Claude Chabrol
Claude Chabrol, lexohet Klod Shabról (Paris, 24 qershor 1930 - Paris, 12 shtator 2010) ka qenë një kineast produktiv dhe kritik letrar, njëri prej themeluesve të Valës së Re të kinemasë franceze (La Nouvelle Vague) në fund të viteve 50. Autor i mbi 50 filmave të cilët lëvronin zhanrin e misterit, thënë ndryshe noir, por edhe jetën borgjeze në Francë, ai u pat quajtur "Hitchock-u francez" dhe "Balzaku i kinemasë."[1][2][3]
Chabroli studimet universitare i bëri për farmaci, mirëpo u përfshi në të njëzetat e veta rreth revistës së kinemasë së asaj kohe, "Cahiers du Cinèma", bashkë me kritikë të tjerë të artit të shtatë që do bëheshin, bashkë me të, regjisorët e Valës së Re, Jean-Luc Godard-in, François Truffaut-në, Jacques Rivette-n, Éric Rohmer-in e të tjerë.
Në fakt, Chabroli ishte i pari në atë brez që drejtoi një film me metrazh të gjatë, Le beau Serge (Serzhi i bukur, 1958), të cilin e financoi me paratë që i mori borxh vjehrrit të tij. Bashkë me Rohmerin, Chabroli pati shkruar një studim mbi filmat e Hitchock-ut.[4]
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Faqja e Claude Chabrol-it në sitin IMDb.
- ^ Terence Rafferty, Claude Chabrol Is A Master of the Thriller (Holds the Thrill), New York Times, 30 korrik 2006
- ^ Dave Kehr, Claude Chabrol, 80, Director, Dies, New York Times, 12 shtator 2010
- ^ Richard Brody, In Memoriam Claude Chabrol, New Yorker Online, 13 shtator 2010