Xhihadi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Termi xhihad (arabisht جهاد = xhihād mundim, përpjekje, luftë, insistim (ngulmim); e shkruar ndonjëherë edhe në formën anglisht jihad ose djihad) cilëson në kuptimin fetar një koncept të rëndësishëm të fesë islame, përpjekjet ose luftën në rrugën e zotit (arabisht الجهاد في سبيل الله = xhihādu fī sabīl illāh).

Etimologjikisht ai ka kuptimin e mundimit në një drejtim të caktuar.[1]kuran dhe sunna ky term nënkupton në radhë të parë luftën e armatosur.[2] Kurani nuk e përcakton qartë nëse për të bëhet fjalë për luftën universale (të gjithanshme) kundra besimeve të tjera apo nëse kjo luftë ndjek vetëm qëllime defensive (mbrojtjeje).[3] Sipas jurisprudencës klasike, zhvillimi i të cilës datohet në shekujt e parë pas vdekjes së Muhamedit,[4] kjo luftë është në shërbim të zgjerimit dhe mbrojtjes së territorit deri sa feja islame të bëhet feja mbizotëruese.[5] Në zhvillimin e mëvonshëm dhe sidomos gjatë kohës së sotme teologët myslimanë kanë filluar të theksojnë aspektet jo-ushtarake të kësaj lufte (Shih më poshtë paragrafin: Interpretimi jo-ushtarak i termit xhihad). Shkrimtarët islamikë i shohin si të ligjshme vetëm ato luftëra, të cilat i shërbejnë mbrojtjes së shteteve islamike, lirisë së myslimanëve, shpalljes së fesë islame jashtë tyre dhe mbrojtjes së myslimanëve nën sundimin jo-islamik.[6] Kjo i përgjigjet interpretimit të tyre të vargjeve përkatëse të kuranit.[7]

Xhihadi paraqet një nga urdhërimet themelore të besimit islam, një detyrim ndaj të gjithë myslimanëve dhe një parim të rëndësishëm të besimit. Disa teologë sunnitë e cilësojnë xhihadin si „shtyllën“ e gjashtë, megjithëse kjo nuk vlen zyrtarisht.[8]

Për kharixhitët xhihadi është një ndër pesë shtyllat e fesë islame.[9]

Për imamitët xhihadi është një ndër dhjetë parimet themelore. Sipas konceptimit të tyre xhihadit, nuk do të ketë xhihad për zgjerimin e territorit të zotërimit islamik deri sa të shfaqet i ashtuquajturi imami i fshehur, Muhammad ibn Hasan al-Mahdi, (Mehdiu), pasi vetëm ky ka drejtën për ta zbatuar atë.[10] Megjithatë mbrojtja e territorit të vet është e detyrueshme edhe në kuptimin imamit, gjë që veç nuk shihet si xhihad.[11]

Në zonat e gjuhëve evropiane ky term përkthehet shpesh me shprehjen luftë e shenjtë.[12] Kësaj i kundërshtojnë shkrimtarët myslimanë duke thënë se xhihadisemantikë nuk cilëson vetëm luftën, se ka kuptime jo-ushtarake të këtij termi prandaj e shohin si të gabuar një përkthim të tillë duke e hedhur atë poshtë.[13]

islamologji është i zakonshëm formulimi i xhihadit si luftë e shenjtë me kuptimin e luftës së urdhëruar nga zoti, të kryer për të dhe të shpërblyer prej tij.[14][15] Megjithatë barazimi i këtyre dy termave has në mospranim nga ana e studiuesve.[16]

Termi xhihad është gjithashtu edhe emër arab për meshkuj, dhënia e të cilit është e lejuar nga ana ligjore.[17]

Xhihadi në kuran dhe në sunna[redakto | redakto tekstin burimor]

Teoria e xhihadit e ka origjinën në kuran dhe në sunna-n e Muhamedit. Në këto burime ky term përdoret në kuptimin ushtarak si luftë kundra armikut. Vargjet përkatëse të kuranit janë zbuluar në kuadër të konflikteve të profetit dhe ndjekësve të tij me kundërshtarët e tyre politeistë arabë si dhe çifutë dhe kristianë. Këto vargje si dhe shprehjet dhe veprat të autorizuara Muhamedit, sunna e tij, përbëjnë bazën kryesore të zhvillimit të mëvonshëm të teorisë së xhihadit në ligjet islamike.[18]

Emri xhihad figuron në kuran katër herë.[19] I shoqëruar nga format e ndryshme të foljeve ai gjendet aty tridhjet e pesë herë.[20] Ai pasohet zakonisht nga shprehja „në rrugën e zotit“[21], „me gjënë dhe gjakun“[22] ose të kombinuara bashkë:[23]

Ata që besonin dhe kanë mërguar dhe janë angazhuar me pasurinë dhe jetën e vet[24] në rrugën e zotit, janë shokë mes tyre. (…)“ 8:72

Në to është gjithmonë fjala për luftën me armë.[25]

Në fillim të karrierës së Muhamedit si profet, ndjekësit e tij përbëheshin nga pak persona kryesisht me influencë të pakët. Kur Muhamedi filloi të kritikonte kultin e idhujvekuraish-itëve, çoi kjo në përqeshjen e mesazhit hyjnor të profetit madje deri në dhunë të hapur ndaj pjesëtarëve të bashkësisë së re fetare nga ana e mekkanasve paganë.[26] Përpara se Muhamedi të mërgonte (hixhra) për në Medinë, nuk ekzistonte asnjë urdhërim për t'i luftuar këta. Për shkak të dobësisë, bashkësisë së Muhamedit në atë kohë nuk i mbeti gjë tjetër veçse ta duronte shtypjen nga ana e kuraish-itëve pa iu kundërvënë duke e injoruar mundësisht atë:[27]

„Dhe shpalle me zë të lartë çka të urdhërohet e kthehu shpinën politeistëve. Ne do të të mbrojmë nga ata që të përqeshin e i vënë zotit perëndi të tjera përbri. Ata kanë për ta mësuar këtë.“ 15:94-96

Edhe në kohën fill pas ardhjes së muhaxhirun-ëve (të „mërgimtarëve“ myslimanë të arratisur nga Mekka) në Yathrib (Medinën e mëvonshme), trupave të Muhamedit iu ndalua të ballafaqoheshin ushtarakisht me mekkanasit. Provë për këtë është vargu i më poshtëm i kuranit ku kjo përmendet në mënyrë retrospektive:[28]

„A nuk i ke parë ata të cilëve iu tha (në fillim): 'Hiqni dorë (nga lufta), bëni faljen dhe jepni taksën e lëmoshës'? Kur atyre (pastaj) iu dha urdhëri të luftojnë, një pjesë e tyre pati papritur frikë nga njerëzit ashtu siç frikësohesh nga zoti ose edhe më tepër. (…)“ 4:77

Vetëm pas disa muajsh u zbulua vargu, të cilin ekzegjeza e kuranit e sheh kryesisht si thirrjen e parë për luftë:[29]

