John Locke

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

John Locke (shqip: Xhon Loku) (29 gusht 1632 - 28 tetor 1704) ka qenë një filozof dhe mjek britanik. Konsiderohet babai i liberalizmit klasik, i empirizmit modern dhe një nga paraprirësit më me ndikim të iluminizmit dhe kriticizmit.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

John Locke u lind më 29 gusht 1632 në Vrington, në rrethinat e Bristolit. Pasi ndoqi një formim klasik dhe filologjik në Westerminster School të Londrës.

Studioi mes të tjerash filozofinë dhe shkencat e natyrës në Oksford, pastaj mjekësinë, dhe fitoi më 1658 diplomën e Bachelor of Arts. Duke filluar nga viti 1662, dha mësim filozofinë, retorikën dhe greqishten. I nxitur shumë nga filozofia moderne e Dekartit, Loku u dha me pasion gjithashtu ndaj shkencave të reja të natyrës, me nxitjen e kimistit Robert Bojl dhe të mjekut Tomas Sidenham.

Më 1667, u vendos në Londër, në Exeter House, si mjek dhe sekretar i Entoni Eshli Kuperit, konti i ardhshëm i Shaftsbërit, familja e të cilit ishte shumë e lidhur me të. Nën ndikimin e Kuperit dhe të vetë përvojave të tij në jetën politike, Loku braktisi pozicionet e tij roajaliste dhe konservatore, për t'u bërë ithtar i një shteti kushtetues.

Ai jetoi në Francë nga viti 1675 deri më 1679, pastaj u kthye në Londër, ku qëndroi katër vjet para se të ndiqte kontin e Shaftsbërit, të rënë nga pozita, në mërgimin e tij në Holandë. Aty iu përkushtua redaktimit të veprave të tij filozofike. Loku u kthye në Angli më 1689, si pasojë e Glorius Revolution dhe hipjes në fronin anglez të Uiliamit III d'Orinxh. Menjëherë u botuan tri nga veprat e tij më të rëndësishme, duke filluar nga Epistola de tolerantia (Letër mbi tolerancen), 1689, në të cilën flet në mbrojtje të lirisë për të gjitha fetë, për aq kohë sa ato nuk kërcënojnë shtetin liberal; kjo vepër do të frymëzonte edhe Volterin e ri (1694-1778).

Loku botoi më 1690 katër vëllimet e veprës së tij kryesore mbi teorinë e njohjes, An Essay Conceming Human Understanding (Sprorvë që lidhet me kuptimin njerëzor), mbi të cilën punoi - me ndërprerje - prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh. Kjo vepër njohu, që në gjallje të vetë autorit, shumë botime dhe u përkthye në latinisht dhe frëngjisht. Po në vitin 1690 u botuan gjithashtu Two Treatises of Govemment (Dy traktate mbi qeverisjen civile). Më 1693, Loku botoi Some thoughts Concerning Education (Mendime mbi edukimin), që ndikuan te Zhan Zhak Rusoi.

Pas kthimit në Angli, Lokut iu propozua shumë herë nga Uiliami III një post qeveritar, që ai nuk e pranoi asnjëherë, duke nxjerrë si shkak arsyet shëndetësore. Më 1696, pranoi më në fund një detyrë të lartë në Ministrinë e Tregtisë. Loku vdiq më 28 tetor 1704 në vilën e fshatit Ëuts, pranë Londrës, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës.

Filozofia dhe ndikimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Termat me të cilat Loku përcaktoi të drejtat e njeriut të lidhura me natyrën, u rimorën në shekullin XVIII, si në Kushtetutën amerikane ashtu edhe në Deklaraten e të Drejtave të Njeriut, që doli nga Revolucioni Francez. Shoqëria pionere e Perëndimit amerikan do të bëhej shembulli më i shpeshtë i një shoqërie që nuk u ishte nënshtruar ende institucioneve shtetërore dhe ku mbretëronte e drejta natyrore, që nuk ishte thjesht ajo e më të fortit. Ky konceptim u popullarizua nga perëndimorë të shumtë.

"Filozofia analitike" moderne trajton para së gjithash pyetjen e mëposhtme: në çfarë mase gjuha jonë - si ajo e përditshmja, ashtu edhe ajo e shkencës - i shërben kuptimit dhe vendosjes së bindjeve të përbashkëta për njerëzimin? Ajo njohu te Loku filozofin "e saj". Për shembull, Jurgen Habermas (lindur më 1929), u interesua për mjetet linguistiko-konceptuale që japin ndihmesë për të bërë të mundshme një marrëveshje shkencore ose politike.

