Ali Këlcyra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Ali Këlcyra

Ali Këlcyra (1891-1963), udhëheqës çetash kundër andarteve greke, prijës gjatë Luftës së Vlorës, deputet,[1] gazetar dhe bashkëthemelues e drejtues i lartë i Ballit Kombëtar. Xhaxhai i tij ishte firmëtar i deklaratës së pavarsisë.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në Këlcyrë28 maj 1891, i biri i Xhelal bej Këlcyrës nga oxhaku i rreptë i bejlerëve të Këlcyrës. Mësimet e para i merr në vendlindje. Ndjek liceun “Gallata Saraj” në Stamboll qyshë më 1904. Në vitin 1909 do të marrë diplomën e pjekurisë me ‘Bachalier es-lettres-es sciences’. Studion në "Mülkiye-i-Sehahané", shkollë e lartë e shkencave politiko-administrative e ekonomike.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike kthehet në Këlcyrë, dhe shpallja e pavarësisë e gjen në atdhe. Gjatë ripushtimit të Jugut nga ushtritë greke largohet me muhaxhirët e tjerë në Vlorë. Në emër të tyre përshëndet Princ Vidin e princeshën Sofi që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara me një fjalim në frëngjisht. Lë atdheun dhe vendoset në San Demetrio Korone, tek arbëreshët e Italisë.

Në 1915 vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë kohë kur përqafon idetë e socialdemokracisë, miqësohet me Avni Rrustemin dhe shokun e betejave Stavro Vinjau. Kthehet në atdhe një vit më pas dhe bashkë me Themistokli Gërmenjin e të tjerë, ndërmerr nismën e krijimit të çetave kombëtare shqiptare.

Në 1918 kthehet sërish, shkon në Vlorë ku në një mbledhje të fshehtë themelohet organizata që u quajt “Mbrojtja Kombëtare”. Komanda italiane e dëbon nga territoret nën administrimin e saj. Komitetet e MK-së kishin tashmë për qëllim organizimin e luftës së armatosur kundër italianëve që ndodheshin këtu për “mbrojtjen” nga ushtritë greke që ishin vendosur rreth kufirit. Merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, zgjidhet në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës dhe qysh në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”. Në luftën e Vlorës, caktohet të shkojë në Itali ku futet në bisedime me autoritetet të njohura të vendit për luftën. Më 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës, e cila u zhvillua kundër pushtimit italian të Shqipërisë.

Gjatë viteve 1921-1924 zhvilloi një veprimtari aktive në jetën politike të vendit, si deputet i Gjirokastrës. Fushatën e nisi nga fshati Brezhan i Këlcyrës, vend ku shpjegoi për herë të parë se ç’është demokracia dhe pas gjithë fjalimeve, ai pyet pjesëmarrësit se çfarë dëshire konkrete kishin që ai të mund t’ia paraqiste Parlamentit. Përgjigja ishte “Duam kullota”. Ai u kujtoi të gjithëve se kullotat ishin përballë tyre, por dëgjuesit ia kthyen se bëhej fjalë për pronat e familjes së tij, Këlcyra. Në këtë pikë, babai deklaron: “Nga ky moment këto kullota bëhen tuajat”. Ai ua fali kullotat e tij fshatarëve të Brezhanit, pasi si formim politik ishte pro reformës agrare dhe zhvillimit bujqësor të vendit.

Qyshë në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”.[2] Nga pikëpamja politike u rreshtua në krahun demokrat. Ndërsa udhëheqësi kryesor i krahut demokrat, Fan Noli, kishte pozicionin e qendrës së majtë, Ali Këlcyra shpalosi programin e qendrës së djathtë. Marrëdhëniet mes tij dhe Nolit filluan të ftoheshin, për arsye se Noli miratoi për qeverinë që formoi një program krejtësisht të qendrës së majtë. Ky program u bë shkak që Aliu të mos merrte pjesë në qeverinë e Qershorit.[3] Lëvizja e Qershorit shënon mërgimin e tij të parë larg atdheut për 15 vjet bashkë me të shoqen, Hadije hanëm Vrionin, të bijën e Salih pashë Vrionit.

Shkëputja e tij me Nolin u legalizua me formimin e dy partive paralele - njëra me emrin “Çlirimi Nacional” me kryetar Fan Nolin, me program të qendrës se majtë - tjetra “Bashkimi Kombëtar”, me kryetar Sotir Peçin, në të cilën u angazhua Ali Këlcyra, me program të qendrës së djathtë.

Në 1925 themelohet në Bari organizata Bashkimi Kombëtar me Sejfi Vllamasin, Qazim Koculin, ku zgjidhet në komitetin drejtues dhe sekretar i saj. Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshon një “Letër përdhuni” kundër tij për t’u hetuar nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e kryetarit të Republikës”. Në Fletoren zyrtare botohet vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë. Në këtë kohë merr titullin Dr. i Shkencave Juridike. Ali Këlcyra qëndroi në radhët e “Bashkimit Kombëtar” deri më 1938, madje u bë motori i tij kryesor. Po atë vit “Bashkimi Kombëtar” u shpërbë.[2] Gjatë qëndrimit në Paris lindi e bija më 8 mars 1936, Hana. Ali Këlcyra bën raporte për gjendjen në Shqipëri dhe për politikën profashiste të Mbretit Zog, duke shkruar në të përditshmet “Le Quotidien”, “Le Matin”, “La République” etj.

