Jump to content

Kuçi (Vlorë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
View of Kuç

Pozita gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kuçi shtrihet në anën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Ai kufizohet nga gjerësia gjeografike 40° 14' dhe 40° 14' dhe gjatësia gjeografike 19° 45' dhe 19° 55'.

Kuçi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 180 km² ose 350 km² sipërfaqe të sheshtë. Kuçi ka 350 ha tokë arë, 77–80 km² pyje, pjesa tjetër është sipërfaqe kullotash malore, sipërfaqe të zhveshura e përrenj.

Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit dhe 62 km larg Vlorës. Nga Kuçi në Vlorë shkon duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç 24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë 47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km.

Kuçi është një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, si nga sipërfaqja dhe nga popullsia. Në vitet 1431 Kuçi ka patur 49 shtëpi me 180 banorë; në vitin 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë ndërsa sot ka rreth 400 shtëpi më 3500 banorë. Fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Çorraj, Fterra bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm; Vërmik, Rexhin, Nivicë, Gusmar, Progonat, Lekëdush, Golem, Kaparjel, Kolonjë, Picar bëjnë pjesë në Kurveleshin e Sipërm. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit 1878 deri në vitin 1912, së bashku me fshatrat që janë sot në Kurvelesh janë përfshirë edhe fshatrat Koron, Kardhiq, Humelicë, Fushë-Bardhë, Zhulat, Rrëzomë, Palavli, Kalasë, Nivicë-Bubar, Shënvasil, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Borsh. Këto fshatra në kohë lufte janë përfshirë në krahinën e Kurveleshit, ashtu siç ndodhi në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare të vitit 1942-1944, ku këto fshatra u përfshinë në një komitet krahinor me qendër në Kuç. Kuçi gjatë Luftës së Dytë Botërore luajti një rol vendimtar me rëndësi të veçantë historike në të gjithë këtë krahinë dhe në krahinat përreth. Për këtë rol të veçantë u shpall edhe fshat MARTIR i Luftës së Dytë Botërore1) dhe i vendeve Martire e të Paqes në Botë me qendër në Bolonja, Itali. Kuçi, duke qenë edhe në kohët e vona kryeqendër e Kurveleshit dhe e Labërisë, ku një vend të dukshëm mori tregëtia me 13 dyqanet që kishte, bluarja e drithit dhe derstila me 12 mullinjtë, njëkohësisht pazari e panairet janë zhvilluar në Kuç, por ato janë zhvilluar edhe në Himarë, Delvinë, Gjirokastër e Vlorë, ku tregëtoheshin bagëtitë, punimet e artizanatit, si sixhadet, velenxat, qilimat, punimet e drurit, si lugë, çibuqe, longare etj. gurët e gdhendur, sidomos gurët e qosheve të shtëpive dhe ato të portave e të dyerve, të cilat gdhendeshin me shije e mjeshtëri.

Kuçi shtrihet në Kurveleshin e Poshtëm, atje ku ka zanafillën e vet lumi i Shushicës, i njohur edhe me emrin Lumi i Vlorës. Pikërisht këtu fillon lugina e Shushicës, një nga më të rëndësishmet e Shqipërisë jugore, e begatë dhe e banuar qysh nga lashtësia.

Pak më në jug të Kuçit shtrihet qafa e Dërrasës, me lartësi 640m mbi nivelin e detit, e cila ka rëndësi të madhe gjeografike e strategjike, pasi lidh Bregun e Detit dhe rrethet Sarandë, Delvinë me luginën e Shushicës e rrethin e Vlorës. Rruga Sarandë-Kuç është e gjatë 60 km dhe kalon në fshatrat Nivicë-Bubar 15 km, Shënvasil 17 km, Lukovë 22 km, Sasaj 25 km, Piqeras 30 km, Borsh 35 km, Fterrë 45 km, Kuç 60 km. Përmes kësaj qafe shkon rruga automobilistike në gjithë këtë anë të Shqipërisë Jugore. Prandaj në këtë qafë dhe përreth saj janë shtjelluar ngjarje të rëndësishme historike që nga koha e Gjolekës së Kuçit deri tek LANÇ, gjatë së cilës këtu janë zhvilluar beteja të ashpra midis UNÇ dhe forcave armike pushtuese e bashkëpunëtorët e tyre.

Lugina e Shurit në Kuç dhe gryka e Zarelit e lidh Kuçin me Kurveleshin e Sipërm (Golemin). Kuçi nëpërmjet grykës së Shurit lidhet me rrugë automobilistike (verore), me Gusmarin dhe me gjithë Kurveleshin e sipërm, rrugë e cila është e gjatë 15 km dhe, po të ndërtohet përfundimisht është një nga rrugët turistike më të bukura të vendit, pasi kalon në gjithë kanionin mahnitës të Grykës së Lepushkës, përroit të Dushoberit e të Zarelit dhe përroin e Shurit që zbret nga buza e Dervenit dhe Qafa e Gomarthit. Kjo luginë është shumë e ashpër, e pjerrët dhe nëpër të në dimër mund të kalojnë vetëm këmbësorët. Në këtë anë të Kuçit ka edhe qafa të tjera malore në lartësi 800-1000m, si Buza e Dervenit e Qafa e Gomarthit etj, që e lidhin atë me fshatra të veçanta të Kurveleshit të sipërm.

