Neki Ruli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mehmed Neki Ruli (Berat, 6 mars 1879 ose Libohovë, 1881 - Berat, 27 nëntor 1944) ka qenë nëpunës i administratës osmane dhe politikan shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Libohovë më 1881, i biri i Mehmed Sytki efendiut, kadi i sanxhakut të Beratit. Studjoi në ryzhdijen e Beratit dhe më pas në Vefa idadisiStamboll dhe vijoi shkollimin në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore "Mülkiye-i-Sehahané" në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative, ku u diplomua në vitin 1905.

Stazhin e tij në administratë e bëri në Berat dhe nga dhjetori i 1909 e deri në fillimin e Luftës Ballkanike shërbeu si kajmekam në Kavajë, Lezhë dhe Tepelenë. Pas luftës u bë pjesë e administratës shqiptare.[1] Qe nënprefekt i Tiranës gjatë muajve mars-shtator 1914, por u burgos nga kryengritësit e Shqipërisë së Mesme.[2]

Qe anëtar i organizatës "Krahu Kombëtar" dhe u zgjodh përfaqësues i GjirokastrësKongresin e Lushnjes nga 21 deri më 31 janar 1920.[2] U emërua senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.[3] Më pas qe prefekt i Beratit deri në maj të 1922, kur më 5 maj u dekretua inspektor i Ministrisë së Brendshme të kohës. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 ishte kryetar i Grupit Nacional-Demokrat të Beratit.

Ka qenë pjesë e delegacionit të Beratit në varrimin e Avni Rustemit dhe muar pjesë ndër mbledhjet që u bënë në Vlorë prill-majin e 1924.

Shtatorin e 1932 u dënua me 15 vjet burg për shkak të pjesëmarrjes në Organizatën e Vlorës, por u lirua më pas nga një amnisti. Emri i tij doli edhe gjatë hetimeve mbi Kryengritjen e Fierit më 1935. Në dasmën e Mbretit Zog me konteshën Apponyi më 27 prill 1937 mori pjesë si delegat i Beratit. Qe po ashtu delegat i Beratit në Asamblenë Kushtetuese të 12 prillit 1939, pas pushtimit italian.

Ndërroi jetë në Berat më 27 nëntor 1944.[2]

Referimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 320. ISBN 9781134294732.
  2. ^ a b c Bakiu, Gazmend A.; Dervishi, Gazmend (2018). Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj 1912-2017. Tiranë: Alsar. ISBN 9789928243003.
  3. ^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 13 shkurt 2009 tek Archive-It - Republika e Shqipërisë KUVENDI . Tiranë 2005