Lef Nosi
| Elefter Lef Nosi Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë Ministër i Postë-Telegrafes (4 dhjetor 1912- 21 shkurt 1914) Anëtar i Regjencës (1943 - 1944) |
|
| Emri: | Lef |
| Mbiemri: | Nosi |
| Lindi më: | 9 prill, 1877 |
| Vendlindja: | Elbasani, Perandoria Osmane |
| Vdiq më: | 20 shkurt, 1945 |
| Vdiq në: | Tiranë, Shqipëri |
| Profesioni: | Politikan, folklorist, numizmat, arkeolog. |
Elefter Nosi i lindur në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan shqiptar. Njihet si babai i filatelisë shqiptare. Veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Pranë Arkivit Qendror Shtetëror tërësia e letrave të ardhura në adresë të tij arrin më tepër se 1200[1].
[redakto] Jeta
Lef Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar ishte një shtet laik. Pikat e tjera të programit tregojnë se për organizimin e brendshëm, me zgjedhje, përfaqësues dhe administratë, programi ishte mbështetur gjerësisht në traditën e popullit shqiptar[1]. Më 1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit "Vllaznia" në Elbasan. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit; historiani Kujtim Bevapi shton se Lefi ka qenë partizan i Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, në variantin shkodran të hartimit të alfabetit gjuhës shqipe. Si kryetar i shoqërisë “Afërdita” në Elbasan (1909), Lef Nosi kërkoi që Kongresi i Manastirit të bëhej në Elbasan, por delegatët nuk pranuan dhe ai shkoi në kongres, por pa të drejtë vote.[2], ndërsa një vit më vonë, botoi gazetën "Tomorri" ku ka përkrah Aleksandër Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ai ishte një nga figurat qëndrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Pikërisht në këtë kohë u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi europian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital[2]. Drejtori i Shkollës Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan. Katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910. Përballë kësaj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohesh jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Europës.
- “Bisedojeni ketê çeshtje me miqt’ e atjeshme dhe shkruamëni që të di. Jam gatî dhe unë dhe z. Faik bej Konitza të vemi të gjithë në Svicerë dhe të bêhemi të gjithë profesore atje dhe të gatitim një racë te ré për Shqipërine e nesërme.”
Shkolla nuk u transferua jashtë por qëndroi mbyllur afro 18 muaj për t’u hapur nga marsi i vitit 1912. Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij. Do të lirohej nga internimi 9 muaj më vonë për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij në mesditën e 9 prillit 1911[1]. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit, si Minister i Post-Telegrafit. Sipas arkivave të mbajtuna nga Qeveria e Përkohshme e Vlonës, ishte nji nga nismëtarët themeltarë për vendosjen e nji sherbimi informativ (rrjet spiunazhi)
ku me «urdhnin e ditës të 4 shëndre 328/912, pika 6 thuhet: "Të organizohet nji Shërbim i Msheftë për viset e shkeluna të Shqipnis." [...] ene Lef Nosi për m'u marr vesh me Dibrën». Në 1919 zgiedhet si një nga delegatet për në Versajë, me perkrah Luigj Bumçin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, etj. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës. Me Revolucionin e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit. Kryeministrin e gjysmës së dytë të atij viti, Fan Nolin, e kishte mbështetur që kur u bë prift që të hidhte themelet e Kishës Autoqefale me të në krye[3]. Tërhiqet nga jeta politike me "fitoren e legalitetit" në dhjetor të 1924 dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë[2].
Botoi fletoren "Dokumenta historike per t'i sherbye histories tone kombetare" dhe në 1937 një fletpalosje me Aktin e Pavarsisë të vj.1912, me rastin e 25 vjetorit. Ka pasë një letërkëmbim të pasun me personalitete të njohuna të politikes ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë; ndër këto personalitet qe dhe studiuesja skoceze Margaret Hasluck. Qëndroi në Shqipëri nga 1923-'39, tue përshkue viset ma të skajshme të vendit për 13 vjet e apasionueme mbas folklorit e traditave shqiptare. Personalitetet e kohës, sikundër dhe miku i saj më i afërt, Lef Nosi, e kanë cilësuar si gjeografe, gjuhëtare, epigrafe, arkeologe, dijetare, etnologe e kulturës shqiptare. Margaret Hasluck në vitin 1932 botoi librin “Albanian – English Reader”. Në të përmblidheshin 16 histori folklori të përkthyera me dy gramatika dhe fjalorë. Në kujtimet e Margaret nënvizohet se “pa përkrahjen e Lef Nosit nuk do të mund të kishte nxjerrë në dritë shkrimet e saj”[2]. Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (1761) i njohun ndryshe si Anonimi i Elbasanit vjen nga manastiri orthodoks i Shën Jon Vlladimirit në fshatin Shijon t'Elbasanit. E muer në pronësì para ose gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka pasë bibliotekën e dytë personale më të madhe në Shqipëri pas asaj së Mithat Frashërit. Që ma vonë u banë themel i Bibliotekës Kombtare në Tiranë. Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan mban vulën personale të Lef Nosit[2].
[redakto] Gjatë Luftës së Dytë Botërore
Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Asamblenë Kushtetuese që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur. Në vitin 1943 u bë kryetar i Kuvendit shqiptar, tetorin e po atij viti, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, të krijuar nga pushtuesit nazistë gjermanë me qellimin me pshtue vendin nga anarkia, ndaj edhe iu ngjit "etiketa" «kolaboracionist». Mbasi u tërhoqën gjermanët e komunistat avanconin shkoi të fshihej me Át Anton Harapin nder malet e veriut, i veshun si frat. Në tetorin e '44 ndodhej në Kuvendin Françeskan. Tue mos mujt me jetue nder malet e Pultit e çuen me jetue në fshatin Kir, ku u zbulue shpejt se s'ishte frat. Mandej e përcollen për në Tiranë[4]; pas gjyqit me 12 apo 15 fruer (shkurt) e me aprovimin e akt-gjykimit nr.24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te "Kodra e Priftit" me Maliq Bushatin e Atë Anton Harapin. Mikja e tij skoceze i shkruen një letër Enver Hoxhës",
- "Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.
- Me nderime të nalta, shkëlqes
- Margaret Hasluck "[2]
[redakto] Burimet
- ^ a b c Armand Boçe: Lef Nosi, një guru për pavarësinë, në Shekulli (gazetë) më 16/04/2012.
- ^ a b c d e f Gazeta "Panorama", Miranda Sadiku: Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi... 31/01/2012
- ^ Robert Elsie: Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Marrë më 22 prill 2012.
- ^ Atë Zef Pllumi nga Atë Frano Kiri, Rrno vetëm për me tregue, “55”, Tiranë 2006.