojë (cakton engjëj) derisa kur t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë (të tjerë) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi. 6:62. Pastaj i kthehen All-llahut, Sunduesit të vërtetë të tyre. Vetëm i tij është sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i shpejti i llogaritësve. 6:63. Thuaj: “Kush ju shpëton prej errësirave (trishtuese) të tokës e të detit e (nga trishtimi) ju e lutni atë haptas e fshehtas (duke thënë), nëse Ai na shpëton prej kësaj, ne do të jemi (besimtarë) mirënjohës?” 6:64. Thuaj: “All-llahu ju shpëton nga ajo dhe nga çdo brengosje. Megjithëkëtë ju Atij i përshkruani shok. 6:65. Thuaj: “Ai ka fuqi (t’ju shpëtojë, por edhe) t’ju sjellë dënim prej së larti ose prej së poshti nën këmbët tuaja apo t’ju ndajë në grupe e ta luftoni njëri-tjetrin. Shih se si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë”. 6:66. E populli yt e konsideroi atë (Kur’anin) të rremë, porse ai (Kur’ani) është i vërtetë. Thuaj: “Unë nuk jam roje e juaj”. 6:67. Çdo lajm e ka afatin e realizimit, e më vonë, ju do të kuptoni. 6:68. Kur sheh ata se janë thelluar (me tallje) në çështjet Tona, largohu prej tyre derisa të kalojnë në bisedë tjetër. Nëse djalli të bën të harrosh (e rri me ta), pasi të bie ndër mend, mos rri me popullin mizor. 6:69. Për ata që ruhen (për besimtarët) s’ka kurrfarë përgjegjësie (që tallen), por duhet t’ju përkujtojmë në mënyrë që të ruhen edhe ata (që tallen). 6:70. Hiqu atyre që e marrin fenë (në vend që ta respektojnë) për lojë e dëfrim dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ti përkujto me të (Kur’anin) që të mos bie njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s’ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos All-llahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep, çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të idhët. 6:71. Thuaj: “A pos All-llahut të adhurojmë çka nuk na sjell as dobi as dëm dhe të kthehemi mbrapa (në kufr) pasi që All-llahu na vuri në rrugë të drejtë? Dhe atëherë të bëhemi sikur ai, të cilin djallëzit e kanë rrëmbyer (e kanë hedhur) në tokë (në një humnerë), e lënë të hutuar që, edhe pse ai ka shokë që e thërrasin në rrugë të drejtë (i thonë): “Eja te ne” (ai nuk përgjigjet). Thuaj: “I vetmi udhëzim është ai udhëzimi i All-llahut, dhe se jemi urdhëruar që t’i dorëzohemi Zotit të botëve. 6:72. (Na është thënë) Dhe faleni namazin dhe kini frikë prej Tij, se Ai është te i cili do të tubohemi. 6:73. E Ai është që krijoi qiejt dhe tokën me qëllim të caktuar, e (ruajuni dënimit) ditën kur thotë: “Bëhu”! Ajo bëhet. Fjala e Tij është e njëmendtë dhe Atij i takon sundimi ditën kur i fryhet “Surit” (kjo është hera e dytë). Ai e di të fshehtën dhe konkreten, është më i urti që di për çdo gjë në hollësi. 6:74. Përkujtoju (o i dërguar) kur Ibrahimi i tha babait të vet Azerit: “A statuja (idhuj) adhuron për zota? Unë po të shoh ty dhe popullin tënd në një humbje të sigurt. 6:75. E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur. 6:76. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi) tha:” Unë nuk i dua ata që humben”. 6:77. Kur e pa hënën të posalindur tha: “Ky është Zoti im! e kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!” 6:78. Kur e pa diellin të lindur, tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!” e kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” 6:79. Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok! 6:80. Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij e ai tha: “A polemizoni me mua, rreth All-llahut e Ai më udhëzoi?” Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?” 6:81. E si t’ju frikohem atyre që ju ia shoqëruat, e ju nuk frikoheni për atë që i shoqëruat All-llahut pa pasur kurrfarë argumenti. E cili grup, pra, është më i drejtë të jetë i sigurt, nëse jeni që kuptoni? 