Nasuf Dizdari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nasuf bej Dizdari (Shkodër, 1857[1] - Shkodër, 1940) qe nëpunës, folklorist shqiptar.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Leu në lagjen Parrucë të Shkodrës, i biri i Tahir Dizdarit dhe Nurije (Boriçi) Jukës[2]. Themeluesi i këtij filli gjenealogjik ka të dhëna të jetë vendosë në qytet në kohën e Sulltan Bajazitit II, nga Izniku i Bursës[3]. Ndoqi mësime në mejtepin Asqerie, pastaj në kolegjin Saverian ku më pas do japin gjuhën turke mësim. Shkollohet në Vjenë e Stamboll ku pajiset me kulturë të gjerë e njihet si zotërues gjuhësh të huaja.

Që i ri tregoi interes për historinë dhe folklorin e Shkodrës. Punon për pak kohë si nëpunës në nënprefekturën e Lezhës, i ofrohet detyra e përkthyesit e më vonë kryepërkthyesit i Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër më 1897, detyrë që do kryente deri në mbarimin e L. I Botërore. Punoi me konsujt Ippen, Von Kral, Zambaur të njohur për botime në lidhje me Shkodrën dhe Shqipërinë e Veriut. Më 1899 tek "Albania" e Konicës nxirret "Jeta e Karamahmut Pashës" e nënshkruar N.B.D (Nasuf Beg Dizdari). Do ta paraqiste në një këndvështrim patriotik ku ngjarjet e ngjeshura rrjedhin të komplikuara. Kriza ekonomike e politike e Perandorisë Osmane ia thelluan dhe pashalleqet dhe ai t'ua paraqesë Karamahmutin lexuesve si një nga më të fuqishmit, duke sjellë fakte të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aftësitë e tija administrative në zgjidhjen e kërkesave dhe të ruajtjes së dinjitetit të shtetasve, do të forcojë Kanunin e Lekës dhe Usullin e Malësisë. Për vrasjen e Karamahmutit shkruan mes tjerash: "Nji e zezë për vendin t'onë, kur ka mbetë Karamahmud Pashë Bushatlliu si me pa humë tanë Rumelia". Historia e tërhoqi lexuesin saqë disa prej tyre i shkruan Albania-s duke kërkuar se pse nuk "u shtyp artikulla me të ndodhunat e Shqypnisë". Kështu në nr. 5 të kësaj gazete të v. 1901, redaksia duke i bërë jehonë shkrimit njofton lexuesin se në numrin e ardhshëm do të botohej "Të djegunit e vet në kullë të Vraninës në Mal të Zi" rreth ndodhive që rrethonin Oso Kukën në tre numra (6, 7, 8 1901) si përherë me pseudonimin N.B.D. Do të punonte në lëmën e folklorit duke nxjerrë këngë epike mbi Oso Kukën. Mandej me "Letra nga Shkodra" e në gjuhësi "Të përfouluna të hershëm shqip". Do të vazhdojë edhe si korrespondent i "Drita" të Shahin bej Kolonjës në rubrikën "Letra nga Shkodra" me pseudonimet N., N. Shkodrani, N. Muhamedani (1904-1908). Pastaj të gazetës "Vllaznia" e Vjenës, si mbledhës i folklorit më 1917 ku do nxirrte këngët e Karamahmut Pashës, Rexhep Qoshes, Oso Kukës, Hamza Kazazit. Më 1923-1924 drejtor i "Shpresa Kombëtare" që dilte në Shkodër si e përjavshme. Mëson lexuesin me dashtë kombin, vëllazërimin dhe kulturën. Edukon me urti politike dhe pasqyron gjendjen socio-ekonomike. Problemet kryesore dhe kombëtare dilnin në faqjen e parë dhe të dytë, të tretën dhe të katërtën problemet kulturore, kronika enciklopedike, jetë njerëzish të mëdhenj në veçanti, të pranishme në çdo numër, fjalë t'urta, aforizma, etj. Me rastin e varrimit në Podgoricë të Isa Boletinit mban fjalimin e rastit:

"O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut dhe mik i ngushtë i emi, Isë Boletini. Nuk po më trembin as topat, as pushkët, as bajonetat e ushtrisë së gjeneral Veshoviqit, as çetat serbo-malazeze, as gjendja e turbullueme që po kalojmë ne të syrgjynosunit e populli shqyptar "podgoriçan" në këto çaste për të folun këto pak fjalë n'emën të të syrgjynosunve".

Me propozimin e Imzot Jak Serreqit, drejtuar Selisë së Shenjtë me 23 gusht 1913 dekorohet nga Papa Piu me urdhrin e Shën Silvestrit me motivacionin "për kontributin e dhanë në ruejtjen e institucioneve të kultit katolik dhe mbarë popullsisë së Shkodrës nga rebelimi i Malit të Zi", shkruar latinisht nga ipeshkvi i Shkodrës. Më 1923-1924  është drejtor i “Shpresa Kombëtare” që dilte në Shkodër si gazetë e përjavshme. Mëson lexuesin me dashtë kombin, vëllazërimin dhe kulturën. Edukon me urti politike dhe pasqyron gjendjen socio-ekonomike. Problemet kryesore dhe kombëtare dilnin në faqjen e parë dhe të dytë, të tretën dhe të katërtën problemet kulturore, kronika enciklopedike, jetë njerëzish të mëdhenj në veçanti, të pranishme në çdo numër, fjalë të urta, aforizma, etj. Nasuf Beg Dizdari la shtatë fëmijë djem: Tahiri, Qemali, Hamdija, Mit’hati, Ramizi, Enveri dhe Njazia.Gjithashtu la edhe dy vajza: Fatimen dhe Sanijen[2].

Mbyll sytë më 1940 në Shkodër. Katër vjet më pas i digjet biblioteka në Tiranë e pasun me botime dhe me publikimet e tij, nga komunistët.

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Dizdari E. & B., Nasuf Dizdari - patriot dhe intelektual i Shkodrës, Shkodër: "Shkodra në shekuj" fq. 87-91, 1998.
  2. ^ a b Bushati K., Nasuf Beg Dizdari - Shkodrani që mbajti fjalimin mbi varrin e Isa Boletinit, zemrashqiptare.net, 28 tetor, 2014.
  3. ^ Hamdi Bushati: Shkodra dhe motet v.II f.292, Shkodër 1999, "Idromeno".