Jump to content

Kromozomi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kromozom)
Pamje e një kromozomi

Kromozomet janë komponentat më komplekse funksionale të bërthamës, meqë ato përmbajnë vetitë trasheguese – gjenet, të cilat me aktivitetin e vet veprojnë mbi proceset metabolike dhe morfogjenetike në qeliza. Koromozomet janë komponenta të përhershme dhe të obligueshme të bërthamave morfologjikisht të diferencuara.

Kromatina paraqet formën ndërfazore të kromozomeve ose kromozomeve në gjendje të despiralizuar. Ato janë struktura të cilat e ruajnë individualitetin e vet gjatë ndarjes qelizore. Meqë janë të afta për vetreplikim (vetdyfishim) dhe gjatë ndarjes qelizore të ndahen në mënyrë të rregullt, bëjnë të mundshme ruajtjen e kontinuitetit të tyre nga njëra qelizë në tjetrën, e me atë edhe bartjen e vetive trashëguese prej njërës në gjeneratën tjetër të organizmave.

Emri kromozom është në lidhje me aftësitë për ngjyrosje me ngjyra të caktuara (nga fjalet greke, hroma-ngjyre dhe soma-trup). Kromozomet e ngjyrosura më se miri mund të vërehen gjatë kohës së ndarjes bërthamore edhe atë në metafazë kur kemi kromozome përfundimisht të formuara apo morfologjikisht  të diferencuara.Njeri kromozom eshte me i gjat se tjetri dhe i mungon njeri krah

Morfologjia e kromozomeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë ciklit qelizor kromozomet kanë pamje, respektivisht forma të ndryshme. Në interfazë kromozomet janë fije të gjata dhe të holla në gjendje të despiralizuar kur nuk mund te dallohen veçmas. Meqë nga aspekti biokimik – fiziologjik janë mjaft aktive për ato thuhet se janë në formë funksionale. Gjatë kohës së ndarjes bërthamore (kariokinezës) kromozomet kanë formën e strukturave shkopthore, e quajtur formë bartëse.

Kromozomet në metafazë si struktura perfundimisht të formuara me formë të caktuar (më së shpeshti shkopthore) karakterizohen me diferencime të caktuara morfofunksionale.

Ngushtica (konstriksioni) primar

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Te secili kromozom gjendet nga një ngushticë primare ose konstriksion me të cilën kromozomet janë të ndara në dy pjesë (krahë) të quajtura krahë kromozomik. Në ngushticën primare gjendet një strukturë e rëndësishme e quajtur centromera (ose regjion i centromerës). Me centromerën gjatë ndarjes së bërthamës kromozomet lidhen për fijet e boshtit të ndarjes, me çka mundësohet lëvizja e kromozomeve drejt poleve dhe radhitja e tyre e rregullt në dy bërthamat e rikrijuara.

Zakonisht te kromozomet gjendet nga një centromer i vendosur në vend të caktuar, ndërsa kromozomet e atilla janë monocentrike.

Sipas pozitës së ngushticës primare respektivisht centromerës dhe raportit të gjatësisë së krahëve dallohen tipat vijuese të kromozomeve:

Metacentrike (M ose m) kur centromera është në mes dhe kromozomin e ndan në dy krahë te barabartë.              

Submetacentrike (sm) kur centromera është e larguar nga mesi dhe kromozomin e ndan ne dy krahë jo të barabartë sipas gjatesisë së tyre.             

Akrocentrike (subtelocentrike) (nc, st) kur centromera është subterminale dhe njëri krah i kromozomit ka dimensione shumë më të vogla krahas krahut tjeter, me çrast mezi vërehet.       

               Telocentrike (T ose t) ku centromera është terminale (ne vet skajin)  dhe kromozomi i atille nuk ka dy krahë.

Ekzistojnë kromozome me dy centromere (ose dycentrike) si dhe me më tepër centromere (policentrike).

