Bedri Pejani
| Bedri Pejani Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë |
|
| Emri: | Bedri |
| Mbiemri: | Pejani |
| Lindi më: | 10 tetor 1885 |
| Vendlindja: | Pejë |
| Vdiq më: | 6 korrik 1946 |
| Vdiq në: | Prizren |
Bedri Pejani (1885-1946), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, publicist, diplomat dhe atdhetar shqiptar.
[redakto] Jeta
Lindi më 10 tetor 1885 në Pejë[1], në familjen e Abdi Pejës. Bedri Pejani shkollën e Mesme e kreu në "Robert College" dhe studimet e larta nё Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Manastirit (1908), dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Në nëntor 1912, u zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, mori pjesë në mbledhjen e Vlorës dhe firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër[1]. Përkthen "Kujtimet" e Hasan Prishtinës nga frëngjishtja, të cilit i ndiqte moton "edhe me djallin do të bashkëpunojsha për me bashkue Kosovën me nanën Shqipní". Gjatë harkut kohor 1921-23 është pjesë e Partisë Popullore. Mbështetës i kryengritjes së Fan Nolit dhe anëtar i KONARE-s. Me fitoren e legalitetit largohet nga Shqipëria, Ahmet Zogu e dënon në mungesë e më tej do ta amnistojë[1]. U angazhua në mbrojtjen e të drejtave të Kosovës dhe Çamërisë. Ka bashkëpunuar edhe me aktorin e famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu. Mori pjesë në Komintern dhe u integrua në lëvizjen nacionalçlirimtare. Babushi, siç i drejtohet me përkëdheli Petro Marko në librin "Retë dhe gurët", ishte prej kohësh një veprimtar i njohur i Komintern-it, kishte pseudonimin "Emoraj" dhe korrespondencërregullt me këtë organizatë të madhe komuniste ndërkombëtare. Letërkëmbimi i tij ruhet në fondin "Albania: Collection nr. 495, Inventory nr. 188"[2]. Në vitin 1943 ai qe internuar në jug të Shqipërisë në Porto-Palermo si bolshevik. Në mënyrë të beftë, kur nisi të dukej se luftës po i vinte fundi, për shkak të situatës së ndërlikuar në Kosovë, në ish-Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan, ai renditet skajshmërisht djathtas, duke marrë përsipër mobilizimin e rinisë së Kosovës në formacionin e ushtrisë së Reich-ut, trupat elitë SS. Me inkurajimin e Rexhep Mitrovicës, kryeministër, por edhe të krerëve tjerë nacionalistë, si Xhaferr Deva etj., ai pranoi përgjegjësinë të merrej me organizimin e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit" dhe pastaj edhe me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për marrjen e vendimit për krijimin e Divizionit SS Skanderbeg, i njohur terminologjikisht si Divizioni i 21-të Waffen (malor)[3]. Por, sipas disa studiuesve, "prvih dana maja 1941 godine iz Albanije je stigao takozvani Kosovski komitet, "Albanski narodni savez", sa predsednikom Bedri beg Pejanijem na ćelu" e inkurajuar nga kryeministri Shefqet Vërlaci[4]. Ndryshimi në kalendar në këtë rast nuk është me disa ditë apo muaj, por me vite. Deri më 13 nëntor 1943 Bedri Pejani ishte i internuar në kampin e Porto-Palermos në jug të Shqipërisë[5] . Gjithё jetёn e vuri nё shёrbim tё kombit e tё atdheut dhe pёr kёtё qёllim bashkё punoi edhe me Kominternin dhe me LNÇ. Nga janari deri nё mes tё qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes sё Dytё tё Prizrenit. Sikurse ishte në stilin e propagandës demagogjike naziste, Reich-ut iu premtua se divizioni do të mund të mobilizonte 120 mijë deri 150 mijë vullnetarë. Por vetë autoritetet naziste nuk e besonin këtë fantazi. Në një telegram të datës 5 maj 1944 të H. Neubacher-it drejtuar konsullatës së përgjithshme në Tiranë[6], Bedri Pejani, premtues i kësaj shkalle rreshtimi, cilësohet si "njeri jonormal". Këto shifra ishin demografikisht të pamundura[7]. Mё 1945 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar duke i shprehur Petro Markos në fillim e pastaj në një shkresë prej 13 faqesh të daktilografuara që Petro Marko ia dha Hysni Kapos, siç i tha vetë ky i fundit Pejanit të bënte[8]. Themeluesi i divizionit është i besueshëm kur thotë se e nxiti krijimin e këtij divizioni që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte rasti i keq, fundi i luftës, një fund që mund të vinte me të papritura të mëdha, me duart lart[9]. ”Vdiq” i helmuar, nё spitalin e Prizrenit, mё 6 korrik 1946. Ai ishte vjehrri i Asim Abdurrahman Kokotli Shpuzës.
[redakto] Burime
- ^ a b c Robert Elsie: Fjalori historik i Kosovës fq. 137-138
- ^ Ky fond gjendet në arkivat e Kominternit, që ruhen në Moskë, të cilat u numerizuan në vitin 2004, në një proces të gjatë bashkëpunimi midis Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave,Arkivave Federale të Zvicrës dhe Arkivave Shtetërore të Rusisë. Në këtë proces prof.dr.Shaban Sinani bashkëpunoi me dr. Stephen Schwartz dhe dr. Bernhart Bayerlyen, për transliterimin dhe saktësimin e listës së plotë të personaliteteve shqiptare. Arkivat e Kominternit njihen me shkurtesën INCOMKA dhe lista e fondeve personale mund të gjendet me një kërkim të lirë në multimedia.
- ^ "Vjetari" XXIV, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1988, f. 262 e vijim
- ^ Dźeletoviċ, Ivanov P.: "Jevreji Kosova i Metohije", Beograd 1988, st. 70)
- ^ "Vjetari" XXIV, 1988, f.266.
- ^ "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare", Prishtinë 1998, f. 233. Shih M. Shatri, "Kosova në Luftën e Dytë Botërore", Prishtinë 1997, f. 195.
- ^ Shaban Sinani: Hebrenjtë në Shqipëri - Prania dhe shpëtimi, "Naimi" Tiranë 2009, f. 274 e në vijim.
- ^ Petro Marko: Retë dhe gurët pjesa II fq. 444, Tiranë v. 2000, "Omsca".
- ^ "Bedri Pejani, në cilësi të kryetarit të Lidhjes së Dytë Nacionale të Prizrenit, i ka dërguar shkresë Führer-it, në të cilën, mes të tjerash, lutet të bëhet e muindur armatosja e 150 mijë vullnetarëve, përmes të cilëve ai synon të mposhtë serbët e malazezët" - telegram i Neubacher (rezervat) nr. 864, datë 5 maj 1944; botuar shqip në "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944", Prishtinë 1998, f. 233-234.