Jump to content

Ekoturizmi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

“Ekoturizmi bën pjesë në grupin e turizmit alternativ, ku përfshihen të gjitha ato lloje turizmi  që i fokusojnë investimet dhe përpjekjet e tyre në ruajtjen e natyrës, të zonave të pashqetësuara dhe të çdo burimi tjetër për turizmin”. Sipas IUCN-së, Ekoturizmi përkufizohet si:“Udhëtim i përgjegjshëm mjedisor në zona relativisht të pashqetësuara, për të shijuar dhe vlerësuar natyrën (dhe çdo element kulturor), që nxit mbrojtjen e mjedisit, ka ndikim të ulët të vizitorëve dhe siguron përfshirje aktive social-ekonomike të banorëve vendas[[1]i]”.

Disa përkufizime mbi Ekoturizmin

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

-       Udhëtim në zona natyrore të pashqetësuara dhe të pandotura, me qëllimin e veçantë për të studiuar, admiruar dhe kënaqur me mjedisin dhe bimët e kafshët e egra, si dhe me çdo manifestim kulturor të zonës përkatëse. Ceballos-Lascuráin (1987, fq. 14)

-       Udhëtim i përgjegjshëm në zonat natyrore, që ruan mjedisin dhe përmirëson mirëqënien e popullsisë vendase. Shoqëria e Ekoturizmit (1991a,b) The Ecotourism Society

-       Turizëm i qëndrueshëm ekologjikisht, që nxit njohurinë, vlerësimin dhe ruajtjen mjedisore e kulturore. Shoqëria Australiane e Ekoturizmit (1992) Ecotourism Association of Australia (1992)

-       Ekoturizmi është turizëm i bazuar në natyrë që përfshin edukimin dhe interpretimin e mjedisit natyror dhe që menaxhohet në mënyrë që të jetë ekologjikisht i qëndrueshëm. Strategjia Kombëtare e Ekoturizmit të Australisë (Allcock et al., 1994) National Ecotourism Strategy of Australia

-       Udhëtim për të shijuar larmishmërinë e magjishme të botës, jetën natyrore dhe kulturën humane të saj, pa shkaktuar dëmtim të ndonjërës prej tyre. Tickell (1994, p. ix)

Dallimet midis Ekoturizmit dhe Turizmit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekoturizmi dhe Turizmi janë dy aktivitete të lidhura me zonat natyrore. Pavarësisht se këto terma kanë të njëjtën rrënjë “tur” (nga anglishtja “tour”), që do të thotë “një udhëtim për biznes, kënaqësi ose edukim, i shoqëruar zakonisht me disa ndalesa dhe që përfundon në pikën e nisjes”, si dhe kanë shumë elemente të tjera të përbashkëta, ata gjithashtu ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Krahasimi i turizmit me ekoturizmin dhe përcaktimi se cili duhet të zhvillohet më shumë në një vend apo rajon varet nga shumë faktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Ajo që e bën më të vështirë është fakti se për asnjërin nga konceptet nuk ka një përkufizim të pranuar ndërkombëtarisht. Është natyra e tyre komplekse dhe ndërveprimi me shumë aktivitete ekonomike dhe shoqërore që ka vënë në vështirësi shumë studiues, të cilët janë përpjekur pa sukses të formulojnë një përkufizim shumë të saktë dhe gjithëpërfshirës për secilin prej tyre. Ekoturizmi hyn në grupin e turizmeve të qëndrueshëm, që kanë në fokus mbrojtjen e natyrës dhe punësimin e popullsisë vendase, ndërsa turizmi është një term më i gjerë dhe përfshin disa lloje brenda tij.

Përfitimet nga Ekoturizmi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas përkufizimit të IUCN-së në 1996, ekoturizmi është një udhëtim i përgjegjshëm ndaj mjedisit. Kjo ndikon që, në zonat ku ai praktikohet, të ruhet gjithçka që është natyrore në gjendjen e saj më të mirë.

Ekoturizmi siguron një përfshirje të dobishme socio-ekonomike për popullsinë vendase. Hulumtimet e kryera në Kenia në vitet 1970 (Thresher 1981), treguan se përfitimet ekonomike të ekoturizmit në zonat natyrore me kafshë të egra tejkaluan shumë gjuetinë – një aktivitet që u ndalua në Kenia në 1977. Zgjerimi i ekoturizmit ka nxitur në mënyrë të pamohueshme zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosta Rikës (Costa Rica) me të ardhura nga turizmi që arritën deri në 1.1 miliardë dollarë në vitin 2000 (Departamenti i Shtetit, 2001). Ekoturizmi thekson përfitimin ekonomik të banorëve vendas, duke i trajnuar ata për të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe për të punuar si udhërrëfyes për turistët apo shkencëtarët që duan të vizitojnë këto zona të egra natyrore, të ofrojnë produkte tradicionale, akomodim etj. Kjo karakteristikë përbën avantazhin më të madh që ka ekoturizmi në krahasim me format e tjera të turizmit. Nëse banorët vendas përfshihen në menaxhimin e zonave natyrre dhe ato të mbrojtura dhe kanë përfitime nga ky aktivitet, ata kanë më shumë dëshirë që të punojnë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre.

Ekoturizmi, nëse planifikohet dhe praktikohet sipas parimeve të tij kryesore, është një aktivitet që siguron fitim si mjedisor, ashtu edhe ekonomik. Eksperiencat e praktikave të ekoturizmit në mbarë botën, edhe pse disa shumë të suksesshme dhe disa jo, kanë vërtetuar se deri më tani kjo është mënyra më e mirë për të menaxhuar aktivitetet turistike në zonat natyrore dhe ato mbrojtura.

Përfitime të tjera nga Ekoturizmi:

·  Minimizimi i ndikimeve negative në natyrë dhe kulturë që mund të dëmtojnë një destinacion.

·  Edukimi i udhëtarëve për rëndësinë e ruajtjes së natyrës.

·  Inkurajimi i bizneseve lokale për të ofruar shërbime dhe produkte të bazuara në ekoturizëm, sipas parimeve të ndikimit të qëndrueshëm dhe të ulët në mjedis.

·  Sigurimi i të ardhurave direkte për ruajtjen dhe menaxhimin e zonave natyrore dhe të mbrojtura.

·   Zhvillimi i infrastrukturës në harmoni me mjedisin.

[2]

[3]

[4]

  1. ^ https://www.ecoturismoenandalucia.org/Eng/ecotourism.php#:~:text=The%20IUCN%20defines%20Ecotourism%20as,provides%20for%20beneficially%20active%20socio%2D
  2. ^ Fennell (2008), D. Ecotourism Ed.3/2008. Routledge, London and New York
  3. ^ http://www1.american.edu/ted/costa-rica-tourism.htm
  4. ^ Wood (2002), Ecotourism: Principles, practices and policies for sustainability