„Leje (për luftë) u është dhënë atyre, të cilët i luftojnë sepse iu është bërë padrejtësi dhe zoti ka sigurisht forcën për t'iu ardhur në ndihmë, (atyre) të cilët janë dëbuar pa të drejtë nga vendet e tyre vetëm pse ata thonë: Perëndia jonë është zoti. (…)“ 22:39-40

Lufta e myslimanëve në Gadishullin Arabik kaloi nëpër disa faza[30] duke përfunduar së fundi në një luftë të përgjithshme kundra idhujtarëve politeistë arabë nga njëra anë…:[31]

„Dhe kur të kenë kaluar muajt e shenjtë atëherë vritini politeistët kudo që t'i gjeni, kapini, rrethojini dhe zërini pritë. Nëse ata ndërrojnë, bëjnë faljen dhe paguajnë, atëherë lërini të shkojnë: zoti është plot ndjesë dhe i mëshirshëm“ 9:5 sipas Khoury

…dhe besimtarëve të librave, çifutët dhe të krishterët e gadishullit[32] nga ana tjetër:

„Luftoni kundra atyre që nuk besojnë tek zoti dhe gjyqin e mbramë dhe nuk ndalojnë (ose: nuk e shpallin si të ndaluar) çka zoti dhe i dërguari i tij e kanë ndaluar dhe nuk u përkasin fesë së vërtetë, (asaj) të atyre që e kanë marrë shkrimin (dmth. zbulesën) (luftoni kundra tyre) deri sa ata të paguajnë tribut nga frika!“ 9:29 (përkthyer sipas Paret)

Këto vargje të kuranit, të njohura edhe si vargjet e shpatës, janë kuptuar nga ekzegjeza klasike e kuranit më së shumti si thirrje për luftë kundra botës jo-myslimane. Sipas disa ekzegjetëve madje ky varg i fundit (sure 9, vargu 29) u drejtohet vetëm besimtarëve të librave në gadishullin arabik.[32]

Të mërguarit, të cilët pas arratisjes nga Mekka nuk kishin më asnjë bazë financiare, ndoqën traditën e vjetër arabe të plaçkitjes duke filluar të sulmonin dhe grabitur karvanët e kuraish-itëve. Përvetësimi i këtij koncepti, të zakontë që në kohët paraislamike, të plaçkitjes së karvanëve që tashmë quhej xhihad, nuk kufizohej vetëm në ndërrimin e emrit: ndërsa grabitje të tilla më parë ishin sulme të një fisi kundra një tjetri pavarësisht nga marrëdhëniet mes tyre, xhihadi ishte lufta e një bashkësie fetare kundra besimtarëve të tjerë. Në këtë mënyrë kjo bashkësi filloi të ekspandonte (zgjerohej) pasi një fis nuk sulmohej më sapo ta kishte pranuar fenë islame. „Ishte ky karakter 'fetar' i xhihadit që i kanalizoi energjitë e arabëve në atë formë duke bërë që në më pak se një shekull ata të ngrenë një perandori, e cila shtrihej nga Atllantiku dhe Pirenejtë në perëndim, deri në Oksus (Amudarja) dhe Panxhab në lindje. Duket më se e sigurtë se ky ekspansion, pa konceptin e xhihadit, nuk do të kishte ndodhur.[33]

Fakti që folja xhahada (shqip: „mundohet“, „lufton“) përdoret në disa vargje të kuranit pa shtesat e përmendura më lart, tregon që këto grabitje karvanësh në fillim nuk kanë pasur karakter fetar. Kështu psh. thuhet në suren 16, vargu 110:

„Më vonë zoti, atyre, të cilët pas sprovave mërguan e pastaj luftuan dhe qëndruan të fortë, dije se zoti do të jetë vërtetë me ndjesë dhe i mëshirshëm.“ (përkthyer sipas Henning)

Ky tipar fetar, i karakterizuar zakonisht nëpërmjet një shtese të tillë, (sipas William Montgomery Watt) u është shtuar plaçkitjeve më vonë kur Muhamedi filloi të kërkonte nga myslimanët e Medinës, të ashtuquajturit ndihmësit, të merrnin edhe ata pjesë në grabitjet duke bërë që të zbulohen këto vargje të kuranit:[23]

„O ju që besoni, kini frikë prej zotit dhe gjeni rrugën për tek ai dhe mundohuni në rrugën e tij që t' keni punët mirë.“ 5:35 (përkthyer sipas Khoury)

Deri atëherë ndihmësit ishin zotuar që t'u ndihmonin me armë myslimanëve nga Mekka në rast sulmi nga ana e kuraish-itëve.[34] Gjithashtu edhe burimet përkatëse, ndër to disa vargje të kuranit, [35] bëjnë të qartë se deri në betejën e Badr-it në vitin 624 pas Kr., në grabitjen e karvanëve kanë marrë pjesë kryesisht vetëm emigrantët.[25]

Këto grabitje çuan në përpjekje të përmasave më të mëdhaja mes kuraish-itëve dhe trupave të Muhamedit, të cilat përkohësisht morrën fund me marrëveshjen për paqe, të ashtuquajturën „marrëveshjen e al-Hudaibija-s“. Pas shkeljes së kësaj marrëveshjeje nga ana e mekkanasve pasoi pushtimi i Mekkës më 630 pas Kr.[36] Kur më tetë qershor 632 Muhamedi vdiq territori i sundimit islamik shtrihej mbi të gjithë Gadishullin Arabik.[37] (Shih edhe: Muhamedi, (Aktivitetet ushtarake („ghazavât“-i) të Muhamedit dhe ndjekësve të tij)

Kurani i referohet disa herë luftës kundra të pafeve. Shumë vargje të tij u bëjnë thirrje myslimanëve për luftë duke premtuar për të rënët shpërblim në botën e përtejme…:

„Dhe mos thuaj se ata që janë vrarë për hir të zotit kanë vdekur (vërtetë). Jo, (ata janë) gjallë (në botën e përtejme), dhe atyre u dhuron zoti (ushqim hyjnor).“ 3:169 (përkthyer sipas Paret); shih edhe: 3:157-158 si dhe 170-172

…dhe duke i kërcënuar ata me ndëshkime atje që nuk marrin pjesë në luftë:

„Ata që kanë mbetur prapa (në vend që t'i marrin në fushën e betejës) gëzohen që kanë mbetur në shtëpi prapa të dërguarit të zotit (ose: ndryshe nga i dërguari i zotit) (i cili është nisur). Nuk e honepsin dot të bëjnë luftë (në tekst: të mundohen) me gjënë dhe jetën e vet për hir të zotit dhe thonë: 'Mos shkoni në vapë!' Thuaju: Zjarri i ferrit është më i nxehtë (se vapa ku bëhet lufta). Ah sikur t'u vijnë mendtë! Do të qeshin pak por (dikur) do të qajnë shumë. (Kjo do t'i gjejë) si shpagim për atë që kanë bërë.“ 9:81-82 (përkthyer sipas Paret); shih edhe 48:16

Vargje të tjera trajtojnë çështje të ligjit të luftës si psh. trajtimin e robërve të luftës,[38] përjashtimin nga shërbimi ushtarak[39] ose armëpushimet.[40]

Në dy pasazhe në tekstin e kuranit është fjala për „mundimin për hir të zotit“: Sure 29, vargu 69…:

„Ata veç që mundohen për të mirën tonë (…), do t'i prijmë në rrugën tonë. Zoti është me ata që janë të shtruar.“ (përkthyer sipas Paret

…si dhe sure 22, vargu 77-78:

„O besimtarë, përuluni (gjatë shërbesës fetare), bini në tokë (duke u falur), shërbejini zotit tuaj dhe bëni mirë! Ndoshta (më vonë) do t'ju bëhet mirë. Dhe mundohuni për hir të zotit siç duhet! (…)“ (përkthyer sipas Paret)

Këto vargje mund të interpretohen si thirrje për t'u përpjekur „që t'iu bëhet qëndresë epsheve dhe tundimeve të liga“[41][42] Ekzegjeza klasike e kuranit veç, i ka lidhur ato me drejtimin e luftës.