6:82. Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë. 6:83. Këto janë argumentet tona që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngrejmë në shkallë të lartë atë që duam. Zoti yt çdo send e vë në vendin e vet, asgjë nuk mund t’i fshehet. 6:84. Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. Më parë edhe Nuhun e patëm udhëzuar. E nga pasardhësit e tij (të Ibrahimit) udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejjubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë bamirësit. 6:85. (shpërblyem) Edhe Zekerijanë, Jahjanë, Isain, Ilijasin të gjithë prej të mirëve të përsosur. 6:86. (shpërblyem) Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit tjerë. 6:87. Edhe disa nga prindërit, nga pasardhësit dhe nga vëllezërit e tyre i zgjodhëm (për pejgamberë) dhe i udhëzuam në rrugë të vërtetë. 6:88. Ky është udhëzim i All-llahut, udhëzon me të kë të dojë nga robët e Tij. E sikur t’i përshkruajnë shok Zotit (edhe ndonjë nga këta) kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepuar. 6:89. Ata ishin që u patëm dhënë librin, urtësinë e pejgamberllëkun; e nëse këta (idhujtarët mekas) e refuzojnë këtë (pejgamberllëkun tënd), Ne e kemi siguruar këtë me një popull që nuk e refuzon. 6:90. Ata (të dërguarit e përmedur) ishin që All-llahu i vuri në rrugë të drejtë, andaj ti merri shembull në udhëzim. Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë (komunikimin e Kur’anit) shpërblim prej jush. Ky nuk është tjetër, përveç një këshillë për mbarë njerëzit. 6:91. Ata (mohuesit) nuk e njohën All-llahun sa duhet njohur Atë kur thanë; “All-llahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu!” Thuaj: “Kush e zbriti librin, me të cilin erdhi Musai e që ishte dritë e udhërrëfyes për njerëz, e të cilin ju e bëni të shpërndarë në letra, që disa i prezentoni, kurse shumicën e fshehni. Dhe u mësuat çka nuk e dinit ju as prindërit tuaj? Thuaj: (e zbriti) All-llahu”. Mandej lëri ata që luajnë në atë kotësinë e tyre. 6:92. Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes, e që t’i tërheqësh vërejtjen nënës së fshatrave (të banorëve mekas) dhe atyre përreth saj (mbarë botës). Ata që e besojnë Ahiretin, besojnë në të (Kur’anin), ata edhe e falin namazin rregullisht. 6:93. E kush është më gabimtar i madh se sa ai që trillon rrenë ndaj Zotit, ose thotë: “Mua po më shpallet e nuk i është shpallur asgjë, ose se sa ai që thotë: “Do të thur diçka të ngjashme me atë që e ka zbritur All-llahu”. E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): “Shpëtojeni pra vetveten (nëse mundeni)”. “Tash përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për All-llahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneç”. 6:94. Në të vërtetë ju na erdhët një nga një (të vetmuar), ashtu si ju krijuam së pari; keni lënë prapa shpinës atë që u patëm dhënë, e nuk po shohim se i keni me vete ndërmjetësit tuaj, të cilët i mendonit se për ju janë ndihmëtarë (i shoqëronit All-llahut). S’ka dyshim, është këputur lidhja mes jush, dhe mbaroi ajo çka mendonit (ndërmjetësues apo zotëra tjerë). 6:95. S’ka dyshim, All-llahu është zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës). Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe Ai është nxjerrës i të vdekurit nga i gjalli. Ky është All-llahu, e si atëherë shmangeni (nga besimi)? 6:96. Ai është krijues i dritës së mëngjesit. Natën e bëri kohë pushimi, e diellin dhe hënën për llogaritje të kohës. Ky (rregull) është caktim i të plotfuqishmit, i gjithëdijshmit. 6:97. Ai është që krijoi yjet për ju që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det. Vërtet Ne i shpjeguam argumentet tona për një popull që di të mendojë. 