Xhon Loku (John Locke) mori pjesë aktive në jetën politike angleze që në fillim të jetës së tij. Ai u fut shumë shpejt në rrethin e Entoni Eshli Kuperit, konti i parë i ardhshëm i Shaftsbërit dhe shef i opozitës ndaj planeve absolutiste të dinastisë Stjuart. Me t'u përmbysur kjo dinasti, Loku u kthye triumfalisht nga Holanda, ku kishte kaluar disa vite mërgimi. Atëherë shpalosi një veprimtari të dendur politike dhe shkencore dhe mundi më në fund të botonte veprat e tij kryesore: Dy traktate mbi qeverisjen civile dhe Sprovë lidhnr me gjykimm njerëzor. Pozita e tij e dukshme në jetën publike ndihmoi që këto vepra të kishin ndikim të madh deri në shekullin XVIII, si në Angli, ashtu dhe në gjirin e Republikës Ndërkombëtare të Letrave. Ato u bënë tekste bazë për iluministët.

Në shkrimet e tij politike, ku më të rëndësishmet qenë Traktatet, për arsye të qëllimeve që miqtë e tij politikë synonin të arrinin, bëhej fjalë për të themeluar një monarki kushtetuese të kontrolluar nga Parlamenti, që të siguronte lirinë ekonomike dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ai u kthye te teoria e "kontratës shoqërore", të formuluar për herë të parë nga Tomas Hobsi, por pa iu drejtuar pararendësit të tij, që e kishin hedhur poshtë si materialist dhe si të pafe. Në gjendjen e natyrës, njerëzit janë të vetëdijshëm për të drejtën e natyrshme për ruajtjen e vetes së tyre; megjithatë, për të përmirësuar mundësitë e tyre për të mbijetuar, nëpërmjet një marrëveshjeje, ua besojnë të drejtat e tyre një sovrani shtetëror; ata hyjnë në këtë mënyrë në gjendjen e shoqërisë politike. Në përcaktimin e së drejtës natyrore, Loku shkon më larg se Hobsi, që shihte te njeriu veçse një makinë për të riprodhuar vetveten: të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë dhe të lirë, dhe kanë të drejtë të mbrojnë jetën e tyre, shëndetin e tyre, lirinë e tyre dhe pasuritë e tyre; por ata nuk kanë të drejtë as t'ua heqin dhe as t'ua pakësojnë këto të drejta të tjerëve.

Për Lokun, njeriu nuk është më një qenie, nga natyra, egoiste dhe e ashpër, por një subjekt etik që, në kërkim të lumturisë së tij, ka gjithashtu parasysh lumturinë e botës së përtejme dhe që, si pasojë, sillet në mënyrë morale. Megjithatë mundet, si qenie morale, të imponojë të drejtën e tij përmes forcës. Megjithatë, në "paktin" apo "kontratën" shoqërore, individi nuk ia lë të gjitha të drejtat e tij shtetit, siç e gjejmë tek Hobsi: kur shteti nuk ndan në mënyrë të kënaqshme të drejtat e tij të natyrshme, çdo person ka të drejtë të revoltohet kundër fuqisë shtetërore, revoltë që mund të shkojë deri në përmbysjen e raporteve të forcave dhe deri në revolucion. Duke mos dashur një shtet kapitalist që "të lë bësh si të duash, të lejekalimit", në kuptimin e liberalizmit të shekullit XIX, Loku i jep shtetit të drejtë për ndërhyrje në pronën vetjake, megjithëse kjo e fundit shihet si një e drejtë e njeriut. E drejta e pronës është e drejta më e drejtë për frytet e vetë punës tënde; por, me qëllim që të ndahen mirë produktet e punës, njerëzit shpikën monedhën, që mundëson ruajtjen e rezultateve të kësaj pune. Zotërimi i parasë nuk është, pra, i lidhur ngushtësisht me punën e një individi: ai mund të goditet nëpërmjet taksave nga shteti ose të kufizohet në ndonjë mënyrë tjetër. Në teoritë e tij mbi marrëdhëniet midis pronës, punës dhe parasë, Loku del si një pararendës i ekonomisë politike moderne, siç do të përpunohej nga Adam Smithi (1723-1790).

Në një shtet liberal, që zë një vend në lirinë individuale falë ndarjes së pushteteve midis pushtetit ligjvënës (parlamenti) dhe ekzekutiv (mbreti), toleranca fetare është thelbësore për paqen e jetës në bashkësi. Pas luftërave fetare, kjo tolerancë u bë një temë qendrore: askush nuk duhej të vinte në diskutim paqen shoqërore në emër të një besimi vetjak dhe subjektiv.

