Sinodi i Shenjtë Shqiptar
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Sinodi i Shenjtë është organi më i lartë i qeverisjes së kishës së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Histori
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kishës Ortodokse në Shqipëri u shpall autoqefale fillimisht nga Kongresi i Beratit, më 10 shtator deri më 12 shtator 1922. Vendimet e tij i njohu qeveria shqiptare, e cila dhe e kishte shtyrë atë që të zhvillohej. Në Kongres u caktua Këshilli i Lartë Kishtar, që do të drejtonte përkohësisht Kishën. Në shkurt 1929 u formua Sinodi i Shenjtë i përbërë nga:
- Visarion Xhuvani (që ishte dorëzuar në peshkop, në Serbi më 1925) si Krypeshkop i Shqipërisë dhe mbikqyrës i mitropolisë së Korçës,
- Agathangjel Çamçe mitropolit i Beratit,
- Ambroz Ikonomi mitropolit i Drinopolit
- Efthim Kosteva ndihmës i Kryepeshkopit.
Në 29 qershor 1929, në Kongresin e Dytë Kleriko-laik që u mbajt në Korçë, u votua “Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Patriarkana Ekumenike refuzoi të pranonte këto veprime, por u tregua e gatshme për t’i dhënë vetadministrim dhe paralelisht përdorimin e gjuhës shqipe në adhurim, predikim dhe në arsimimin kishtar. Për shkak të zhvillimeve politike dhe rreziqeve të ndryshme nga Perëndimi, Patriarkana pranoi të diskutonte gjithashtu edhe çështjen e Autoqefalisë. Madje, ajo dërgoi në Shqipëri për bisedime me autoritetet shqiptare Mitropolitin e shquar të Trapezundës, Krisanthin, që më vonë u bë Kryepeshkop i Athinës. Krisanthi u shpreh pro dhënies së Autoqefalisë dhe sugjeroi ecurinë në vazhdim.
Që të normalizoheshin marrëdhëniet me Patriarkanën Ekumenike, u mblodh në Korçë, në maj 1936 Kongresi Kleriko-laik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të 4 dioqezat (krahinat kishtare). Kongresi kërkoi falje nga Patriarkana; u bënë bisedime në Athinë (13 mars 1937) dhe një komision i përbërë nga shqiptarë shkoi në Kostandinopojë për të rregulluar përfundimisht çështjen.
Më 25 dhjetor 1948 Krypeshkop Kristofori u detyrua të largohej dhe Krypeshkop i ri u vu Pais Vodica, që në atë kohë ishte peshkop i Korçës (kishte mbetur i ve). U lejua gjithashtu të mbahet në Tiranë, nga 5-10 shkurt 1950, Asambleja Kleriko-laike e Kishës ortodokse, që të votohej Statuti i ri, i cili në disa pika përmirësoi Statutin e vitit 1929. Hierarkia e Kishës, pas vitit 1952, përbëhej nga Krypeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Pais Vodica, peshkopi i Gjirokastrës Damian Kokoneshi, i Korçës Filothe Duni, i Beratit Qiril Naslazi dhe ndihmës peshkop Sofron Borova. Krypeshkopi kanonik Kristofori, u mbajt nën arrest shtëpie dhe më 19 qershor 1958 u gjet i vdekur (sipas versionit zyrtar pësoi atak kardiak). Në mars 1966 Paisi vdiq dhe në prill erdhi në fronin krypeshkopal Damiani. Në këtë kohë filloi përpjekja për nëpërkëmbjen e fesë dhe përfaqësuesve të saj; po kështu dhe trysnia me internime, burgime dhe vrasje ndaj besimtarëve klerikë dhe laikë.
Shqiptarët ortodoksë të vendosur në Amerikë, ishin ndarë në dy grupe. Njëri nën drejtimin e Theofan Nolit e më vonë nën atë të peshkop Stefan Laskos, që mbanin lidhje me Kishën e Shqipërisë, ndërsa tjetri, nën drejtimin e peshkopit të Lefkës, Marko Lipa, që varej nga Patriarkana Ekumenike. Pas vdekjes së Nolit, në mars 1965, u bënë përpjekje (1966 – 1967), për pajtimin e dy grupimeve, por pa rezultat.
