Hasan Dosti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Hasan Dosti
Ministër sekretar shteti i Drejtësisë
Në detyrë
dhjetor 1941 – 22 maj 1942
Pasuar ngaMustafa Kruja
Të dhëna vetjake
U lind më7 ose 24 prill 1895
Kardhiq, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane
Vdiq më29 janar 1991
Los Angeles, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Nënshtetësiashqiptar
FëmijëtShanishaja, Viktori, Luani, Tefta, Tomorri, Leka, Ernesti, Veronika
Punësimijurist, nëpunës

Hasan Dosti (Kardhiq, 7 apo 24 tetor 1895 - Los Angeles, 29 janar 1991) ka qenë jurist, anëtar i Gjykatës së Diktimit (1938-1941) dhe veprimtar i emigracionit antikomunist shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Për afro gjashtë muaj qe ministër Drejtësie (1941-1942) në qeverinë e Mustafa Krujës, drejtues i lartë i Ballit Kombëtar. Pas Luftës së Dytë Botërore do ndihmonte aleatët në operacionet e tyre kundër regjimit komunist të Tiranës.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Kardhiq më 7 (ose 24 tetor[1]) 1895, pranë Gjirokastrës, i biri i Elmaz agë Dostit në një familje bektashie. Familja e tyre kishte dy degëzime të mëdha, e Hajdaragëve të Delvinës (nga vinin Sulejman dhe Namik Delvina) dhe e Dost-Selimajve të Kardhiqit.[2] Një paraardhës i Dostëve të Kardhiqit, Demir agai, i përmendur nga udhëtari anglez William Martin Leake, qe mëkëmbës i autoritetit të Ali Pashait dhe kishte bashkëpunuar me të për të shtruar Hormovën.[3] Por më tej qe pjesë e një aleance me kushëririn Mustafa pashë Delvinë dhe delvinjotin tjetër Selim bej Kokën kundër Ali pashë Tepelenës. Por sundimtari i Janinës e shtroi kryengritjen e tyre, duke e shtypur me gjak sidomos atë të krerëve kardhiqiotë, duke lënë gjallë vetëm një djalë të mitur të Dostëve, Latifin, paraardhës i drejtëpërdrejtë i Hasanit. Të rënë nga vakti si familje pas Tanzimatit, i ati pajtohej si qehaja nëpër çifligjet e bejlerëve të Çamërisë.[4]

I vendosur në Llur, mori të birin, ku ndoqi arsimin fillor trevjeçar në një shkollë greke. Pasi më 1904 u çel një mejtep në Kardhiq, u kthye të vazhdonte mësimet në vendlindje deri më 1907. Më tej ndoqi mësimet herë në ruzhdijen e Gjirokastrës e herë në Janinë, sipas gjendjes financiare të familje. Gjatë viteve 1907-1908 mësoi prej Mihal Gramenos, kur ky vinte në Kardhiq me Çerçiz Topullin, shkrimin shqip sipas njërit prej alfabeteve të kohës.[4]

Më 1912 fitoi një bursë shteti me konkurs për të ndjekur mësimet në kolegjin "Alliance Israelite Universelle" në Janinë, ku pikërisht kur po përgatiste provimet e maturës u detyrua të largohej drejt Vlorës në maj të 1914, ngaqë vendlindja e tij ishte djegur gjatë Luftës Ballkanike nga andartet greke dhe familjen e kishte te kulla e Runajve në Nivicë. Nga gjendja e jashtëzakonshme e muhaxhirëve, i vlerësuar nga punonjësit e administratës u caktua nëpunës në Dukat pranë mydirit Razi Cipos. Me hapjen e një shkolle xhandarmërie qershorin e 1915 nga italianët gjatë Luftës Botërore, në fillim si tetar e me radhë si rreshter e kapter i xhandarmërisë shqiptare, punoi si përkthyes deri në vitin 1917. Prej këtij viti e deri më 1919 u emërua arkëtar i prefekturës së Vlorës.[4]

