Rauf Fico

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Rauf Fico
Rauf Fico
Ministër i Punëve të Brendshme
12 dhjetor 1921 – 24 dhjetor 1921
Paraardhësi: Sulejman Delvina
Pasardhësi: Ahmet Zogu
Ministër i Punëve të Jashtëme
14 janar 1929 – 11 prill 1931
Paraardhësi: Iljas Vrioni
Pasardhësi: Hysen Vrioni
Të dhënat personale
Lindi më: 13 mars 1881
Lindi në: Sana, Jemen, Perandoria Osmane
Vdiq më: 23 janar 1944
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Politikan, Diplomat

Rauf Fico (1881-1944) ishte nëpunës, deputet, ministër dhe diplomat shqiptar.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881. Babai i tij ishte Ramizi (Tahmizi) nga Gjirokastra, ndërsa nëna, Havaja, ishte prej derës së dëgjuar të Buzove të Beratit.

Kadiu gjirokastrit i Sanës u transferua në Shkodër, dhe kështu Raufi e kreu arsimin fillor në mejtepen e Shkodrës. Për dy vjet vazhdoi shkollën Volksschule të Vjenës, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Po në Stamboll kreu edhe studimet e larta, në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore "Mülkiye-i-Sehahané", shkenca politike-administrim. Gjatë qëndrimit në Stamboll hyri nën influencën e ideve të rilindësve, e veçanërisht të Naim Frashërit. Sipas dokumentacionit të kohës, ai dhe vlonjati Jusuf Hamzai ishin ndërlidhësit e Naim Frashërit me studentët shqiptarë të Stambollit. Në korrik të vitit 1903, Fico përfundoi studimet e larta me diplomën shkëlqyeshëm dhe hyn në librin e artë të shkollës së bashku me kryeministrin e mëpasshëm të Turqisë, Ismet Nonu.

Në tetor të atij viti, Rauf Fico emërohet si nëpunës stazhier pranë administratës së vilajetit të Janinës (sekretar i Valiut) dhe mbas përfundimit të stazhit ai dekretohet me ofiqin e kajmakanit (nënprefekt). Në prill të vitit 1906 ai emërohet kajmakan në Konicë. Ai dhe pse ishte funksionar i lartë osman, duke qenë në qytetin e Konicës, nyje ndërmjetëse në rrugën Manastir për në Gjirokastër e deri në Janinë, ishte në lidhje të ngushtë me atdhetarët shqiptarë Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë, me të cilët kryente veprimtari atdhetare. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Ficoja së bashku me Bajo Topullin përfaqësuan Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit. Xhonturqit për këtë veprim atdhetar i mbajtën qëndrim zyrtar. Qeveria xhonturke, për ndëshkim, e transferoi nga trojet shqiptare si kajmakan në qytetin e Gjymyshhaxhiqoj të vilajetit Sivash, e prej aty në Kangall të Anadollit. Në këtë periudhë ai njeh dhe krijoi miqësira me gazetarët anglezë filoshqiptarë Henry Brailsford, Henry Nevinson, me Lordin Noel Buxton, diplomatët Edward Boyle, Charles Roden Buxton, lord Dickinson dhe veçanërisht me deputetin dhe kolonelin Aubrey Herbert, Merry Edith Durhamin.

Aty nga fillimi i majit të vitit 1909, Rauf Ficoja dërgohet kajmakan në atdhe, në Himarë, ndërsa pesë muaj më vonë ai ishte nënprefekti i Margëlliçit (Margaritit) në Çamëri. Aty në Margelliç, në verën e vitit 1910, Rauf Ficoja me rastin e një feste osmane ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe. Ky gjest atdhetar e konfliktoi përsëri me qeverinë osmane, e cila në shtator të atij viti e transferoi nga trojet amtare përsëri kajmakan, në Kizillhamam, 70 km më tutje Ankarasë dhe e mbajnë aty gati një vit. Në korrik të vitit 1911, përsëri R.Ficoja kthehet kajmakan në trojet tona, pikërisht në Kërçovë. Asokohe kishin filluar kryengritjet shqiptare në Kosovë e Maqedoni dhe përsëri Rauf Ficoja si atdhetar merr pjesë aktive në shumë nga këto veprimtari. Ai mban lidhje me atdhetarët e Dibrës, Tetovës dhe të Shkupit. Qeveria osmane në prill të vitit 1912 e largoi nga trevat kryengritëse edhe dërgon si mytesarif (prefekt) në qytetin Kaiseri të Anadollit të largët, por aty qëndroi pak muaj.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, Raufi braktisi detyrën e administratorit turk dhe së bashku me disa atdhetarë të tjerë shkoi në Vlorë. Ismail Qemali e njihte personalisht, ndaj e mori në kabinetin e tij si këshilltar i ministrit të Brendshëm, Myfit bej Libohovës. Ndërsa në nëntor të vitit 1913 e deri nga fundi i janarit të vitit 1914 shërbeu si prefekt i Beratit.

