Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/23

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hafize Leskoviku njihet si këngëtarja më e shquar e Balkan blues-it shqiptar.Sazet e Leskovikut janë shfaqur që herët, në çerekun e fundit të shek XIX-të dhe në kapëryell të shekullit XX-të, në krahasim me krahinat e tjera simotra të aerealit polifonik të Shqipërisë së Jugut. Përsosja e gjuhës muzikore me saze dhe të kabasë është me burim: a)Nga muzika vokale shumëzërëshe, si shoqëruese, duke huazuar prej asaj strukturën, si formë të personalizimit të tingujve muzikorë ( gërnetës, violinës, llautës) me ato të zërave të këngëtarëve, ruajtjes së tyre në rrafshin emocional. b)Nga muzika me vegla tradicionale, që lidhen me mjedisin, natyrën etj., si gjethi, pipza, cyldiarja, fyelli (në përfitimin melodive baritore, vajeve me recitativat, gulçimat etj), gajdeja. Këngët, veç të kënduarit shumëzërësh (tradicionalisht) më vonë nisën të shoqërohen edhe prej sazeve që përftohen: nga klarineta (që bën rolin e “marrësit”), violina (atë të “prerësit”), llauta, bakllamaja (“iso-n”) dhe defi (ritmin). Ndërsa burimet lëndore dhe shpirtërore të kabasë me saze, siç thamë, kanë qenë meloditë baritore, këngët e kurbetit dhe vajet e kënduara nga gratë. Sazexhinjtë kanë depërtuar thellë në semantikën e vajtimit shqiptar, sepse, siç shprehet R.Munishi, “përmes vajtimeve shprehet mirë etnopsikologjia e individit”.

Leskoviku është një vendbanim në pjesën jugore të Shqipërisë. Leskoviku është në afërsi të kufirit Shqipëri-Greqi. Ndodhet në një lartësi mbidetare prej 1,220 metra. Popullsia është rreth 4200 banorë.Leskoviku njihet si qendër e madhe banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qender pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe. Gradualisht kaloi në qendër Kazaje dhe deri qendër Sanxhaku (sipas "Enciklopedia" Sami Frashëri). Si njësi administrative ka patur në varësi krahinën e Leskovikut, Përmetit e Pogonit. Popullsia maksimale e tij ka arritur në vitet 1910 me rreth 10 000 banorë. Ka patur 11 lagje. Në vitet 1920-1944 ka qenë n/prefekturë në varësi të prefekturës Korçë. Njihet si pika më e fuqishme doganore me Greqinë deri në këtë periudhë. Në të kalonte një nga segmentet rrugore më të përdorura, me Greqinë e më tej Turqinë.

Pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse. Gjatë viteve 1800 - [[1940 ka zhvilluar një aktivitet të fuqishëm tregtar. Deri ne vitin 1956 Leskoviku ka qenë njesi administrative "Rreth". Diktatura për arsye të fesë dhe mardhënieve me shtetin grek në vitin 1956 e shkriu si njësi administrative dhe e kaloi në varësi të rrethit Kolonjë. Aktualisht është një qytet i vogël me popullsi 4200 banorë. Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmanë e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar. Më vonë, një pjesë e madhe e tyre janë boshatisur, mbeti një popullatë e pakët e krahasuar me mesjetën e hershme. Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujrash minerale-kurative (banjot termale të Sarandaporit) e vreshtari të begata; për mardhënie shkëmbimesh tregëtare ndërkrahinore dhe me jashtë, sidomos atëherë me Janinën dhe Preveza; leskoviqarët kanë qenë muratorë dhe përpunues të zellshëm të drurit etj.