Imam Shafi’u

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Muhamed Ibn Idris Ibnul-Abbas Ibn Uthman Ibn Shafi’ Ibnus’Sa’ib Ibn Ubejd Ibn Abd Jezid Ibn Hashim Ibnul-Mutalib Ibn Abd Menaf Ibn Kusi Ibn Kilab Ibn Murrah Ibn Ka’b el-Lu’ij Ibn Galib, Imami i njohur si Imam Shafi’u ishte dijetar islam, mbrojtësi i Hadithit, Fekihu i Fesë, Ebu Abdullah el-Kurashi, pastaj el-Mutalibi esh-Shafi’i el-Mekki, el-Gazzij me vendlindje, një i afërt i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me anë të martesës, dhe një pasardhës i xhaxhait të tij. Mutalibi është vëllai i Hashimit, i cili është babai i Abdul-Mutalibit.


Ky unanimitet për Imam Shafiun, se ai ka lindur në Gaza dhe babai i tij, Idrisi, vdiq ndërsa ishte akoma i ri, kështu që Muhamedi u rrit jetim nën kujdesin e të ëmës. Ajo u frikësua për të, nga kushtet e vendit, kështu që e mori në vendin e saj të origjinës ndërkohë që ai ishte dy vjeç. Ai u rrit në Mekke dhe filloi të gjuante me shigjeta, aq sa ua kaloi edhe bashkëkohësve të tij. Pastaj filloi të mësonte gjuhën Arabe dhe poezinë, dhe u bë ekspert i tyre. Pastaj ra në dashuri me Fik’hun, kështu që ai u bë mjeshtër i kësaj fushe mes njerëzve në kohën e tij.

El-Muzeni ka thënë: "Nuk kam parë ndonjë njeri me fytyrë më të bukur sesa Shafiu, Allahu pastë mëshirë për të, dhe sa herë që e kapte mjekrën, nuk kishte gjë më të mirë sesa kapja e mjekrës tek ai"

Rabij' el-Mu’adhin ka thënë: ‘E dëgjova Shafiun të thotë: “Kam gjuajtur me shigjeta, derisa mjeku më tha: ‘Kam frikë se do të krijohet tuberkulozi në mushkëri, për shkak të kohës së gjatë që harxhon në vapë’. Ai tha: 'Dhe unë i gjuaja nëntë nga dhjetë objekte që kisha për shenjë'".[1]

Ahmed Ibn Ibrahim et-Ta’i el-Akta’ ka thënë: el-Muzeni na kumtoi se Shafiu ka thënë: “E kam mësuar përmendësh Kur'anin, kur isha tetë vjeç, dhe e kam mësuar përmendësh Muveta-n (e Imam Malikut), kur isha dhjetë vjeç.”

Ka ardhur në Menakibush-Shafi’i të el-Aburit[2]: "E kam dëgjuar Zubejr Ibn Abdul-Uahid el-Hamdani të thotë se Ali Ibn Muhamed Ibn ‘Isa na njoftoi: ‘E kam dëgjuar Rabij' Ibn Sulejmanin duke thënë: ‘Shafiu lindi në ditën kur vdiq Ebu Hanifja, Allahu pastë mëshirë për të dy ata'".

Transmetohet nga Shafiu i cili ka thënë: “Shkova tek Maliku, kur isha trembëdhjetë vjeç” – dhe është ashtu siç thotë ai, edhe pse ai duket sikur ishte njëzetë e tre vjeç. Ai ka thënë: “Shkova me djalin e xhaxhait në Medine. Maliku foli dhe tha: 'Kërkoj dikë që të lexoj për ju'. Unë thashë: 'Unë do të lexoj', kështu që fillova t’i lexoja. Dhe sa herë që ai do të më kërkonte për diçka që kishte kaluar, atëherë unë ia kumtoja nga kujtesa ime. Dukej sikur ishte mahnitur. Pastaj më pyeti për një çështje, kështu që iu përgjigja, e pastaj një çështje tjetër, dhe tha: “Ti do të duash që të bëhesh gjykatës!"[3]

Ebu Ubejd ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë njeri më inteligjent sesa Shafiu”, dhe, po ashtu, Junus Ibn Abdul-‘Ala ka thënë: “Nëse do të bashkohej Umeti, inteligjenca e tij do të ishte më e madhe sesa tërë ajo çfarë mund të tubonin ata.”