Punoi edhe në administratën e Princ Vidit, si shef i kabinetit i kryeministrit Turhan Pashë Përmetit. Rauf Ficoja së bashku me Abdyl Ypin u përpoqën për një normalizim të marrëdhënieve qeveri dhe kryengritës të Haxhi Qamilit, por pa sukses. Ata u zunë rob dhe u rrahën egërsisht. Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916, Rauf Ficoja u dekretua nënprefekt i Tiranës dhe si i tillë ai shërbeu deri në Kongresit të Lushnjës. Duke qenë me atë funksion, R. Ficoja qysh në vitin 1917 urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore dhe verbale të kryhesh, domosdoshmërisht, në gjuhën shqipe, duke i paraprirë vendimeve të "Qarkut Literar" të Shkodrës dhe urdhërit të Feldmareshallit Ignaz Trollmann, që u realizuan vetëm në vitin 1918. Duke qënë nënprefekt i Tiranës, Rauf Ficoja dhe gjashtë atdhetarë të tjerë, shokë të tij, si Abdyl Ypi, Sotir Peci, Ismail Ndroqi, Mytehesim Këlliçi, Myslim Beshiri dhe Sinan Hoxha, në 7 dhjetor 1918 përpiluan një thirrje apo program politik, e firmosur nga vetë R.Ficoja, me synim mbajtjen e një mbledhjeje apo kongresi, ku të diskutohej e të vendosej për veprimet që duheshin marrë për bashkimin e kombit dhe për luftën kundra propagandave të huaja, me qëllim përçarjen e popullit. Kjo mbledhje u mbajt më 19 dhjetor edhe ishte prekursorja e Kongresit të Durrësit.

Me përvjetorin e Shpalljes së Mëvehtësisë, hapë Strehën Vorfnore - i pari institut i tillë i Tiranës - në ndihmë të jetimëve dhe të vobektëve

Pas Kongresit të Lushnjës është deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në qeverinë e Sulejman Delvinës, më 30 janar 1920 Rauf Ficua u emërua shef i seksionit të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, me titullar Ahmet Zogun, post që e mbajti der në dhjetor 1922. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai ishte zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese. Rauf Ficoja ishte deputeti i Parlamentit Shqiptar që në vitin 1924 me 3 shkurt, kur vdiq presidenti amerikan Woodrow Wilson kërkoi të mbahej 5 minuta zi.

Në shërbimin diplomatik shqiptar, Rauf Ficoja u fut në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë, me rezidencë në Ankara. Në Sofje, ai paraqiti letrat kredenciale në 27 gusht 1926. Me atë funksion qëndroi deri në 18 prill të vitit 1928. Pikërisht në këtë kohë, Rauf Ficoja dekretohet ministër fuqiplotë në Beograd, ku shërbeu deri në fillim të vitit 1929.

Më 14 janar 1929, Rauf Ficoja u dekretua ministër i Punëve të Jashtme dhe si i tillë shërbeu deri në 6 mars 1930. Pikërisht në këtë kohë një incident diplomatik e detyroi atë të kërkonte të jepte dorëheqjen. Në një intervistë të dhënë gazetës “Shqipëria e Re” e Konstancës, në shprehjen e tij, rrethi italofil i oborrit dhe diplomatët italianë, e trajtuan sikur ministri kishte fyer italianët dhe Italinë. Fakt ky që nuk ishte i saktë. Kjo dorëheqje pati një jehonë kundërshtimi shumë të fortë. Gazeta hungareze “Pester Lloyd” në datën 18 mars shkruante: “Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i atij vendi, kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbulluan njerëzit më të aftë që organizuan Shqipërinë e sotme. Ministër Rauf Fico është njeri me kulturë të shquar të përmsave evropiane, ai zotëon gjashtë gjuhë të huaja. Ai është një diplomat nga më të zotët”. Ndërsa, “The Near East and India“, në 4 dhjetor 1930 shkruante: “Me personin e zotit Fico, kabineti ministror humbi anëtarin më përparimtar dhe më energjik”. Dorëheqja nuk u pranua nga mbreti, përkundrazi ai e dekretoi me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe atë të ministrit të Brendshëm, ku shërbeu deri në 20 prill të vitit 1931.