Nëse kurani luftën e sanksionon (miraton) vetëm me qëllimin e mbrojtjes apo parashikon luftën kundra besimtarëve të tjerë në përgjithësi, kjo është e paqartë si dhe në dorën e gjykimit të ekzegjezës,[43] pasi synimet dhe qëllimet e xhihadit nuk dalin qartë nga kurani. Rregulloret e luftës në të kanë më tepër karakterin e përpjekjeve për rekrutim trupash dhe nuk trajtojnë çështje etike.[44][45]

Përveç kuranit xhihadin e trajtojnë edhe përmbledhjet e rëndësishme të hadith-it, të cilat përmbajnë përkatësisht nga një kapitull të veçantë mbi këtë temë. Rrëfimet në to që i autorizohen Muhamedit trajtojnë ndër të tjera të mirat e luftës në rrugën e zotit, shpërblimin e atyre që marrin pjesë në këtë luftë dhe sidomos të atyre që vriten në këtë luftë.[46]

Kështu psh. në përmbledhjet kanonike të hadith-it të al-Buhari-t jepet thënia e mëposhtme e autorizuar profetit në kapitullin „angazhimi për çështjen e zotit“:[47]

„Dikush erdhi (një herë) tek i dërguari i zotit (…) dhe i tha: »Më thuaj një vepër që arrin të jetë aq sa angazhimi në rrugën e zotit, për nga shpërblimi, i cili do të na priste për të nga zoti!« Profeti (…) ia ktheu: »Unë nuk di asnjë vepër të tillë! Apo mos je ti në gjendje që kur besimtari luftëtar lufton për çështjen e zotit, të rrish duke u falur në xhami pa u lodhur dhe njëkohësisht duke agjëruar pa e prishur agjërimin?« Ai i tha: »Jo. Kush është në gjendje për këtë!«“

E ngjashme për nga mesazhi përmbajtës me këtë hadith, i autorizohet profetit edhe kjo thënie[48]

„Askush nuk do që të kthehet nga parajsa, me përjashtim të martirit që ka rënë në luftë për çështjen e zotit. Ai dëshiron që të kthehet në tokë për t'u vrarë edhe dhjetë herë të tjera, pas gjithë atyre nderimeve që i janë bërë në parajsë.“

Këtu lidhet ideja e xhihadit si luftë me armë, me atë të martirizimit (të rënit therror). Shkrimet islamike brenda dhe jashtë përmbledhjeve kanonike të hadith-eve të shekullit të 9-të janë të pasura me vepra mbi xhihadin dhe të mirat e tij si detyrim fetar.

Përkrah kësaj teme, kjo trashëgimi merret edhe me çështje të ligjeve të luftës si psh. trajtimin e robërve të luftës ose ndalimin e vrasjes së grave dhe fëmijëve.[49]

Xhihadi në të drejtën klasike islame[redakto | redakto tekstin burimor]

Teologët juristë myslimanë e kanë zhvilluar doktrinën e xhihadit gjatë zhvillimit të të drejtës islame në shekujt e parë pas vdekjes së profetit. Përkufizimi gjuhësor i zakonshëm i termit xhihad në veprat përkatëse juridike është „të mundohesh aq sa të kesh mundësi, (ose sa më tepër)“, ndërsa detyrimi për xhihad konceptohej nga ana ligjore si luftë kundra të pafeve.[50] Nga shumica dërmuese e teologëve, juristëve dhe tradicionarëve termi xhihad është konceptuar në kuptimin ushtarak.[51] Përjashtim bëjnë teologë të rrallë të sektit shiit të cilët bëjnë dallim ndërmjet një xhihadi të madh si luftë të brendshme shpirtërore dhe një xhihadi të vogël në kuptimin e përshkruar më lart. (Shih paragrafin Interpretimi jo-ushtarak i termit xhihad)

juridiksionin islamik xhihadi paraqet formën e vetme të lejueshme të luftës kundra jo-myslimanëve.[52] Përveç luftës kundra të pafeve, është legjitime (e ligjshme) lufta kundra braktisësve të fesë islame, rebelëve dhe dezertorëve si dhe hajdutëve.[53] Si xhihad në kuptimin e detyrimit fetar vlen vetëm lufta kundra jo-myslimanëve dhe apostatëve.[54] Me çështjet ligjore të drejtimit të luftës merret një degë e veçantë e juridiksionit islamik, literatura e sijar-it, e drejta ndërkombëtare islamike.

Si synim kryesor i xhihadit ka qenë fuqizimi i fesë islame, mbrojtja e myslimanëve dhe spastrimi i botës nga pafesia me qëllimin e hegjemonisë islamike mbi të gjithë rruzullin tokësor.[55] Si bazë për këtë kanë shërbyer vargje nga kurani si ky:

„Ai është ai që e ka çuar të dërguarin e tij që ta ndihmojë atë për të ngadhënjyer (fituar) mbi të gjitha fetë e tjera që ekzistojnë edhe pse këtë paganët (dmth. ata që u vënë zotit (perëndi të tjera) përbri) s'e honepsin dot“. 9:33 sipas Paret; shih edhe 2:193

Nga ana tjetër, nuk është parashikuar konvertimi (ndërrimi i fesë) me forcë ose asgjesimi i jo-myslimanëve.[56]

Nga jo-myslimanët duhen luftuar politeistët deri sa të pranojnë fenë islame ndërsa besimtarët e feve të librave kanë përveç mundësisë së konversionit (ndërrimit të fesë) edhe të drejtën të lidhin me sundimtarin islamik kontratë si dhimma. Kjo ka qenë në fillim e përcaktuar vetëm për çifutët, të krishterët dhe sabeët. Gjatë ekspansionit islamik oferta e dhimma-s është zgjeruar edhe mbi bashkësi të tjera fetare si psh. zoroastristët ose hindut, kështu që si përfundim të gjithë jo-myslimanët kishin mundësi të lidhnin kontratë si dhimma me pushtuesit myslimanë.[57]

Doktrina shiite e xhihadit ndryshon nga ajo e njohur sunnite kryesisht nëpërmjet asaj që sipas konceptit shiit është vetëm imami i fshehur i autorizuar të drejtojë xhihadin për zgjerimin e zonës së sundimit islamik ndërsa mbrojtja nga sulmet e armiqve është e lejueshme por nuk quhet si xhihad në kuptimin e mirëfilltë. Përndryshe nuk ka patur diferenca të mëdha në këtë drejtim.[58]

Për shkak të larmisë së ideve nga ana e teologëve nuk mund të bëhet fjalë për një teori klasike unike të xhihadit.[59] Të dhënat përkatëse në këtë artikull paraqesin vetëm idetë kryesore të të drejtuarit të luftës që njihen nga të gjitha sistemet ligjore si të tilla.

