Ian Fleming

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Ian Lancaster Fleming lindi më 28 maj 1908Londër, vdiq më 12 gusht 1964CanterburyAnglisë. Ai ishte një shkrimtar britanik. U bë i njohur para së gjithash përmes figurës së sajuar të romanit dhe filmit James Bond, si dhe përmes librit të tij për fëmijë "Chitty Chitty Bang Bang".

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

I lindur në MayfairLondrës, Ian Fleming u rrit në hijen e babait të tij, Valentine Fleming, i cili ishte deputet i Partisë Konservatore në Dhomën e Ulët dhe ra dëshmorë në Luftën e Parë Botërore, dhe në hijen e gjyshit të tij, bankierit legjendar skocez Robert Fleming. Vëllai i madh Peter Fleming ishte shkrimtar i udhëpërshkrimeve. Ian Fleming ishte nxënës në kolegjin në Eton, ku mësoi frëngjishten, rusishten dhe gjermanishten dhe dy herë mori çmimin e atletikës. Më vonë ai u detyruar të largohej nga shkolla për shkak të një ndodhie me një vajzë. Vijimi i Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst rrodhi vetëm mesatarisht, ndërsa edhe këtë akademi e lëshoi për shkak të një ndodhie të ngjashme.

Nëna e tij e detyroi Flemingun që ta lëshonte Anglinë dhe të merrte një banesë në Kitzbühl të Austrisë. Ai studioi gjuhët dhe psikologjinë në universitete të ndryshme evropiane dhe shkroi të parat tregime të shkurtra dhe poezi, edhe pse në atë kohë nuk e kishte synimin të bëhej shkrimtar. Bënte gjithçka që të pranohej në ndonjë post në Ministrinë e Jashtme, por dështoi dhe për këtë arsye para Luftës së Dytë Botërore punoi katër vjet si gazetar në Reuters. Suksesi i tij më i madh si gazetar ishte një reportazh për një gjykim spiunazhi në Rusi. Ngaqë profesioni i gazetarit nuk linte shumë para për jetë, Fleming përparoi si tregtar i letrave me vlerë në bankat londineze Cull & Co. dhe Rowe & Pitman. Më vonë pranoi postin e korrespondentit të gazetës Times, ku ishte i punësuar deri më 1933. Kjo detyrë e çoi në Bashkimin Sovjetik, prej nga ai duhej të raportonte për një udhëtim afarist, por në të vërtetë ai spiunoi për Ministrinë e Jashtme.

1930 Fleming u punësua në Shërbimin Informativ të Marinës dhe u ngrit në toger dhe asistent personal të drejtorit John Godfrey. Nga 1941 u angazhua si oficer ndërlidhës me Shërbimin Informativ të Marinës Amerikane dhe nga fundi i 1943 komandoi një njësit të shkolluar special të Royal Marines, të quajtur Fleming's Red Indians, për të cilin planifikoi dhe zbatoi disa aksione të rrezikshme, mirëpo me rastin e këtyre aksioneve ai nuk merrte pjesë drejtpërdrejt. Mes tjerash Fleming në vitin 1940 ishte kompetent që ta mbronte Gjibraltarin dhe Spanjën Jugore nga mbikëqyrja me radar nga ana e gjermanëve. Ky aksion kishte emrin Operation Goldeneye. Ai ndihej i frymëzuar nga mundësitë e spiunazhit dhe i dërgonte shënime William Donovan-it, në të cilat sqaronte, se si mund të ndërtohej OSS, paraprijës i CIA. Donovan ishte aq i mahnitur nga kjo, sa ia dorëzoi Flemingut një revole me mbishkrimin "për shërbime speciale".

