Bujqësia dhe blegtoria ilire në antikë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Illyria, Dyrrhachium. C.450-350 BC.

Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire. Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet. Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit qeramikë, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë ilire.

Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtërit e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë fushë.

Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë ; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.

Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.