Zubejr el-Istirabadi ka thënë: Muhamed Ibn Jahja Ibn Adem nga Egjipti na ka njoftuar: Ibn Abdul-Hakem na njoftoi: E dëgjova Shafiu të thotë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë epshesh ka në kelam, ata do ia kishin mbathur prej tij, ashtu sikurse ia mbathin nga luani.”

Junus es-Sadafi ka thënë: "Nuk kam parë ndonjë njeri më inteligjent sesa Shafiu. Debatova një ditë me të për një çështje, pastaj rrugët tona u ndanë. Kur u takuam përsëri, ai më mori për dore, pastaj tha: 'O Eba Musa, a nuk do të ishte më mirë që ne të jemi vëllezër, edhe pse nuk pajtohemi për një çështje?' Unë them: kjo tregon plotësinë e logjikës së këtij Imami dhe kuptimin e vetes së tij, sepse debatuesit kurrë nuk rreshtin së kundërshtuari.”

Ebu Xha’fer et-Tirmidhi: Ebul-Fadl el-Uashxhirdi na ka njoftuar: E dëgjova Abdullah Saganin të thotë: Pyeta Jahja Ibn Ekthem për Ebi Ubejdin dhe Shafiun: "Kush prej tyre është më i ditur?" Ai tha: ”Ebu Ubejdi vinte shpesh tek ne. Ai ishte një njeri i cili, nëse do ta kishte fatin e mirë që t’i dërgonin libra, ai do ta kishte përmirësuar formën e shkrimit të tyre. Ai i organizonte ato në paragrafë mjaft të bukur, për shkak të dhuntisë së tij të lartë në gjuhën Arabe. Kurse, sa për Shafiun, ne kemi qenë tek ai me Muhamed Ibnul-Hasen për shumë diskutime dhe ai ishte një njeri nga Kurejshët në kuptimin dhe intelektin e tij, dhe ishte i shpejtë në korrigjim. Dhe sikur të mos kishte dëgjuar më hadithe, ai do të kishte qenë i mjaftueshëm për Umetin e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) para të gjithë fukahave (Juristëve) të tjerë.”

Ma’mer Ibn Shebib ka thënë: E dëgjova Me’munin duke thënë: “Vërtet e kam testuar Muhamed Ibn Idrisin në çdo gjë, dhe e pashë se ishte i kompletuar.”

Ahmed Ibn Muhamed Ibn Bintush-Shafi’ ka thënë: E kam dëgjuar babanë dhe gjyshin tim duke thënë: "Sa herë që ndonjë njeri vinte tek Sufjan Ibn Ujejne me diçka nga tefsiri ose me fetva, ai ia kalonte Shafiut dhe i thoshte:'Merru ti me këtë'".

Vërtet[4] Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka qenë nga njerëzit më të ditur për sa i përket kuptimeve të Librit dhe Sunetit dhe nga njerëzit më të rreptë për sa i përket kapjes fortë pas këtyre të dyjave. Ai ishte nga njerëzit më të shkëlqyer për sa i përket përkushtimit të kujdesit ndaj dijes dhe shpresonte për mirësi. Ai thoshte: “Do të doja që njerëzit ta mësonin këtë dije, kështu që asgjë prej saj të mos më atribuohej mua. Kështu, ata do të shpërbleheshin dhe unë nuk do të lavdërohesha.”

Ai thoshte: "Nëse them diçka, dhe diçka është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në kundërshtim me thënien time, atëherë ajo meriton më shumë të ndiqet, dhe mos më ndiqni verbërisht.” Dhe ai ka thënë: “Nëse kumtoj ndonjë hadith të saktë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe nuk veproj sipas saj, atëherë dëshmoni se më ka lënë mendja.” Dhe ai i ka thënë Ahmed Ibn Hanbelit, Allahu e mëshiroftë: “Ti je më i ditur rreth transmetimeve të sakta sesa ne. Nëse ka ndonjë transmetim të saktë, atëherë më njofto për të, edhe nëse ka ardhur nga Kufa, nga Basra apo nga Shami.”