Nëpërmjet luginës së përroit të Kudhësit dhe qafës së Grashecit, qafës së Mretes e të qafës së Shkallës (610m mbi nivelin e detit), Kuçi lidhet më rrugë këmbësore e me kuaj me bregdetin e Himarës. Ky kalim hëpërhë është i vështirë por në të ardhmen këtej mund të çelet një rrugë automobilistike, rreth 15 km e gjatë që do të bashkonte në rrugën më të shkurtër Kuçin me bregdetin e Himarës. Ajo do të çonte çdo ditë për banjë deti në bregun e bukur të Himarës, gjë për të cilën do të mjaftonte një urban. Kjo do të jepte mundësi dhe për zhvillim në terrenin malor të agroturizmit me klimë të pastër, e të gjuetisë së kafshëve e të shpendëve të egra.

Kuçi është i rrethuar nga një kurorë malesh të larta: Papadhia me lartësi 1481m, në vendin e quajtur Vali i Papadhisë është një vend i sheshtë me një fushë të bukur prej 7 ha ku ka kullota verore të dhenve e mund të ndërtohet një aerodrom i mirë për aviacionin civil, ushtarak e helikopterat, ku mund të zhvillohet agroturizmi dhe gjuetia e kafshëve e shpendëve të egra si: lepuri, kunadhia, thëllënxa, pëllumbat etj. Mali i Papadhisë është ngjitur me malin e Golemit, (Gjoshnikoshi 1533m) ku ndodhet lapidari i Heroit të Popullit Temo Vasi dhe i gjashtë kuçiotëve e një nga Golemi që ranë dëshmorë në luftë me nazistët në 2 tetor 1943, malet Shkage, maja e Shytit 1262m, Balçik 1467m, Zareli 1651m, në lindje e në veri Valthi 1226m, maja e Mureve 1700,3m, maja e Kunjovës Pleshovica 1773m që shtrihen përkatësisht në veri e lindje, mali i Bogonicës në perëndim (pjesa e vargut të Çikës) me lartësi 1672m dhe mali i Çorrajt (mali i Shëndëllisë) me majën e Gjinikut 1404 m i lartë ne jug. Këto male përbëhen nga shkëmbinj gëlqerorë dhe shpatet e tyre bien pjerrtas mbi luginën e Shushicës e të Borshit (rrjedhjet e sipërme). Pjesët e poshtme të shpatave zbresin në formë kodrash të ulëta, të përbëra nga flishe (shtufe) e argjile. Ato janë të veshura me shkurre. Pjesë përbërëse e relievit janë edhe luginat e lumenjve dhe përrenjve, për të cilat u fol më sipër.

Klima e Kuçit është midis asaj të butë mesdhetare të Borshit dhe klimës së ashpër të Kurveleshit të sipërm. Kjo duket nga pasqyra e mëposhtme :

Fshatrat   Mes.vjetore   Mes.e janarit  Mes.e korrikut
Borshi      17 °C         10 °C        24,8 °C
Kuç         14 °C          5,7 °C        23,3 °C
Nivicë      12 °C          4 °C        20,6 °C

Pasqyra tregon qartë që klima e Kuçit është më e ashpër se ajo e Borshit (janari mbi 4 °C më i ftohtë se në Borsh) por më i butë se i Nivicës (Gati 2 °C më i ngrohtë). Ndryshime të mëdha ka edhe në sasinë e reshjeve, siç e tregon pasqyra :

Fshatrat       Sasia mes.vjetore e reshjeve në mm
Borsh               1368
Kuç                 2406
Nivicë              2450

Siç shihet, në Kuç bien 1038 mm reshje më shumë se në Borsh, kurse në Nivicë 44 mm më shumë se në Kuç. Kuç me 2670 mm shi2) në vit zë vendin e dytë pas Bogës së Alpeve.

Këto ndryshime në temperaturë lidhen me pozitën e Kuçit më në brendësi të vendit, me largësinë më të madhe nga deti dhe me relievin e mbyllur midis maleve. Kurse sasia më e madhe e reshjeve se Borshi, shpjegohet me konfiguracionin e relievit. Erërat e lagështa që vijnë nga deti, duke hyrë nëpër luginat në Kuç, ndrydhen nga malet përreth duke lëshuar sasira të mëdha shirash.

Zona e Kuçit ka pasuri të shumta ujërash, si pak fshatra të Kurveleshit ku numërohen rreth 157 burime ujore. Pasuritë më të mëdha janë burimet e Lëpushës me 550 l/s, dhe buronjat e Kuçe me 300 l/s ; një nga burimet më të mëdha karstike të Shqipërisë jugore. Ato dalin në grykë të Shurit në Lëpushë, duke përshkruar 4 km kanionin mahnitës deri sa vjen në Buronja te Rrapet e Kuçit ku ndodhet një korije e mrekullueshme, e mbuluar me rrepe shekullore, që në verë krijojnë një mjedis të freskët e me bukuri mahnitëse. Buronjat e Kuçe shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi ku dalin Buronjat. Buronjat përfaqësojnë një objekt me rëndësi turistike për gjithë rajonin. Këtu organizohen herë pas here shëtitje turistike, piknikë dhe festa të ndryshme. Por natyra e virgjër e Buronjave është dëmtuar shumë nga ndërhyrjet e këqia të njeriut duke marrë ujin pa kriter me anë ndërtimesh të vrazhda.

