Alfred Kanini
Alfred Kanini | |
Fotoporteti | |
Emri | Alfred |
Mbiemri | Kanini |
Lindur më | 10 qershor 1943 |
Lindur në | Tiranë, Albania |
Vdiq më | 13 nëntor 2011 |
Vdiq në | Largo, Florida, USA |
Kombësia | Shqiptare |
Profesioni | Shkrimtar, Gazetar |
Alfred Mihal Kanini (1943-2011) ishte një shkrimtar dhe gazetar i shquar shqiptar.
Jeta dhe karriera e hershme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Alfred Kanini lindi në Tiranë në 10 qershor 1943. Të gjitha vitet e shkollimit i kreu në Tiranë: 7-vjeçaren në shkollën “11 janari”, të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”, ndërsa të lartën në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari.
U diplomua në vitin 1967 dhe filloi punë si gazetar në Radio Tirana. Ndër emisionet më të njohura që përgatiti në vite janë “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Emisioni për rininë”, etj.
Në vitin 1971-1975 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Mbuloi faqen letrare të gazetës dhe lëvroi gjerësisht gjininë e reportazhit. Ndihmoi mjaft poetët dhe shkrimtarët e rij duke i afruar në faqet e kësaj gazete të dashur për rininë.
E qarkulluan si mësues në fshatin e largët Ars–Miliska të rrethit Pukës. Duke qenë se nuk pranoi të shkonte mbeti për disa kohë pa punë . Për të mbijetuar, ngase ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë, pranoi të punojë si punëtor i thjeshtë në hekurudhën Elbasan-Pogradec. Pasi shkroi një numër artikujsh në shtypin e përditshëm dhe periodik disa gazeta të vendit e afruan, duke e konsideruar si të dërguarin e posaçëm të redaksive të tyre. Me ndihmën e miqve të ngushtë afërt të tij, si Petrit Ymeri, Antoneta Malja, e të tjerë, mundi të të rikthehej në Radio-Tirana në fillim si redaktor e pastaj për shumë vite si përgjegjës i Redaksisë së Kulturës. Ndërkohë u martua sërish dhe nga martesa e dytë ka një vajzë. Gjatë gjithë karierës së tij si gazetar asnjëherë nuk la pas dore edhe krijimtarinë letrare, duke shkruajtur në organet më të njohura të vendit si “Drita”, “Ylli”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Zëri i Rinisë”, etj.
Krijimtaria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1971 botoi vëllimin e tij të parë me tregime të titulluar “Mbi një platformë betoni” për të vazhduar më tej me publikime të tjera në gjininë e tregimit, novelave e romanit.
- Mbi një platformë betoni - tregime (1971)
- Shirat e vjeshtës - tregime dhe novela (1972)
- Pas mjegullës - novela (1974)
- Vozabërësi dhe vajza e vrarë - tregime (1975)
- Mëngjeset e bregut të liqenit - tregime (1978)
- Ngarkesa e largët - roman (1979)
- Njeriu që dua - roman (1983)
Vitet '90
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitet 1990-1992 ishte në ballë të lëvizjeve demokratike në Radio-Televizionin Shqiptar, ku i besuan drejtimin e Sindikatës së Pavarur të këtij institucioni, në krye të së cilës kreu veprimtari intensive e të gjithanshme në mbrojtje të demokracisë, përmbysjen e komunizmit dhe demokratizimin e jetës në Radio-Televizion. Nga viti 1992 deri në vitin 1998 punoi si drejtor I departamentit të Kulturës në Televion, I cili ishte një ndër departamentet më të mëdhenj e më të rëndësishëm të Televizionit Shqiptar. Pas ngjarjeve të shtatorit 1998, pushohet nga puna me motivacionin absurd “Pjesëmarrje në grusht shteti”, akuzë që ju vesh vetëm sepse në ditën kur protestuesit e irrituar nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari mësynë nëpër institucionet e kryeqytetit, ai u ndodh në detyrë në mbrojtje të TVSH, në një kohë që drejtuesit e tij ia kishin mbathur paturpesisht.