Dhe kapja e tij e fortë pas Sunetit arriti deri në atë pikë, saqë ai i këshillonte shokët e tij të kapeshin pas tij (Sunetit), dhe u thoshte: “Kapuni pas njerëzve të Hadithit, sepse ata janë më të saktët mes njerëzve.” Dhe ai ka thënë: "Nëse shoh ndonjë njeri nga njerëzit e Hadithit, më duket sikur kam parë ndonjë nga Shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu ua shpërbleftë atyre me të mira, ata i ruajtën bazat për ne, kështu që ata kanë epërsi para nesh"[5] pastaj lexoi këto vargje poetike:

“Të gjitha llojet e dijes, përveç Kur'anit, janë humbje kohe, përveç Hadithit dhe njohjes së fik’hut të kësaj Feje. Dije është ajo çfarë ka “Na tha ai…” apo “Na njoftoi ai…” Çdo gjë tjetër veç kësaj është nga pëshpëritjet e Shejtanit."[6]

Vërtet, më shumë se një nga dijetarët e mëdhenj e kanë lavdëruar Shafiun. Prej tyre është Abdu-Rrahman Ibn Mehdi, i cili i ka kërkuar që t’i shkruajë një libër për usulet (bazat e Fesë). Ai ia shkroi librin dhe ky libër u bë libri i parë që është shkruar për këtë shkencë. Pas kësaj, Ibn Mehdi lutej në Namaz për të. Dhe prej atyre që e kanë lavdëruar është edhe mësuesi i tij, Malik Ibn Enes dhe Kutejbe Ibn Se’id. Dhe ai ka thënë: “Ai është Imam.”

Dhe prej atyre që e kanë lavdëruar atë janë: Sufjan Ibn Ujejne, Jahja Ibn Se’id el-Kattan, Ebu Ubejd Ibn Selam, dhe ai ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë njeri më elokuent, më inteligjent e më zahid sesa esh-Shafi’i. Dhe prej atyre që e kanë lavdëruar Shafiun janë: Jahja Ibn Ekthem el-Kadi, Is’hak Ibn Rahauejh dhe Muhamed Ibnul-Hasen.

Ahmed Ibn Hanbel u lut në Namazin e tij për të për një periudhe kohore katërdhjetë vjeçare dhe ai thoshte për hadithin që transmetohej nga Ebu Davudi, nga Ebu Hurejra (radij-Allahu anhu), nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet Allahu dërgon për këtë Umet në krye të njëqind vjetëve dikë që ta ripërtërijë Fenë për ta."[7] se: “Umer Abdul-Azijz erdhi në krye të njëqind viteve të para dhe esh-Shafi’i erdhi në krye të njëqind viteve të dyta.” Ahmedi thoshte: “Esh-Shafi’i ishte si dielli për botën dhe si falje për njerëzit.” Ebu Theur ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë si puna e Shafiut e as ai nuk ka parë ndonjë si vetja tij.”

Rabij' ka thënë: “Shafiu vdiq të Enjten dhe ne ia falëm Xhenazen natën e së Enjtes. E kemi parë hënën e muajit Sha’ban në vitin dyqind e katër dhe ai ishte shtatëdhjetedy vjeç."[8]


Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. "Akideja e Katër Imamëve" nga Muhamed Ibn Abdu-Rrahman el-Khumejjis. Biografia është marrë dhe është përmbledhur nga Sijer A’lamun-Nubela (8/47-130)

[1]

  1. ^ el-Menakib (2/128), el-Bejhaki
  2. ^ Ai është Ebul-hasen Muhamed Ibnul-Husejn Ibn Ibrahim es-Sixhistani, vdiq në vitin 363H. Shiko et-Tabakat (1/344) të Subkit.
  3. ^ et-Tarijkh (14/402) e Ibn Asakir.
  4. ^ Kjo është shkëputur nga Uesijetul-Imamaush-Shafi’i (fq. 14-22), kontrolluar nga Sa’du-Din Ibn Muhamed el-Kibbi.
  5. ^ Shiko el-Bidaje uen-Nihaje (10/254) të Ibn Kethirit, dhe Si’jer A’lamun-Nubela’ (10/60) të Imam Dhehebiut.
  6. ^ Këto vargje poetike i janë vërtetuar Shafiut, sikurse gjendet në el-Bidaje (10/256) dhe Diuanush-Shafi’i (fq. 88).
  7. ^ Transmetuar nga Ebu Davudi (n. 4291), el-Hakim (4/522), Khatib el-Bagdadi në Tarijkh Bagdad (2/61), Ibn ‘Adij në el-Kamil (1/123), Bejhakiu në Ma’rifetus-Sunen uel-Ether (1/137). Është saktësuar nga Imam Ahmedi, sikurse gjendet në Sijer A’lamun-Nubela’ (10/46), dhe nga Hakimi dhe Dhehebiu, siç gjendet në Fejdul-Kadir (2/282). Është saktësuar gjithashtu nga Shejkhul-Albani në Sahijh Sunen Ebi Davud (n. 3606).
  8. ^ Shiko el-Bidaje uen-Nihaje (10/251) të Ibn Kethirit.