Gradishta e Peshtanit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kalaja e Peshtanit)

Gradishta e Peshtanit ndodhet midis fshatrave Peshtan e Vërtop të rrethit Berat. Në këmbët e kodrës mbi të cilën ndodhet fortifikimi i Gradishtës së Peshtanit kalon lumi i Osumit. Kalaja ndodhet në majën e kodrës duke rrethuar një sipërfaqe prej 2 ha. Gjatë ekspeditës përnjohëse të Neritan Cekës në vitet 1970, në këtë vendbanim janë evidentuar gjurmë muri të cilat ruheshin nga 15 m -1, 10 m lartësi. Sipas banorëve të zonës, muret rrethuese kanë qenë të dukshmë në pjesën e sipërme të kodrës, por edhe gjatë faqeve anësore të saj. Gjatë ekspeditën përnjohëse të projektit FoAP në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të monumenteve të rrethit Berat u vëzhgua edhe Kalaja e Peshtanit, situata e të cilës nuk shfaqej e njëjtë me informacionin e dhënë nga N. Ceka. Shkatërrimet e vazhdueshme që i kishin ndodhur këtij objekti e bënë të pamundur identifikimin e gjurmëve të mureve rrethuese. Shaktërrimi përfshin marrjen e materialeve për rindërtime por nuk përjashtohen edhe gërmimet klandestine. Nga ky monument ruhen disa gjurmë llaçi të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e kodrës. Mbi sipërfaqe u vunë re fragmente të shpeshta qeramike, kishte grumbuj të mëdhenj me fragmente pitosash e amforash, të cilat shpesh herë formonin dhe enë të plota (Fig. 23). Këto fragmente ishin të dukshme në të gjithë sipërfaqen e kodrës, por në numër shumë më të madh dhe më të shpeshta ishin në pjesën e sipërme të kodrës.