Thomas Paine

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Thomas Paine

Thomas Paine (Tomës Péjn, 1737-1809) ishte publicist dhe filozof britanik-amerikan dhe njëri prej etërve themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ruajti rol të rëndësishëm në revolucionin amerikan dhe atë frëng. Veprat e tij i dhanë shtysë ndërtimit të identitetit kombëtar amerikan, por edhe hapën diskutime të rëndësishme dhe kundërthënëse për zhvillimet e kohës.

Paine u lind në Angli, ku kaloi një jetë të vështirë. Ndonëse me arsim të paktë dhe me dështime në punë e martesë, mërgimi i tij në Amerikë i solli mundësi të reja. Pamfleti i titulluar Common Sense (Ndjesi e përbashkët), një apologji e suksesshme e rendit republikan dhe lirisë së individit, u mirëprit nga revolucionarët amerikanë, duke arritur në 500 mijë kopje të shitura brenda pak muajsh. Botuar më 1776, vepra parapriu dhe ndikoi në hartimin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, vepra Age of Reason (Moti i Arsyes), të cilën Paine e botoi gjatë qëndrim në Paris, u gjykua ashpër për kritikën që Paine i bëri krishterimit dhe kryesisht rolit negativ të feve në shoqëritë e asaj kohe. Në këtë punim filozofik e politik, që nuk arriti të ndikonte aq në vijën ateiste të revolucionarëve francezë, Paine parashtroi bindjen e tij deiste, të besimit në Zotin krijues, por jo sipas mësimeve të feve tradicionale. Filozofi deist u shpreh se besonte në një Zot, por jo në mësimet e kishës romake, protestante, çifute apo turke, si dhe se respektonte besimit e të tjerëve. Ai thoshte nuk është e ndershme për njeriun me shpallë atë që nuk beson, duke i konsideruar kështu besimtarët e devotshëm si të ndershëm që shpallin besimin e tyre.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Thomas Paine, "Common Sense", (Dover, New York, 1997).