Venera e Vendenisit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Venera e Vendenisit

Venera e Vendenisit është një statuetë e hyjneshës Venera e periudhës romake. Ajo është punuar në bronz dhe është gjetur rastësisht në lokalitetin arkeologjik Vendenis Gllamnik, afër ndërtesës luksoze me Mozaikun e Orfeut, inventar i së cilës mund të ketë qenë. [1]

Vështrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Figurina e Venerës së Vendenisit ka një lartësi prej 7.6 cm dhe është ruajtur mirë, por i mungon shputa e këmbës së djathtë me një pjesë deri te nyelli dhe shputa e këmbës së majtë. Hyjnesha është paraqitur lakuriq në çastin e rregullimit të flokëve dhe, si e tillë, paraqet njërën nga variantet e shumta të Veneres lakuriqe, të punuara sipas Praksitelit dhe shkollës së tij. Trupi i saj, i kthyer lehtë nga e majta, qëndron mbi këmbën e majtë. Duart i ka të lakuara në bërryl dhe të ngritura. Me të majtën mban një tufë flokësh të përdredhur, kurse me të djathtën një pasqyrë predimensionale. Kokën e ka të kthyer në gjysmëprofil në drejtim të pasqyrës. Flokët, të krehur në valëzime të shpeshta rreth fytyrës, mblidhen në nyjë prapa në zverk, prej nga dy blej krelash bien mbi supe. Mbi flokë mban diademën e theksuar dukshëm, në trajtën e kurorës. Përkundër flokëve të modeluar mjaft mirë, detajet në fytyrë, edhe pse të theksuara, janë trajtuar thjeshtë me gravurim. Trupi është punuar mirë, me proporcione të harmonishme dhe me detaje anatomike të trajtuara natyrshëm në të dy anët. Statueta e Venerës në çastin e tualetit është ekzemplari i vetëm i zbuluar në Dardani. Është mjaft cilësore, e bërë sipas ndonjë modeli të mirë helenistik, në ndonjërën prej qendrave të njohura të punimit. Bazuar në figurinat e një pune të mirë provinciale dhe të importuara nga qendrat e tjera të perandorisë gjatë shek. II ose gjysmës së parë të shek. III, mendohet se edhe statueta i takon të njëjtës kohë.[1]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1733–1734. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.