Jump to content

Igballe Rogova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Igballe Rugova)
Igballe Rogova
aktiviste
KombësiaShqiptar

Igballe "Igo" Rogova është aktiviste e njohur kosovare për të drejtat e grave, që u njoh edhe në nivelet ndërkombëtare si avokuese për të drejtat e grave dhe orientimin seksual. Fëmijërinë e kaloi në Gjakovë, para se të jetonte në Prishtinë. Ajo është vajza e gjashtë, e fëmija i nëntë dhe i fundit në familje.

Igballe Rugova ishte gruaja e parë në ish-Jugosllavi që u martua me një grua në vitin 1996. Ajo ka rrëfyer historinë e saj për Kosovo 2.0 në formë te shkëmbimit të letrave me aktivisten lesbike nga Beogradi Lepa Mladjenovic[1]. Ajo rrëfen për sfidat dhe stigmatizimin e saj. "Unë mbaj imazhin si gruaja e parë grua të martohet me një grua në Ish-Jugosllavi. Të kujtohet dasma ime në vitin 1996, Rachel ? Partnerja ime atëherë, kishte veshur fustan dhe në kokë kishte vënë kurorë të punuar nga lulet e freskëta. Unë kisha veshur pantallona, binte shi, por nuk na ndaloi të vallëzonim në një gëzim të tillë, sikurse do të vallëzonte çdo çift në dasmën e tyre. Por, ata që dikur i quaja miq në Kosovë, shtrembëruan historinë tonë të bukur... Atë kohë, ata shkarraviten shpifje dhe informata të rreme, duke e quajtur madje dasmën tonë, orgji në shi !" Në Festivalin Femart, të dyja gratë u ftuan për të folur mbi modelin e tyre të aktivizmit feminist. Para se të flasin, audienca pa një dokumentar të titulluar “If We Can Dance” (2013) nga regjisori Siobhan Cleary. Dokumentari tregon punën dhe jetën e grave aktiviste shqiptare të Kosovës gjatë viteve të aparteidit të viteve 1990 – duke përfshirë Rogovën. Pas shfaqjes së dokumentarit, Rogova shpjegon se si Mladjenovic vizitoi kampin, nën pretekstin se ishte një grua italiane me emrin “Maria”. Ajo vazhdon të shpjegojë se si filloi miqësia e tyre, kur ajo shkoi të vizitojë Gratë në të Zeza në Beograd në mes të vitit 1990. “Julie Mertus më tha : ”a e di se ka gra në Beograd që protestojnë kundër Millosheviçit ?” Nuk e besova". Duhet ta shikoja me sytë e mi”, tha Rogova. Kjo vizitë do të çojë në dy dekada ndarje ideshë, libra, përvoja me Mladjenovic – por edhe vallëzimi. Mladjenovic e përshkruan vizitën e saj në Prishtinë në vitet 1995 dhe 1996 për të marrë pjesë në “partinë e grave” organizuar privatisht në restorante në pronësi të të njohurve të Rogovës. Ajo e përshkruan atë parti si një mundësi për ta njohur me të vërtetë “tjetrin”. ”Vallëzimi është një akt politik”, thotë Mladjenovic,” është shërues dhe është një mënyrë se si të tregojmë solidaritet me tjetrin, duke treguar se ju doni të njihni muzikën dhe vallet e tjetrit.”