Të vetmit që përjashtoheshin nga liria e kultit të siguruar nga shteti ishin të pafetë (sepse nuk ndanin me të tjerët parimet themelore të moralit të natyrshëm), katolikët (sepse njihnin pushtetin e një sovrani të huaj: papën) dhe fanatikët (sepse nuk pranonin asnjë diskutim të arsyeshëm lidhur me bindjet e tyre). Sipas Lokut, një shoqëri ka nevojë për një platformë mirëkuptimi që bashkon tërësinë e sigurive që pjesëtarët e saj i kanë të përbashkëta. Filozofi donte gjithashtu të krijonte një platformë të këtij tipi për bashkësinë e dijetarëve: i tillë është qëllimi i Sjnovë lidhur me kuptimin njerëzor. Loku ishte lidhur me shkencëtarët më të mëdhenj të kohës së tij, pikërisht me Robert Bojlin, që hodhi bazat e kimisë moderne dhe më vonë me Isak Njutonin; dhe përthelloi racionalizmin e Rëne Dekartit, si dhe materializmin "atomist" të Gasendit dhe të Hobsit. Njeri i pajtimit, Loku kërkonte të reduktonte divergjencat e secilit në pika të përbashkëta, mbi të cilat do të vendoste një themel i shkencave të vlefshme, në mënyrë universale, përtej fushave të veçanta të specialistëve. Nga Dekarti, mori pikënisjen e subjektit të veçuar - ç'mund të dijë një "person" i vetëm? - por pa pranuar që realiteti të mund të ndërtohet mbi bazën e sigurive të vetme të unit, si në gjeometri. Duke pohuar se asnjë siguri nuk është që në fillim "e bashkëlindur", i kundërvihet konceptit platonik të pjesëmarrjes tek "idetë" e përjetshme nëpërmjet "rikujtimit" të asaj që është mësuar në një ekzistencë të mëparshme. Mendimi ynë na lejon gjithashtu të formojmë "mënyra" paraqitjeje, që lidhen më drejtpërdrejt me lëndët, të kapura në mënyrë empirike, si për shembull "trekëndëshi" ose "njohja", që janë koncepte abstrakte të matematikës dhe të moralit. Përveç kësaj, ne zotërojmë aftësinë e vetvetishme ("intuitive") të dallojmë klasat e ndryshme të objekteve (të tipit të "trekëndëshave" dhe të "rrathëve"). Kjo është e vetmja mënyrë e jona për të mundur të krahasojmë midis tyre përmbajtjet e vetëdijes së lindur nga ndijimi shqisor dhe nga mendimi dhe për të bërë gjykime lidhur me to, që do të bëhen me siguri, në qoftë se njëra palë do të përputhet me të tjerat pa kundërshti. Kjo lloj sigurie natyrisht nuk ekziston në njohjen ndjesore të gjërave të jashtme, përderisa e kemi të pamundur për të njohur qenien reale të një lënde; ne vetëm mund ta plotësojmë me përvoja "thelbin nominal" të saj, koncepti abstrakt i një gjëje të shënjuar nga vula jonë - Emanuel Kanti do ta cilësonte këtë koncept "të gjësë në vetvete", tërësisht të pakapshëm nga pikëpamja shkencore. Në shkencat fizike dhe natyrore, mbresat e ndërlikuara të shqisave nuk mund të përshkruhen saktësisht. Në të vërtetë, këto shkenca shquajnë veçoritë "e para" të gjërave, të kapshme në mënyrë matematiko-racionale - si hapësira, forma, lëvizja - dhe veçoritë e tyre "të dyta", që janë të kapshme vetëm subjektivisht - si ngjyra ose shija. Për të mbërritur në pohime më të sigurta, ato kufizojnë gjykimet e tyre në veçoritë e para.

Duke vërtetuar hap pas hapi "zanafillën, sigurinë dhe gjerësinë e njohjes njerëzore", duke lajmëruar atë që është e sigurt për të gjithë njerëzit, atë që mund të njihet përafërsisht dhe atë që nuk do të njihet kurrë, Loku themeloi teorinë e tij moderne, që është gjithmonë teoria e kufijve të njohjes. Duke kombinuar saktësinë shkencore dhe common sense, ai përgatit "kantierin" - siç thotë me thjeshtësi - të përcaktuar për të ngritur ndërtesën e shkencës moderne.

