Aeronautika

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Aeronautika (nga Greqishtja aero-ajër dhe nautis-lundërtar ) është shkenca qe merret me studimin, projektimin, ndërtimin dhe/apo përdorimin e mjeteve ose makinave të afta për të fluturuar. Emri(lundërtar i qiellit) i është vënë duke qenë se fillimisht kjo shkencë merrej vetëm me përdorimin dhe manovrimin e avionit. Më vonë, me zhvillimin e jashtëzakonshëm që pati kjo fushë, Aeronautika u shndërrua në një shkencë që merret me të gjitha fenomenet e lidhura me proceset industriale dhe aplikative të nevojshme. Një nga degët e saj më të rëndësishme është Aerodinamika, e cila studjon lëvizjen dhe bashkëveprimin e ajrit me objekte të ngurta të "zhytura" në të.

Një aeroplan B-2 SPIRIT i USAF-it në fluturim

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Skifter në fluturim
Daedalus and Icarus, autori Frederick, Lord Leighton, viti 1869



Dëshira për të fluturuar lindi natyrshëm bashkë me njeriun, ndoshta që herën e parë që njeriu pa një zog që fluturonte. Mposhtja e kufijve që natyra i ka vendosur ka qenë historikisht shtysa që ka çuar njerëzimin gjithmonë e më përpara, deri në ditët e sotme. Sot mjetet fluturuese që prodhohen dhe përdoren në botë tejkalojnë dukshëm qëllimin fillestar të tyre. Në të vërtetë aeroplanët modernë jo vetëm janë të aftë të veprojnë në kushte të pamundura për zogjtë, por janë bërë pjesë e domosdoshme e jetës sonë. Le të hyjmë pak në historinë që qendron pas arritjeve që na kanë dhuruar këto mjete të jashtëzakonshme.


Përpjekje të lashta[redakto | redakto tekstin burimor]

Në të vërtetë përpjekjet më të hershme së paku për të kuptuar mekanizmin fizik që qëndron pas aftësisë së zogjve për të fluturuar gjejnë vend në histori shumë më parë nga çmund të mendohet. Shumë më parë edhe krahasuar me legjendën greke një pikturë e së cilës paraqitet djathtas. Arkeologë të ndryshëm kanë zbuluar se egjiptianët e lashtë kanë kryer studime të hollësishme në këtë aspekt, duke arritur të kuptojnë në thelb fluturimin e zogjve. Disa arkeologë eksperimentues kanë hedhur hipotezën që ndoshta rezultatet e atyre studimeve u kanë dhënë mundësinë egjiptianëve të përdornin forcën e erës me një sistem të ndërlikuar balonash dhe rrotullash për lëvizjen e objekteve të mëdha të përdorura për ndërtimin e veprave të tyre kolosale si piramidat e Egjiptit. Dihet gjithashtu se në lindjen e largët kinezët kanë qenë të aftë të ndërtojnë balona që fluturonin mijëra vjet p.E.S., ndoshta më parë se Faraonët e Egjiptit. Mbështetës të arkeologjisë fantastike ose pseudoarkeologjisë, për sa mund të konsiderohen të vërteta apo spekullime pohimet e tyre,mbështesin mundësinë që qytetërime të lashta kanë arritur më tej në këtë fushë, ndoshta më tej se ne, por këto konsiderime mbështeten kryesisht mbi të dhëna të diskutueshme, ose vizatime që së largu mund të konsiderohen se kanë të bëjnë me këtë fushë.

Vizatimi i një mjeti fluturues nga mjeshtri Leonardo da Vinci (1488). Ky mjet ishte një ornithopter, me krahë që përplaseshin si të zogjve, u paraqit për herë të parë në Codex mbi Fluturimin e Zogjve në 1505.

Mesjeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndonëse mesjeta është me siguri periudha më e errët në histori për zhvillimin e shkencës në përgjithësi, aty u hodhën hapat e parë që i paraprinë aeronautikës moderne si e njohim sot. Në mesjetën e hershme në lindjen e afërt u kryen studime të rëndësishme mbi fluturimin e zogjve,që i paraprinë shkencëtarit Ibn Firnas, një nga europianët e parë modernë që krahas studimeve të kryera, zhvilloi dhe një sërë eksperimentesh të lidhura me rezultatet që arriti. Më vonë mund të përmenden Leonardo da Vinci ose vëllezërit Montgolfier, i pari që projektoi një lloj ornitopteri, një mjet fluturues i ngjashëm me një zog, të dytët që projektuan, zbatuan dhe treguan në publik nje balonë me ajër të ngrohtë që fluturoi por pa pilot, prej tyre marin emrin balonat me ajër të ngrohtë moderne. Puna e këtyre pionierëve të fluturimit, edhe pse nuk arritën të ndërtonin mjete të afta të transportonin njerëz, i hapën rrugën zbulimeve që do vinin më pas.