Tokat e zonës së Kuçit janë jo shumë të trasha. Mbizotërojnë tokat e holla dhe bokërrima. Por ka edhe toka bujqësore (të hirta, kafe dhe të kafenjta). Në luginat ka toka aluvionale të pasura me humus që i bën ato pjellore. Në to rriten shumë mirë misri, perime e drurë frutorë.

Mbulesa bimore e zonës së Kuçit është dëmtuar shumë nga shpyllëzimet për toka bujqësore (bukë), nga prerjet për dru zjarri, djegiet e bëra nga barinjtë dhe nga kullotja pa kriter e bagëtisë (dhive). Bimësia më e përhapur janë shkurret e tipit mesdhetar (makja) të përbëra nga : sqina (xina), koçimarja, përralli, mersina, shqopa, cfaka (bezga), thrumja, sherebeli etj. Në luginat përhapje të gjerë ka dhe hilqja dhe rrapi. Në pjesët e larta rritet bredhi e pak pisha. Ka gjithashtu kullota të pasura verore1).

Nga kafshët e egra më shumë gjendet derri i egër dhe lepuri, të dëmtuar rëndë nga gjuetia. Haset edhe dhelpra, kunadhja, dreri (sorkadhja) gjendet ne pyllin e mbrekullueshem te Zarelit si dhe ne pjesen e poshtme te fshatit si ne Shen Thanas, Perroi i Thate etj, shqarthi (macja e eger), lunderza (vidhra) ne lumin Shushice. Nga shpendët përhapje), kukumjaçka (bufi), qyqja, si dhe harabeli, gushkuqi dhe lloje të ndryshme shpendësh.

Ne lumin e Shushicës gjenden me shumice trofta, ndërsa ne përrenjtë qe derdhen ne lumenj ka shume krap te madhësive te vogla, si dhe ngjala. Ne terrenin me shkurre ka zvarranike te përmasave dhe llojeve te ndryshme, te pastudiuara ende. Ka gjarpërinj me madhësi edhe mbi 2 merta, ndodhen gjithashtu edhe nepërka nje gjarpër i rrezikshëm sulmues, astriti dhe gjarpërinj me ngjyra e madhësi te ndryshme. Ne te gjitha pyjet me shkurre te bie ne sy një numër i madh breshkash te cilat krijojne nje ambient kureshtar për kalimtaret.

Gjurmë të lashtësisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga kërkimet e studimet arkeologjike të kryera gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në territorin përreth Kuçit, janë zbuluar një numër i madh pikash e qendrash arkeologjike që datohen prej periudhave më të hershme parahistorike, si epoka e gurit, e bronxit, e hekurit deri në periudhën historike të antikitetit e mesjetës. Intensiteti i tyre dhe ekzistenca gjatë rrjedhave të ndryshme kohore, flasin se ky territor ka pasur kushte shumë të përshtatshme për banim. Këto kushte lidhen me ekzistencën e tokave pjellore, veçanërisht për frutikulturën, vreshtarinë, kullotat e pasura, pyjet dhe ujërat e bollshme, si dhe me klimën e përshtatshme, të cilat plotësonin kërkesat kryesore për jetesën.

Nga pikat parësore arkeologjike, objekt të kërkimeve e zbulimeve të këtij rajoni, mund të përmendim Borshin, Qeparoin, Himarën, etj., ndërsa më në brendësi të territorit përreth luginës së Shushicës, Vajza, Mavrova, Velça, Tërbaçi, Vranishti, Brataj, Nivica etj.

Himara njihet për banimin e saj nga periudha e gurit (me shpellën e Spilesë), bronzit e hekurit, ku nuk mungojnë edhe gjurmët e periudhave të antikitetit e mesjetës.

Shpella e Spilesë, e periudhës së Neolitit (5000 vjet para erës sonë)2) më 1937 u zbulua nga arkeologu italian Kardini aty u gjetën mbeturina shekullore hiri, kockash dhe objekte metalike të periudhës së neolitit, vegla pune prej guri, stralli, kocka e ririx.

Është pranuar nga arkeologët dhe shkencëtarët në përgjithësi se popujt, që kanë rrojtur vetëm me gjah, nuk kanë ekzistuar, prandaj edhe banorët e Spilesë, Lepenicës, Velçes, Vajzës, Zares, pellgut të Dukatit, shpellave të Bobovishtes në Kuç etj., veç gjahut, kanë përdorur edhe burime të tjera rrethanore ushqimi si lënde, qepujka e rrënjë të tjera bimësh të mundshme për t’u ngrënë. Ata janë marrë edhe me punimin e tokës, rritjen e bagëtisë, etj.