6:98. Ai është që ju krijoi (filloi) prej një njeriu; aty (mbi tokë) jetoni (qëndroni) dhe nën të do të pushoni. Ne ia sqaruam argumentet një populli që di të kuptojë. 6:99. Ai është që lëshoi nga lartë shiun e me të nxori bimën e çdo sendi dhe prej bimës gjelbërim dhe prej tij (prej gjelbërimit) kokrra të dendura në kallinj. E nga hurmet, nga sythat e tyre kalaveshë të afërt (për t’i vjelë). Edhe kopshtie me hardhi, ullinj e shegë të ngjashme (në dukje) e të llojllojshme (në shije). Shikoni pra frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen (të gjitha këto nga shiu). Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë. 6:100. E xhinët ia bëjnë shokë All-llahut, e në të vërtetë Ai i krijoi ata (xhinët) dhe duke mos patur kurrfarë dije, ata shpifën se Ai (Zoti) ka djem e vajza. Larg (shpifjeve) është madhëria e Tij e lartë. 6:101. Ai (All-llahu) është që krijo (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe tokën (e duke qenë i tillë), e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo send e krijoi Ai, dhe është më i dijshmi për të gjitha sendet e krijuara. 6:102. Ky është All-llahu, Zoti juaj, nuk ka të adhuruar përveç Tij, Krijues i çdo sendi, pra adhurojeni Atë; Ai është mbikëqyrës ndaj çdo sendi. 6:103. Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshinë Atë, e Ai i përfshinë të parët. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur. 6:104. Juve ju erdhën argumente të qarta nga Zoti i juaj e kush i sheh (kupton) ai e ka për vete, e kush verbërohet, ai e ka për të zezën e vet. E unë (Pejgamberi) nuk jamë roje e juaj. 6:105. E kështu Ne i sqarojmë dëshmitë, ashtu që ata thonë: “Ke mësuar ti” (nga librat, po fjalës së tyre nuk i vihet veshi) dhe që për t’ia bërë edhe më të qarta një populli që di të dallojë (të vërtetën nga e kota). 6:106. Ti (Muhammed) praktiko atë që t’u shpall nga Zoti yt. S’ka Zot, përveç Tij. Largohu prej idhujtarëve. 6:107. E sikur të donte All-llahu, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të bëmë përcjellës të tyre e as që je mbikëqyrës i tyre. 6:108. Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan. 6:109. Ata u betuan me një betim të fortë në All-llahun, se nëse u vjen atyre ndonjë mrekulli, do ta besojnë. Thuaj: “Çështja e atyre mrekullive është te All-llahu”. E ku e dini ju, ndoshta kur të vijnë ato nuk u besojnë. 6:110. Ne i rrotullojmë zemrat dhe të parët e tyre (prej besimit) ashtu sikundër nuk e besuan atë (Kur’anin) për herë të parë, dhe i lëmë të bredhin të hutuar në atë mashtrimin e tyre. 6:111. E edhe sikur t’ua zbritnim Ne atyre engjëjt, t’u flitnin të vdekurit, t’u tubonim atyre çdo send (gjallesë) konkretisht, ata nuk kishin për të besuar, vetëm po të donte All-llahu, por shumica e tyre nuk dinë (se besimi është dhuratë nga Zoti). 6:112. Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo pejgamberi i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxit njëri-tjetrin në mashtrime. E sikur të donte Zoti yt, ata nuk do bënin atë (armiqësi), po ti lëri ata me ato trillime. 6:113. Dhe që të anojnë (te ato fjalë mashtruese) zemrat e atyre që nuk besojnë botën e ardhshme dhe që të kënaqen e ngarkohen me atë që janë duke u ngarkuar (ty nuk të dëmtojnë asgjë). 6:114. (Thuaj) A pos All-llahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)? Kur Ai është që ua zbriti librin në mënyrë të shkoqitur? Atyre që u dhamë librin e dinë se ai (Kur’ani) është i zbritur prej Zotit tënd saktësisht, pra mos u bë prej atyre që dyshojnë. 6:115. Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është që dëgjon e di. 6:116. Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e All-llahut. Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se rrenacakë. 6:117. S’ka dyshim, Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai është më i dijshmi për të udhëzuarit. 6:118. Ju (besimtarë) hani nga ajo që (është therur dhe) është përmendur emri i All-llahut, po qe se jeni të bindur në faktet e Tij. 6:119. Ç’keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i All-llahut, e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni detyruar (atëherë edhe harami është hallall). Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit). Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat. 6:120. Dhe mos bëni mëkate as haptas as fshehtas. Ata që bëjnë mëkatin do të ndëshkohen për mëkatin e bërë. 6:121. Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i All-llahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat. Djallëzit i nxisin miqtë e vet që t’ju polemizojnë juve, e nëse i dëgjoni ata, atëherë jeni si ata (idhujtarë). 6:122. Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë. 6:123. Dhe ashtu (sikurse në Mekë) në çdo qytet kemi bërë kriminelët e tij pari, në mënyrë që të bëjnë dredhi në të, por nuk mashtrojnë tjetërkë pos veten e tyre dhe prapëseprapë nuk kuptojnë. 6:124. E kur u vjen atyre ndonjë argument i prerë (për Muhammedin), ata thonë: “Kurrsesi nuk e besojmë atë (dërgesën e Muhammedit) derisa të mos na jepet edhe neve ngjashëm me atë që iu pat dhënë të dërguarve të All-llahut”! Më së miri All-llahu e di ku ta vërë dërgesën (risalen) e vet. Ata që bënë krim do t’i godasë poshtrimi dhe dënimi i fortë te All-llahu për shkak se vazhdimisht bënin hile. 6:125. Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngusht sikur të ngjitej në qiell. Kështu All-llahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë. 6:126. Kjo është rruga e Zotit tënd, është e drejtë, Ne shpjeguam argumentet për njerëz që përkujtojnë. 6:127. Ata e kanë vendin e shpëtimit (xhennetin) te Zoti i tyre; Ai është mbrojtës i tyre, për atë që ata vepruan. 6:128. Përkujto ditën kur Ai i tubon ata të gjithë (e u thotë): “O grumbull i xhinve, ju mashtruat shumë njerëz!” E nga njerëzit që ishin miq të tyre (të xhinve) thonë: “Zoti ynë ne përfituam njëri prej tjetrit, dhe e arritëm afatin të cilin e caktove!” Tha: “(Zoti) Zjarri është vendi juaj, përgjithmonë jeni në të, pos (kohës) çka do All-llahu”. Vërtet Zoti yt është më i urti, më i dijshmi. 6:129. Po ashtu (sikur u dhamë xhinve dhe njerëzve përjetim), Ne i bëjmë sundues disa mizorë mbi mizorët e tjerë për shkak të asaj që fituan (vepruan). 6:130. O grumbull i xhinve dhe i njerëzve! A nuk ju erdhën nga mesi juaj të dërguar t’ju rrëfejnë argumentet e Mia dhe t’ju tërheqin vërejtjen për takimin tuaj në këtë ditë? Ata thonë: “Dëshmojmë kundër vetvetes”. I pat mashtruar ata jeta e kësaj bote dhe ashtu (të detyruar) dëshmuan kundër vetvetes se me të vërtetë e refuzonin (të vërtetën). 6:131. Këtë (dërgimin e të dërguarve) ngase Zoti yt nuk është që për shkak të mëkatit të shkatërrojë një vend, e banorët e tij të jenë të painformuar. 6:132. Po për secilin (veprues) ka shkallë (që do t’i arrijë) sipas asaj që vepruan. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë. 6:133. Zoti yt nuk ka nevojë për asgjë, Ai është mëshirues. Nëse do Ai, juve ju zhduk dhe sjell kë të dojë pas jush, ashtu sikurse ju solli juve nga pasardhësit e atyre që ishin para jush. 6:134. Ajo që iu kërcënohet (kijameti, ringjallja, llogaria, përgjegjësia) patjetër do të vijë, e ju nuk mund ta pengoni. (Nuk mund ta mënjanoni caktimin e Zotit). 6:135. Thuaj: “O populli im (kurejshit)! veproni në atë që jeni, e unë do të vazhdoj të veproj në atë që jam, e më vonë do ta dini se kujt do t’i takojë e ardhmja e lavdishme. Është e ditur se zullumqarët nuk gjejnë shpëtim. 