Tefë Curani
Tefë Curani | |
---|---|
Ministër i Financave | |
Në detyrë 15 nëntor, 1920 – 16 tetor, 1921 | |
Paraprirë nga | Ndoc Çoba |
Pasuar nga | Ahmet Dakli, Kolë Thaçi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 5 gusht, 1865 Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 14 prill, 1941 Shkodër, Mbretëria Shqiptare (1939–43) |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Partia politike | Partia Përparimtare |
Punësimi | nëpunës, sipërmarrës |
Shtjefën ose Tefë Curani (gjermanisht: Stefan Zurani; Shkodër, 5 gusht 1865 - 14 prill 1941) ka qenë nëpunës i diplomacisë austro-hungareze, sipërmarrës, ministër i shtetit shqiptar dhe konsull nderi i Austrisë në Shqipëri. Kur qe ministër Financash realizoi futjen e frangës së arit si monedhë unike. Përktheu veprën T’nnoλunat e Scćypniis të shkruar nga eprori i tij Von Thallóczy,[1] botuar në gjuhën shqipe më 1898, por e nënshkruar prej gni Gheghet ći don vênnin e vet është menduar për shumë vite si vepër autoriale e Curanit.[2][3]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i Hilë Curanit dhe Sile Kovaçit. I ati kishte filanda mëndafshi në Prizren dhe marrëdhënie tregtare me Venedikun dhe rajonin, por ndërroi jetë më 1872 duke e lënë të birin të vetëm 7 vjeç.
Deri në përfundimin e shkollës fillore dhe të mesme pranë Kolegjit Saverian u rrit në mesin e familjes së përbërë nga e ëma Silja, teze Drandja dhe daja Ndoc. Në vijim të një kërkese austriake drejtuar klerit katolik, Arqipeshkvi i Shkodrës mons. Guerini rekomandoi Stefanin për studime të larta në Austri. Në Vienë përfundoi studimet në shkencat ekonomike e n'ato politike-juridike me profil diplomacinë[4] në Theresianum.[5] Gjatë periudhës së studimeve universitare në Vienë, përveç gjermanishtes, Curani nxuri edhe anglisht, arabisht dhe persisht. Gjuhë të cilat bashkë me ato të nxëna në kolegjin e jezuitëve në vendlindje, do t'i jepnin një diapazon të gjerë kulturor, të cilin autoritetet austro-hungareze nuk do ta shpërfillnin. Fillimisht u punësua në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë, në Sektorin e Ballkanit, ku u prit me simpati dhe përkrahje nga shefi i sektorit, baroni hungarez Thalloczy.[4]
Ushtroi për një periudhë të caktuar edhe punën si agjent i kompanisë së lundrimit Ungaro-Croata.[5] Mbas disa viteve në mërgim Curani u kthye për herë të parë në Shkoder më 1908, me t'u shpallur Hyrrijeti,[4] vit në të cilin hap edhe një shoqëri lundrimi.[6] Qe pjesëmarrës aktiv i Klubit "Gjuha Shqipe" hapur nga Kel Marubi.
Kur shpërtheu Lufta Ballkanike gjendej në Trieste, ku më 1913 u bë ndër nismëtarët e mbajtjes së Kongresit në atë qytet.
Gjatë qeverive Vrioni ka zyrën e ministrit të Financave, zyrë përmes së cilës bën përpjekje të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë italiane për të krijuar Bankën e Shqipnisë. Duke analizuar situatën ekonomike të vendit rezultoi se politikat financiare dhe legjislacionit doganor ulën mbi 4 herë defiçitin tregtare nga 1920 në 1921 nga 63,94 mil.fr.Ari në 15,47. Gjatë kohës së shërbimit të tij qe nismëtar për pajtimin e specialistëve, si në rastin e gjeologut çeko-austriak Dr. Ernest Novack të Universitetit Gjeologo-Minerar të Leobenit, Austri, dhe i propozon detyrën e Gjeologut të Shtetit. Në mars të vitit 1922 nënshkruhet kontrata ndërmet Min. të Punëve Botore dhe Bujqësisë Sejfi Vllamasi dhe gjeologut. Harta gjeologjike e hartueme nga Novack do të bëhej teksti themelor i studimeve gjeologjike shqiptare mbasi u përkthye më 1962 nga docenti Luan Peza.
Në vitin 1925 u emërua anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Administrativ të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e porsaformuar. Më 1931 emërohet me dekret mbretëror Komisar i Shtetit Shqiptar pranë BKSH me qendër në Romë, me rrogë mujore 20 napolona në muaj. Detyra që mbajti deri më 1939. Në mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ, refuzoi kategorikisht që të jepte pëlqimin e tij që baza e arit, e cila garantonte monedhën shqiptare të zëvendësohej me liretën italiane që mbështetej në konventën ekonomike-doganore valutore midis qeverisë shqiptare e asaj italiane të 20 prillit 1939. Megjithëse e dinte që protesta e tij nuk kishte vlerë praktike, sepse aksionet e bankës zotnoheshin plotësisht nga italianët.
Curani me Ahmet Zogun pati marrëdhënie korrekte pune, por gjithmonë refuzoi propozimet e ndryshme që të bëhej min. Financash më pas.
Ndërroi jetë më 14 prill 1941 në vilën e tij në fshatin e Rrencit, e u shti në dhé në varrezat ortodokse të lagjes Rus me pjesëmarrje të gjerë e nderime të veçanta të popullit shkodran.[4]
T`nnoλunat e Scćypniis
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Curani është njohur për shumë kohë si autori i historisë së parë të Shqipërisë të shkruar në gjuhën shqipe me titullin T`nnoλunat e Scćypniis prei gni Gheghet ći don vênnin e vet,[2][3] në fakt ka qenë punim i eprorit të tij Thalloczy, me punën kërkimore të Raim Belulit, të cilin Curani e përktheu por e përvetësoi si punë duke ia atribuar vetes kur e ribotoi më 1939.[1]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Bezha, Anastas (2021). "The Trajectory of the Albanian Historiography: Between the Austrian Albanologie (Volkskunde) and the Communist Albanologie (National-Stalinism/Etnographiya)". Mediterrán tanulmányok (në anglisht). 31: 117–139.
- ^ a b Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 227.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ a b Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 185. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 7 dhjetor 2021.
- ^ a b c d Misja, Vladimir (2006). Stefë Curani - Jeta dhe vepra. Shkodër: Shtjefni.
- ^ a b Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 340. ISBN 9789994302536.
- ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 99. ISBN 9789994356225.
- Pages using infobox officeholder with unknown parameters
- Artikuj me tekst në gjuhë gjermane
- Lindje 1865
- Vdekje 1941
- Politikanë shqiptarë
- Ministra të Financave të Shqipërisë
- Njerëz nga Shkodra
- Ekonomistë shqiptarë
- Katolikë shqiptarë
- Ortodoksë shqiptarë
- Njerëz nga Vilajeti i Shkodrës
- Nxënës të Kolegjit Saverian
- Përkthyes prej gjermanishtes në shqip