Gjurmë të jetës së periudhës së neolitit janë zbukuar në Armiridhe të Porto Palermos, ku gjatë punimeve bonifikuese u gjetën vegla pune prej sileksi si dhe një çekan guri pa vrima, kopje e së cilës ruhet në Vlorë.[1]

Më në jug të Kuçit dhe pikërisht në Xarë, 8 km në jug të Sarandës, u gjetën në vitin 1939 gjurmë të një kultre ende më të lashtë të paleolitit të mesëm, që kap një periudhë kohore prej 40.000 vjet p.e.s.

Njeriu që ka krijuar këtë kulturë është ai i neadertalit ende i pazhvilluar si njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës qoftë nga ana fizike dhe nga ana mendore.

Pak më tej këtij stacioni, në shpellën e Shën Marinës, në grykën e hyrjes së Bogazit, afët Konispolit, u gjetën gjurmë të kulturës materiale të paleolitit të vonë me një vjetërsi kohore prej 20.000 – 10.000 vjet p.e.s.

Periudhat mezoloike dhe neolitike kapin një kohë prej 10.000-7.000 vjet p.e.s. gjatë këtyre epokave fillon formimi i popullsisë autoktone paraindoevropiane. Kësaj periudhe i përket edhe kalaja e Kadafiqit në Kuç që datohet e shekullit të 9-8 p.e.s.

Kjo popullsi, gjatë zhvillimit përpara në mënyrë të pandalshme në epokën e bakrit, nis formimin e vet kulturor e shpirtëror si dhe elementet e para etnike dalluese me gjuhë e me zakone të përcaktuara, që tradita dhe disa studiues më vonë i quajnë pellazge ose protoilire.

Në Rrëzë të Borshe në Kuç, në një teritor të madh që shtrihet në të gjithë lugun e Alikajve, mbi kasollen e Kasem Alikajt, nga përroi që kufizon tokat e Besim e Rexho Barajt (gjatë punës në tokë ata nxorën një gur të latuar rreth 3 ml të gjatë) që nga tokat e Çelo Qendrajt mbi rrugë që shkon për në Bolenë, mbi lisat e Kishës deri te arat e Imer Mane Hoxhajt dhe bijve të tij : Hiso e Hasan Imer Hoxhaj, në gjerësi deri te shtëpitë e Hamzos dhe të birit Qazim Qendrajt që ndodhen në Qafë të Dedeveshe me gjerësi 1-1,5 km dhe me gjatësi mbi 3 km ndodhen tarraca prehistorike me ledhe me gurë të mëdhenj disa tonësh të gdhendur në madhësi të tillë që me mjetet e sotme nuk mund të ngrihen. Në sheshet e tarracave, ndonjëherë edhe në mes të gurëve të ledheve rritet bima e prrallit, mretës, lisit e hilqes, drurë pyjorë këta që janë më se disa shekuj ; si pshdy përrallet që janë në vendin e quajtur “Lisat e Kishës”, të cilët përbëjnë drurë shumë të vjetër dhe mund të shpalleshin monumente kulture e të ruheshin nga shteti. Në këtë zone po të kryhen germime e punime arkeollogjike, mund të dale ekzistenca e një vend banimi antik në Qafë të Dedeveshe. Toka të taracuara me gurë të mëdhenj, me sipërfaqe të përafërt me ato të Qafës së Dedeveshe ndodhen edhe në vendin e quajtur Gjokon të Kunjovës. Kjo sipërfaqe është në kufi me brinjën e Shën-Thanasit e kufizohet me përroin e Sillës që zbret nga mali i Lëpjetës.

Taraca të tilla me gurë të mëdhenj, të skalitur disa tonësh ka edhe në arat që ndodhen në brinjën e Zekajve, në Rrëzë të Vishate, taraca të cilat kanë patur bimën e perrallit, hilqes e lisi shumë shekullorë. Brinja e Zekajve ndodhet midis Nikollolekës e qafës së Dukëtojës pa shkuar në Ferrishtë. Kjo brinjë duke u ngushtuar del në malin e Trëndafilit ashtu siç del brinja e Ali Axhem Bishajt, brinjë që ndodhet ngjitur me atë të Zekajve dhe kjo del në malin e Trëndafilit. Në Rrëzë të Vishate, në vendin e quajtur Lazdervish në qafën e Kishës, si dhe në bisht të brinjës nga Kallarati me aparate kanë bërë kërkime me shpresë se do të zbulonin thesare të paralindësave duke prishur varret e vjetër kodërvarre tubolare. Nga këto gërmime janë zbuluar pllaka gurësh, qypa antikë e objekte të tjera që mund të datohen para erës sonë.

Në vitet e Kooperativës Bujqësore, gjatë punës për hapjen e tokave të reja, afër shtëpisë së Fejzajve në Kunjovë kanë dalë varre me gurë të tillë të mëdhenj. Në shpellat e Demirajve në Rrëzë të Vishate, një bari nga Fikajt gjatë gërmimit ka gjetur monedha antike prej argjendi e ari. Në shpellat që ndodhen në Trapin e Lugjeve e të Grekut gjenden qeramike antike ashtu siç gjenden shkrime të pa deshifruara deri më sot në shpellat e Shkallës së Kanalit në Agaj.