Dar al-islam-i dhe dar al-harb-i[redakto | redakto tekstin burimor]

Një rëndësi themelore për kuptimin e të drejtës ndërkombëtare islamike klasike ka ndarja e botës në një „shtëpi (ose vend) të fesë islame“ (dar al-islam) dhe një „shtëpi (ose vend) të luftës“ (dar-al-harb).[60] Ndërsa ai i pari cilëson të gjitha zonat nën sundimin islamik, vendet jashtë zonës së sundimit islamik llogariten si „shtëpia e luftës“. Quhet si detyrë e bashkësisë islame që të aneksohen ushtarakisht pjesë sa më të mëdha të dar al-harb-it.

Sistemi ligjor shafiit ka edhe një kategori tjetër: „shtëpia e kontratës“ (dar al-ahd-i).[61] Si të tilla llogariten vendet, popullsitë jo-myslimane të të cilave kanë bërë marrëveshje me myslimanët me kushtin që ato të mbajnë zonat e tyre dhe në të kundërt të paguajnë një shumë të caktuar vjetore ose të dorëzojnë një sasi të caktuar të mirash materiale.

Si i vetmi nga katër sistemet ligjore sunnite është ai hanafit-i që përcakton në ç'kushte bëhet një shtëpi e luftës shtëpi e fesë islame dhe në të kundërt. Si „shtëpi e fesë islame“, sipas rregullave të pranuara në përgjithësi, bëhet një vend kur ai ndodhet nën sundimin islamik dhe ku zbatohet e drejta islamike sharia. Në lidhje me këtë, se kur një më parë „shtëpi i fesë islame“ vlen si pjesë e „shtëpisë së luftës“, teologu juridik Abu Hanifa, tek i cili e ka origjinën sistemi i hanafitëve dhe koncepti i të cilit për këtë çështje mbizotëron aty, ka përcaktuar kushtet e mëposhtme:

  1. kur e drejta e të pafeve zbatohet, ligjet islamike humbasin vlefshëmirë e tyre;
  2. kur vendi është në kufi të vendit të shtëpisë së luftës;
  3. garantia e mëparshme për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së myslimanëve dhe dhimmi-ve hiqet, pavarësisht nga fakti se sundimtari i ri i mbron ata apo jo.

Këto kushte mund të plotësohen në qoftë se një pjesë e shtëpisë së fesë islame ose një pjesë e dhimmi-ve e prish kontratën me myslimanët.[62]

Xhihadi si detyrim fetar[redakto | redakto tekstin burimor]

Ekspansioni ushtarak i dar al-islam-it është detyrim kolektiv për bashkësinë myslimane dmth. në rast se një numër i mjaftueshëm trupash është në gatishmëri, atëherë për pjesën tjetër të myslimanëve nuk është më ky detyrim.[63] Në rast se në xhihad nuk merr pjesë askush, atëherë bën mëkat e gjithë bashkësia islame.[64] Sundimtari mysliman përkatës e ka për detyrë të sulmojë e pakta një herë në vit dar al-harb-in.[10] Në rast se kjo është për ndonjë arsye e pamundur, atëherë atij i lejohet ta shtyjë atë. (Shih paragrafin: Hudna)

Xhihadi bëhet detyrim individual në rast mbrojteje, ku çdo personi të aftë për armë i duhet të luftojë në zonën e tij. Kur numri i trupave ushtarake të tyre nuk mjaftojnë, vlen ky detyrim edhe për zonat përkatëse fqinje.[65] Gjithashtu lufta bëhet për një person detyrim individual kur kalifi i cakton atij që të kryejë shërbimin në luftë ose kur ai është betuar për të marrë pjesë në xhihad.[66]

Nga shërbimi në luftë përjashtohen ndër të tjerë gratë, fëmijët, skllevërit, invalidët, të metët mendorë si dhe personat që për arsye materiale nuk mund të marrin pjesë. Si përligje për këto kushte përjashtuese teologët juridikë citojnë vargje përkatëse nga kurani ose nga trashëgimia e thënieve që i autorizohen profetit.[67]

Rregulat ligjore për drejtimin e luftës[redakto | redakto tekstin burimor]

E drejta ndërkombëtare islamike ka parashikuar që lufta kundra armiqve jo-myslimanë të vijë pas thirrjes ndaj tyre për të pranuar fenë islame ose (në rastin e feve të librave) që ata të qëndrojnë në vend duke paguar në të kundërt xhizja-në (shih dhimma-n).[68] Kjo bazohej në suren 17, vargun 15, ku thuhet:

„…Nuk do ta ndëshkonim kurrë (një popull) pa i çuar më parë atij një të dërguar (të zotit)“. (përkthyer sipas Paret)

E drejta ndërkombëtare klasike islamike ndalonte gjithashtu (po ashtu duke u bazuar në vargjet e kuranit ose në thëniet e profetit) veprime të caktuara gjatë luftimeve si psh. ndër të tjera vrasjen e non-kombatantëve (trupave jo-luftuese), grave, fëmijëve ose murgjëve (në rast se këta nuk marrin pjesë në luftime), gjymtimi si i trupave të njerëzve ashtu si edhe i kafshëve, shkelja e marrëveshjes, shkatërrimi i panevojshëm i gjësë së huaj si dhe vrasja e pengjeve.[69]

Në veprat ligjore përkatëse trajtohen përveç këtyre edhe çështje të tjera teknike lufte si psh. trajtimi i robërve të luftës dhe ndarja e plaçkës së luftës.

Lidhja e marrëveshjeve të paqes[redakto | redakto tekstin burimor]

Marrëveshjet historike ndërmjet pushtuesve myslimënë dhe popullsive të vendeve përkatëse janë trashëguar në veprat historike të at-Tabari-t dhe al-Baladhuri-t (për të përmendur këtu vetëm trajtesat më të hershme) dhe janë analizuar shpesh nga studiuesit.[70] Në mënyrë të përgjithshme këto marrëveshje përmbajnë garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës, pranimin e largimit të lirë për ata që nuk duan të jetojnë nën sundimin islamik por edhe detyrimin për të mos shkatërruar kishat dhe fortesat.[71] (Shih edhe dhimma)

Hudna[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih artikullin kryesor: hudna

E drejta klasike islamike e ka parë gjendjen e luftës si gjendje të zakonshme të marrëdhënieve ndërmjet dar al-islam-it dhe dar al-harb-it. dhe nuk ka parashikuar marrëveshje paqeje të pakufizuar në kohë me këtë të fundit.[72] Për një periudhë të caktuar kohe gjendja e luftës mund të pezullohej me anë të një armëpushimi të ashtuquajtur hudna. Kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve nuk përcaktohet njëzëri nga drejtimet juridike. Sipas çdo drejtimi juridik, me përjashtim të atij hanafit, një marrëveshje e tillë lejohet të ketë vetëm vlefshmëri të përkohëshme.[73]