Jeta në Emigracion
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]I mbetur pa punë e pa asnjë të ardhur, në moshën 57 vjeçare, i sëmurë nga zemra e, sidomos nga sytë, që më shumë se për këdo janë jetikë për një gazetar, meqë edhe e shoqja ishte prej vitesh e papunë, u detyrua të emigrojë në Florida të SHBA. Atje u ndesh edhe me punë të vështira fizike, të cilat me kurajo e dëshirë per nje jetë dinjitoze, i përballoi me vullent të hekurt... Ne Largo te Floridës, ai dha nje kontribut te çmuar per funksionimin dhe rritjen cilësore te Radios së Komunitetit Shqiptar. Një jetë plot sfida ishte kjo perriudhë e emigrimit, por te paktën kishte mundësi të shihte e tu gëzohej tre të bijave, edhe pse në shtete të ndryshme të Amerikës. Në 26 maj të vitit 2011, pas afro 11 vjet emigrimi, Alfred Kanini mori qytetarinë amerikane.
Viti 2011 ishte fatal për Alfred Kaninin. Me disa sëmundje në trup, i operuar disa herë teksa qe i shtruar ende në spital, i pushoi zemra. Ndëroi jetë në SHBA, më 13 nëntor 2011.
Thanë për të pas vdekjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Skënder Buçpapaj - poet, gazetar, ish-Drejtor i Pergjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar (1992 - 1996):
"E kam pritur me shumë dhimbje lajmin për ndarjen e Alfred Kaninit nga jeta. Kemi qenë kolegë të afërt në punë disa vjet dhe shumë kohë kolegë të letrave. Alfred Kanini ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në krye të sindikatës së Radiotelevizionit dhe në krye të grevës në vjeshtën e vitit 1991. Pas ardhjes së PD në pushtet, Alfredit iu ofruan poste, të cilat nuk i pranoi, ngaqë punën në Radiotelevizion nuk e ndërronte me asgjë. Mbetet një ndër figurat më të larta që ka nxjerrë Radiotelevizioni Shqiptar dhe mediat shqiptare në përgjithësi. Me sa kam parë, Tirana nuk e ka pasqyruar fare këto ditë ndarjen e parakohshme dhe tejet të dhimbshme nga jeta të Alfredit. Unë kam vetëm kujtime të mira prej Alfredit. Në të gjitha komunikimet me mua, në të gjitha situatat ka qenë i hapur, i çiltër, burrëror, çka është gjë e rrallë në Tiranë. Nuk e di a ka lënë libra në dorëshkrim. Por gjithsesi shpresoj që të ketë pasur një periudhë të mirë të jetës në Amerikë, në mërgim. Iu shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, të afërmve, dashamirëve dhe miqve të Alfred Kaninit"[1]
Agim Pipa - Gazetar, poet, prozator:
"Fredi ishte shpirt Njeriu. Prozator magjik, i papertuar, gojemjalte, mesues i shkelqyer i gazetarise se folur dhe shpirterore ne mikrofonin e Radio Tiranes, nga shkolla e te cilit kaluan dhjetra gazetare te radios dhe televizionit kombetar shqiptar. Mik besnik i virtyteve dhe idealeve, te njerezve me te cilet ndertoi endrrat e tij dhe endrrat tona te perbashketa per me shume liri, per me shume art dhe kulture, per me shume vepra arti, proze, poezi, pikture, muzike. Mik dhe mjështër edhe i te gjithe atyre qe fjalen e lire e vendosen ne panteonin e Paqes, neper studiot e Radios dhe Televizionit! I perjetshem qofte kujtimi dhe verpa e tij, plot drite! Lamtumire, i dashur Fredi!" [1]
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Portali Shqipëria.Com - Artikull nga Ilir Kanini
Homazhe në Facebook për Alfred Kaninin
Gazeta "Dielli" - Artikull nga Murat Gecaj
Prishtina Press - Artikull nga Murat Gecaj
Forumi "Zogu i Zi" - Artikull nga Antoneta Malja
"Dituria" - Artikull nga Viron Kona Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine