Fazat e Rilindjes Shqiptare
Epoka e Rilindjes dhe lëvizja kombëtare që u zhvillua gjatë saj përbëjnë një proces unik e tërësor. Megjithatë, sikurse është pranuar në historiografinë shqiptare, ajo ndahet në katër periudha ose faza.
Faza e Parë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faza e parë fillon në vitet 30 të shek. XIX dhe vijon deri në vitet e shpërthimit të Krizës Lindore, më 1830-1877. Kjo është periudha e ndryshimeve të rëndësishme në jetën ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore të vendit, e konsolidimit të procesit të formimit të shqiptarëve si komb. Në këtë fazë nis të përvijohet mendimi politik i Rilindjes, i ideologjisë dhe i programit të saj, që u përpunua nga ideologët e parë të Rilindjes. Përpjekjet për afirmimin e kombit shqiptar nëpërmjet lëvrimit e përhapjes së kulturës dhe të arsimit shqip u shoqëruan me një zhvillim të tillë të kulturës kombëtare të paparë deri atëherë, që në kushtet, në të cilat ndodhej Shqipëria asokohe, e pati qendrën e vet më shumë në kolonitë shqiptare të mërgimit, por edhe brenda vendit. Në këtë fazë të lëvizjes kombëtare u formulua, ndonëse jo në mënyrë të plotë, edhe kërkesa e organizimit autonom të trojeve shqiptare. Kjo periudhë karakterizohet gjithashtu nga një varg kryengritjesh të popullsisë fshatare e qytetare që shpërthyen në vitet 30-40 dhe që vazhduan thuajse pa ndërprerje deri në fillimin e Krizës Lindore, më 1876-1877. Epoka e re historike në të cilën u zhvilluan u dha atyre tipare të reja, karakteristike për lëvizjet çlirimtare të Rilindjes.
Faza e dytë Faza e dytë përfshin vitet 1878-1881, kur në kushtet e Krizës Lindore, një element i rëndësishëm i së cilës ishte edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, u shënua një kthesë e rëndësishme në zhvillimin e saj, u krijua organizata mbarëshqiptare – Lidhja e Prizrenit. Lidhja dhe udhëheqësit e saj përpunuan programin më të plotë politik të lëvizjes kombëtare për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë që kërcënohej nga monarkitë fqinje, për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet autonom kombëtar. Në këtë fazë, nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit dhe të udhëheqësve të saj më të vendosur, u bë përpjekja e parë për të sendërtuar me rrugën e luftës së armatosur programin e lëvizjes kombëtare, për të themeluar shtetin kombëtar shqiptar. Nga kjo fazë çështja shqiptare u bë një realitet objektiv në politikën ballkanike të Fuqive të Mëdha, një element i pandarë i kombinacioneve të tyre diplomatike në Ballkan dhe në Evropë.
Faza e Tretë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faza e tretë e lëvizjes kombëtare shtrihet nga vitet 1881 dhe mbyllet më 1908, me revolucionin e turqve të rinj. Në këtë periudhë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, edhe pse nuk njohu pika të atilla kulmore, siç ishin vitet e Lidhjes së Prizrenit, erdhi duke u rritur, si nga pikëpamja cilësore, me zhvillimin e mëtejshëm të mendimit politik e të kulturës, ashtu edhe nga organizimi i saj. Në vitet e para pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit mori hov lufta për shkollën dhe kulturën kombëtare, u hodhën themelet e shkollës kombëtare, u zhvillua letërsia shqipe, u zgjerua publicistika shqiptare, zhvilloi veprimtarinë e vet një varg i tërë shkrimtarësh, mendimtarësh e publicistësh, që krijuan vepra, të cilat vunë themelet e letërsisë dhe të kulturës së sotme shqiptare. Në këtë periudhë zgjerohet më tej veprimtaria patriotike e kolonive shqiptare të mërgimit, që dhanë një kontribut të çmuar në lëvizjen kombëtare. Vitet e fundit të shek. XIX shënuan një ngritje të re të lëvizjes për autonominë e Shqipërisë, që u shpreh në dy drejtime kryesore: së pari, në përgatitjen e një vargu memorandumesh, peticionesh e traktatesh politike (ku spikat vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë ?”), me të cilat u pasurua më tej programi politik i Rilindjes për formimin e shtetit kombëtar, për organizimin e kushtetutën e tij; së dyti, në themelimin e një organizate të re mbarëshqiptare, të Lidhjes së Pejës (1899-1900), që mori përsipër të vazhdonte, në kushtet e reja, misionin historik të Lidhjes së Prizrenit.
Themelimi i komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe veprimtaria e tyre (1905-1908) ishte dëshmi e ngritjes së mëtejshme të shkallës së organizimit të lëvizjes kombëtare në këtë fazë. Ndonëse vazhdoi të zhvillohet në mënyrë të pavarur, me interesat e saj të veçanta, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u bashkua me atë të turqve të rinj dhe u bë një faktor i rëndësishëm për fitoren e Revolucionit xhonturk të vitit 1908.
Faza e katërt
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faza e katërt (1910-1912) hapet me fitoren e Revolucionit xhonturk dhe mbaron me Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Kjo është periudha e rritjes së lëvizjes politiko-kulturore (më 1908-1910) dhe e kryengritjeve të mëdha shqiptare kundër sundimit osman në vitet 1910-1912, të cilat dallohen si nga përmasat e shkalles më te elartë e organizimit, ashtu edhe nga programi politik autonomist që parashtruan. Lëvizja kombëtare u bë në këto rrethana një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar, ndërsa kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 e dobësuan pushtetin osman në Ballkan dhe i hapën rrugën shkatërrimit të tij përfundimtar pas luftërave ballkanike të viteve 1912-1913.
Kryengritjet, sidomos ajo e përgjithshme e vitit 1912, përgatitën truallin për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, që ishte një fitore e madhe historike me të cilën mbyllet epoka e Rilindjes Kombëtare. Por, i shpallur në vitet e luftërave ballkanike dhe për shkak të vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës të Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha (1912-1913), shteti i pavarur shqiptar nuk arriti të bashkojë, siç ishte përcaktuar në platformën politike të Rilindjes, të gjitha trojet e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të cilave mbeti jashtë kufijve të tij, nën robërinë e shteteve fqinje, të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë. Në këto rrethana çështja kombëtare shqiptare mbeti e pazgjidhur përfundimisht, duke u kthyer në periudhat më pas në një problem i lëvizjes për çlirimin kombëtar të asaj popullsie shqiptare që mbeti në ato shtete dhe duke u bërë njëherazi një faktor që ndikoi fuqishëm në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me këto vende fqinje.