Jump to content

Biblioteka e Kuvendit të Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Biblioteka e Kuvendit të Shqipërisë ka si mision kryesor të mbështesë deputetët, Komisionet parlamentare dhe stafin e tyre ndihmës me informacionin që u nevojitet gjatë veprimtarisë së tyre legjislative.

Sipas Ligjit Nr. 8576 datë 3.2.2000 “Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” neni 26 dhe 29, Biblioteka e Kuvendit bën pjesë në grupin e bibliotekave speciale.

Biblioteka u shërben kryesisht deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, komisioneve të përherëshme dhe të përkohshme parlamentare, si dhe stafit të tyre ndihmës. Biblioteka e Kuvendit nuk është e hapur për publikun. Megjithatë, në disa raste, me autorizim nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, u shërbehet kërkuesve të veçantë, studimi i të cilëve është i lidhur me kërkime në legjislacionin shqiptar dhe me historinë e parlamentarizmit në Shqipëri. Paraprakisht ata duhet të provojnë se informacioni, që kërkojnë nuk ndodhet në bibliotekat e tjera publike. Si rregull, për këta kërkues, zgjidhet periudha, kur nuk zhvillohen seanca plenare.

Politika e pasurimit të koleksionit të Bibliotekës së Kuvendit synon të mbulojë fusha të tilla që t’u sigurojë deputetëve materialet e duhura në funksion të detyrave të tyre parlamentare. Koleksioni është i fokusuar në: politikë, administrim publik, ligje, ekonomi, histori, libra të referimit, enciklopedi, fjalorë, udhëzues parlamentarë, manualë të procedurave parlamentare, vjetarë, almanakë, indekse dhe të dhëna statistikore, literaturë juridike, biografi, manualë të citimeve, bibliografi të ndryshme, atlase, libra të përgjithshëm që sjellin përgjegjësitë ligjore të trupit legjislativ, dokumente parlamentare, që boton vetë institucioni. Vend të veçantë në koleksion zë edhe veprimtaria letrare dhe shkencore e deputetëve. Koleksioni i Bisedimeve të Kuvendit dhe ai i Fletoreve Zyrtare daton nga viti 1923 e vazhdim dhe përbën një pasuri parlamentare shumë të çmuar në fondin e Bibliotekës së Kuvendit.