Është vërtetuar dhe pohuar se në krahinat jugore të vendit tonë, pa përjashtuar Spilenë, Porto Palermon, Kadafiqin, që nga 40-6 mijë vjet p.e.s. ashtu si në të gjithë pellgun e Egjeut banonin fise të përafërta midis tyre. Autorët e vjetër dhe shkenca historike i ka njohur me emrin e përgjithshëm pellazgët, gjithashtu është pohuar se pellazgët janë paraardhësit e kaonëve, molosëve, thesprotëve, etj. d.m.th. ata që fillimisht banuan në shpellën e Spilesë, të Velçës, të Xares, te shën Marinës, të shpellave të Bobovishtës në Kuç dhe atyre, që ndërtuan kalanë e Dhërmiut, Qeparoit, Sopotit (Borshit), të cilët njihen si popullsi e periudhës së bronzit.

Gjetjet e gjertanishme arkeologjike hodhën dritë të mjaftueshme që kjo zonë, e banuar që në paleolitikun e mesëm, bën pjesë në vatrat e gjetura në vendin tonë e s’lënë dyshim që kaonet janë vazhduesit e kësaj kulture, kurse kuçjotët pasardhësit e tyre. Ne shprehim bindjen se gjetjet e tjera do të përforcojnë të parat dhe autorët e vjetër për problemin e origjinës, gjenezës dhe kulturës së pellazgëve.

Në fshatin e vjetër të Himarës, 5 km në perëndim të Kuçit, ruhen ende themelet e kalasë që arkeologët e kanë datuar të shekullit të IV para Krishtit.

Mbi këto theme rindërtimet e tjera të herëpashershme shquhen mirë. Ajo që ka rëndësi është fakti se këto mure, me gurë të mëdhenj mbi 1 tonë e të gdhëndura me forma katrore e romboidale, janë të njëllojta me muret e kalasë së Sopotit, Butrintit dhe kalave të tjera të Kaonisë, etj., të cilat dëshmojnë për një popullsi të përafërt gjenetike me kulturë të zhvilluar ndërtimore.

Mure të tillë me gurë të mëdhenj disa tonësh, të gdhendur në formë katrore e romboide të ndërtuara pa gëlqere dhe pa llaç gjenden edhe në disa zona të Kuçit, si në qafë të Dedeveshe, në vendin e quajtur Rrëza e Borshe, në Shkrumeme, në Kunjovë, në arat e Zeke, në pyllin me hilqe e lisa, në përruan e Shkozës, në Bobovishte, te Moqila e Alikajve, etj.

Qeramika e pikturat e gjetura në Spile, Velçë, në shpellat e Lepenicës dhe ato që gjenden në Kuç në shpellat e trapit të Lugje e të trapit të Grekut, në shpellën e Demire në Rrëzë të Vishate, ku ka qeramikë antike, dhe gjetja e fjalës së shkruar “Bindus” në shpellat e Bobovishtës të Kuçit ku ka ende shkrime të lashta pellazge të pa deshifruara.

Bashkësia fisnore jo vetëm që u ruajt por u bë themeli i gjithë jetës politike-ekonomike-shoqërore i shekujve të vonshme, madje për kushte të mbrojtjes, shkoi duke u konsoliduar si formë e drejtimit demokratik popullor të gjithë krahinës.

Krahina ndryshoi emrin nga Kaoni në Himarë. Një nga faktorët gjeografik ndoshta në emërtimin e ri mendojmë që është limani i Panormës, i cili kishte mundësi të mëdha mbrojtëse natyrore nga erërat. Sot limani mban emrin e Porto Palermos. Këtu grumbulloheshin e lëviznin prodhimet që nxirrte krahina në prapatokën e vetë, të cilat i shkëmbenin me mallrat e nevojshme që nuk prodhoheshin dot në krahinë. Faktor tjetër që ndikonte në rritjen e rolit të Panormit ishte dhe se Saranda qe shkatërruar që në shekullin e V nga dyndjet barbare dhe kishte humbur plotësisht funsionion ekonomik dhe fetar që kishte patur gjer në atë kohë. Sipas gojëdhënave dhe dokumenteve të nevojshme Panormi (Porto Palermo) ka qenë i banuar nga Kuçiotë që në lashtësi e deri në mesin e shekullit 19-të. Gjatë epokës së bronxit (2600-1100 p.e.s.) vend të rëndësishëm zënë Qeparoi, Borshi, kur Borshi veçohet duke u bërë qëndër qytetare, i njohur në mesjetë me emrin kalaja e Sopotit.

Me interes janë edhe gjetjet arkeologjike që flasin për gjurmë banimesh të vjetra dhe në Nivicë, Vranisht, Brataj, Tërbaç e Velçë.