Ngushtica (konstriksioni) sekondar

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveç ngushticës primare disa nga kromozomet kanë edhe ngushticë sekondare, e cila nuk ka aftësi të lidhet për fijet e boshtit të ndarjes. Për këtë ngushticë më së shpeshti është e lidhur një shtesë e kromozomit me formë topthore e quajtur satelit, ndërsa kromozomet të cilat e posedojnë quhen kromozome satelite. Pasi që si zakonisht te ngushtica sekondare formohet bërthameza (në telofazë), ky konstriksion është i quajtur organizues nukleolar.

Pjesët terminale të krahëve kromozomik edhe pse nuk tregojnë diferencime të dukshme morfologjike, sipas sjelljes së tyre dallohen nga pjesa tjetër e krahëve. Këto pjesë janë të quajtura telomere. Telomeret si pjesë specifike mundësojnë mbrojtjen e individualitetit dhe tërësisë së kromozomeve gjatë ciklit të ndarjes. Duke iu falenderuar telomereve nuk bëhet bashkangjitja e pakontrolluar dhe kaotike e kromozomeve. Nëse telomeret nuk do të kishin funksion te tille, gjatë kohës së ciklit qelizor do të paraqiteshin formacione kromozomike të llojllojshme.

Gjatë lëvizjes anafaze të dy pjesët telomere të secilit kromozom orientohen dhe lëvizin drejt njërit pol, respektivisht janë unipolare. Për kromozomet do të ishte katastrofale nëse telomeret do te ishin bipolare.

Organizimi struktural i kromozomeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Njësitë strukturale dhe funksionale janë fibrilet kromozomike të brendshme (elementare) të quajtura kromoneme, që janë të dukshme edhe me mikroskop ndriçues. Kromozomet pas periodit sintetik të interfazës janë të ndërtuara prej dy kromatideve, e ajo më së miri shihet në metafazë, ndërsa secila kromatide ose kromozom i ardhshëm i anafazes është i ndërtuar nga kromonema e spiralizuar (ose fibrila kromatinike) dhe matriksi.

               Matriksi si mbështjelles akromatinik i kromonemës paraqitet në profazë me zhdukjen e bërthamëzës, ndërsa zhduket në fund të kariokinezës, me fillimin e despiralizimit.

Kromonema ka aftësi të spiralizohet dhe despiralizohet, me çka ndryshohet gjatësia e kromozomeve në kariokinezë. Për së gjati kromonemës vërehen nyjëzime të trasha të quajtura kromomere, numri dhe radhitja e të cileve janë të përhershme për secilin kromozom.

Organizimi molekular i kromozomeve tregon se kromonemat janë të ndërtuara nga nën-njesitë strukturale të quajtura nukleozome. Secili nukleozom sipas strukturës paraqet kompleksin nukleoproteinik, meqë molekula e ADN është e lidhur me një globulë prej B proteinave. Kromonema, respektivisht fibrilet kromatinike kanë pamjen e numratoreve në më tepër nivele që në fund të fitohen trupat kompakt kromozomik.

Ndër vetitë më të rëndesishme të kromozomeve është aftësia për replikim, respektivisht dyfishimit struktural edhe nga strukturat njëkromatidëshe kalojnë në strukturën dykromatidëshe.

Në realitet ai është proces i dyfishimit të strukturës së tyre ndërtuese themelore, molekulës se ADN me çrast kromozomet plotësisht i ruajnë vetitë e veta specifike. Replikimi ose dyfishimi strukturor i kromozomeve kryhet në ndërmjetfazën (interfazën) e ciklit qelizor.

Numri i kromozomeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për secilin lloj ekziston numër i caktuar kromozomesh, nga i cili nuk duhet të ketë lëshime, vetëm në qoftë se nuk bëhet fjalë për ndonjë mutacion kromozomesh. Numri i kromozomeve në një bërthamë quhet kariotip. Për identifikim më të lehtë të kromozomeve homologe (të njëjtë) në kariotip bëhet kariogram, që paraqet grupim të kromozomeve në grupe homologe (në çifte ). Te njeriu ka 46 kromozome (23 çifte), edhe atë 22 çifte kromozomesh autozome dhe 1 çift kromozome seksuale, që e përcaktojnë gjininë sipas asaj në qoftë se çifti do të jetë XX (gjini femrore) ose XY (gjini mashkullore).