Para se të kthehej në Shqipëri kontakton me shefin e stafit të kryeministrit francez Édouard Daladier, që do i japin mbështetjen në luftën anti-fashiste që do vinte.[4] Vendimin për t'u kthyer e mori pasi foli me kol. Hill, i cili e këshilloi të kthehej: “E ke luftuar qeverinë mbretërore kaq gjatë dhe nuk ia arrite qëllimit nga jashtë. Rezistenca është e mundur vetëm nëse ajo bëhet nga brenda. Nëse do të kontribuosh për rezistencë ndaj pushtimit, duhet të kthehesh pranë njerëzve të tu”. Me 23 qershor 1939, pasaporta e Aliut, nr. 4897 e lëshuar me 8 prill nga Konsullata e Përgjithshme e Tiranës në kryeqytetin francez, u pajis me vizen e hyrjes nr. 194 që do ta ndihmonte të kapërcente pa vështirësi pengesat në rrugën e kthimit. Me 27 korrik, komisarii kufirit Chiriaco u kumton organeve kompetente se Ali Këlcyra dhe personat e tjerë të familjes hynë me tren në Itali nga ana e Bardonekias (qendër kufitare e Piemontit me Francen) dhe kolegu i tij i sigurimit të portit, komisar Cucaro, telegrafon se në Brindisi me 2 gusht ai i hipi vaporit "Loredano" dhe u nis drejt Porto Edes.

Me të mbërritur shkon pa u ndalur në Këlcyrë, ku qendroi mes familjarëve e të afermve për pak kohë.

Lufta e Dytë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Kthehet në atdhe tetor-dhjetor 1939 krijon me një grup intelektualësh të kohës “Frontin e Rezistencës”, ku Frashëri, Dosti, Tromara dhe ai vetë krijojnë tezat e programit që titullohen “Nacionalizma shqiptare, Balli Kombëtar”. Në janar-shkurt të 1941 pas veprimtarisë së tij dhe kontrollimit që i bëhej korrespondencës së tij, italianët vendojnë të djegin e bastisin pronat e Këlcyrajve. Në shkurt Aliu harton një përkujtesë/promemorie ku kërkon një shtet të pavarur shqiptar. Mëkambësia në fund përcaktoi "pozitën" e A. Këlcyrës pas kësaj promemorieje dhe "e sistemoi në mënyrë të përshtatshme" duke e internuar. I shoqëruar sipas urdhërit të Komandës Eprore të karabinierisë bashkë me familjen, nga një agjent i policisë së sigurimit publik dhe i pajisur me nje "Foglio di via obbligatorio", me 4 prill largohet perseri nga atdheu per ne provincen e Arecos. Kuestori i Foxhias i kumton prefektit të Arecos dhe ky MI [Ministria e Punëve të Brendshme] se Aliu u vendos në kështjellën e komunës së Kortones. Tre muaj pas internimit të tij u lejuan të vendoseshin në Itali edhe familja e tij.

Ali Këlcyra me Mit'hat Frashërin dhe Thoma Orollogaj në Berat, janar 1944

Në Kortona kuvendon me disa njerëz të parisë së Dibrës, prof. Isuf Luzajn i porsa sjellur nga Ventotene. Me kapitullimin e Greqisë faqe pushtimit nazist, 23 prill 1941, u shpall amnisti për të internuarit politikë. Aliu me 22 korrik 1941 lirohet dhe me vaporin e linjës Brindisi-Durrës kthehet sërishmi në atdhe.[5]

Kur Partia Komuniste Shqiptare, e themeluar në nëntor 1941, filloi të përhapte, shqetësimet e nacionalistëve të djathtë demokratë, ku bënte pjesë edhe Ali Këlcyra, u rritën. Në maj të vitit 1942, në shtëpinë ku banonte A. Këlcyra në Tiranë, u bë një mbledhje e gjerë nën pretekstin se do të organizonte përkujtimin e vdekjes së xhaxhait, Muhamet (Hilmi) Këlcyrës, ku morën pjesë: M. Frasheri, F. Dibra, K. Tromara, N. Vlora, H. Dosti, F. Quku, I. Luzaj, F. Frasheri, Musine Kokalari, prof. dr. Selman Riza, Lec Kurti, Th. Orollogaj, Lef Nosi dhe A. Këlcyra. Mbledhja vendosi që organizata e Frontit të Rezistencës tani e tutje të thirrej vetëm organizata "Balli Kombëtar" dhe zgjodhi si kryetar Mid'hat Frasherin, një nga figurat karizmatike të patriotizmit shqiptar.[5] Më 1943 takohet me gjeneral Dalmazzon, takim i cili më 13 mars do të lindë projekt-protokoll marrëveshjen për fundin e gjakderdhjes, bashkëfirmosës me Nuri bej Vlorën. Episodi më i hidhur për të është koha, kur në qershor të këtij viti e kapin komunistët që e lirojnë më pas, të detyruar nga një presion i madh. Në 1944 nga tribuna e Kongresit të Ballit Kombëtar shtron edhe një herë nevojën për t’u bërë thirrje komunistëve të heqin dorë nga lufta civile. Në këtë moment hedh idenë e krijimit të një Fronti Kombëtar për t’i bërë ballë luftës në dy krahë. Në nëntor të atij viti, bashkë me familjen të hipur në një varkë mbërrijnë në Bari dhe dorëzohet me tjerë tek Aleatët.

Mërgimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Mbyllet për pesë muaj në kampin Santa Fara të Barit bashkë me krerët e tjerë të Ballit. Endet nëpër Evropë dhe në 1947 përfundon në Kajro, ku nisën të punojë si mësues. Aderoi në shoqatën “Besëlidhja” e cila mundi të konkretizohet me përjashtim të Abas Ermenjit, i cili refuzoi bashkëpunimin. Si folës i mirë i gjuhës greke, Ali Këlcyra u ngarkua nga ”Besëlidhja” të hyjë në marrëveshje me qeverinë e Athinës, për të mundësuar hyrjen e trupave shqiptare antikomuniste në Shqipëri nga ana tokësore, duke kërkuar edhe garanci nga pala greke, se nuk do ndërhynte pas tyre në Shqipëri ushtarakisht. Mbështetja e kërkuar u refuzua nga qeveria e djathte greke e kohës. Me këtë dështimin e misionit të Ali Këlcyrës në Athinë, merr fund “Besëlidhja” sepse ishte kundër zbarkimit me parashuta për të cilën do të ndihmonin Amerikanët, duke pasur parasysh vështirësitë e veprimeve konkrete, të gjakderdhjes së mundshme dhe ruajtjes së jetës së shumë të pafajshmëve. Ali Këlcyra kthehet në Itali dhe fillon përsëri veprimtarinë në fushën e gazetarisë së emigracionit, duke nxjerrë një gazetë me ndihmën financiare të ushtarëve të Ballit Kombëtar.[2] Në korrik të 1953 grupimi i tij i bashkangjitet "Bllokut Kombëtar Indipendent" të dr. Ismail Vërlacit, Ndue Gjon Markut, dhe Ernest Koliqit, duke u riemëruar "Bashkimi Demokrat Shqiptar".[6] Më vonë, zgjidhet nga kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Rexhep Krasniqi, si këshilltar[7] dhe mbetet për vite pjesëtar i delegacionit shqiptar që emërohej ne hapjen e punimeve të Parlamentit Europian në Strasburg.

Bie në koma më 24 shtator 1963 në Romë. Varroset më 29 shtator në varrezat Acatolico di Testaccio ku prehen eshtrat e tij.

Dekorohet me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"22 dhjetor 2007 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi.

Formimi i tij[redakto | redakto tekstin burimor]

“Nga formimi akademik Ali Këlcyra ishte jurist, një jurist me prirje politike, pikëpamjet e të cilit kanë për bazament veprën e Didëroit “E drejta natyrore”, traktatin historiko-politik të Monteskjesë “Fryma e ligjeve” dhe posaçërisht traktatin politik “Mbi kontratën shoqërore” të Rusosë”. Një figurë që kishte një vizion dialektik për vendosjen e demokracisë e shtetit të së drejtës, në përputhje me alternativat që shtronte praktika politike e statuore e vendit të tij”, shkruan Tanush Frashëri. Autori pohon se e njohu Ali Këlcyrën e vërtetë dhe u magnetizua prej kësaj figure sidomos kur pa tek ai “gatishmërinë, vullnetin dhe durimin për të debatuar me kundërshtarët e vet politikë, në momentet e luftës vëllavrasëse, lidhur me nevojat e vendit e popullit në çastet tragjike që kalonte ai (1943); paanësia në gjykimin e qëndrimin që mban për ngjarjet që shkruan në pjesën më të madhe të të cilave ai ka qenë pjesëmarrës aktiv”.

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 - Republika e Shqipërisë KUVENDI. Tiranë 2005
  2. ^ a b c Jaupaj A., "E bija e Ali Këlcyrës, Hana: Ali Këlcyra, kundërshtar i tre diktaturave", [panorama.com.al|gazeta] Panorama, 10 prill 2011.
  3. ^ Andoni B., "Ali Këlcyra, aristokrati ballist", 31 shtator 2005
  4. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë, Onufri, 2012
  5. ^ a b Frashëri T., "Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi", Botime "Çabej", 2005.
  6. ^ (Anglisht) Pearson O., Albania in the Twentieth Century, A History: Volume III, I.B.Tauris & Co Ltd, 2006.
  7. ^ Lamaj I., Përpjekjet e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në ShBA.