Muzafer Pipa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Fotoporteti
Muzafer Pipa
Emri Muzafer
Mbiemri Pipa
Lindur më 1914
Lindur në Shkodra, Shqipëri
Vdiq më 1946
Vdiq në Flag of Albania.svg Shkodër, Shqipëri
Kombësia Shqiptar
Profesioni Jurist, publicist

Muzafer Pipa (1914-1946) lindi në Shkodër, ishte avokat e publicist.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

I lindur në një familje me origjinë libohovite më 1914, ishte i biri i Mustafa Nuri Pipës, jurist i shkolluar në Stamboll, i njohur për aftësitë e tij profesionale në atë kohë. Në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit.

Vëlla nga i ati me Arshinë, ishte fëmija i parë i kësaj familje.[1] I rritur në një ambient kulturë-dashës, kreu shkollën e mesme në Liceut Illyricum i etënve françeskan që u hap më 1922.

Në gjimnaz dallohet si i ri aktiv, pjesëmarrës në shoqatën «Besa», gjithashtu premtues në futboll e do bëhet më tej ndër asat e Vllaznisë. Duke ndjekur traditën e familjes, pas gjimnazit vijon studimet e larta për jurisprudencë në Padova, Italí.

Si student, okupimi fashist e prek thellë dhe në një nga kafenetë e qendrës frymëzon studentët e tjerë shqiptarë për një protestë, duke ia nisë tue këndue «Vlona, Vlona... Bjeri më ju lumtë dora!» të Thoma Nasit, kushtuar Luftës së Njëzetës. Për këtë internohet në ishullin famëkeq Ventotene më 1940, ku gjindeshin dhe Safet Butka, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, dhe Sandro Pertini, Pietro Neni, Skeçimarro, Altiero Spinelli etj. Që u bënë personalitete të shquara në jetën politike shqiptare e atë italiane. Lejohet nga autoritetet me dhanë provimet që me u diplomue.[2]

Në dhjetor të 1943, si drejtor e përgjegjës hapë "Frymën" bashkë me të vëllanë, Qemal Draçinin e shokë tjerë, pranë zyrës së tij legale në Parrucë të Shkodrës. E përmuajshme ku vetë shkruan artikuj të spikatun si "Burrnija në Kanunin e Lek Dukagjinit" dhe "Vetëdije apor krim?".[3] I pari përbën një interes të veçantë, kërkon që legjislacioni shqiptar të pasqyrojë edhe traditën juridike të popullit shqiptar “tue fillue me punën e mbledhjen e folklorës juridike e të zakoneve tona... sidomos tue studjue e komentue me kompetencë legjislacionin e malësive tona tek “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Tue kërkue që legjislacioni shqiptar të marrë tipare kombëtare, e të mos jetë përshtatje e atij të huej. Kështu që të jetë nji zgjidhje e atyne problemeve ku sheh “lidhjen e ngushtë të bilancit të mbarëvajtjes së nji populli”. Me editorialin e botuar në numrin e fundit të revistës, “Vetëdije apo krim?”, shfren me një kritikë të ashpër ndaj politikës qeveritare, gjë që ka me i shkaktue në gushtin e 1944-ës arrestimin dhe internimin në kampin nazist të Prishtinës. Në këtë shkrim shohim, deri diku, një analogji me editorialin e Atë Gjergj Fishtës, me të cilin pat stigmatizue Fuqitë e Mëdha të kohës, duke shkaktuar menjëherë mbylljen e revistës “Hylli i Dritës”, me 1914.[4]

Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut e përbërë nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela. Sjellja e turmave gjatë gjyqeve ishte histerike duke bërtitë si në kor “Plumbin ballit!” “Plumbin ballit!” ose “Tradhtarët në litar!” që të demoralizonte të pandehurit, avokati i bënte kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor, Aranit Çela nga ana e tij mezi priste që buzagaz e me cinizëm, t’i përgjigjej Myzafer Pipës: “E po, ç’të bësh, ky është populli”. Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946.[5] Po më 22 mars 1946 guxon me iu shprehë trupit që po gjykonte Át Gjon Shllakun, Át Gjon Faustin, Át Daniel Dajanin, dhe studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku (dhe të tjerë, por këto persona u dënuan me pushkatim):[6]

«Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi” - ishte fjala për Koçi Xoxen - e për prokuror një ish-“kafexhi” - për Bedri Spahiun - të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?»[2]

Pyetje kjo që do të bënte përshtypje të madhe, që përmes Radio Tiranës e gazeta "Zërit të popullit" do të përhapej me bujë kudo nepër Shqipëri. Në një nga seancat prokurori Çela deklaron se “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”. Trupi gjykues e përjashton si përfaqësues i Mbrojtjes i të pandehurve duke emëruar Ranko Çerankoviq. Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (po aty Dosja nr. Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero”: "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!"[7].

Në shtator të 1946 do të arrestohej, torturohej me hekur të skuqur me porosi nga K. Xoxe, një natë tetori u-nxuer dhe u-vra me nji batere automatiku ne Degen e Sigurimit te Shkodres, kinse kishte dashte t'ikte që u shkrua në nëntor të 1948 kur vetëm atëherë merr vesht vrasjen e të vëllasë.[8]

Më 27 qershor 2008 u organizua një takim në Teatrin Migjeni kushtuar avokatit, ku iu dha dhe titulli "Qytetar Nderi". Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Muzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”.[9]

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Kalakulla U., Referat i mbajtur në Universitetin "L. Gurakuqi" në Shkoder më 16 nëntor 1992.
  2. ^ a b Bushati A., Myzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi e vdiq, "Fryma e Re", Nr.1, Maj 1993 Tiranë.
  3. ^ "Fryma" 3, mars 1944 fq 125; 7-8, korrik-gusht 1944 fq. 1.
  4. ^ Myzafer Pipa, shprehje e unjisisë së popullit shqiptar, Standard (gazetë), 5 gusht 2008.
  5. ^ Dosja 1068, Arkivi M.B.Tiranë.
  6. ^ Radovani F., Një monument nën dhé, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2004.
  7. ^ Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit nga Radovani F., Një monument nën dhé, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2004.
  8. ^ Pipa A., Elegjija vëllaznore nga Libri i Burgut (libri u shkrue gjatë periudhës 1946-56), nanduer 1948. Botue në Romë 1959, ribotue me 1994.
  9. ^ Topi B., Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari : Topi dekoron pas vdekjes Blloshmin, Lekën, Pipën dhe Nelën: fjala e Presidentit në aktivitetin përkujtimor "Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave", Tirana observer. - Nr. 410, 11 maj, 2010, f. 10..