Baba Qazim Bakalli
Baba Qazim Bakalli (Gjakovë, 1895 - 15 shkurt 1981) ka qenë imam dhe babà i tarikatit bektashi, intelektual, shkrimtar dhe atdhetar shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjakovë, në gjirin e familjes së Bakallëve të fisit Thaç. Në vendlindje mori mësimet e para në mejtep dhe më pas vijoi shkollën "Darul Mualim" (shkollën Normale) në Shkup, asokohe qendra e Vilajetit.[1] Bakalli, në vitet 1913-1914 punoi mësues në shkollën Normale të Beratit. Pas kësaj deri më 1915 punoi mësues në Xhafzotaj të Durrësit. Kurse me pushtim-administrimin austro-hungarez, punoi mësues në Gjakovë.[2] Kur Sërbia e ripushtoi Kosovën me 1918, doli në Shqipëri,[1] ku përjetoi peripeci të ndryshme, ndër të cilat u burgos pesë muaj pas rikthimit të Zogut, pas dështimit të Lëvizjes së qershorit.[2]
Shërbeu si mësues në Lumë, si nëpunës në Bytyç, e herë si sekretar. Më vonë u dorëzua në tarikatin Bektashi në Fushë-Krujë, ku u vesh dervish nga Haxhi Mehmed Babai. Ka shërbyer si dervish në teqen e Elbasanit,[1] më pas u kthye në Gjakovë, ku drejtoi teqenë e atyshme bektashie nga 1927.[2]
Nga Kryegjyshata e Tiranës, me vendim të Sali Nijazi Dedeit, udhëheqës i bektashinjve, në vitin 1940 emërohet në Tetovë si baba në teqen e Baba Harabatit. Mbas arrestimit që i bëhet në Tiranë dhe hetimeve të gjata që i bëhen në Shkup, me 1947, Baba Qazim Bakalli kthehet në vendlindje, në Gjakovë, ku shërben në Teqenë Bektashiane të Gjakovës deri sa ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.[1]
Veprat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pasi biblioteka e tij e pasur u dogj bashkë me teqen e tyrben në Gjakovë, një përkthim i tij i "Divanit të Shemsi Tabrizit" të Rumiut u ruajt nga Vehap Shita në Prishtinë. U botua më 2007 nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Yvejsi, Mexhid. "Baba Qazim Bakalli (1895 - 1981)". sa-kra.ch.
- ^ a b c Rexhepagiq, Jashar (2003). Dervishët dhe teqetë: në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përreth. Prishtinë: Fryma. fq. 231. ISBN 9951050328.