Hamid Gjylbegu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hamid Gjylbegu (Shkodër, 1 mars 1888 - Elbasan, 24 shkurt 1979) ka qenë ushtarak dhe poet shqiptar. Drejtues në terren i forcave qeveritare dhe vullnetare shqiptare gjatë Luftës së Koplikut.[1] Me daljen në pension u dha pas krijimtarisë letrare dhe botoi shumë broshura me vjersha lirike, filozofike, për fëmijë, përkthime dhe folklor.[2] Poezia e të cilit është cilësuar përfaqësuese e njëfarë neo-misticizmi,[3] u përzgjodh nga Lasgush Poradeci në një antologji të hartuar prej tij.[4] Veprat e tij qenë në listën e veprave të para që u ndaluan më 1948, ndër to Agimi i filozofís, Çikrrime filozofije, Drita e s'vërtetës, Flutura ndër lule, Kunora e lumnís, Fletra e jetës: pasqyra e s'vërtetës.[5]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër më 1 mars 1888,[6] i biri i Sulejmanit të Tahir Gjylbegut dhe Sebije Muslisë,[7] ndër familjet hanedane të qytetit.[8] Ndoqi arsimimin fillor në mejtep dhe atë të mesëm administrativo-ushtarak në ryzhdien e qytetit, vitin e fundit të së cilës e ndoqi dhe e kreu në Manastir. Shkollimin e mëpasëm ushtarak e vijoi në Akademinë Ushtarake në Stamboll,[9] më 1911, prej ku doli me gradën nëntoger në radhët e ushtrisë osmane. Gjatë viteve të Akademisë qe në kontakt me rrethin studentor shqiptar në kryeqytet, por edhe me të tjerë si franko-algjerianin Marsel Muhjedin, korrespondent i gazetës Les temps.[10]

Në korrik të 1912 u emërua instruktor i rekrutëve të regjimentit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike shërbeu në korparmatën e Selanikut, e cila luftoi kundër trupave serbe në Kumanovë, Qyperli, Perlep e Manastir; më pas kaloi në frontin jugor kundër grekëve në Bilisht, Korçë e Janinë. Më 6 mars 1913 Janina iu dorëzua grekëve dhe Hamidi i zënë rob lufte, u dërgua në ishullin Zanta. Në tetor u lirua dhe u kthye në Stamboll.[9]

Ktheu në Shqipëri në prag të ardhjes së Princ Vidit, duke shërbyer në xhandarmëri me gradën e togerit, ai luftoi kundër Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme.[2] Me pushtim-administrimin austro-hungarez, protestoi në Vjenë për keqadministrimin ushtarak në çështje ekonomike duke zhvleftësuar mallin që u blinte shqiptarëve, ndërhyrjen në çështje civile duke detyruar drejtorinë e Financave të Shkodrës që të bënte tapi për të themeluar kishën në rrëzë të kalasë.[11] Ato vite organizata "Krahu Kombëtar" e themeluar në Durrës, kaloi në seli në Shkodër dhe me zgjerimin e saj iu afruan edhe Hamidi, Maliq bej Bushati, Riza Dani, etj.[12]

Pas lirimit qe anëtar i kryesisë së Komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» dhe përkrahu Kongresin e Lushnjes. Qe drejtuesi në terren i operacioneve luftarake mbrojtëse në Luftën e Koplikut së bashku me kolegun akademist dhe bashkëluftëtarin Taip Shkodra.[10]

Në zgjedhjet e dhjetorit 1923 prezantoi kandidaturën si deputet i Prefekturës së Shkodrës, por nuk u zgjodh.[13]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Flutura ndër lule, 1924;
  • Pak a shum, vjersha, 1925;
  • Fjala e virtytit. Imtime filosofije, 1929;
  • Monumenti i Atdheut, 1930;
  • Kunora e lumnís, caku i filozofís, 1931;
  • Fletra e jetës pasqyra e së vërtetës, 1932;
  • Kopje origjinale, 1933;
  • Agimi i filozofís, 1933;
  • Drita e s'vërtetës, 1933;
  • Çikrrime filozofije, 1934;
  • Kuvendi i shqiptarit, 1934;
  • Hiret e shueme. Vjerrsha në prozë, 1939;
  • Fyelli i barive. Jone shpirtnore, 1943;
  • Harpa e thyeme. Jone shpirtnore, 1943;
  • Zana e shitueme, 1943;

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Haklaj, Veli (2009). Kryengritja e Delvinës e vitit 1937. Tiranë: Kristalina-KH. fq. 297. ISBN 9995643103.
  2. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 555. OCLC 645720493.
  3. ^ Norris, Harry Thirlwall (1993). Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht). Univ of South Carolina Press. fq. 192–195. ISBN 9780872499775.
  4. ^ Demo, Elsa (2010). "Poradeci, akademik dhe intim". zemrashqiptare.net.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Peçi, Admirina (9 janar 2016). "Festivali i artit të ndaluar: 154 veprat e para që ndaloi regjimi komunist" (PDF). Shqiptarja.com: 20–21.
  6. ^ Gjylbegu, Hamid (2012) [korrik 1973]. "Dëshmi historike 1912-1925". Hylli i Dritës (2): 86.
  7. ^ Haklaj 2009, fq. 184.
  8. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet: Pemë gjenealogjike familjesh shkodrane. Vëll. 3. Idromeno. fq. 28.
  9. ^ a b Bushati, Xhahid (2018). Burra të vdekur - të gjallë... Fiorentia. fq. 110–111. ISBN 9789928191953.
  10. ^ a b Bushati, Nexhmi (1994). "Hamid Gjylbegaj: Jeta dhe vepra". Shkodra në shekuj. Muzeu Historik i Shkodrës. 1: 353–361.
  11. ^ Gjylbegu 2012, fq. 98.
  12. ^ Kaloçi, Dashnor (25 tetor 2003). "Hamid Gjylbegu, shkodrani që nuk votoi kurrë për komunistët". Gazeta Shqiptare. IV (2622): 12–13.
  13. ^ Juka, Gëzim H. (2014). Shkodra në Triumfin e Legalitetit. Reklama. fq. 107–108. ISBN 9928125945.