Bazë e konceptit të hudna-s përbën ndër të tjera sure 9, vargu 1, ku përmendet „një detyrim“ ndaj paganëve…:[74]

„Anullimi (…) nga ana e zotit dhe e të dërguarit të tij (në drejtim të) atyre paganëve (…), ndaj të cilëve i keni hyrë një detyrimi (…). (përkthyer sipas Paret)

…si dhe sure 8, vargu 61:[75]

„Dhe kur ata (dmth. armiqtë) të anojnë nga paqja, anoju (edhe ti) (dhe lëre luftën)! Dhe kini besim tek zoti! Ai është ai që dëgjon dhe sheh (gjithçka).“ (përkthyer sipas Paret)

Po ashtu ka patur rëndësi marrëveshja e Muhamedit me mekkanasit më 628 në al-Hudaibija, në të cilën ata janë marrë vesh për një armëpushim dyvjeçar (sipas burimesh të tjera, dhjetëvjeçar).

Aman-i[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih artikullin kryesor: Musta'min-i

Një jo-myslimani të jashtë zonës së sundimit islamik i lejohet me anë të një të ashtuquajturi aman, një deklarate mbrojtjeje nga ana e një myslimani, që të qëndrojë në territorin islamik pa patur detyrime tatimore në rast se ai nuk ngre vendbanim të përhershëm atje.[76] Si bazë ligjore shërbente për këtë sure 9, vargu 6:

„Dhe në rast se një nga paganët të lutet për mbrojtje, jepi ndihmë në mënyrë që ai të dëgjojë fjalën e zotit! Dhe pastaj lëre të shkojë (vetë) ku të jetë i sigurtë! Kjo (t'u jepet atyre) sepse ata janë njerëz që nuk dinë“. (Përkthyer sipas Paret. Shih edhe 16:112)

Xhihadi dhe liria e besimit[redakto | redakto tekstin burimor]

Përpara sulmimit të armikut jo-mysliman bëhej oferta për të konvertuar (ndërruar fenë) në fenë islame ose për të lidhur një kontartë si dhimma. Teoria e xhihadit nuk e sheh ndërrimin me forcë të fesë në atë islame si qëllim lufte.[56] Parimi i formuluar në suren 2, vargu 256Në fe nuk ka detyrim“, i cili sipas disa komenteve klasike të kuranit është abroguar (anulluar) nëpërmjet vargjeve të mëvonshme si psh. vargut të shpatës,[77] dhe teoria e xhihadit për luftën e armatosur kundra të pafeve nuk përjashtojnë detyrimisht njëra-tjetrën pasi jo-myslimanëve pas mposhtjes së tyre mund t'u jepej liria e besimit.[78] Komentuesit klasikë të kuranit që nuk e shihnin këtë varg si të abroguar janë përpjekur të argumentojnë se ky varg u referohet vetëm besimtarëve të feve të librave, të cilët kishin të drejtë të jetonin si dhimmi nën sundimin islamik pa konvertuar në fenë islame.[79]

Xhihadi me qëllim konvertimin ka qenë i kufizuar vetëm brenda kohës së hershme islamike dhe të asaj të mposhtjes së fiseve arabe gjatë kohës së Muhamedit dhe pak pas vdekjes së tij. Në jurisprudencën klasike islamike ky mendim nuk ka qenë i padiskutueshëm por megjithatë në kohët moderne ai pranohet si normë e vlefshme.[80]

Teologu dhe ekzegjeti tunizian Tahir ibn Āshūr (1879-1970) e harmonizon përmbajtjen e sures 2:256 me detyrimin fetar të xhihadit kështu: Vargu është zbuluar pas kohës së pushtimit të Mekkës më 630 pas Kr. duke abroguar të gjitha vargjet dhe thëniet e profetit, sipas së cilave qëllimi i luftës është konvertimi i kundërshtarëve. Që prej zbulimit të këtij vargu qëllimi i luftës ka ndryshuar duke mos qenë më konvertimi por mposhtja e kundërshtarëve dhe pranimi nga ana e tyre i dominancës islamike. Një pikëpamje të ngjashme ka patur edhe teologu sirian al-Kāsimī (1866-1914).[79]

Interpretimi jo-ushtarak i termit të xhihadit[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndërsa si kurani ashtu edhe sunna si dhe shumica e teologëve klasikë me xhihad kuptojnë në radhë të parë ose vetëm aktivizimin ushtarak, gjatë zhvillimit të tij dhe sidomos gjatë kolonializimit të pjesëve të mëdha të botës islamike dhe kohëve moderne kanë dalë edhe interpretime jo-ushtarake të teorisë së xhihadit.

Disa teologë shiitë të kohës klasike bëjnë dallim ndërmjet të ashtuquajturit xhihadit të madh, në kuptimin e luftës shpirtërore (spirituale) kundra lakmive të brendshme, dhe xhihadit të vogël, në kuptimin e ballafaqimit ushtarak kundra një armiku nga jashtë.[51] Kjo i përgjigjet theksimit të aspekteve jo-luftarake të shumë autorëve bashkëkohorë myslimanë si dhe asketëve dhe mistikëve myslimanë.[81]

Juristët postklasikë (të kohës pas-klasike) e kanë ndarë këtë term në katër kategori:[82]

  • Xhihadin e zemrës (xhihad bi l-kalb) si luftë të brendshme shpirtërore kundra veseve, tundimeve për vepra të ulta morale dhe injorancës.
  • Xhihadin verbal (me fjalë) (xhihad bi l-lisan) nëpërmjet thënies së vazhdueshme të së vërtetës dhe përhapjen e fesë islame në rrugë paqësore. Këtu bën pjesë edhe thënia publikisht e të vërtetës (hakk) nën sundimin e një sundimtari të padrejtë.[83]
  • Xhihadin me vepra, dmth. nëpërmjet sjelljes së moralshme (xhihad bi l-jad): urdhëro të drejtën dhe ndalo të dënueshmen.
  • Xhihadin e shpatës, si luftën me armë në rrugën e zotit.

