Rrahim Beqiri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rrahim Beqiri (1 Janar 19572 Gusht 2001) i njohur si Komandant Roki ishte një komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe më vonë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Lindi më 1 janar 1957 në fshatin Kopernicë të Komunës së Dardanës (ish–Kamenicës) në Kosovë, dhe ndërroi jetë më 2 gusht 2001 në Spitalin e Prishtinës pasi që nuk arriti tu mbijetoj plagëve të marra në trup në Betejën e Tetovës, e cila u zhvillua gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni.

"Sytë hapur më mbesin, kur shoh Shqipërinë e ndarë, Amanet ua lë unë Roki, kurrë të mos ndalet lufta drejt Bashkimit Kombëtar" (Rrahim Beqiri–Roki).

Rrahim Beqiri
Pseudonimi/et"Komandant Roki"
Lindur më1 Janar 1957
Kopernicë, Komuna e Dardanës, ish–Jugosllavia, (tani Kosovë)
Vdekur më2 Gusht 2001
Spitali i Prishtinës, Prishtinë, Kosovë
Në aleancë me
Vite shërbimi1998 – 2001
GradaKomandant
NjësiaBrigada 112 "Mujdin Aliu" (Tetovë, Maqedoni)
Në komandë
  • Zona Operative e Marecit (Kosovë)
  • Drenovec, Komuna e Tetovës (Maqedoni)
Betejat/luftrat
ÇmimetUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Jeta e hershme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rrahim Beqiri lindi më 1 janar të vitit 1957, në fshatin Kopërnicë të Komunës së Kamenicës, në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Dardanë, (Ish-Kamenicë). Ka kryer studimet në Degën-Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1980. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat dhe protestat e vitit 1981, ku ishte afishuar kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës. Duke qenë me prejardhje nga familjet atdhetare, ishte i ndjekur, i burgosur dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav i asaj kohe.

Në vitin 1990, për shkak të intensifikimit të terrorit shtetëror serb kundër shqiptarëve, ashtu sikur edhe shumë të rinj të tjerë liridashës nga Kosova e më gjerë, ishte detyruar të largohej nga vendi dhe ishte vendosur në Gjermani. Aktivitetin e tij politik e kishte vazhduar në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë e cila vepronte në përgatitjen e luftës së armatosur kundër pushtimit serb të Kosovës.

Lufta në Kosovë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me të filluar lufta në Kosovë, në Zonën e Karadakut e Gjilanit, Rrahim Beqiri i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tek komandanti i Zonës, Ahmet Isufi. Fillimisht ishte sistemuar në Zonën Operative të Marecit. Ka marrë pjesë në luftimet e shumta që ishin intensifikuar në atë zonë sidomos në muajt e fundit të luftës, ndërsa ishte me luftëtarët e parë që hyri fitimtar në qytetin e Gjilanit, në qershor të vitit 1999.

Pas çlirimit të Kosovës, Rrahim Beqiri kishte rënë në konflikt me forcat ruse, që ishin nisur nga Republika Serbe e Bosnjës dhe kishin hyrë në Kosovë në kuadër të forcave të KFOR-it. Ishte burgosur dhe ishte maltretuar fizikisht nga forcat ruse, të cilat vepronin në territore të ndryshme, gjoja për ta ruajtur pakicën serbe, edhe pse shumica e tyre, sëbashku me forcat serbe ishin larguar nga Kosova, nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, meqë kishin kryer krime barbare kundër popullatës civile shqiptare, sidomos gjatë kohës së luftës.

Lufta në Luginë të Preshevës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas dëbimit përfundimtar dhe të turpshëm të forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova ashtu sikur ishte paraparë me Marrëveshjen e Kumanovës të 10 qershorit të vitit 1999, kur Serbia kishte nënshkruar kapitullimin, forcat serbe në shenjë hakmarrjeje, për dëmin e tyre nga Kosova fillojnë represionin në fshatrat dhe qytetet e Kosovës Lindore. Ata kishin vrarë 15 civilë shqiptarë liridashës në Bujanoc dhe kishin vendosur punktet që kishin për qëllim dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet e tyre etnike, të mbetura në Serbi.

Asokohe, Rrahim Beqiri ashtu sikur edhe qindra liridashës nga Kosova e trojet shqiptare, kryesisht luftëtarë të radhët të UÇK-së, organizuan Ushtrinë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ai iu bashkua radhëve të çlirimtarëve dhe betejë pas beteje u arrit që forcat policore dhe ushtarake serbe të dëbohen nga lokalitetet etnike shqiptare të tre komunave të Kosovës Lindore, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Fillimisht aktivitetin e tij luftarak e ka zhvilluar në Zonën e Qarrit.

Lufta e vitit 2001 në Maqedoni[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, në pranverë të vitit 2001 e cila parashihte demobilizimin e UÇPMB-së, pa ndonjë garanci ndërkombëtare që të mos ktheheshin në atë zonë forcat dhe administrata serbe, Rrahim Beqiri ashtu sikur edhe qindra luftëtarë të tjerë, nuk i dorëzuan armët por depërtuan në trojet shqiptare në Maqedoni ku edhe ishte formuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila kishte për qëllim që shqiptarëve t’iu siguronte liri, barazi e drejtësi, ose të luftohej për ndarjen e trojeve shqiptare nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë e cila për herë të parë ishte krijuar si Republikë, në nëntor të vitit 1945 nga Jugosllavia. Rrahimi ashtu sikur edhe shumë luftëtarë liridashës nuk ishte pajtuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit.

Rrahimi, i armatosur me përvojë të jashtëzakonshme, strategji luftarake e zemër fisnike, ai kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, fillimisht në Tanushë ku edhe ishte thyer kufiri i Kosovës me Maqedoninë dhe pas një kohe depërton në zonën e Tetovës.

Nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së merr detyrën e Komandantit të batalionit, në zonën e luftës në rrethin e Tetovës, në lokalitetin e Drenovecit, asokohe i quajtur Drenas.

Gjatë luftimeve të ashpra, të cilat ishin intensifikuar me rritjen e UÇK- dhe përgatitjen e mijëra ushtarëve për të depërtuar në Shkup, forcat sllavo-maqedonase të ndihmuara nga ato serbe e ruse kishin intensifikuar sulmet me qëllim për të pamundësuar depërtimin e luftëtarëve shqiptarë, për të depërtuar në qytete.

Më 1 gusht të vitit 2001, Rrahim Beqiri i njohur si Komandant Roki, merr plagë vdekjeprurëse në zonën e tij të luftimeve në Drenovec të Tetovës. Bashkëluftëtarët e tij duke parë se plagët ishin të rënda, me shpejtësi organizohen dhe trupin e Rrahim Beqirit e nisin në drejtim të Spitalit të Prishtinës, ku edhe i jepen të gjitha ndihmat e nevojshme mjekësore, por nuk kishte arritur të mbahej në jetë.

Natën e 1 gushtit të vitit 2001, në moshën 44 vjeçare, për herë të fundit e thithi ajrin e Kosovës së lirë dhe ndërroi jetë, luftëtari i tri luftërave çlirimtare, Rrahim Beqiri. Varrimi, me nderime ushtarake, u bë në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Dardanës (ish-Kamenicë), më 2 gusht ku morën pjesë mijëra liridashës shqiptarë nga Kosova, Kosova Lindore e Maqedonia.

Trashëgimia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rrahim Beqiri ka qenë i martuar dhe ka lënë pas bashkëshorten me katër fëmijët e tij, tre djemë dhe një vajzë.

Familja e tij ka marrë mirënjohje e dekorata nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko më shumë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]