Islam Krasniqi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Islam Krasniqi (1942) është pedagog, metodicien dhe profesor universitar nga Drenasi.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Profesor Islam Krasniqi u lind në Drenas në vitin 1942. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, shkollën normale dhe Fakultetin Filozofik në Prishtinë në vitin 1967. Studimet e magjistraturës i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit ndërsa studimet e doktoratës i kreu në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik – Universiteti i Prishtinës, në vitin 1985 ku edhe morri titullin Doktor i Shkencave Pedagogjike. [1] Punën profesionale si mësues e filloi në shkollën e fshatit Arllat të Komunës së Drenasit. Më vonë ishte mësimdhënës i lëndëve pedagogjike-psikologjike në Shkollën Normale të Ferizajit, në Shkollën Normale të Prishtinës, në Gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë si dhe në Gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas. Nga viti 1972 filloi punën si asistent, përkatësisht mësimdhënës, në departamentin e pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës ndërsa më vonë punoi edhe në Universitetin e Tetovës si dhe në Universitetin e Shkupit. Në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm ka qenë i angazhuar edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë e Gjilan, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Edukimit, Kolegjin Fama, etj. Gjatë punës së tij ka kryer detyra me përgjegjësi në institucione të ndryshme, duke qenë edhe dekan i Fakultetit Filozofik në vitet e nëntëdhjeta, kryetar i Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Këshillit Shtetëror për Hartimin e Kurrikulës Parauniversitare të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë konferenca, simpoziume e projekte shkencore si dhe ishte ligjërues mysafir në disa universitete. Në kuadër të fushës së interesimit të tij shkencor e profesional hyjnë metodika, didaktika dhe bibliografia pedagogjike shqiptare. Veprimtaria publisticike-shkencore e Islam Krasniqit përfshinë mbi 50 punime profesionale e shkencore nga fusha e didaktikës dhe e metodikave të lëndëve të veçanta mësimore të botuara në gazeta dhe revista kulturore, shkencore, profesionale e pedagogjike brenda dhe jashtë vendit. Profesor Islam Krasniqi, me intelektualizmin e tij të veçantë ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në fushën e zhvillimit dhe përparimit të arsimit dhe mendimit pedagogjik jo vetëm tek ne por edhe më gjerë. [2] [3]

Veprat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Natyra dhe shoqëria, ETMM i Kosovës, Prishtinë, 1981, (bashkëautor).
  • Metodikë e mësimit të dituri natyrë e shoqërisë, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2000, (bashkautor).
  • Mësimi i leximit dhe i shkrimit fillestar, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2002, (autor)
  • Një djep i rritjes së shëndetshme të mendimit metodik dhe të praktikës shkollore të mësimit të gjuhës shqipe (Periodiku pedagogjik në gjuhën shqipe midis viteve 1945-1978), Libri shkollor, Prishtinë, (autor).
  • Mendimi metodik dhe praktika shkollore e mësimdhënies së lëndëve matematike-natyrore në periodikun pedagogjik në gjuhën shqipe (1945-1978), Prishtinë, 2004. (autor).
  • Në frymën e mendimit pedagogjik progresiv - Bibliografi e punimeve pedagogjike të botuara në revistën “Shkëndija” (1971-1981), Bibloteka “Shkëndija”, Prishtinë, 1981, (autor).
  • Bibliografi e punimeve pedagogjike të botuara në periodikun pedagogjik në gjuhën shqipe (1945-1978), Bibloteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, Prishtinë, 2007, (autor).
  • Një gurrë përherë e freskët e mendimit didaktikë në gjuhën shqipe - Periodiku pedagogjik në gjuhën shqipe (1945-1978), Biblioteka “Shkëndija”, Prishtinë 2008, (autor).
  • Abetare, Dukagjini, Prishtinë, 2008, (bashkëautor).
  • Libri i mësuesit, (Ndihmës për punën me Abetare), Prishtinë, 2008 (bashkëautor).
  • Paraabetare, Prishtinë, 2008, (bashkëautor).
  • Abetare (ribotim), Dukagjini, 2009, (bashkëautor).
  • Libri i mësuesit (Ndihmës metodikë për mësimin e abetares), Dukagjini, ribotim, 2009, (bashkëautor).
  • Abetare (ribotim), 2010 dhe 2011, (bashkëautor).
  • Abetare (Abetare e përbashkët Shqipëri-Kosovë). Pegi & Dukagjini, 2012, (bashkëautor).
  • Abetare pune, (Abetare e përbashkët pune Shqipëri-Kosovë). Pegi & Dukagjini, 2012, (bashkëautor).
  • Teksti i mësuesit (Udhëzim metodik për punën me abetare), Pegi & Dukagjini, 2012, (bashkëautor). [1] [3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Fjalori Enciklopedik i Kosovës. (Vëllimi 1), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, fq. 875
  2. ^ J.Jusufi: Kujtoj pishtarët e dritës. Meshari. Prishtinë, 2017, fq. 147 - 148.
  3. ^ a b Xh. Ramadani:Islam Krasniqi pedagog i epokës!. luginalajm.com. 18 gusht 2017