Me këtë mënyrë konceptimi i xhihadit drejtohet kundra egos, kundra „instinkteve të shpirtit“ (an-nafs al-ammāra bi 'l-sūʾ). Vënia në jetë e udhëzimit „urdhëro të drejtën dhe ndalo të dënueshmen“, ndodh „me gojë, me dorë dhe me shpatë, sipas asaj se sa je gjendje“.[84] Asketët shohin idealin më të lartë në luftën kundra vetvetes (muxhahadat an-nafs).[85]

Interpretimet jo-luftarake të këtij termi gjenden po ashtu edhe në kapitujt përkatës të përmbledhjeve të mëdha të hadith-it. Ndër të tjera shihet si xhihad edhe pelegrinazhi i një gruaje për në Mekkë (haxh-i)[86] si dhe përkujdesja ndaj prindërve.[87]

Një shembull i njohur për interpretime të tilla në kohën e sotme ka qenë thënia e presidentit Habib Bourguiba që lufta kundra dekadencës ekonomike në Tunizi duhet parë si xhihad. Meqë një muxhahid, ai që merr pjesë në xhihad, është i liruar nga detyrimi për të agjëruar në ramazan, arsyetonte Bourguiba, edhe agjërimi në ramazan as për punëtorët, (të cilët duheshin parë po ashtu si luftëtarë të besimit) nuk është i detyrueshëm. Në këtë mënyrë ai përpiqej të luftonte amullinë ekonomike të përvitshme në këtë muaj. Kjo ide e tij në lidhje me këtë çështje u përvetsua më pas edhe nga teologët islamikë.[88]

Përligja e terrorit me anë të konceptit të xhihadit[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjatë shumë atentateve terroriste të kohëve të fundit, shumë atentatorë i kanë përligjur veprat e tyre duke vënë në dukje konceptin e xhihadit. Disa organizata islamiste e kanë fjalën xhihad në emrin e tyre si psh. xhihadi islamik dhe al-xhihad-i. Këto grupe mobilizojnë shumë ndjekës nëpërmjet aktiviteteve sociale në shkallë të gjerë. Ato e përligjin interpretimin e tyre luftarak të termit xhihad edhe duke u bazuar në vetë fenë islame.

Atentatorët vetëvrasës të tyre cilësohen si shahīd "(dëshmorë)", të cilët e kanë të sigurtë vendin në parajsë. Në të vërtetë vetëvrasja vlen në fenë islame si mëkat, i cili ndëshkohet në botën e përtejme me përsëritjen e pafund të çastit të vdekjes.

Shih edhe: Islami dhe terrorizmi

Weblinks[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Literaturë[redakto | redakto tekstin burimor]

Vepra të përgjithshme[redakto | redakto tekstin burimor]

Vepra të tjera[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Reuven Firestone: Jihād. Në: Andrew Rippin: The Blackwell Companion to the Qur'an. Wiley-Blackwell, 2006. f. 308-320
  • Adel Theodor Khoury: Was sagt der Koran zum Heiligen Krieg? (Ç'thotë kurani mbi luftën e shenjtë?). Gütersloher Verlagshaus, 2007
  • Fred M. Donner: The Sources of Islamic Conceptions of War. Në: John Kelsay dhe James Turner Johnson: Just War and Jihad: Historical and Theoretical Perspectives on War and Peace in Western and Islamic Traditions. Greenwood Press, 1991. f. 31-70
  • William Montgomery Watt: Islamic Conceptions of the Holy War. Në: Thomas P. Murphy: The Holy War. Ohio State University Press, 1974. f. 141-156
  • Reuven Firestone: Jihād. The Origin of Holy War in Islam. Oxford University Press, 1999
  • Albrecht Noth: Glaubenskriege des Islam im Mittelalter (Luftërat fetare islamike në mesjetë). Në: Herrmann: Glaubenskriege in Vergangenheit und Gegenwart (Luftërat fetare në histori dhe sot). Göttingen, 1996. f. 109-122
  • Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The Doctrine of Jihad in Modern History. Mouton, 1980

