Jump to content

Kolë Tromara

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kolë Tromara
Ministër i Kulturës Popullore
Në detyrë
7 shkurt, 1944 – 16 qershor, 1944
Paraprirë ngaRexhep bej Mitrovica
Pasuar ngaMark Gjon Markaj
Të dhëna vetjake
U lind më15 maj, 1885
Qyteza, Perandoria Osmane
Vdiq më13 prill, 1945
Tiranë, Shqipëri
NënshtetësiaShqiptare
Punësimifarmacist, publicist, nëpunës

Kolë Tromara (Qytezë, 15 maj 1885 - Tiranë, 13 prill 1945) ishte atdhetar, nëpunës, veprimtar i Ballit Kombëtar dhe ministër në qeverinë Mitrovica. Autor i vargjeve të këngës "Sa të rrojë gjithësia".

Lindi në QytezëDevollit në mesin e një bashkësie me origjinë nga Suli, i biri i Thanas dhe Kostandina Tromarës. Ndoqi mësimet fillore në Korçë ku qe zhvendosur vëllai i tij Spirua dhe më tej në Greqi. Pas përfundimit të shkollës së mesme kthehet në Korçë, ku punon si farmacist. Përndjekjet e autoriteteve turke e detyrojnë të emigrojë drejt ShBA-së më 1906, në Boston, Massachusetts.

Më 1906 botohet gazeta "Kombi", kur ndihmon Kristo Kirkën për të kërkuar ndihma që ta botojnë. 1907 është sekretar i shoqërisë “Besa Besë”, me kryetar Fan Nolin. Më 1915 sekretar i shoqërisë pan-shqiptare “Vatra” në SHBA. Kryetar i shoqërisë “Vatra” më 1916. Një nga themeluesit e bandës "Vatra" dhe organizator i Kuvendit të Diaspores në maj 1917. 1918, Letër drejtuar shqiptarëve të Amerikës për të financuar delegacionin për Konferencën e PaqesParis. Në atë letër thuhej:

Cili shqiptar i mirë që dhëmbet për atdheun e mjeruar nuk e do çlirimin, zgjërimin dhe sigurimin e Shqipërisë? Cili shqiptar i mirë që dhëmbet për vllezërit e robëruar nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë? Cili shqiptar i mirë nuk jep jo vetëm qesen por edhe shpirtin e tij për qëllimin e shenjtë?

— Letra "Për Shqipërinë të japim qesen edhe shpirtin" drejtuar shqiptarëve të Amerikës e botuar në gazetën "Përparimi" në qershor 1917.

Mis i shqiptarëve të Amerikës në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes. Kur mbajtën Kongresin e Lushnjës, formon nga fundi i vitit shoqatën “Federata e Madhe Atdheu” në Vlorë me program politik me A. Rustemin kryetar nderi, K. Gurakuqin sekretar, A. Daklin arkëtar dhe B. Pejanin inspektor[1]. Më 1920-1921 dhe 1922-1923 Prefekt i Gjirokastrës[2], tërheq vëmëndjen se si Qeveria Greke mbas dhunës e terrorit të egër ndaj popullsisë muslimane çame, ka filluar e përdor dinakërín’e saj duke u munduar t’i bindë çamët të shkojnë në Anadoll[3]. Bashkë me komandantin e xhandarmërisë për qarkun kapiten Koço Muka më 27 gusht 1923 zbuloi komplotin e atentatit të gjen. Tellinit[4][5], kryetar i komisionit për caktimin e kufinjve të Shqipërisë së Jugut[6]. Përfaqëson pref. e Korçës në Kuvendin Kushtetues mbasi u zgjodh në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923[7].

Mbas Lëvizjes së qershorit largohet nga Shqipëria pas dështimit të Lëvizjes së qershorit bashkë me Fan Nolin, anëtar i zyrës së shtypit të kryengritjes. Deri në dhjetor shërben si prefekt i Elbasanit[2].

Me ardhjen e Triumfit të Legalitetit largohet, dënohet me 15 vite burg në mungesë nga Gjykata e Diktimit[8]. Kthehet në vitin 1939, dhe emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit. Rreshtohet ndër krerët e Ballit Kombëtar, pjesë e Komitetit Qendror të Ballit.[9] Gjatë viteve 1942-1943 është prefekt i Korçës. 1943, jep dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe merr pjesë si Ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e R. bej Mitrovicës. 1945 ─ Arrestohet, dënohet me pushkatim më 13 prill të 1945 prej Gjyqit Special dhe ekzekutohet në vitin 1945.

  1. ^ Gurrazezi R.Xh., Historia e Federatës Vatra XIII, 9 gusht 2009.
  2. ^ a b Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 175. ISBN 978 9943 56 22 5
  3. ^ AQSH, V. 1923, D.203, f.47.
  4. ^ Vlora E., Kujtime 1885-1925, p. Afrim Koçi, Tirana: "IDK".
  5. ^ Hoxha I., Viset Kombëtare Shqiptare në Shtetin Grek, bot. 2000, f.59.
  6. ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Tiranë: Neraida, 2000.
  7. ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 15-16.
  8. ^ Fondi 256, v. 1926, Dosja 144, fq.143-150 & 551-556.
  9. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë, kujdesë nga Tanush Frashëri; "Onufri", Tiranë 2012; ISBN 978-99956-87-81-6.