Në prill të 1919 u transferua në Gjirokastër, ku dhe atje u ngarkua arkëtar i prefekturës. Pranverën e 1920 me qeverinë Delvina të dalë nga Kongresi i Lushnjes, u emërua kryesekretar i prefekturës së drejtuar nga Kol Tromara. Më 1922 në tetor, tashmë i martuar dhe me fëmijë, iu dha mundësia që të përfundonte studimet e ndërprera tashmë në Paris, për drejtësi dhe shkenca politike. Me të përfunduar studimet, u kthye në Gjirokastër më 1928 ku nisi veprimtarinë si avokat dhe u angazhua si sekretar i shoqërisë "Dele" që kishte kryetar Bajo Topullin.[4]

Më 1929 u emërua gjykatës në Berat dhe më 1931 u emërua ndihmës-anëtar i Gjykatës së Diktimit. Pas pushimit nga puna të të gjithë trupit gjykues me një dekret të Mbretit Zog, iu rikthye avokatisë tashmë në Berat. I angazhuar në radhët e një komploti të një sërë intelektualësh të pakënaqur, u arrestua më 22 gusht 1932 si pjesë e të ashtuquajturës "Lëvizja e Vlorës" dhe u dënua me 15 vjet burgim. Gjatë burgimit u njoh edhe me Mustafa Gjinishin. Pas një aministie u lirua edhe ai në sajë të faljes mbretërore më 28 nëntor 1935, kur dhe iu rikthye avokatisë po në Berat.[4]

Më 1936 qe pjesë e delegacionit të qytetit të Gjirokastrës që shkuan në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit. Më 1937 u emërua si kryetar i gjykatës në Korçë dhe pa mbushur vitin, u emërua anëtar i kolegjit penal të Gjykatës së Diktimit, kryetar i të cilës ishte riemëruar Agjah Libohova.[4]

Pushtimi italian[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me t'u pushtuar Shqipëria nga Italia prillin e 1939, brenda muajit u formua komiteti i fshehtë i rezistencës të kryesuar nga Mid'hat Frashëri, bërthama e Ballit Kombëtar. Vazhdoi të ishte anëtar i Gjykatës së Diktimit. Me formimin e qeverisë së Mustafa Krujës, pranoi emërimin si ministër i Drejtësisë, ku qëndroi vetëm katër muaj. Kohë kur shkoi në Tokat e Lirueme, siç quhej pjesa e Kosovës që iu bashkua Shqipërisë, për të krijuar dhe ndjekur organizimin e drejtësisë shqiptare, ku emëroi juristë si Abdulla Rami, Feti Selenica, Kudret Kokoshi dhe Mit'hat Aranitasi.[4] Fundin e majit 1942, Dosti dha dorëheqjen nga posti ministror për dënimin kapital që ishte caktuar për pushkatimin e tre prej gjashtë komunistëve të zënë në të dalë të Fierit.[5]

Më 10 mars 1943 u emërua anëtar i brendshëm i Institutit Mbretnuer i Studimeve Shqiptare për klasën shkencore morale e historike. Pas ndryshimeve politike me kapitullimin e Italisë, bashkëpunimi i Dostit me institutin u riformulua në lëmin e shkencave.[6]

Më 1942 u shpall krijimi i Ballit Kombëtar dhe më 25 korrik 1943 u bë i mundur një takim në shtëpinë e Ihsan ToptanitTapizë të të dy palëve kryesore të rezistencës së deriatëhershme, Ballit dhe FNÇ-së. Takim prej ku u la të diskutohej më gjerësisht më 1-2 gusht në Mukje, mbledhje prej ku u ra dakord të formohej "Komiteti për Shpëtimin e Kombit" me kryesinë e Dostit dhe sekretar Gjinishin. U ra dakord për njohjen e Shqipërisë etnike dhe rrëzimin e vendimit të Asamblesë së 12 prillit 1939.[5] Marrëveshja e arritur u dënua e u rrëzua nga kryesia e Frontit e ndikuar nga emisarët jugosllavë në shtator të atij vititLabinot duke bërë koka turku Gjinishin dhe Ymer Dishnicën.[4]