Shënime dhe referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 2, f. 538 („Djihad“). Edhe fjala shqipe luftë rrjedh nga ajo latine lucta me kuptimin "mundim", "sforcim", "lodhje". Shih: Gustav Meyer, Etymologisches wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe), Strassburg 1891, f. 250.
  2. ^ Bernard Lewis: The political language of islam. 1988. f. 125. Shih edhe Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. (Xhihadi, mundimi për zotin) Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen (Botët e fesë islame, njëzetenëntë propozime për ta kuptuar të panjohurën). Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. prej f. 23.
  3. ^ Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishing Inc., 2005. f. 2. Shih: Fred M. Donner: The Sources of Islamic Conceptions of War. Në: John Kelsay dhe James Turner Johnson: Just War and Jihad: Historical and Theoretical Perspectives on War and Peace in Western and Islamic Traditions. Greenwood Press, 1991. f. 47
  4. ^ Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen. Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 27
  5. ^ Klaus Kreiser, Werner Diem, Hans Georg Majer: Lexikon der islamischen Welt (Leksik i botës islamike). Kohlhammer, 1974. Vëll. 2, prej f. 27, s.v. „Heiliger Krieg“ (lufta e shenjtë). Shih: The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 2, f. 538 („Djihad“): „In law, according to general doctrine and in historical tradition, the djihād consists of military action with the object of the expansion of Islam and, if need be, of its defence.“
  6. ^ Rudolph Peters: Jihad in Medieval and Modern Islam. Brill, 1977. f. 5
  7. ^ Fred M. Donner: The Sources of Islamic Conceptions of War. Në: John Kelsay dhe James Turner Johnson: Just War and Jihad: Historical and Theoretical Perspectives on War and Peace in Western and Islamic Traditions. Greenwood Press, 1991. f. 65, shënimi 75
  8. ^ John Esposito: Islam: The Straight Path. Oxford University Press, 2005. f. 93
  9. ^ Khoury, Raif Georges: "Der Islam - Religion, Kultur, Geschichte" (Besimi islam. Feja, kultura, historia). BI-Taschenbuchverlag, Mannheim 1993. f. 29
  10. ^ a b E.J. Brill's First Encyclopaedia of Islam, 1913-1936. Brill, 1993. Vëll. II, f. 1042, s.v. „Djihād“
  11. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 13
  12. ^ Shih për shembull reportazhin në Welt-Online të 5 janarit 2005: 70 mijë luftëtarë të stërvitur në kampet e Al-Kaida-s: „Nach Schilderung der Beamtin wurden die Männer in den Lagern auf den Dschihad (»Heiliger Krieg«) vorbereitet.“ (Sipas fjalëve të zyrtares ata u përgatitën për xhihadin (»luftën e shenjtë«) nëpër kampe). Shih edhe reportazhin në gazetën taz të 29 prillit 2008: Deutscher Islamist ruft zum Dschihad auf – BKA befürchtet Anschläge (Islamisti gjerman bën thirrje për xhihad. BKA (Enti federal për kriminalistikën) përgatitet për atentate): „Auf Deutsch sagt der zum Islam übergetretene junge Mann: 'Kommt zum Dschihad (Heiliger Krieg), denn das ist der Weg zum Paradies. Wenn ihr nicht kommen könnt, dann helft uns mit eurem Vermögen.'“ (Në gjermanisht thotë i riu i konvertuar në fenë islame: ejani për në xhihad (luftën e shenjtë), se kjo është rruga për në parajsë. Në qoftë se nuk vini dot atëherë na ndihmoni me pasurinë tuaj)
  13. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 118
  14. ^ Marrë nga Patricia Crone: Medieval Islamic Political Thought. Edinburgh University Press, 2005. f. 363
  15. ^ Shih për shembull: Francis E. Peters: The Monotheists: The peoples of God. Princeton University Press, 2003. f. 269: „…the Muslim notion of holy war (jihad)…“; W. Montgomery Watt: Islam and the Integration of Society. Routledge, 1998. f. 61: „The idea of the jihad or holy war seems to have developed gradually during the Medinan period.“ Shih më poshtë edhe titujt në paragrafin e literaturës.
  16. ^ Patricia Crone: Medieval Islamic Political Thought. Edinburgh University Press, 2005. f. 363; shih psh.: Albrecht Noth: Heiliger Krieg und Heiliger Kampf in Islam und Christentum. Röhrscheid, 1966. f. 22 f.; Rudolph Peters: Jihad in Medieval and Modern Islam. Brill, 1977. f. 3 f.
  17. ^ http://blog.beck.de/2009/07/17/dein-name-sei-djehad
  18. ^ Shih: Muhammad Hamidullah: The Muslim Conduct of State. Ashraf Printing Press, 1987. f. 18 ff.
  19. ^ Në 25:52, 22:78, 9:24 dhe 60:1. Shih Reuven Firestone: Jihād. Në: Andrew Rippin: The Blackwell Companion to the Qur'an. Wiley-Blackwell, 2006. f. 311
  20. ^ Ursula Spuler-Stegemann: Die 101 wichtigsten Fragen zum Islam. München, 2007. f. 125
  21. ^ Shih psh. 2:190: „Dhe të luftoni në rrugën e zotit…
  22. ^ Shih psh. 9:20: „Ata që (…) ngulmojnë në rrugën e zotit me gjë dhe gjak…
  23. ^ a b W. Montgomery Watt: Islam and the Integration of Society. Routledge, 1998. f. 66
  24. ^ Ose: „…me gjënë dhe gjakun…
  25. ^ a b W. Montgomery Watt: Islamic Conceptions of the Holy War. Në: Thomas P. Murphy: The Holy War. Ohio State University Press, 1974. f. 143
  26. ^ Rudi Paret: Mohammed und der Koran. Geschichte und Verkündung des arabischen Propheten. Kohlhammer, 2001. prej f. 106
  27. ^ Reuven Firestone: Jihād. Në: Andrew Rippin: The Blackwell Companion to the Qur'an. Wiley-Blackwell, 2006. f. 316
  28. ^ Rudi Paret: Mohammed und der Koran. Geschichte und Verkündung des arabischen Propheten. Kohlhammer, 2001. f. 129
  29. ^ Shih: Reuven Firestone: Jihād. The Origin of Holy War in Islam. Oxford University Press, 1999. prej f. 53 dhe burimet e përmendura aty
  30. ^ Adel Theodor Khoury: Was sagt der Koran zum Heiligen Krieg? (Ç'thotë kurani për luftën e shenjtë) Gütersloher Verlagshaus, 2007. pre f. 31.
  31. ^ Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen. Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 24
  32. ^ a b Albrecht Noth: Heiliger Krieg und Heiliger Kampf in Islam und Christentum. Röhrscheid, 1966. f. 15
  33. ^ Përkthyer nga anglishtja: W. Montgomery Watt: Muhammad. Prophet and Statesman. Oxford University Press, 1961. prej f. 108. teksti origjinal: „It was this 'religious' character of the jihād which channelled the energies of the Arabs in such a way that in less than a century they had created an empire which stretched from the Atlantic and the Pyrenees in the West to the Oxus and the Punjab in the east. It seems certain that without the conception of the jihād that expansion would not have happened.“ Shih: W. Montgomery Watt: Islam and the Integration of Society. Routledge, 1998. f. 158
  34. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 7, f. 360 („Muḥammad“): „The Helpers had pledged themselves to defend Muhammad only if he were attacked…“
  35. ^ Për shembull sure 8, prej vargut 72 dhe prej vargut 74, ku bëhet dallim ndërmjet të mërguarve, të cilët „besuan dhe mërguan duke u munduar në rrugën e zotit me gjënë dhe jetën e vet“ dhe ndihmësve „që i strehuan dhe përkrahën (ata)“ (sipas përkthimit të Khoury).
  36. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 6, f. 147 („Makka“): „A breach of the terms of this treaty by Meccan allies led to a great Muslim expedition against Mecca with some 10,000 men. The town was surrendered almost without a blow, and all the Meccans, except a handful who were guilty of specific offences against Muhammad or some Muslim, were assured their lives and property would be safe if they behaved honourably.“
  37. ^ Shih përmbledhjen e W. Montgomery Watt: Muhammad at Medina. Oxford University Press, 1962. f. 78-151; Elias Shoufani: Al-Ridda and the Muslim Conquest of Arabia. University of Toronto Press, 1973. f. 10-48
  38. ^ Shih suren 47, vargun 4 (përkthim sipas Paret): „Kur të hasni (në luftë) të pafetë, bjerini zverkut (me shpatë)! Kur t'i keni mposhtur krejtësisht, lidhini (për t'i liruar) më vonë ose për mëshirë ose për një shumë!“
  39. ^ Shih suren 9, vargun 91 (përkthyer sipas Paret): „Të dobëtit e të sëmurët dhe ata që nuk kanë asgjë ç'të japin (për luftën kundra të pafeve), (ata) nuk kanë nevojë të ndjehen (për këtë) të shtypur (se nuk marrin pjesë në luftë) nëse janë sinqerisht të dhënë (vetëm) pas zotit dhe të dërguarit të tij. Ata që janë të urtë nuk kanë të meta (në tekst: nuk mund t'u bësh gjë). Zoti është i mëshirshëm dhe i gatshëm të falë.“ Shih: suren 48, vargun 17