6:136. Dhe nga ajo që krijoi Ai prej të lashtave dhe prej kafshëve shtëpiake, ata (idhujtarët) ndanë një pjesë për All-llahun dhe thanë: “Kjo është për All-llahun, si mendonin ata, e kjo është e idhujve tanë”. Ajo që ishte për idhujt, nuk shkon te All-llahu, e ajo që është për All-llahun, shkon te idhujt e tyre. Sa gjykim i shëmtuar është ai që gjykojnë (pjesën e idhujve e plotësonin nga ajo e All-llahut, në rast nevoje, e të All-llahut jo). 6:137. Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan atyre mbytjen e fëmijëve të vet, për t’i shkatërruar (me mashtrime) dhe për t’ua ngatërruar fenë (që e kishin pasur të Ismailit). Po sikur të donte All-llahu, ata nuk do ta bënin atë, andaj hiqu tyre dhe asaj që shpifin. 6:138. Dhe sipas bindjes së tyre ata thoshin: “Këto kafshë dhe këto bimë janë të ndaluara, nuk mund të ushqehet me to, përveç ata të cilëve ne ua lejomë; këto janë kafshë që është e ndaluar t’u hipet; këto janë kafshë që gjatë therjes së tyre nuk përmendin emrin e All-llahut, duke shpifur ndaj Tij. Ai do t’i ndëshkojë ata për shpifjet e tyre. 6:139. Madje ata thoshin: “Çka është në barqet e këtyre kafshëve është vetëm për mashkujt tanë, e ndaluar për gratë tona. E nëse ishte e ngordhtë (fruti në bark) ata (meshkuj e femra) ishin të barabartë në të. Do ta ndëshkojë Ai cilësimin e tyre të rrejshëm. Ai është i përsosur në punët e Tij, i dijshëm për krijesat e Tij. 6:140. S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim. 6:141. Ai (All-llahu) është që krijoi kopshte (bimët e të cilave) të ngritura lart (në shtylla) dhe të rrafshta (të shtrira në tokë), edhe hurmet dhe drithërat me frute (shije) të ndryshme; (krijoi) ullinjtë dhe shegët e ngjashme (nga forma) e jo të ngjashme (nga shija). Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojlive) dhe (hani-jepni) mos teproni, pse Ai nuk i do shkapërderdhësit. 6:142. Nga kafshët (shtëpiake krijoi) edhe aso për ngarkim (për hipje) dhe aso, prodhimi i të cilave përdoret për shtrojë (leshi i tyre ose për therrje). Hani nga ajo që All-llahu ju dhuroi, e mos ndiqni gjurmët (rrugët) e shejtanit, pse ai është armik juaj i hapët. 6:143. Ai (krijoi) tetë lloje (nga kafshët shtëpiake): prej deleve dy (dash e dele), prej dhive dy (cjap e dhi). Thuaj: “A janë të ndaluar (haram) dy meshkuj apo dy femra apo çka mbanë (pjell) mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” Më tregoni, pra, me fakte të ditura (e jo me trillime) nëse jeni të sinqertë. 6:144. Ai (krijoi) edhe nga devet dy (lloje) dhe nga lopët dy (lloje). Thuaj: “A dy meshkuj i ka ndaluar (haram), a dy femra, ose çka mban mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” A mos ishit të pranishëm kur All-llahu ju porositi me këtë (hallall apo haram)?” E kush është më mizor se ai që trillon rrenë për All-llahun dhe ashtu t’i humbë njerëzit në mungesë të dijes. All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë mizorët. 6:145. Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kur’an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri, ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therrur jo në emër të All-llahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat. E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që falë e mëshiron shumë. 6:146. E (posaçërisht) ndaj atyre që janë jehudi Ne u kemi ndaluar çdo (kafshë) thundrake: nga lopët dhe delet u kemi ndaluar dhjamin e tyre, pos atij (dhjami) në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe pos atij të përzier me ndonjë asht. Këtë (masë-ndalesë) e morëm si ndëshkim ndaj mëkatit të tyre. S’ka dyshim, Ne jemi të vërtetë (në çka ju rrëfejmë). 6:147. Po, në qoftë se (për këtë jehuditë) e përgënjeshtrojnë. Thuaj: “Sa mëshirues i madh është ky Zoti juaj, po (mos u mashtroni) dënimi i Tij për njerëzit kriminelë nuk mund të prapësohet!” 