Flutirimi i parë i Wright Flyer I, 17 dhjetor 1903. Fluturimi i parë i një mjeti i pilotuar nga një njeri dhe i shtyrë nga një motorr.
LZ 127 Graf Zeppelin, zeppelin-i më i famshëm

Revolucioni industrial[redakto | redakto tekstin burimor]

Përpjekje të vazhdueshme zgjatën gjatë Rilindjes. Megjithatë nderin e shkrimit të historisë do ta fitonin Vëllezërit Wright në SHBA. Pas shumë provash të susksesshme me mjete fluturuese pa motorr, më 17 dhjetor 1903 me modelin e radhës Wright Flyer I të treguar në figurë, ata bënë të mundur fluturimin e parë të pilotuar me motorr në histori, duke hapur një faqe të re të zhvillimit industrial botëror. Edhe pse garën e fluturimit të parë e fituan vëllezërit Wright, përpjekjet e shkencëtarëve që ndërkohë ishin munduar t'i kalonin bënë të mundur një zhvillim të jashtëzakonshëm të aeronautikës. Në vitet që pasuan u zhvilluan si aeroplanë, ashtu dhe zeppelin (balona të ngurta gjigande të treguara në figurë më poshtë) në kohë rekord.

Një Sopwith F-1 Camel, model ushtarak anglez i Luftës së Parë Botërore
Një McDonnell Douglas DC-3, një nga aeroplanët të trasportit civil më të famshëm të të gjitha kohërave me mbi 13000 ekzamplarë të ndërtuar. Fluturoi për herë të parë në vitet '30, megjithatë shërben akoma në shumë vende të botës.

Lufta e Parë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, edhe pse në rrethana të gabuara, bëri të kuptohej rëndësia e aeronautikës. Avantazhi ushtarak që ofronte bëri superfuqitë të investonin pa kursim në studimin dhe ndërtimin e mjeteve fluturuese. U ndërtuan me mijëra biplanë(aeroplanë me dy palë krahë), u zhvilluan triplanë(me tre palë krahë) dhe zeppelin-ë. U investua gjithashtu edhe në studimet aeronautike, aq sa profilet e krahëve të përdorura edhe sot u studjuan qysh atëherë. Gjatë luftës në një farë mënyre filloi formimi dhe karakterizimi i aeronautikës si disiplinë më vete. Gjithashtu u formua dhe një figurë e re profesionale, ajo e pilotit, që më parë ishte një detyrë që mbulohej përgjithësisht nga të njëjtit persona që projektonin mjetet. Njëkohësisht lindën dhe legjendat e para të aviacionit, si Baroni i Kuq ose avionë si Sopwith Camel i treguar në figurë.

Një P-38 pjesëmarrës në fushatën e Normandisë, USAF Aviacioni Ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Horten HO IX, krah fluturues gjerman i Luftës së Dytë Botërore

Lufta e Dytë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Lufta e Dytë Botërore shënoi fundin e ndërtimin masiv të zeppelin-ëve. Kjo sepse ndërkohë ishin zhvilluar aeroplanë me krahë tek, me një palë krahë, me strukturë dhe veshje metalike, me motorrë më të fuqishëm. Këta modele të rinj jo vetëm tejkalonin zeppelin-ët në ato situata ku këta të fundit kishin qenë historikisht më të aftë, po njëkohësisht shndërronin zeppelin-ët në objektiva të lehtë për t'u goditur. Kjo vuri në hije zhvillimin dhe ndërtimin e zeppelin-ëve edhe për qëllime civile. Por sakaq aviacioni në përgjithësi gjeti një rilindje të re, një zhvillim të tejskajshëm, aq sa zhvillimi i mjeteve që përdorni motorrë xhet filloi qysh nga mesi i luftës, për të nxjerrë në dritë modelet e para funksionuese ndërsa lufta ende nuk kishte përfunduar. Ky zhvillim zhduku komplet nevojën e zeppelin-ëve duke qene se aeroplanët mund të përdoreshin tashmë edhe për fluturime ndërkontinentale, gjë që më parë vetëm zeppelin-ët mund të bënin. Por ndërsa zeppelin-ët vdisnin, lindte një specie e re mjetesh, helikopterët. Edhe pse studimi i tyre kishte filluar decada më parë, ishte gjatë luftës që modelet e para funksionale filluan të ndërtoheshin dhe përdoreshin efektivisht. Në ndërtimin e aeroplanëve gjetën vend koncepte të reja ndërtuese, si ai i krahut fluturues, që më pas do të sillnin zhvillimin e aeroplanëve si B-2 Spirit, i ilustruar në fillim të këtij artikulli.