Kështu në Nivicë ruhen gjurmët e banesave të shekullit III-II p.e.s., ndërsa në Brataj kemi vendbanimin e fortifikuar të kësaj kohe e njohur me emrin kalaja e Cerjes. Më e heshëm është vendbanimi shpellor i Velçës në shkëmbin e së cilës gjenden piktura që lidhen me periudhën e banimit 3000-2000 vjet p.e.s.

Përsa i përket qëndrave qytetare më të njohura të periudhës antike në këto treva janë i Amantis (Ploçës së Vlorës) dhe Olympe (në Mavrovë), që u përkasin shekujve V-III p.e.s.

Në Kuç gjurmët më të hershme fillojnë nga epoka e hekurit dhe lidhen me vendbanimin e fortifikuar të Kadafiqit ose siç quhet ndryshe Kalaja e Kadafiqit, që datohet në fund të mijëvjeçarit të VI p.e.s.

Në këtë kala është gjetur dhe një reliev i njohur si emblema e Kadafiqit me përmasa 40x30cm, ku dallohet nga gdhendja shqiponja me gjethe lisi. Vetë shqiponja simbolizon figurën e Zeusit si kryezot i perëndive. Si objekt emblema në fjalë lidhet me periudhën e stërlashtë të Dodonës.

Në këtë vendbanim e përreth edhe sot ruhen gjurmët e tri kishave një në shkëmbin e Kadafiqit, një tjetër disa metra poshtë rrethimit në anën jugore të kalasë, në lisat e Kishës dhe një e tretë në qafë të Dedeveshe pranë fshatit prehistorik të Borshit. Të gjitha këto rrënoja lidhen qartë me periudhën e mesjetës si vende kulti e shërbese fetare.

Në pika të tjera përreth fshatit ekzistojnë gjurmë banimesh të pastudiuara ende siç janë: në Qafë të Mretës ndodhet kalaja e Lekës, në Kaçur gjendet kalaja e Kaçurit, në Bobovishtë është kalaja e Gjokelagjes. Në Qafë të Shkallës ndodhet varri që sipas gojëdhënave është i një ushtari të Qezarit.

Në rrëzë të Borshit, në rrëzë të Dedëveshe, në Shkrumeme, në Kunjovë, në rrëzë të Vishatit ndeshen rrënoja qëndrash të banuara, varreza të vjetra dhe ledhe me gurë të taracave nëpër pyje që nga kohët e lashta me gurë të mëdhenj mbi të cilat rriten lisa, hilqe, përrall me moshë 3-5 mij vjeçarë. Gjurmimet e lashtësisë në Kuç janë transmetuar edhe nëpërmjet zakoneve, traditave, folklorit, etj., të cilat janë trashëguar brez pas brezi e na vijnë si dëshmi sot të historisë e të kulturës së të parëve tanë pellazgëve.

Në territorin e Kaonisë, ku bën pjesë edhe Kuçi, nga arkeologët janë zbuluar 3 fshatra me kodërvarre siç është Dukati, Kakavia dhe dy fshatra përqark Kakavisë. Kodërvarret janë të periudhave shumë të hershme pellazge. Të tilla kodërvarre, po të studiohen, janë edhe ato që gjenden në Kuç, siç është kodra e varreve në Lazdervish të Nane apo ato në qaf të Kishës, në rrëzë të Vishate, ku Hetem Kasua ndërtoi lëmin mbi varre, apo kodra e varreve në qafë të Shenmerisë në Plihera, apo varrezat në Kunjove. Varre të vjetra në Kuç ka edhe në Buzë të Dhimë Dukës në Nikgjon, afër Stefane, në Qafë të Mertokes në Cergez, në Bobovishtë, në qafë të Grashecit, në qafë të Shkallës në Luçaj, etj.

Pal Emili brenda një ore dogji 70 qytete në shekullin e II p.e.s. një nga këto qytete është edhe ai i Shënderjadhes Antigonea, që ndodhet karshi Gjirokastrës; nga zbulimet arkeologjike u gjet hiri i qytetit, objekte metalike dhe u konturua qyteti: të kësaj periudhe mund të jenë rrënojat që ndodhen në qafë të Dedeveshe, e cila është afër kalasë së Katafiqit, apo rrënojat antike që ndodhen në Kunjovë poshtë brinjës së Shënthanasit. Taracimi i teritorit rreth e qark këtyre vendbanimeve me mure guri prehistorike, me një sipërfaqe të konsiderueshme, flet për një jetë të hershme të dendur të banorëve të këtyre vendbanimeve që në lashtësi.

Në Kuç ndërtimet e periudhës së antikitetit mbajnë emrin e vendeve, ku ndodhen, si kalaja e Karatafiqit, e datuar në periudhën e hekurit, apo kalaja e Kaçurit, ndërsa kalaja e qafës së Mretes e ajo e Bobovishtës mbajnë emra njerzish si Lekës, e Gjoklagjes, apo varri i ushtarit të Qezarit në Qafë të Shkallës, sikurse u përmend më sipër.

