Familja Vlora

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Nga familja Vlora njihen në historinë zyrtare të Shqipërisë më shumë si politikanë dhe drejtues të administratës së shtetit shqiptar dhe atij turk. Është nga familja e vezirëve të kasabasë së Vlorës të Shqipërisë.

Por përpos formimit dhe edukimit në shkolla të huaja dhe trashëgimisë kulturore, familja Vlora nga qyteti me të njëjtin emër, njihet edhe si zotëruese e pronave të tëra në zonën bregdetare. Vetë në kujtimet e tij, Eqrem Bej Vlora ka përshkruar detaje nga pronat që zotëronin pjesëtarë të familjes së tij.

Gjenealogjia[redakto | redakto tekstin burimor]

Nga viti 1481 deri në vitin 1538 sanxhaku i Vlorës është mbajtur për një "Serhad sançagi" dhe autoriteti i tij më i lartë si një "serhan bej" (serhad = turq. kufi). Sanxhakbeu ishte komandant i trupave turke të sanxhakut, sidomos të zonës bregdetare midis Durrësit e Prevezës; sepse atë kohë, administrata civile e përfaqsuar nga kadiu, kishte një peshë shumë më të vogël dhe Vlora ishte nën urdhrat e marinës ( të Kapidan-i Derga-it). Kur Sulejmani i Madh, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri (1538), organizoi administratën civile, sanxhaku i Vlorës u vu nën varësinë e zyrës së vezirit të madh. Sanxhakbeu quhej tani përfaqsues i Sulltanit (mëkëmbës). Këtë post e kanë mbajtur dhe trashëguar thuajse pa ndërprerje (nga 1481 deri në 1828) jo vetëm "de jure", por edhe "de facto" anëtarët e kësaj familje. Kjo vazhdimësi pushtetarësh e forcoi kaq shumë pozitën e familjes në sytë e popullit dhe të Portës, sa edhe kur njëri dhe tjetri anëtar i familjes ndëshkohej (Jusf pasha (Deli) dhe Ismail pasha (Velobishti) u varën më 1634 dhe 1763), pasardhësi i tyre zgjidhej pothuajse gjithmonë nga farefisi i tyre (më 1640 Hasan beu, nipi, më 1666 Jusuf pasha nip i Deli Jusuf Pashës së varur, më 1765 Mahmut beu, kushëri i Ismail pashës së dënuar)[1]. Shtatë vite para se bashkëkombësi i shumënjohur, emrin e të cilit jemi mësuar ta shkruajmë e themi në formën Ismail Qemali, të bëhej kryetari i shtetit të parë shqiptar dhe për pasojë një person mjaft i rëndësishëm pushteti, zëvendëskonsulli austriak në Vlorë, Dr. Ranzi, ka hartuar Pemën Gjenealogjike të familjes Vlora. Kjo ka ndodhur në 18 prill 1905. Fakti që është hartuar nga një i huaj dhe para se vetë kryeministri të hipte në një poltron ndikimi, e bën këtë skemë lidhjeje gjinore shumë më të besueshme. Ky dokument u gjet sëfundi në Arkivin e Vienës dhe zbulimin e bukur e ka kryer studiuesi nga Kosova por banues në Austri, prof.dr. Eqrem Zenelaj. Ai tashmë e ka përfshirë në faqen 381 të librit të botuar e promovuar këtë vjeshtë në Prishtinë “Çështja shqiptare nga kendvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë, 1699-1918”.

Pemën gjenealogjike të familjes Vlora dr. Ranzi e ka ndërtuar nga paraardhësi i parë, themeluesi i kësaj dinastie, Sinan Pasha, deri tek brezi i Ismail Qemalit. Gjeneratën e mëpasshme e ka regjistruar shkurt, vetëm me numrin e fëmijëve. Për tetë breza (Sinan Pasha, Sulejman Pasha, Jusuf Pasha, Ali Pasha, Jusuf Pasha, Ali Pasha, Sulejman Pasha-Selim-Ali, Kapllan Pasha) edhe pse niveli i hierarkisë në Perandorinë Osmane dëshmon kuotë të lartë, deri tani nuk ka të dhëna. Protagonizmi i spikatur i kësaj famileje jep më në fund informacion në gjeneratën e njëmbëdhjetë. Kështu Ibrahim Pashë Vlora nga viti 1787 deri më 1810 ka qenë sanxhakbej i qytetit të Vlorës. Për të kanë dëshmuar pozitivisht në libra e dokumente konsullorë Pouqueville, Alexandre Dumas (babai) si edhe Sami Frashëri. Ky shkruan se “Është nga familja e vezirëve të kasabasë së Vlorës të Shqipërisë..” Më tej e vlerëson si “personalitet shumë të çiltër, të ndershëm e të moralshëm”. Saktëson se dy nga vajzat e tij u martuan me dy djemtë e Ali Pashë Tepelenës, Myftarin dhe Veliun. Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) në 7 nëntor 1828 ka qenë në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit. Sipas studiuesit Dritan Egro (“Rrënjët e nacionalizmit shqiptar”) “Në një letër të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit “për të diskutuar për avenirin e Shqipërisë me kushtin që atje të bisedojmë si bij të denjë të këtij vendi”. Ismail bej Vlora u vra pabesisht nga një hierark dhe i dërguar i lartë i Perandorisë në 5 janar 1829, në Janinë. Mahmud bej Vlora (babai i I.Q.) ka qenë një ndër krerët kryesorë të kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit. Pas shtypjes së saj u arrestua dhe u internua në Konia të Azisë së Vogël. Ndërkaq familja e tij bashkë me Ismail Qemalin u internua në Selanik. Selim Pashë Vlora po ashtu ka spikatur si një ndër krerët kryesorë të kësaj kryengritjeje. Edhe ai u internua në Thesali. Nuk mungon me veprimtarinë e tij kombëtare as Mustafa Pashë Vlora, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”). Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës (1 nëntor 1878), e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit. Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakkala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur. Janë shumë të dukshme kontributet për çështjen kombëtare dhe pavarësimin e Shqipërisë edhe nga Syrja bej Vlora dhe i biri i tij, i dituri Eqrem bej Vlora. Një pjesëtar tjetër i familjes Vlora, Ferid Pashë Vlora, në vitet 1903-1908 ka qenë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, dhe para kësaj qe ministër i brendshëm. Ndërkohë njëkohësisht edhe anëtar i Shoqërisë i të Shtypurit të Shkronjave Shqip. Nuredin bej Vlora, patriot i shquar edhe ky, ka vepruar si kryetar i bashkisë së Vlorës në 1920. Duke i qendruar në krah babait të tyre për të gjithë periudhën më intensive në dobi të çështjes shqiptare (1900-1919) nuk mund të veçohen nga prestigji i lartë kombëtar edhe dy djemtë e Ismail Qemalit, Et’hem dhe Qazim bej Vlora. Edhe më pas atdhetarët e kësaj familjeje nuk mungojnë. Vijnë të plotë e të pajisur me këtë dinjitet të paktën dyqindvjeçar edhe ata që jetojnë sot. Kurrkush prej tyre nuk i ka thyer shpinën atdheut të vet.[2]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Eqrem bej Vlora: Kujtime 1885-1925, botime "IDK", fq. 37-38.
  2. ^ Gjenealogjia e Vlorajve