Tërmete brendapplakësore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar, i cili shkakton krijimin e valëve sizmike (dallgëve sizmike). Në sipërfaqen e tokës, tërmeti shfaqet në dridhjet ose zhvendosjet e tokës (truallit) dhe nganjëherë edhe në krijimin e dallgëve detare, tsunami. Në të gjitha këto raste, tërmeti mund të shkaktojë dëmtime të mëdha njerëzore dhe materiale. Ai matet me ballë. Ballë quajmë njësia për të matur tërmetet.

Tërmetet mund të ndodhin si rezultat i veprimit të forcave të natyrës ose të shkaktohen si pasojë e aktivitetit njerëzor. Termi "tërmet" përdoret për çdo ngjarje sizmike që krijon valë sizmike, pavarësisht nëse ato janë me origjinë natyrore apo të shkaktuara si pasojë e aktivitetit njerëzor.

Shumica e tërmeteve me shkaqe natyrore janë pasojë e ndërtimit tektonik të tokës. Këto tërmete quhen edhe tërmete tektonike. Litosfera (lithosphere) e tokës është si një qilim i përbërë nga shumë pllaka tektonike të cilat lëvizin ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin e nxehtësisë së mantelit dhe bërthamës së tokës. Anët e pllakave tektonike rrëshqasin ndaj njëra tjetrës duke shkaktuar forca fërkimi midis pllakave tektonike. Kur kjo forcë fërkimi kapërcen kufirin kritik, i cili quhet fuqia lokale, ndodh një thyerje e papritur. Kufiri i pllakave tektonike përgjatë të cilit ndodh thyerja quhet vija e thyerjes (fault plane). Kur thyerja përgjatë vijës së thyerjes sjell si pasojë zhvendosjen e dhunshme të kores së tokës, atëhere çlirohet energjia e tërheqjes ose përdredhjes elastike dhe krijohen valët sizmike duke shkaktuar në këtë mënyrë një tërmet. Llogaritet se më pak se 10% e energjisë së përgjithshme të tërmetit çlirohet në formën e energjisë sizmike, ndërsa pjesa më e madhe e energjisë përdoret për të furnizuar me energji zmadhimin e thyerjes së tërmetit dhe kthehet në nxehtësi. Prandaj, tërmetet e ulin potencialin energjitik dhe energjinë termike të tokës, por këto humbje janë të papërfillshme. Sizmiologët, për të përshkruar procesin fizik të shkaktimit të tërmeteve përdorin teorinë e çlirimit elastik.

Shumica e tërmeteve tektonike e kanë origjinën e tyre në thellësi më të vogla se disa dhjetra kilometra nga sipërfaqja e tokës. Tërmetet të cilët ndodhin përgjatë kufirit të pllakave tektonike quhen tërmete ndërpllakësore (interplate), ndërsa rastet më të rralla, kur ngjarja sizmike ndodh në pjesën e brendshme të pllakës litosferike, quhen tërmete brendapplakësore (intraplate).

Në pikat ku korja e tokës është më e trashë dhe më e ftohtë, tërmetet ndodhin në thellësi më të mëdha prej disa qindra kilometra nga sipërfaqja e tokës, përgjatë zonave të zhytjes aty ku pllakat tektonike zbresin në mantelin e tokës. Këto lloje tërmetesh quhen tërmete me qendër të thellë. Ka mundësi që këto tërmete shkaktohen kur materiali liosferik i zhytur pëson një transformim gjendjeje të menjëhershëm (për shembull nga olivinë në spinel), duke çliruar energjinë e grumbulluar, në formën e energjisë së tërheqjes dhe përdredhjes, energjinë kimike ose energjinë gravitacionale, e cila nuk mund të mbahet më në temperaturat dhe trysnitë (presionet) që ekzistojnë në këto thellësi.

Tërmetet mund të ndodhin edhe në zonat vullkanike dhe të shkaktohen nga lëvizja e magmës në vullkane. Këto tërmete shërbejnë si paralajmërim për shpërthimin e vullkanit.

Një teori e propozuar këto kohët e fundit tregon se disa tërmete mund të ndodhin gjatë një lloj furtunë tërmetesh, ku një tërmet do të shkaktojë një seri tërmetesh, secili i shkaktuar nga ndryshimet paraardhëse në vijat e thyerjes, të ngjashme me pasgoditjet, por të cilat ndodhin vite më vonë, dhe disa nga këto tërmete pasardhëse shkaktojnë po aq dëme sa tërmetet paraardhëse. Një fenomen i tillë u vëzhgua në rastin e rreth 12 tërmeteve që goditën Vijën Anatoliane në Turqi në shekullin XX, gjatë një gjysëm dyzine tërmetesh të mëdha që goditën New Madrid gjatë periudhës 1811-1812, dhe mendohet se i njëjti feneomen ka ndodhur edhe gjatë grupeve të vjetra jonormale të tërmeteve të mëdha në Lindjen e Mesme dhe në Mojave Desert (shkretëtirën Mojave).

Disa tërmete kanë shkaqe anthropogjenike (anthropogenic), si për shembull nxjerrja e mineraleve dhe lëndëve djegëse fosile nga korja e tokës, thithja apo injektimi i lëngjeve në koren e tokës, aktiviteti sizmik i shkaktuar nga krijimi i liqeneve artificiale, shpërthime masive dhe rrëzimi i ndërtimeve në përmasa të mëdha. Ngjarjet sizmike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor quhen me emrin aktivitet sizmik i shkaktuar. Ato nuk janë tërmete në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe zakonisht tregojnë një sizmiogram të ndryshëm nga tërmetet që kanë shkaqe natyrore.

Vetëm disa tërmete mendohet se janë shkaktuar nga grumbullimi i sasive të konsiderueshme të ujit në liqene artificiale, si për shembull Kariba Dam në ZambiaAfrikë, dhe me injektimin ose nxjerrjen e lëngjeve në koren e tokës (për shembull në rastin e disa centraleve të energjisë gjeotermike, dhe në Rocky Mountain Arsenal). Këto tërmete ndodhin sepse forcat që venprojnë në koren e tokës mund të ndryshohen si pasojë e presionit të lëngjeve. Po ashtu është e njohur se tërmetet mund të shkaktohen edhe nga nxjerrja e gazit natyror nga depozitat nënsipërfaqësore, për shembull në pjesën veriore të Hollandës. Tërmeti më i fuqishëm në botë i shkaktuar nga krijimi i liqeneve artificiale ndodhi në 10 dhjetor 1967 në rajonin Koyna të Maharashtras perëndimore në Indi. Ky tërmet kishte një magnitudë prej 6,3 sipas shkallës Richter. Kurse, një studim gjeologjik i kryer në SHBA raportoi se magnituda e tërmetit ishte 6,8 sipas shkallës Richter