Në vitet e fundit të luftës Fleming kaloi ca kohë në Xhamajkë në kuadër të një konference ushtarake dhe peizazhi i pasur atje i la përshtypje të madhe. Ai aty bleu një truall plazhi, ndërtoi një shtëpi që e quajti Goldeneye. Aty kalonte muajt e ftohtë të dimrit, shkruante tregimet dhe romanet e tij dhe niste dashuriçka, mes tjerash edhe të martuarën Anne Rothermere, me të cilën u martua më 1952. Po atë vit u lind edhe djali i tyre Casper. Fleming punoi prapë si gazetar dhe më 1953 shkroi romanin e tij të parë me temë spiunazhi me titullin "Casino Royale" me figurën e tij të famshme të agjentit James Bond. Të drejtat e veprës së tij të parë ai ia shiti për 6.000 dollarë aktorit dhe regjisorit të Hollywood-it Gregory Ratoff, i cili James Bond-in e solli më 21 tetor 1954 për herë të parë në televizionin amerikan. Por "Casino Royale" mori pak përkrahje nga publiku dhe skenarët për serinë e planifikuar me emrin "James Bond, Secret Agent" përfunduan në harresë. Pa u penguar nga kjo, Fleming shkroi tre romane të mëtejshme para se më 1957 ta botonte "From Russia with Love". Në atë kohë ai kishte ndërmend ta përfundonte serinë e Bondit dhe t'i dedikohej veprave serioze, por kur presidenti Kennedy librin "From Russia with Love" e cilësoi si njërin prej librave më të dashur të tij, Fleming vendosi të shkruaj edhe tregime të tjera për agjentin sekret. Bond arrinte gjithnjë e më shumë në interesimin e publikut. Gazeta londineze "Daily Express" botoi më 1957 një strip të shkurtër me agjentin 007.

Nga një reportazh rreth kontrabandës me diamante për "Sunday Times" Fleming u frymëzua për romanin e tij "Diamonds Are Forever", i cili u botua më 1957. Meqenëse edhe "Goldfinger" dhe "Thunderball" kishin sukses të madh, Fleming u tërhoq dalëngadalë nga gazetaria dhe u përqendrua kryesisht në romanet e tij. Në vitet 1958 dhe 1959 ai punoi në një seri për qytetet për "Sunday Times", e cila më vonë u publikua edhe si libër me titullin "Thrilling Cities".

Ndërkohë producenti i filmave Harry Saltzmann kishte marrë një opsion për gati të gjitha romanet dhe tregimet e shkurtra të Flemingut (përjashtim bënin në atë kohë "Moonraker" dhe "Casino Royale") dhe kërkonte financimin e filmit të parë të James Bond-it. Vetëm në fillim të viteve të 60-ta përmes angazhimit financiar të Albert R. Broccoli mundi të shfaqej nëpër kinematë filmi i parë me Bond-in "James Bond ndjek Dr. No). Fleming mori 100.000 funta britanike për secilin titull dhe pjesëmarrje me përqindje në të ardhurat nga kinematë për filmat e prodhuar. Në filmin "Përshëndetje dashurie nga Moska" ai madje kishte edhe një paraqitje të shkurtër në një skenë kur nisej treni.

Më 1964 Fleming u sëmurë nga gripi i kraharorit, i cili mandej u zhvillua në pleurit. Gjendja e tij shëndetësore përkeqësohej në përgjithësi, e kësaj i ndihmonte edhe prirja e tij për duhan, pije alkoolike, ushqim të yndyrshëm dhe udhëtime të gjata. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Golfit në St. Georges në gusht 1964 ai pësoi një infarkt në zemër dhe pak më vonë vdiq në Sandwich Bay në Kent.

Ian Fleming është i varrosur në varrezën e qytetit Sevenhampton, në afërsi të Swindon pranë gruas së tij Anne dhe të birit Casper, i cili më 1975 vdiq nga doza e lartë e drogave.

Deri në vdekjen e tij Fleming shkroi 12 romane me Bondin dhe 9 tregime të shkurta, të cilat janë përkthyer në 23 gjuhë. Jeta e tij është përshkruar me një biografi televizive të shfaqur në Britaninë e Madhe, me dokumentarin "Goldeneye" si dhe me një film kryesisht fiktiv "Jeta sekrete e Ian Flemingut".

Veprat[redakto | redakto tekstin burimor]

Romanet e James Bondit

  • Casino Royale (1953)
  • Live And Let Die (1954)
  • Moonraker (1955)
  • Diamonds Are Forever (1956)
  • From Russia With Love (1957)
  • Doctor No (1958)
  • Goldfinger (1959)
  • For Your Eyes Only (1960)
  • Thunderball (1961)
  • The Spy Who Loved Me (1962)
  • On Her majesty's Secret Service (1963)
  • You Only Live Twice (1964)
  • The Man With The Golden Gun (1965)
  • Octopussy And The Living Daylights (1966)

Libra për fëmijë

  • Chitty Chitty Bang Bang (1964)

Libra dokumentarë

  • The Diamond Smugglers (1957)
  • Thrilling Cities (1963)

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]