Një SR-71 Blackbird në fluturim
Alouette II, Helikopteri i parë i prodhuar në masë me motorr turbinë. I projektuar në Francë, fluturimi i parë u krye më 1955, ndërsa prodhimi filloi më 1957 me mbi 1300 ekzemplarë të prodhuar

Lufta e Ftohtë[redakto | redakto tekstin burimor]

Lufta e ftohtë filloi me dy premisa të rëndësishme për aeronautikën: motorrët xhet dhe turboxhet për aeroplanët nga njëra anë dhe motorrët turbinë për helikopterët nga tjetra. Kështu aeroplanët filluan të bëheshin gjithmonë e më të shpejtë, gjithmonë e më të mëdhenj, përtej kufijve të vendosur më parë nga paaftësia teknike e helikave, helikopterët filluan të prodhoheshin në masë falë motorrëve të rinj të përdorur për herë të parë më 1951, që pakësonin në mënyrë të konsiderueshme peshën e mjeteve. Studimet e mëtejshme mbi strukturat metalike dhe qarqet elektronike për kontrollin e qëndrueshmërisë në ajër lejuan thyerjen e Shpejtësisë së Zërit, kufi më parë i menduar i pakalueshëm. Aviacioni hyri në prioritetet e planeve si ekonomike dhe ushtarake të mbarë botës. Ndërsa në pikëpamjen civile transporti ajror i pasagjerëve fitoi shpejt rëndësinë që ka sot, dhe aeroplanët morën shpejt formën strukturale dhe funksionale aktuale, në aspektin ushtarak u arritën rekorde që kalonin Macch 3(3 herë shpejtësia e zërit, ose mbi 3600 km/h), si aeroplani spiun Blackbird amerikan. Në të vërtetë shpejtësia e zërit u kalua edhe nga modele civilë, si Concorde, por kostot e larta të këtij të fundit bënë që ky aspekt i aviacionit civil të mos zhvillohej më tej. Gara midis superfuqive për armatim dhe teknologji vuri edhe një herë në dispozicion të aeronautikës botërore fonde të pakufizuara. Është në këtë periudhë që u studiuan për herë të parë modele Stealth si B-2 Spirit, në figurë, apo F-117 Night Hawk. Ndërkohë aviacioni civil njohu një profilizim të lartë të modeleve në bazë të karakteristikave të kërkuara nga tregu, duke filluar nga modelet fare të vogla, të përshtatshme për privatë, te xhetët e lluxit, për të kaluar te aeroplanët e linjave të klasifikuar në të vegjël, për linja të shkurtra, të mesëm për linja mesatare, dhe të mëdhenjtë interkontinental si Boeing 747, pa harruar helikopterët që u bënë mjet i domosdoshëm për mjeksinë, zjarrfikësit, mediat, policinë, VIP-at etj. Gara drejt teknologjisë në luftën e ftohtë shpejt u shndërrua edhe në një garë drejt hapësirës, me projekte të përshtatshme si për hapësirën dhe për atmosferën si Shuttle-i amerikan. Kjo periudhë historike, një nga më të artat në historinë e aeronautikës, i dha një ide mbarë njerëzimit për perspektivat e zhvillimit të kësaj fushe dhe rëndësisë së saj.

Aeronautika moderne[redakto | redakto tekstin burimor]

X45-A arriti shpejtësinë Mach 9,68
Një X-45A në fluturim. Ky është një model UCAV(ang.=Unmanned Combat Air Vehicle) mjet fluturues luftarak pa pilot. Frut i fantashkencës të së kaluarës, tashmë shndërruar në realitet.