6:148. E ata që i shoqëruan Zotit, do të thoshin: “Sikur të donte All-llahu nuk do t’i bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë) as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send.”Kështu patën gënjyer edhe ata që ishin para tyre derisa (për shkak të mëkatit) përjetuan dënimin tonë të ashpër. Thuaj: “A mos keni ndonjë fakt e të na e prezentoni atë neve?” Ju i mbështeteni vetëm hamendjes, në të vërtetë,vetëm gënjeni”. 6:149. Thuaj: “All-llahu ka argumentin më të plotë dhe sikur të donte Ai do t’ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve”. 6:150. Thuaj: “Sillni dëshmitarët, të cilët dëshmojnë se All-llahu ndaloi (bëri haram) ato (që i ndalonin vetë). Nëse duan të dëshmojnë rrejshëm, ti mos dëshmo bashkë me ta dhe mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i bënë të rreme dhe pas atyre që nuk besojnë jetën e që largohen prej Zotit të tyre (adhurojnë tjetër). 6:151. Thuaj: “Ejani t’ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë. 6:152. Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrë më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë All-llahut plotësonie. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni. 6:153. Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni. 6:154. E Musait i dhamë librin plotësim (i të mirave) për atë që tregon bindje të mirë, dhe sqarues për çdo send, udhërrëfyes e mëshirë, ashtu që të besojnë se do të takohen me Zotin e tyre. 6:155. Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbanju këtij, ruajuni ashtu që të mëshiroheni. 6:156. (E zbritëm Kur’anin) Që të (mos) thoni: “Libri u zbriti vetëm dy grupeve para nesh (jehudive e të krishterëve) dhe se ne ishim të panjohur me librat (me mësimet) e tyre. 6:157. Dhe që të (mos) thoni: “Sikur të na kishte zbritur neve libri, (sikurse u zbriti atyre dy grupeve) ne do të ishim edhe më të udhëzuar se ata. Juve ju erdhi nga Zoti juaj argumenti (Kur’ani), ju erdhi udhëzimi, mëshira. E kush është më zullumqar se ai që argumentet e Zotit i bën të rreme dhe ua kthen shpinën atyre? Ne do t’i ndëshkojmë me ndëshkim më të rëndë ata që ua kthyen shpinën argumenteve Tona, për shkak të prapësimit që bënë. 6:158. A mos janë duke pritur tjetër ata (pas këtyre fakteve) vetëm t’ju vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin), të vijë Zoti yt (urdhri për shkatërrim) ose të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, (në) ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire. Thuaj: “Pritni, edhe ne jemi duke pritur!” 6:159. Vërtet ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhammed) nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm te All-llahu, Ai do t’i njohë me atë që punuan. 6:160. Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë. 6:161. Thuaj: “Vërtet Zoti im më udhëzoi në rrugë të drejtë, që është fé e drejtë, fé e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota. Ai (Ibrahimi) nuk ishte idhujtar! 6:162. Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. 6:163. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)! 6:164. Thuaj: “ A të kërkojë Zot pos All-llahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues) dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit. 6:165. Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. All-llahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues.

Përbërja[redakto | redakto tekstin burimor]

Komente[redakto | redakto tekstin burimor]

Tjera të dhëna[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih edhe këtë[redakto | redakto tekstin burimor]

Wikibooks:Category
Wikibooks ka më shumë informacione për ketë temë:
Suretu el-En`amë


Wikibooks:Category
Wikibooks ka më shumë informacione për ketë temë:
Kur'ani


Commons-logo.svg         Wikimedia Commons ka materiale multimediale në lidhje me: Category:Qur'an

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]