Më 4 prill 1967 u dha sinjali për persekutim të plotë. Me një dekret të publikuar më 22 nëntor 1967 Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në histori, në të cilin u ndalua me Kushtetutë çdo shprehje fetare. Qindra kisha u rrafshuan, të tjera u kthyen në fabrika, magazina, stalla, kinema, klube. Pothuajse të gjithë manastiret u shkatërruan ose u kthyen në kazerma ushtarake. Në atë kohë Kisha e Shqipërisë kishte përveç Krypeshkopatës edhe tri peshkopata, 19 zëvendësi arkieratike, 330 enori dhe 25 manastire. Klerikëve u hoqën rason, shumë prej tyre i burgosën ose i internuan dhe disa i martirizuan. Midis tyre, ish-Krypeshkopi Visarion u burgos dhe Ndihmës-peshkopi i Apollonisë, Irine Banushi, u internua. Krypeshkop Damiani nuk u përndoq, ai vdiq në shtëpi në Pogradec, më 18 tetor 1973. Në këtë persekutim të përgjithshëm, të përndjekurit dhe përndjekësit i përkisnin të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare të Shqipërisë.
Gjendja nga viti 1992 deri me sot
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në nëntor 1990, qeveria shqiptare, e ndikuar nga ndryshimet ndërkombëtare, vendosi të zbuste masat kundër fesë. Në qershor 1992 Eksarku i Patriarkanës së Kostantinopojës, Anastas Janullatos, u zgjodh Krypeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, përmes vështirësive të shumta, filloi ringritjen nga gërmadhat të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në vitin 1998, 31 vjet mbas rishkrirjes së tij në 1967, u bë sërish i mundur formimi i Sinodit të Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas disa vjet negociatash midis përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës së Shqipërisë dhe autoriteteve të Qeverisë shqiptare.
Fronëzimi i Hirësisë së Tij Ignatit, Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, u krye të shtunën, më 18 korrik 1998, në qytetin e Beratit. Fortlumturia e Tij Anastasi, Krypeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë kryesoi shërbesën, së bashku me dy përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Hirësinë e Tij Evangjelos, Mitropolit i Pergas dhe Hirësinë e Tij Meliton, Mitropolit i Filadelfias.
Në pasditen e së njëjtës ditë, Krypeshkopi Anastas dhe Mitropoliti Ignat formuan së bashku bërthamën e parë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku, së bashku me dy përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë në Tiranë. Këta dy përfaqësues ishin përfshirë në negociatat në lidhje me këtë çështje me autoritetet shqiptare, që prej vitit 1992. Gjatë këtij takimi historik, Sinodi i Shenjtë u përball me problemet më urgjente në lidhje me Kishën e Shqipërisë. U pranuan dorëheqjet e dhëna më parë nga Hirësia e Tij Aleksandri, ish-Mitropolit i Gjirokastrës dhe nga Hirësia e Tij Kristodhuli ish-Mitropolit i Korçës (ata nuk u pranuan nga autoritetet shqiptare për shkak të përkatësisë së tyre etnike) dhe pas kësaj u zgjodhën dy hierarkë shqiptarë.
Si Mitropolit i Korçës u zgjodh Arkimandrit Joan Pelushi. Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë, me gradën Master of Divinity. I zgjedhur si Peshkop i Apolonisë ishte i Përndershmi Atë Kozma Qirjo. Ai ishte 77 vjeç dhe përfaqësonte brezin e hershëm të priftërinjve, i cili me heroizëm vazhdonte të pagëzonte dhe të bënte Liturgji Hyjnore fshehurazi edhe gjatë viteve të egra të persekutimit fetar.
Krypeshkopi Anastas së bashku me Mitropolitët Meliton dhe Ignat, kryesuan dorëzimin e Mitropolitit të Korçës, përpara një numri të madh besimtarësh në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, më 20 korrik. Përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike u nisën për Kostandinopojë ditën tjetër. Më 23 korrik, Krypeshkopi Anastas, së bashku me Mitropolitët Ignat dhe Joan, kryesoi dorëzimin e Peshkopit të Apolonisë. At Jani Trebicka u caktua Kryesekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Më 11 gusht 2000, Hirësia e Tij Kozma Qirjo fjeti, duke lënë vakant vendin e Peshkopit të Apolonisë. Kjo përgjegjësi plotësohet aktualisht prej Krypeshkopit Anastas, që vepron edhe si Mëkëmbës i Mitropolisë së Gjirokastrës. Duke ndjekur të gjitha zhvillimet e mësipërme, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë tashmë përbëhet nga Krypeshkopi Anastas, Kryetar; Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani. Kryesekretar i Përgjithshëm, Atë Jani Trebicka.
