Moisiu në Mal
Appearance
(Përcjellë nga Moisiu në Mal (poezi))
Moisiu në Mal (poezi nga Fan Noli)
- Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
- Krye-Profeti trimi me fletë,
- Të bisedonjë me Perëndinë
- Për Palestinë.
- Arrin në majë lart i kapitur,
- Qëndron me frikë, pret i tronditur,
- Dhe Jehovaj i flet prej një reje
- Me zë rrufeje :
- "Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
- Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
- Skllevër, bij-skllevësh, s'e meritoni
- Se liri s'doni !"
- Krye-Profetit dita i ngryset
- Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
- Me lot në sy, me zemër të ngrirë
- I lyp mëshirë.
- Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
- Pse më përplase, më përpëlise,
- Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,
- Dhe sot ma preve ?
- "Nëm Dhen' e Lirë! Zot ku ma ke?"
- "Shiko, i tha, dhe ja ku e pe."
- Së largu Zoti ia pasqyron,
- Dhe e shikon.
- Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
- Lum' i Jordanit, Jerusalemi,
- Mal' i Sionës, Bethsaidaja,
- Dhe Golgothaja,
- Sheh gasn' e pritmë për djalërinë
- Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
- Atje sa bukur, këtu sa zi,
- O Moisi.
- Këtej ka dimrin, andej pranverën,
- Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;
- Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
- Liberator !