  40. ^ Shih suren 8, vargun 61 (përkthyer sipas Paret): „Dhe kur ata (dmth. armiqtë) të anojnë nga paqja, anoju (edhe ti) (dhe lëre luftën)! Dhe kini besim tek zoti! Ai është ai që dëgjon dhe sheh (gjithçka).“
  41. ^ Sipas: Ursula Spuler-Stegemann: Die 101 wichtigsten Fragen zum Islam (101 pyetjet kryesore ndaj fesë islame). München, 2007. f. 125
  42. ^ W. Montgomery Watt: Islam and the Integration of Society. Routledge, 1998. prej f. 66.
  43. ^ Fred M. Donner: The Sources of Islamic Conceptions of War. Në: John Kelsay dhe James Turner Johnson: Just War and Jihad: Historical and Theoretical Perspectives on War and Peace in Western and Islamic Traditions. Greenwood Press, 1991. f. 47: "...deciding whether the Qur'an actually condones offensive war for the faith, or only defensive war, is really left to the judgement of the exegete." Shih: Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishing Inc., 2005. f. 2
  44. ^ Albrecht Noth: Heiliger Krieg und Heiliger Kampf in Islam und Christentum. Röhrscheid, 1966. f. 13. Noth vë në dukje këtu shembullin e sures 2, vargu 216 si dhe të sures 9, vargu 82-86
  45. ^ Shih përpjekjen për saktësimin e qëllimeve të luftës së synuara nga Muhamedi të Albrecht Noth me anë të të dhënave në kuran: Heiliger Krieg und Heiliger Kampf in Islam und Christentum. Röhrscheid, 1966. f. 13-15 si dhe William Montgomery Watt: Islamic Conceptions of the Holy War. Në: Th. P. Murphy: The Holy war. Ohio State University Press, 1974. f. 144-146
  46. ^ Shembuj të këtyre hadith-eve nga muvatta e Malik ibn Anas-it gjenden të përkthyera në anglisht tek: Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishing Inc., 2005. f. 18-25
  47. ^ Ṣaḥīḥ al-Buḫārī. Nachrichten von Taten und Aussprüchen des Propheten Muhammad. Ausgewählt, aus dem Arabischen übersetzt und herausgegeben von Dieter Ferchl. (Rrëfime mbi veprat dhe thëniet e profetit Muhamed. Përmbledhje e përkthyer nga arabishtja nga Dieter Ferchl). Reclam, 2006. Kap. XXVIII, f. 299; Shih: Sahih al-Buchari: vëll. 4, libri 52, Nr. 44
  48. ^ Ṣaḥīḥ al-Buḫārī. Nachrichten von Taten und Aussprüchen des Propheten Muhammad. Ausgewählt, aus dem Arabischen übersetzt und herausgegeben von Dieter Ferchl. (Rrëfime mbi veprat dhe thëniet e profetit Muhamed. Përmbledhje e përkthyer nga arabishtja nga Dieter Ferchl). Reclam, 2006. Kap. XXVIII, f. 304; Shih: Sahih al-Buchari: vëll. 4, libri 52, Nr. 53
  49. ^ Shih: Bernard Lewis: The Crisis of Islam. Holy War and Unholy Terror. Random House, 2004. f. 54. Për shembuj hadithesh të tillë nga sahih-u i Muslim ibn al-Hadxhaxh-it të përkthyer në anglisht shih: Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishers, 2005. f. 9-17
  50. ^ Shih: Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 10 dhe burimet e dhëna aty
  51. ^ a b Bernard Lewis: The political language of islam. Rotbuch Verlag, 1988. f. 125
  52. ^ Rudolph Peters: Jihad in Medieval and Modern Islam. Brill, 1977. f. 3
  53. ^ Majid Khadduri: War and Peace in the Law of Islam. The Johns Hopkinns Press, 1955. f. 74 ff.
  54. ^ Bernard Lewis: The Crisis of Islam. Holy War and Unholy Terror. Random House, 2004. f. 52
  55. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 10
  56. ^ a b Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen. Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 31
  57. ^ Robert Hoyland: Muslims and Others in Early Islamic Society. Ashgate, 2004. f. xiv.
  58. ^ Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishing Inc., 2005. f. 4
  59. ^ Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen. Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 27 f.
  60. ^ Asnjë nga këto terma nuk gjenden as në kuran as në hadith-e por ato janë krijuar gjatë zhvillimit të të drejtës ndërkombëtare islamike në shekujt pas vdekjes së Muhamedit.
  61. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 2, f. 116 („Dār al-ʿAhd“)
  62. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 12
  63. ^ Adel Th. Khoury, Ludwig Hagemann, Peter Heine: Lexikon des Islam. Geschichte – Ideen – Gestalten. Directmedia, 2001. f. 665-667
  64. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 12 f.
  65. ^ E.J. Brill's First Encyclopaedia of Islam, 1913-1936. Brill, 1993. Vëll. II, f. 1042, s. v. „Djihād“. Shih: John Kelsay: Islam and war: a study in comparative ethics. Westminster John Knox Press, 1993. f. 61: „If (...) the aim becomes the defense of Islamic territory against enemy attacks (...) It [sic] is no longer fard kifaya, but fard ayn, an "individual obligation", in which each person must do all that he (or she) can for the sake of Islam.“
  66. ^ Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishing Inc., 2005. f. 3
  67. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. prej f. 15.
  68. ^ Adel Th. Khoury, Ludwig Hagemann, Peter Heine: Lexikon des Islam. Geschichte – Ideen – Gestalten. Directmedia, 2001. prej f. 669
  69. ^ Shih Muhammad Hamidullah: The Muslim Conduct of State. Ashraf Printing Press, 1987. prej f. 205 dhe burimet e përmendura atje.
  70. ^ A. f. Tritton: The Caliphs and their non-muslim subjects. London, 1930; F. Løkkegaard: Islamic taxation in the classical period. Kopenhagen, 1950; D. C. Dennet: Conversion and poll tax in early Islam. (Harvard Historical Monographs XXII.) Cambridge, 1950; A. Fattal: Le statut légal des non-musulmans en pays d'Islam. Beirut, 1958
  71. ^ Albrecht Noth: Die literarisch überlieferten Verträge der Eroberungszeit als historische Quellen (Marrëveshjet e trashëguara me shkrim të kohës së pushtimeve si burime historike) në: Studien zum Minderheitenproblem im Islam 1 (Studime mbi problemin e pakicave në fenë islame). Bonn, 1973. prej f. 282, f. 285 dhe 287.
  72. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 3, f. 546 („Hudna“); Shih: Majid Khadduri, Herbert J. Liebesny, Robert H. Jackson: Origin and Development of Islamic Law. The Lawbook Exchange Ltd., 2008. f. 351
  73. ^ Për hollësira shih: Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. prej f. 33.
  74. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 3, f. 546 („Hudna“)
  75. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 33
  76. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 1, f. 429 („Amān“)
  77. ^ Shih Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith Relations in the Muslim Tradition. Cambridge University Press, 2003. f. 102 dhe të dhënat aty për literaturë
  78. ^ Islam and Religious Freedom (Referat i Patricia Crone-s gjatë dreißigsten deutschen Orientalistentag (simpoziumit të tridhjetë orientalist gjerman) mbi interpretimin e normës kuranike Në fe nuk ka detyrim nga ana e ekzegjezës islamike të kuranit: „They [komentet klasike të kuranit] all had the merit of making the verse compatible with the use of force for the maintenance and expansion of the Muslim community. It did not clash (…) with the duty to wage jihad to bring all mankind under Muslim sovereignty, for it only granted freedom to infidels after they'd been subjected.“ Shih: Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith Relations in the Muslim Tradition. Cambridge University Press, 2003. prej f. 102.
  79. ^ a b Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith relations in the Muslim Tradition. Cambridge, 2003. f. 103
  80. ^ Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith relations in the Muslim Tradition. Cambridge, 2003. prej f. 102.
  81. ^ Reuven Firestone: Jihad: The Origin of Holy War in Islam. Oxford University Press, 1999. f. 17
  82. ^ Shih Majid Khadduri: War and Peace in the Law of Islam. The Johns Hopkins Press, 1955. prej f. 56. dhe të dhënat e burimeve aty
  83. ^ Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith Relations in the Muslim Tradition. Cambridge University Press, 2003. f. 150
  84. ^ Josef van Ess: Theologie und Gesellschaft im 2. und 3. Jahrhundert Hidschra. Eine Geschichte des religiösen Denkens im frühen Islam. Walter de Gruyter, 1997. Vëll. 2, f. 92 dhe f. 390 sipas al-Ash'ari-t
  85. ^ Josef van Ess: Theologie und Gesellschaft im 2. und 3. Jahrhundert Hidschra. Eine Geschichte des religiösen Denkens im frühen Islam. Walter de Gruyter, 1997. Vëll. 1, f. 143 dhe f. 147
  86. ^ Sahih al-Buchari, Band 4, Buch 52, Nr. 43
  87. ^ Sahih al-Buchari, Band 4, Buch 52, Nr. 248 dhe Band 8, Buch 73, Nr. 3
  88. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. prej f. 118.