Varri i Turkut te arat e Mete në Gurrëz, i cili ruhet i paprekur për disa shekuj, Lugu i Turkut në Havar, ngjitur me shpellën e Gjolekës, ku turqit kanë pësuar humbje të mëdha nga artileria shkëmbore e Zenel Gjolekës, apo toponimi me emër Varreja apo mali i Frengut, janë ruajtur në shekuj nga popullsia e Kuçit dhe e rajonit përreth, ruajtje e cila lidhet me kulturën e hershme të popullatës së këtyre trevave, gjë që shërben për t’u treguar brezave të rinj luftën e madhe që kanë bërë në shekuj dhe aftësinë për të mbijetuar.

Në Kuç ka një numër të madh objektesh kulti që nga lashtësia gjer në kohët tona, siç janë emrat e 14 mekameve apo të vakefeve të cilët janë të shpërndare në tërë territorin e fshatit si në maja malesh dhe në lagje. Ekzistenca e emrave të 19 kishave e 14 vakefeve apo mekameve tregon se populli i Kuçit që nga viti 1826 ka përkrahur dhe ka predikuar bektazhimin, i cili zëvëndosi flamurin e sulltanëve me flamurin e Skënderbeut me shqiponjën dykrenore. Ai ndihmoi në përshpejtimin e Rilindjes kombëtare shqiptare, dhe organizoi çeta në luftë kundër sundimit turk, në formacionin luftarak asohere kanë marrë pjesë shumë trima e kapedanë nga Kuçi.

Në qëndër të fshatit ka qenë një teqe, e cila në vitin 1927 u kthye në xhami dhe në vitin 1943 u rrafshua me eksploziv nga forcat partizane për të mos rënë në dorë të gjermanëve ushqimet që ishin depoizituar me xhami e në mejtep nga trofetë e ushtrisë italiane pas kapitullimit.

Kuçi ka pasur xhami në Porto Palermo, e cila ekziston edhe sot që thirret xhamia e Kuçit, e cila u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena. Kodra mbi kala lidh bregun e detin, gjirin, kalanë e Porto Palermos me Kuçin. Në këtë territor kanë edhe sot tokat e tyre fiset e Brahime, Balile, Elmaze, Xhafere, Zenele, Gjokute, Alie, Shehe, etj. Ekzistenca e gjithë këtyre objekteve të kultit, ashtu si edhe ekzistenca e 9 shkollave vërtetojnë se Kuçi ka qenë një qëndër e rëndësishme dhe në disa periudha të gjata kohore edhe kryeqëndër, ku është zhvilluar një jetë e dendur aktive, sidmos për mbrojtjen e truallit të tyre nga pushtuesit e ndryshëm. Në përrenjtë dhe qafat në territorin e Kuçit qe mundur në vitet 1432-1434 dy herë me turp nga Gjergj Araniti, ushtria e rregullt turke dhe në vitin 1492 e në vitin 1537 u mundën ushtritë e komanduara nga dy sulltanë Bajaziti i II dhe Sulejman Kanuniu dhe në periudhën e Tanzimatit janë zhvilluar beteja legjendare nga Zenel Gjoleka, i cili Kuçin e ktheu në kryeqëndër të Shqipëris së Jugut, në luftë kundër Tanzimatit.

Kuçi në krye të herës me gojëdhëna dhe me dokumente historike ka qenë parë në qëndër në Porto Palermo dhe më vonë qëndra e fshatit u zhvendos duke u përqëndruar në shpatin e malit të Shkages, ku është edhe sot, gjë që shpjegohet me rolin e madh e të veçantë që ka luajtur popullata dhe prijësit e këtij fshati gjatë shekujve, disa grupime të vogla u shpërndanë nëpër rrëza si ajo e Vishatit, Katundi, Qafa e Grashecit, Bobovishta, Kanali, përroi i Shkozës, fusha e Bratit, etj. Në luftë kundër okupatorit romak, sllav dhe atij turk, populli ruajti vitalitetin e vet dhe nuk u nënshtrua. Si rezultat i manovrimit që bënte duke çuar familjet dhe fëmijët nga bregu i detit në brendësi të maleve, disa territore me kalimin e kohës u bënë vendbanime të përhershme. Fakti që para luftës së dytë botërore e disa vite më pas fisi Alikaj këmbehej me bukë me fisin Rexhaj (Himarë), apo fisi Idrizaj këmbehej me fisin Goro, Bishaj me fisin Bilali etj (d.m.th. jemi të një fisi). Fakti që Alikaj kishin miqësi me fisin Bollanaj (Himarë), ashtu dhe me fisin Zotaj si dhe këmbenin me ormi edhe sot nga shumë fise të Kuçit me ato të Himarës në raste gëzimi e fatkeqësish, tregon se kemi qenë në një vatër e jemi ndarë nga i njejti zjarr.

