Kolec Traboini
| Kolec Traboini | |
| Emri | Kolec |
| Mbiemri | Traboini |
| Kombësia | Shqiptare |
| Shtetësia | Shqiptare, Amerikane |
| Profesioni | Gazetar, Kineast |
Kolec Traboini, kineast, gazetar dhe autor i 14 librave, poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër. Eshtë i biri i patriotit Palok Traboini[1], mësues, publiçist dhe sekretar i Ded Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit 6 prill 1911 [2].
Kolec Traboini i mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, që u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve. Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16 vjet ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" [[3]] me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj. K.T. është skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti". Situaten e krijuar në 1990 e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte hapur heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, po në këtë kohë nis dhe organizon tubimin e krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike që u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste. [4]K.T. largohet nga Shqipëria në shkurt të vitit 1991 dhe u vendos si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që me 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia“[3]. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin Aristidh Kola[4](1944-2000). Në gusht 1995, K.T. me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra: “Balada e largësive“,“Rapsodi ushtore“, “Gjurmë në histori“. Ndërsa kur ishte në Amerikë shkroi e botoi “Katërkëndëshi i mundimeve“ (prozë 2000), “Mos vdis dashuri“(poezi, Tiranë 2002), “Nokturn“(lirika 2004), “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias“(esè 2005), “ Requiem për një gjethe“(poezi 2005), “Lufta e Maleve-Palok Traboini“(esè historike 2006), "Trinia ime“(lirika 2006), “Bukuri shkodrane“(esè 2007)[5], “Koha e prostitutave“(lirika&etyde 2007) si dhe "Itaka grua"(lirika 2008). Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus 2008”[6] nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita“ Athinë. Në vitin 1994 Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB.
[redakto] Tituj të veprave
- Itaka grua lirika 2008
- Bukuri Shkodrane ese 2007
- Koha e prostitutave lirika & etyde 2007
- Trinia ime poezi 2006
- Lufta e Maleve - Palok Traboini, 1911 ese 2006
- E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias ese 2005
- Requiem për një gjethe poezi 2005
- Nokturn poezi 2004
- Mos vdis dashuri poezi 2002
- Katërkëndëshi i mundimeve prozë 2000
- Rapsodi ushtore ironi 1995
- Gjurmë në histori prozë 1995
- Balada e largësive prozë 1995
- Petalet e bajames së hidhur tregime 1973
[redakto] Burimet
- ^ Palok Traboini
- ^ (Anglisht) Beteja e Deçiqit
- ^ [1] [2]
- ^ Aristidh Kolia
- ^ Traboini-esè
- ^ Traboini-poezi