Më 1989, së bashku me motrën e saj Safete Rogova dhe disa intelektualë, themeluan shoqatën Motrat Qiriazi. Vitet e rezistencës së madhe kolektive e kombëtare u pasuruan me një aktivitet largpamës të shoqatës Motrat Qiriazi, e cila u përqendrua në sensibilizimin e të drejtës së gruas për të qenë e barabartë, për të pasur iniciativa kreative drejt së ardhmes së saj, për të qenë më këmbëngulëse në organizimin e familjes, në afirmimin e vlerave të saj, madje edhe në relacione ndërkombëtare. Gjatë viteve 1994-1995 aktiviteti i shoqatës u përqendrua në regjionin e Hasit, duke mbajtur takime të pareshtura me gratë dhe vajzat e Hasit për emancipimin e tyre dhe vetëdijesimit për të drejtat e tyre. U realizuan shumë projekte për ndërtimin e shkollave të reja, hapjen e shkollave të mesme, pasurimin e shkollave me biblioteka. Paralelisht u hapën kurse për mësimin e anglishtes, kurse për amvisni, frizere, rrobaqepësi, autoshkollë etj. Shoqata Motrat Qiriazi sensibilizoi problemin e infrastrukturës, ujit, kështu që së shpejti filloi asfaltimi i rrugëve, furnizimi me ujë të pijshëm, hapja e disa ambulancave në bashkëpunim me shoqatën Nëna Terezë e tjera. Shoqata veproi qetë por secilën ditë gjithnjë e më bindshëm. Botoi revistën Të jesh Grua, bëri filma dokumentarë për problemet e gruas, mori pjesë në protestat për masakrat tejembanë Kosovës, si Protestat 98, Kosova është djepi im, Në Reçak po thërret një zë. Ndihmoi dhe për botimin e librave, kështu që panë dritë monografia e vlefshme Motrat Qiriazi e Dhimitër Dishnicës, poezitë e Shqipe Malushit me titull Për ty dhe poezitë e Flora Brovinës Thirrje e Kosovës. Aktiviteti nuk mbeti vetëm në këto drejtime. Ndërkohë u bënë audiokaseta, të cilat u shpërndanë fshat më fshat, bibliotekë më bibliotekë, si Përrallëza për fëmijë, Qiriri i pashuar, Poezi e uratë (në përkujtim të njëvjetorit të kalimit në amshim të Nënës Terezë, Harqet e Urave, Vargjet e Poeteshave, Klithje e Kosovës, Rrëfimet Tona dhe T’i Njohim të Drejtat Tona. Kontribut të madh për realizimin e aktiviteteve ofroi përvoja e artistes së skenës Safete Rogova dhe zëri i saj i veçantë me shqiptim të lakmueshëm artistik. Nga kjo shoqatë, vetëm brenda dy stinorëve, vjeshtë 1999 - pranverë 2000, u bënë përpjekjet për realizimin e tekstit dramatik për Nënën Terezë Nëna lutet për ne të Abdullah Zenelit e deri te filmi televiziv Ringjallja, sipas novelës së Margitë Markajt.

Sigurisht se të gjitha veprimtaret e shoqatës u ndodhën me ato që kishin më së tepërmi nevojë për ndihmë e përkrahje, për kurajë e ngushëllim, për ta pasur dhimbjen më të paktë, duke fisnikëruar jetën e tyre me kurse, me lexim librash, me veprimtari përcjellëse si puna me fëmijët, dhuratat shpresëdhënëse nga lodrat deri te fletore e blloqe vizatimi, ekspozita punimesh të më të vegjëlve etj.

Nuk mund të harrohet kurrë klima e krijuar me gratë e zhvendosura në Shipol, nëpër kampet e Bllacës dhe, më pas, në Çegran, Neproshten dhe Tetovë të Maqedonisë.

Paslufta ishte kapitull tjetër. Igballja gjeti përkrahje edhe nga shoqata simotra gjithandej Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar ringjalljen e shpirtit të traumatizuar të gruas shqiptare. Në këtë drejtim kontakti në raporte ndërkombëtare i takoi të palodhshmes Igballe, e cila me kulturën e saj, guximin për të protestuar në çdo postbllok të egër policor që e pati përditshmëri gjatë viteve të 90-ve, arriti të mos ndalej kurrë, duke treguar kështu se ende mbetet shumë për t‟u bërë. Në çdo segment të punës e të veprimtarisë së saj dilte në pah ajo më qenësorja: angazhimi i gruas për të avancuar gjendjen e saj në veçanti, por edhe të vet popullit në përgjithësi, e pjesës më të goditur - gruas.

Për 20 vjet rresht, sa vepron shoqata Motrat Qiriazi, ia doli mbanë ta rikthejë dinjitetshëm figurën e ndritshme të dy motrave Sevasti e Parashqevi Qiriazi, të cilat e hapën shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë (1892) dhe që ishin nismëtare të shumë zhvillimeve me interes gjithëkombëtar. Në vitin 2000 bashkë-themeloi Rrjetin e Grupeve të Grave, ku edhe sot është drejtoreshe. Rrjeti numëron 87 organizata të grave nga të gjitha etnitetet dhe rajonet e Kosovës dhe avokon për të drejtat e grave, duke përkrahë, promovuar dhe mbrojtur ato.

Igballja kontribuoi edhe në rrjetëzimin e organizatave të tjera në rajon. Në vitin 2006 ishte iniciatore për themelimin e Koalicionit të Grave për Paqe. Po ashtu dha kontribut shumë të madh për themelimin e Lobit Rajonal për Paqe, Drejtësi dhe Siguri në Evropën Juglindore.

Çmime dhe Mirënjohje

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për punën e saj Igballja është shpërblyer dy herë ndërkombëtarisht. Në vitin 1997 mori shpërblimin Gruaja e Vitit në San Francisko, ndërsa në Amsterdam, në vitin 1998, mori shpërblimin mes dhjete aktivisteve më të suksesshme në botë.