Në nëntor të vitit 2006 Sinodi u plotësua edhe me tre hierarkë të tjerë: Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, i cili në 15 vitet e fundit kishte shërbyer si mbikqyrës i Krypeshkopit në këtë mitropoli; Peshkopin e Apollonisë Hirësi Nikollën dhe Peshkopin e Krujës, Hirësi Andonin, të cilët këta të dy i përkasin brezit të klerikëve të rinj shqiptarë të formuar në Akademinë Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Durrës.
Po në nëntor 2006 u miratua Statuti i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në nëntor 2008 u nënshkrua, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (1998) Marrëveshja pë rregullimin e marrëdhënieve të ndësjellta midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, që në vazhdim u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar, me nr. 10057, më 22.01.2009.
Pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, siç e përcakton Statuti i ri i Kishës, më 19 janar 2012, në mbledhjen e tij, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi dy peshkopë të rinj titullarë. Në bazë të Statutit të Ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (nenet 17, 18), Sinodi i Shenjtë vendosi me vota unanime si Peshkop të Amantias, arkimandritin Nathanail Lavrioti dhe si Peshkop të Bylisit, arkimandritin Asti Bakallbashi. Edhe këta peshkopë ndihmës të Krypeshkopit dhe janë anëtarë titullarë me të drejta të plota në Sinodin e Shenjtë.
Dorëzimet në gradën peshkopale të Peshkopit të Amantias z. Nathanail dhe Peshkopit të Bylisit, z. Asti, u kryen nga Krypeshkopi Anastas, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, në 21-22 janar 2012. Edhe këta peshkopë mbulojnë sektorë të caktuar të jetës kishtare, Hirësi Nathanaili “Mbikqyrjen e pasurisë së Manastireve” dhe Hirësi Asti “Dhiakoninë Apostolike” (Shërbimin Apostullor).
• Më 11 dhe 12 mars 2016, në Manastirin e Ri të Shën Vlashit në Durrës, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e përbërë nga 280 anëtarë. Ajo shqyrtoi dhe aprovoi njëzëri plotësimin dhe përmirësimin e disa neneve të Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku veçohej mes të tjerash krijimi i dy Mitropolive të reja, e Apollonisë dhe Fierit, dhe e Elbasanit.
• Më 7 prill 2016, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi plotësimet në Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sinodi i Shenjtë themeloi dy mitropoli të reja: a) Mitropolinë e Shenjtë të Apollonisë dhe të Fierit, ku bën pjesë rrethi i Fierit, zona e Patosit dhe e Libofshës, të shkëputura këto nga Mitropolia e Beratit, Kaninës dhe Vlorës; b) Mitropolinë e Shenjtë të Elbasanit, ku bëjnë pjesë zonat e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të shkëputura nga Kryepiskopata e Tiranës dhe Durrësit. Në përputhje me Statutin, pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, Sinodi i Shenjtë ndërmori plotësimin e vendeve vakante të Mitropolive të sapokrijuara me anë të votimit të rregullt. Për Mitropolinë e Apollonisë dhe të Fierit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë Nikolla (Hyka). Për Mitropolinë e Elbasanit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni (Merdani). Më pas Sinodi i Shenjtë ngriti Episkopatën e Amantias në rang Mitropolie në personin e Hirësisë së Tij, Episkopit Nathanail (Lavrioti, Stergiu). Në vazhdim, në kishëzën e Trinisë së Shenjtë në Qendrën Sinodike, u dhanë Mesazhet e Mëdha përkatëse.
Të shtunën, dt. 16 prill, në katedralen e Shën Gjergjit, në Fier, u krye Fronëzimi i Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës.
Të dielën, dt. 17 prill, në kishën e Shën Nikollës, në Elbasan, u krye Fronëzimi i Mitropolitit të Elbasanit, Hirësi Andonit.
Me këto ndryshime Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet nga:
Kryepiskopi Anastas, Kryetar;
Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij, Ignati;
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joani;
Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij, Dhimitri;
Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e Tij, Nikolla;
Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij, Andoni;
Mitropoliti i Amantias, Hirësia e Tij, Nathanaili;
Episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij, Asti.
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Kalendari Ortodoks 2013, botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë.
- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
- Sinodi i Shenjtë
- The Holy Synod of Albania
- Statuti i KOASH-it i vitit 1923
- Statuti i KOASH-it i vitit 1929
- Rregullorja e administrimit të përgjithshëm të Kishës (1929)
- Statuti i KOASH-it i vitit 1950 me shtesat e vitit 1996
- Rregullore mbi administrimin e përgjithshëm të KOASh-it, 1955
- Statuti i KOASH-it, 2006