Nga fillimi i nëntorit i 1944-ës, Dosti së bashku me krerët kryesorë të Ballit, vendosën që të largoheshin nga Shqipëria për t`ju shpëtuar hakmarrjes së komunistëve. Së bashku me Dostin, ishte dhe djali i tij Luani 17 vjeçar, i cili vendosi që ta shoqëronte babanë në atë udhëtim të gjatë. Pasi qëndruan për disa kohë në kampet e Italisë, aty nga viti 1947, Dosti me krerët kryesorë të forcave nacionaliste të "Ballit" e "Legalitetit", u larguan drejt shteteve të tjera perendimore. Pas largimit nga Italia në 1947-ën, Dosti u vendos në Nju Jork të SHBA ku dhe rifilloi aktivitetin e tij politik, me formimin e Komitetit "Shqipëria e Lirë", të cilën e kryesoi Mid`hat Frashëri. Pas vdekjes së Frashërit në krye të Komitetit "Shqipëria e Lirë" u zgjodh Dosti. Bashkëpunoi me personalitete të ndryshme të diasporës antikomuniste të Evropës Lindore duke qenë komiteti i drejtuar prej tij pjesë e më të gjërit Komiteti "Europa e lirë", si dhe me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan, administrata e të cilit mbështesnin politikisht, materialisht dhe moralisht komitetin.

I përjashtuar nga Balli Kombëtar pas një mbledhjeje të mbajtur më 3 shkurt 1954 në Napoli nga Abas Ermenji, Vasil Andoni dhe Zef Pali,[7] më 1956 dha dorëheqjen nga kryesia e komitetit, duke pasë ngelur pas operacioneve subversive kryesisht një organizim me funksion simbolik dhe humanitar, dhe u emërua Rexhep Krasniqi.

Ndërroi jetë ditën e martë në spitalin "Hancock Park" në Los Angeles29 janar 1991.[8]

Përndjekja e familjes[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbasditen e 16 nëntorit të vitit 1944, kur gjermanët po largoheshin nga Tirana, iu bë një pritë një autokolone të tyre që kalonte nga rruga e Kavajës. Si shenjë hakmarrje, gjermanët dogjën disa shtëpi e pushkatuan disa qytetarë të pafajshëm. Gjatë bastisjeve, gjermanët dogjën dhe shtëpinë e Dostit, dhe pushkatuan gruan e vëllanë e tij Kutbiun.

Pasi me vete mori vetëm Luanin, shtatë fëmijët e tjerë të ngelur jetimë ngelën në Shqipëri, më tej të përndjekur, dënuar, internuar e dëbuar nga regjimi komunist. Shanishaja (Gjirokastër, 1921 - Shkodër, 9 gusht 1998; burgim 1962-1972), Viktori (burgosur deri më 1950, më pas internuar për 41 vjet të tjera), Tefta 22 vjeçe, Tomorri (Gjirokastër, 1930; dënuar më 1953 me 25 vjet burgim), Leka (Tiranë, 1933; 1953-1966 burgim, më pas i internuar), Ernesti (Tiranë, 1936; internuar dhe dëbuar nga Tirana në Tepelenë, Kuç, Shtyllas, Gradishtë deri më 1991), Veronika (1938; internuar Tepelenë, Cërrik, Kamëz 1952-1969).[9]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Hasan Dosti (1895 - 1991)". ancientfaces.com (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 449–451, 579. ISBN 99927-780-6-7.
  3. ^ Hasan Dosti, një jetë për Çështjen Shqiptare 2008, ff. 24-25.
  4. ^ a b c d e f g h Dosti, Viktor (2008). "Jeta e Hasan Dostit". Hasan Dosti, një jetë për Çështjen Shqiptare. Tiranë: Botart. fq. 9–23.
  5. ^ a b Kaloçi, Dashnor (1 mars 2001). "Hasan Dosti, njeriu i amerikanëve që do zëvendësonte Enver Hoxhën". Shqiptarja.com.
  6. ^ Hasan Dosti, një jetë për Çështjen Shqiptare 2008, ff. 36-37.
  7. ^ Pearson, Owen (2006). Albania as dictatorship and democracy: from isolation to the Kosovo (në anglisht). Centre for Albanian Studies.
  8. ^ "Hasan Dosti 96, dies; Ex-Official in Albania". nytimes.com (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist v. II (D-G)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. 2013. fq. 153, 200–202. ISBN 978-9928-168-01-6.