Me përfundimin e luftës së ftohtë investimet në fushën e aeronautikës u ulën ndjeshëm, kjo për fat të mirë nuk ndikoi ndjeshëm në nivelet e kërkimit duke patur parasysh se strukturat industriale dhe akademike të lidhura tashmë ishin zhvilluar dhe profilizuar në atë pikë sa mund të mbijetonin edhe falë vetëm fondeve nga ndërmarrjet e interesuara dhe të ardhurave të tregut. Krahas përmirësimeve të modeleve të transportit civil për të përmirësuar sigurinë në fluturim dhe komoditetin e pasagjerëve, vëmendja e kërkuesve tashmë është zhvendosur mbi probleme që për herë të parë në histori po vlerësohen seriozisht për pasojat që sjellin, si ndotja e mjedisit. Në fushën ushtarake modelet e gjuajtësve-bombardues shumërolësh të rinj, që sapo kanë hyrë në shërbim ose do të hyjnë së shpejti, ndër këta F-22 Raptor ose F-35 Lightning II, gëzojnë të gjithë aftësi Stealth. Sakaq po vlerësohen koncepte të reja aerodinamike dhe teknologjike, mund të përmenden UAV-ët(ang.=Unmanned Air Vehicle-Mjet Fluturues pa Pilot) dhe në veçanti UCAV-ët(ang.=Unmanned Combat Air Vehicle- në figurë) që përveç përdorimit të qartë ushtarak për të evituar humbje pilotësh ofrojnë premisa për përdorime të transportit civil të mallrave; mund të përmenden eksperimente të bërë mbi fluturimet hiper-sonike (shumë më lartë shpejtësisë së zërit) si rasti i X-45A i lëshuara nga NASA(National Air and Space Administration) Amerikane, që arriti shpejtësi rekord me motorrin e tij ram-xhet duke iu afruar Mach 10 në vitin 2004. Këto eksperimente, të kryera kryesisht vitet e fundit, po vërtetojnë se fantashkenca e të kaluarës po bëhet realitet me ritme të papritura.

Objektiva për të ardhmen[redakto | redakto tekstin burimor]

Në fushën ushtarake tashmë është e qartë që e ardhmja përmban vetëm mjete fluturuese pa pilot. Modelet ekzistuese të këtyre mjeteve kanë vënë në dukje përparësitë që gëzojnë në krahasim me homologët e pilotuar: një mjet fluturues pa pilot nuk vë në rrezik jetë njerëzish, të paktën të palës që e përdor; një mjet fluturues pa pilot nuk nevojit persona shumë të kualifikuar qoftë dhe për komandimin në distanzë (nuk është nevoja për një stërvitje të mirëfilltë fluturimi, ashtu sikundër se nuk është nevoja per standarte rezistence dhe përqëndrimi nga ana e pilotit). Me gjithë keqardhjen e të apasionuarve të fushës, të pilotëve dhe të kujtimit të heronjve të ajrit, figura e pilotit ushtarak, e ajkës së të gjithë forcave të armatosura të cfarëdolloj shteti në botë, në të ardhmen do të zbehet duke u trasformuar thjesht në një aftësi ekstra të cfarë do pjesëtari të forcave ushtarake, duke u zhdukur përfundimisht nga skena si figurë profesionale e tejet-stërvitur dhe përgatitur për punën që kryen. Për sa i përket aviacionit civil, do mbete ashtu siç e njohim sot vetëm për linjat e shkurtëra dhe të mesme, me mjete që gjithmonë e më tepër do të projektohen për të patur një efiçencë sa më të lartë me pasoja sa më të papërfillshme për ambjentin. Për sa i përket fluturimeve të gjata interkontinentale, dhe avionëve të famshëm si Boeing 747, shumë shejt do të zëvendësohen me mjete të afta për fluturim suborbitale, që do të ofrojnë udhëtime më të shpejta me kosto më të ulët. Kjo falë rikthimit të interesit botëror, dhe investimeve botërore, mbi astronautikën dhe pasojave që ajo do t'i sjellë së shpejti shoqërisë dhe mënyrës sonë të jetesës. Ky zhvillim do të sjellë formimin e një figure profesionale që, ndonëse në nivele të larta profesionalizmi, deri më sot mbetet akoma një figurë pionieristike: Astronauti. Në të ardhmen më tepër persona do kenë mundësinë të ndërmarrin këtë karrierë që do të zgjerohet e përkufizohet gjithmonë e më tepër. Ky profesion, përveç të qënurit ëndrra e kujtdo të apasionuari ndaj filmave fantastiko-shkencorë, do të jetë me siguri pasardhësi i denjë i pilotëve ushtarakë që deri më sot sfidojnë ligjet e fizikës përtej shpejtësisë së zërit.

Kuriozitete[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

Projekte[redakto | redakto tekstin burimor]

Bibliografi[redakto | redakto tekstin burimor]