Jump to content

Molla e egër

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Malus sylvestris)
Malus sylvestris

Molla e egër takohet si dru jo i lartë ose si shkurre. Degët i ka plot me gjemba. Bën pjesë në familjen e trëndafiloreve. Gjethet i ka vezake, të zgjeruara dhe pa push. Lulet që çelin në prill- maj janë të bardha dhe anash ngjyrë trëndafili. Fruta e saj është e rrumbullakët, e vogël, me shije të thartë. Gjendet rrallë nëpër pyje e buzë arash. Shërben në shkallë të gjerë si nënshartesë për të shartuar mbi të mollë të buta. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e mollës së egër, të cilat mblidhen pasi piqen dhe marrin ngjyrë verdhuke. Ato vihen një nga një me dorë, pa i dëmtuar, në mënyrë që të ruhen për një kohë sa më të gjatë. Ruhen në kashtë. Përdoren edhe lëvoret e degëve. Frutat e mollës së egër, përmbajnë acide organike, por me shumicë kanë acid malik. Mollët e egra kanë veti rrudhëse. Ato përdoren me efekt në rastet e diarresë, si dhe kundër acarimeve të grykës e faringut, me anë gargarash (shpëlarje e gojës). Edhe lëvorja e degëve ka veti rrudhëse dhe përdoret me rezultate të mira kundër etheve. Rezultate shumë të mira mollët e tharta kanë dhënë kundër sëmundjes së sheqerit.