Kalaja e Ishmit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Kalaja e Ishmit është një kala në Ishëm, Shqipëri. Ajo është ndërtuar nga viti 1572 deri në vitin 1574 nga osmanët.[1] Përballë hyrjes së kalasë është varros artisti shqiptar Ibrahim Kodra. Nga kodra ku ngrihet kalaja është i shikueshëm gjithashtu lumi Ishëm.

Përshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Kalaja e Ishmit është vendosur në një pikë dominante, në qendër të komunës kodrinore e cila mban të njëjtin emër, prej nga ku të gjitha rrugët dhe terreni shihen si në pëllëmbë të dorës. Poshtë rrjedh lumi i Ishmit, i cili dikur ka qenë i lundrueshëm. Në grykëderdhjen e tij, në periudhën mesjetare ka qenë ngritur një skelë detare në të cilën përpunoheshin anijet vendase dhe ato nga vende të tjera. Kalaja u ngrit në Ishëm, në atë kohë një zonë shumë e populluar e që lidhej direkt me Krujën, me anë të një të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Porta e Lartë, e shqetësuar për zhvillimet në atë vilajet, vendosi ndërtimin e kalasë, me qëllim jo vetëm ruajtjen e vilajetit nga lëvizjet fshatare, por rrugë edhe për të ndaluar kontrabandën me Venedikun, që kishte marrë ritme shqetësuese. Kalaja e Ishmit nisi të ndërtohej në verën e vitit 1572 dhe përfundoi pas 2 vjetësh, pra në vitin 1574. Pas përfundimit të punimeve, në kala u vendos një garnizon ushtarak turk prej 410 ushtarësh. Trashësia e mureve të kalasë varionte nga 1,2 m deri në 1,5 m trashësi, ndërsa lartësia e tyre ishte deri në 7 m. Ajo përbën një objekt mjaft interesant për t'u vizituar, por mjerisht, prej disa vitesh ajo ka nisur të rrënohet.

Deri në vitin 1990 kalaja ka qenë Monument Kulture, i cili mbrohej nga shteti. Në funksion të saj ishte punësuar edhe një ciceron, i cili ishte përgatitur enkas për të treguar historinë e kalasë, por edhe të Ishmit. Por pas këtij viti gjërat ndryshuan dhe ky objekt i lashtë u la në mëshirën e fatit. Ciceroni u hoq nga ai pozicion dhe nga muret u hoqën tabelat sqaruese si dhe ajo që e cilësonte kalanë si Monument Kulture. Edhe pse në të gjitha tekstet e historisë dhe guidat e Durrësit kjo kala përmendet për vlerat dhe historinë që mbart, kujdesi nga institucionet përkatëse është pothuajse i papërfillshëm. Nga viti në vit kalaja po shkon drejt rrënimit të plotë. Nga muret e saj janë hequr një sasi e madhe gurësh, të cilët janë përdorur nga banorët e zonës për të ndërtuar themelet e banesave të tyre të reja.[2]

Kalaja është sot e banushme pasi në të, brënda oborrit, janë ndërtuar shtëpi në mënyrë të paligjshme.

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Kalaja e Ishmit, Durrës Guide (in Albanian)
  2. ^ Alarmi, Kalaja e Ishmit drejt rrënimit, Parajsa, 10.8.2008