Me ardhjen e Ali Pashë Tepelenës në Vilajetin e Janinës, kuçjotët e mbështetën atë. Kështu bëri Myslim Gjoleka i parë më 1803 me 100 trima, apo Aliko Suli që e ndihmoi Aliun duke i dhënë armë e municion të bollshëm. Feim Gjokuta që ishte njeriu më besnik, pasi Aliu i kishte besuar çelësat e thesarit të tij në Janinë, Laze Dauti që shkoi me 3000 vetë në ndihmë të Aliut, apo Myftar Aliu kapedan e këshilltar, i shpjegoi Ali Tepelenës arsyet pse duhet të ndërtonte kalanë në tokat e Kuçit në gjiun e detit në Porto Palermo, gjë që Aliu e bëri realitet duke ndërtuar kalanë në Bregun e Herave ngjitur me të ndërtoi edhe xhaminë, e cila e mban emrin xhamia e Kuçit. Në qafë të Lerës e në Armiri edhe sot ruhen banesat e fshatit dhe tokat përreth janë punuar që në lashtësi, të cilat si dhe territoret përreth mbajnë emrin, vreshti i Alie dhe ajo mbi xhade mban emrin bregu i Alikos, apo përroi i Kuçit, etj.

Kuçi në lashtësi e në mesjetën e vonë, në Porto Palermo ka patur portin e vet nga ku ka komunikuar me vendet mesdhetare, ndër ta vlen të theksohet Napoli i cili ka patur 18 oficerë kuçiotë, shumica me gradë të lartë, kapiten, të cilët kanë shërbyer në ushtrinë e mbretërisë së Napolit, atë të Venetikut në vitet 1690-1850.

Kuçi bën pjesë në dheun e Epirit.

Emri Kuç është tepër i lashtë, ashtu siç janë emrat njërrokësh (Kuç) në të gjithë vendbanimet e hershme evropiane, siç janë p.sh. emrat gjermane Hun apo Got.

Emri Kuç gjendet në rregjistrin e Halil Inalçikut në Turqi më 1431, me 49 shtëpi e 180 banorë, po në këtë libër gjendet edhe fshati Vishat që sot ky territor është njësuar me atë të fshatit Kuç.

Kuçi këtë emër e ka patur edhe para kësaj periudhe (1431) dhe e ruan edhe sot dhe që nga viti 1874 deri në vitin 1918 ka qenë nënprefekturë. Fshat me emrin Kuç dhe pothuajse në të njejtat karakteristika të terrenit me male të larta e me lugina të thella ndodhen edhe në Korçë, në Berat, në Skrapar, në Tiranë, në Shkodër, në Lushnje e në komunën e Podgoricës, pas malit të Taraboshit, në Çamëri etj.

Jokli fjalën Kuç e lidh me kudh-i si diminutiv përkatësisht të kësaj fjale dhe e shqipëton si “vorbe dyvesheshe”; pra, sipas këtij emri fshati lidhet në formën e vendit ku shtrihet (Dy veshët e vorbës janë Shkaga nga njëra anë dhe Bogonica nga ana tjetër, ndërsa fundi i vorbës është lugina e tokave nga Buronjat, Përroi i Thatë – Hekali-Grabova – Grinjëra – Sheshi i Rrethit deri në Bietzet.

Etimologjikisht fjala Kuç është spjeguar si diminutiv i fjalës Kudh-i, si emërtim fshati është i lidhur me emrin e një vllazërie.

Vazhdimi i plotësismit të toponimeve të fshatit Kuç si dhe studimi e nxjerrja e konkluzioneve shkencore historike e gjuhësore për argumentimin e punës dhe luftës së madhe që ka bërë populli i Kuçit e prijsit të tij për ruajtjene emrave e simboleve të të parëve, të cilët ruajnë identitetin e vendit nga shkombtarizimet përbën një detyrë të kohës së sotme.

Ne prmbyllje, Kuçi i Vlores u perdor nga diktatura komuniste si vend internimi e izolimi per intelektuale te larte e patriote, qe ishin vendosur ne shtepite historike te Gjolekajve., nen spitalin.Nga 1955 deri 198 aty ishin mbyllur 100 shqiptare te zgjedhur nga elita intelektuale e familje te nderuara Aty ne muret e tre dhomave nje i ri piktoir, kishte vizatuar tre figura te histoirs shqiptare, Gjergj Kastriotin Skenderbeun, Lek Dukagjinin dhe Mbretereshen Teuta,. Te ketyre pikturave s'ka mbetur gjurme, por faktikisht ishin te bera. Jo qe ky piktor, kishte pikituruar Skenderbeun dhe ne dy shtepi kuçiote q kishin derhyre prane komandes se kampit Epermendem kete fkat, si pjese e historise se Kuçit, Persa i perket atiuj artisti, ai me vone u quejt Piktori e i kampeve te Vdekjes, sepse gjate kohes se denimit te tij, kishte vizatuar skena dhe njerez te mbyllur ne ato kampe, ku edhe vizatime te te internuarve ne ato shtepi te Gjolekajve. (Lek Pervizi: Album Ne rrarthet e Ferrit. ISKK, Tirane 2012.

*--Lazer Jozef Radi, kampi i Kuçit te Vlore, 1954-1958.

*--Lek Pervizi; Album ne Rrathet e Ferrit, ISKK, Tirane, 2012.

*--Faik Selenica; Kampet e interbnimit, Shtullaz-Radistine- Kuç, 1954-1958

Fterra