Kurt Muça

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kurt Muca

Kurt Muça, i biri i Sulejmanit, lindi në vitin 1890, në fshatin Ketë të malësisë së Matit, në një familje me tradita në prodhimin e barutit. Në moshën pesë vjeçare e zbritën në Tiranë, ku mori edhe mësimet e para. Dihet vetëm që, në vitin 1908, për 3 vjet, studioi në Akademinë Ushtarake në Vienë, Austri. Gjatë Luftës së Parë Botërore, mori pjesë në luftë, si pjesë e forcave të ushtrisë Austro-Hungareze. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjen e perandorisë Austro - Hungareze, rifreskoi lidhjet me Ahmet Zogun, me të cilin kishte njohje të hershme prej takimeve në Vjenë, dhe u kthye, për t'u bërë pjesë e forcave pro-zogiste. Punoi prej fillimi pranë Mbretit Zog. Gjithashtu, studio për 3 vjet të tjera artin ushtarak edhe në Bari dhe Napoli. Gjatë sulmit Italian në 7 prill 1939, si shumë ushtarakë shqiptarë karriere, ishte pjesë e forcave që luftuan në Durrës në mbrojtje të Portit të Durrësit, krahas Mujo Ulqinakut e të tjerë.

Qëndroi në shërbimin ushtarak deri në vitin 1942, në xhandarmërinë e Tiranës, dhe, me kapitullimin e Italisë fashiste, jep dorëheqjen dhe del në pension.

Ishte njohës shumë i mirë i artit ushtarak, dhe mbajti pozicione të ndryshme në forcën ushtarake zogiste. Ishte gjithashtu njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane dhe italiane.

Pavarësisht ndihmës që i dha forcave guerile komuniste dhe partizane prej vitit 1939 dhe gjatë viteve të luftës, pas vitit 1944 e deri në fund të viteve 60-të, i ushtruan shumë herë kontrolle, e morën dhe e mbajtën në hetuesi, por, nuk e dënuan me burg, veçse, ia mohuan pensionin dhe i konfiskuan pronat (tokën bujqësore dhe bagëti) si edhe çdo dokument e fotografi të asaj periudhe.

Ndërroi jetë në Tiranë, pranë familjes, në 7 mars 1981, duke lënë pas bashkëshorten (Qamile Muça - Sada), një djalë (Fiqiri Muça), tre vajza (Servete, Drita, Myzejen) dhe shumë nipër dhe mbesa.

Emra dhe ngjarje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kurt Muça; Kurti Sulejman Muça; Kurt Sulejmani; Lufta e Parë Botërore; Perandoria Austro Hungareze; Familja Toptani; Ahmet Zogu; Mbreti Zog; Xhandarmëria e Mbretit Zog; Lufta e Dytë Botërore; Durrësi; Pushtimi Italian; 7 prill 1939; Mujo Ulqinaku; pushtimi Gjerman.