Ndonëse kishte një arsimim osman, ishte një poliglot, ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten. Rauf Ficoja ishte një simpatizant i kulturës dhe arsimimit evropian e anglosakson. Duke qenë ministër u bë nisiatori i dekorimit të kryeinfermieres amerikane Margaret Grey, mësueseve Margarette Moseley Williams dhe Grace MacLam, shkrimtarëve Rose Wilder Lane dhe Ana Mile Upjohn, Lady Carnarvon, M. Edith Durhamit, Miss Pennington me dekoratën “Oficere e Urdhërit të Skënderbeut”.

Diplomatët e huaj kishin një vlerësim shumë të lartë për Rauf Ficon. Ministri fuqiplotë anglez, Sir Robert Hodgson, kishte relatuar në Forin Ofis (Foreign Office) se, “Rauf Fico është një nga personalitetet më tërheqës të jetës publike shqiptare dhe një burrë me një ndershmëri dhe atdhetarizëm të padiskutueshme. Me bindje republikane, ai ishte i bindur se monarkia i duhet Shqipërisë dhe i qëndroi besnik mbretit Zog”. Me po të njëjtat mbresa për Rauf Ficon kishin ikur nga Shqipëria edhe dy ministrat fuqiplotë amerikanë, Herman Bernstein e Hught Grant, madje, ky i fundit ishte shprehur diplomatit shqiptar Fuad Asllanit se, Rauf Ficoja ishte një nga diplomatët e shkëlqyer jo vetëm ballkanikë, por edhe evropianë.

Emërohet ministër fuqiplotë në Athinë më 1936 gjer në korrik të 1938. Tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi.

Në një nga ardhjet zyrtare të tija në Tiranë, në mars të vitit 1933, nga Beogradi, Rauf Ficoja porosit me një dashamirësi atërore, por edhe profesionale diplomatin e ri, dr.Fuad Asllanin, të sapo dekretuar ministër fuqiplotë, mënyrë të veçantë rekomandoi Sir Edward Boylen e lord Dikinsonin. Sugjerimet e këshillat e Rauf Ficos, diplomatit të ri i rezultuan atij shumë përcaktuese në shumë drejtime gjatë gjithë veprimtarisë diplomatike të tij në Londër, në vitet 1933-1935.

Diplomati Fuad Asllani shumë vite më vonë për personalitetin dhe vlerën e Rauf Ficos tha: “Nga personalitetet e jetës publike të viteve 1920-1940 që unë kam njohur, kam bindjen e plotë se më atdhetarët ishin Rauf Ficoja, Bahri Omari e Kol Tromara”.

U emërua në Berlin, ku qëndroi deri me 3 qershor 1939 kur u suprimuan përfaqësitë diplomatike shqiptare prej fashizmit. 23 Nentor Adolf Hitler shprehet: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh". I pari ishte Rauf Fico dhe, i dyti, ambasadori japonez. Në vitin 1938, ku dhe është shënuar takimi me Hitlerin, Rauf Fico dekretohet ministër fuqiplotë në Berlin, duke plotësuar vendin e titullarit të asaj legate të hapur qysh në vitin 1936 e të mbetur deri atëherëe vetëm me sekretarin Thoma Luarasi.

Kundërshton pushtimin italian, gjë për të cilën kolegu diplomat Faik KonicaRauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri!”. Pas kësaj Ficua internohet së bashku me Mehdi Frashërin e Lef NosinItali. Kthehet n'atdhe më 1942. Pas shtatorit 1943, i ofrohet pozicioni i regjentit në Këshillin e Naltë, e refuzon. Vdes me 23 janar 1944 në Tiranë.

Nderime[redakto | redakto tekstin burimor]

Si një nëpunës i ndërgjegjshëm, i ndershëm dhe i aftë, ai dekorohet nga Perandoria Austro-Hungareze, me Urdhrin e Franz Josefit të kl. I. Për shkak të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, me propozim të Ministrisë së P.Jashtme Franceze, më 1922, Rauf Ficos i akordohet dekorata “Palma e Artë Akademike”, ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe Shkencës së Napolit, më 16 korrik 1925, mbasi i ka dhënë gradën shkencore të Doktorit të Nderit, e zgjedh edhe anëtar korrespondent të asaj akademie. Po e asaj periudhe është edhe dekorimi italian me “Kryqin e Nderit për merita në letërsi e shkencë”, i akorduar nga Akademia Mbretërore Italiane. Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti bullgar me "Urdhërin e Borisit“ dhe nga Franca në vitin 1926, me medaljen e "Oficerit të Legjionit të Nderit“. Më 27 janar të vitit 1932, Rauf Ficoja u dekorua nga mbreti Zog me dekoratën e "Urdhërit të Komandarit të Skënderbeut“.[1]

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Prof. Dr. Asllani U., Rauf Ficoja diplomati shqiptar që bëri Adolf Hitlerin ta nderonte, Metropol. - Nr. 515, 23 nëntor, 2005, f. 19.