Kureshti nga jeta e filozofit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Xhon Loku dallonte qartësisht atë që ne mund ta dimë nga ajo për të cilën kemi vetëm një përvojë të pasigurt dhe subjektive. Duke bërë këtë, ai kërkonte të gjente një bazë konsensuale mbi të cilën të mundej të vendosej sa shkenca aq edhe shoqëria. Këtu janë themelet e teorisë moderne të njohjes, të shkencave të natyrës dhe të politikës:"Common sense", liberalizëm dhe empirizëm.
  • Në teoritë e tij mbi marrëdhëniet midis pronës, punës dhe parasë, Loku del si një pararendës i ekonomisë politike moderne.
  • Në shumë nga shkrimet e tij, Loku ka kërkuar të vendosë themelet e tolerancës fetare, duke formuluar një bazë mirëkuptimi midis besimeve të ndryshme të krishtera, një lloj krishterimi "minimal", tek i cili do të mund të mermin pjesë të gjithë anglezët. Toleranca fetare është thelbësore për paqen e jetës në bashkësi.
  • Për Lokun është e sigurt vetëm nuhatja që e sigurojmë nëpërmjet vetes sonë, duke e lënë veten të priret nga ndijimi i shqisave. Vetëdija jonë mbushet me përmbajtje, "ide", vetëm përmes rrugësh të tërthorta. Këto qëndrime themelore e bëjnë Lokun një empirist radikal, përfaqësuesin e parë të një empirizmi "me kulturë" të mendimit modem. Por ky empirizëm ka gjithashtu një anë "racionaliste" dhe karteziane: sepse edhe sikur asnjë përmbajtje e vetëdijes të mos jetë e bashkëlindur, megjithatë zotërojmë "nga natyra" aftësinë për "të menduar" mbi idetë që ne i kapim nëpërmjet shqisave të ndijimit, domethënë duke verifikuar cilësinë. Ne mësojmë përmes të menduarit të bëjmë ndryshimin midis "ideve të lëndës", paraqitjeve të përbërësve të pavarur dhe "ideve të marrëdhënies", që lidhen në kontaktin midis këtyre paraqitjeve.
  • Përfundimisht, mund të themi se njohja intuitive është ajo që na jep siguri; njohja demonstrative na tregon ekzistencën e Zotit dhe njohja shqisore na tregon se njerëzit dhe gjërat e tjera ekzistojnë, por vetëm atëherë kur ne i perceptojmë ato. Teoria morale dhe politike e Lokut. Fjala kyçe e etikës, e mirë, është plotësisht e kuptueshme, sepse kushdo e kupton se fjala e mirë përdoret për: ‘Gjërat që janë të mira ose të këqija vetëm në lidhje me gëzimin dhe hidhërimin. Pra ne quajmë të mirë atë që është e aftë të sjellë apo të rrisë kënaqësitë, ose të largojë dhimbjen…’. Disa lloj sjelljesh na sjellin kënaqësi, ndërkohë që disa të tjera na sjellin dhimbje. Morali ka të bëjë pra me zgjedhjen e së mirës e dëshirën për të. Si përcaktim më të plotë për etikën, Loku thoshte se ‘e mira morale dhe e keqja janë vetëm pajtim ose mospajtim i veprimeve tona të vullnetshme vetëm me disa ligje’. ‘Dhe ai flet për tre lloj ligjesh, ku përfshihen: ligji i opinioneve, ligji civil dhe ligji hyjnor. Ligji i opinioneve jep gjykimin e komunitetit për llojin e sjelljeve që do të çonin drejt lumturisë: përputhja me këtë ligj është quajtur virtyt, megjithëse është vënë re se komunitete të ndryshëm kanë ide të ndryshme për domethënien e virtytit. Ligji civil është krijuar nga shteti dhe është zbatuar nga gjykata. Ligji hyjnor, të cilin njeriu mund ta njohë si nëpërmjet arsyes së tij ashtu edhe nga kërkimet, është ligji i vërtetë i sjelljes njerëzore: ‘i cili i është dhënë njeriut nga Zoti për të qeverisur veten dhe unë mendoj’, thotë Loku, ‘që asnjëri nuk është kaq mosmirënjohës, sat a mohojë këtë’. Kështu që, në perspektivë, si ligji i përshtypjeve, ashtu edhe ligji civil, duhet të bëhet në përputhje me ligjin hyjnor, ‘kriterin e vërtetë të të drejtave morale’. Arsyeja e mospërputhjes ndërmjet këtyre tre ligjeve është sepse njeriu kurdoherë tenton të zgjedhë kënaqësinë e çastit në vend që të zgjedhë atë që ka vlerë të qëndrueshme.

Shiko dhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime dhe shënime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]