Përhasja e Zotit në Tempull (Ipapandia)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Përhasja e Jezusit në Tempull e Andrea Mantegna

Përhasja e Jezusit në Tempull ndodhi dyzetë ditë mbasi u lind, Ai u paraqit para Perëndisë në Tempullin e Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzetë ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, në 2 shkurt, Përhasjen (ose Paraqitjen) e Zotit në Tempull. Përhasja e Krishtit nga plaku Simeon dhe profetesha Ana (Lluka 2:22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull. I ishte "zbuluar Simeonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen përpara se të shikonte Zotin Krisht" (Lluka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku përhasi Mesian e porsalindur, e mori në krahët e tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në Shërbesën Ortodokse të Mbrëmjes: Tani përlëshoje shërbëtorin tënd, o Zot, me paqe, simbas fjalës sate, se sytë e mi panë shpëtimin tënd, të cilin Ti e përgatite faqe gjithë popujve, dritë për ndriçimin e kombeve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael (Lluka 2:29-32).[1]

Parashikimi i Simeonit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në këtë kohë, Simeoni parashikoi gjithashtu, që Jisui do të jetë një "shenjë kundërshtimesh" dhe që ai do të shkaktojë "rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael". Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Lluka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falenderuar Perëndinë "ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem" (Lluka 2:38). Në shërbesën e festës së Përhasjes së Zotit, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anë të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simeonit; i njëjti Bir i Perëndisë, Dhënësi i Ligjit, tani ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje. Prite atë, o Simeon, të cilin Moisiu në Malin e Sinait e shikoi në errësirë si Dhënësin e Ligjit. Prite atë si një foshnje tani që po i bindet Ligjit. Sepse për të folën Ligji dhe Profetët, i mishëruar për ne dhe për të shpëtuar njerëzimin. Ejani ta adhurojmë atë! Le të hapen sot dyert e qiejve, sepse Fjala e Përjetshme e Atit, pa e humbur hyjnishmërinë, u mishërua në kohë prej Virgjëreshës. Dhe si një foshnje dyzetë ditësh, ai sillet vullnetarisht nga nëna e tij në Tempull, sipas Ligjit. Dhe plaku Simeon e merr atë në krahët e tij dhe thërret: Tani përlëshoje me paqe shërbëtorin tënd, sepse sytë e mi panë shpëtimin Tënd, o Zot, që erdhe të shpëtosh njerëzimin, lavdi më Ty! (Vargje të Mbrëmësores së Festës).

Mesha e krishterë[redakto | redakto tekstin burimor]

Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja e festës së Përhasjes së Zotit, janë të mbushura me himne të kësaj teme. Në Meshën Hyjnore vargjet nga kënga e Marisë formojnë paravargun dhe fjalët e Simeonit janë vargjet për Aliluiat. Këndimi i Ungjillit tregon Përhasjen (takimin), ndërsa këndimet prej Dhiatës së Vjetër në Mbrëmësoren, i referohen Ligjit të pastrimit në Levitikun, vizionit të Isaisë në Tempullin e Perëndisë së Tri-Shenjtë dhe dhuratës së fesë tek Egjiptianët, profetizuar nga Isaia, kur drita e Zotit do të jetë për të "ndriçuar Kombet" (Lluka 2:32).

Rituali[redakto | redakto tekstin burimor]

Kremtimi i Përhasjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë, si Simeoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesias, anëtarët e Kishës mund të pretendojnë "përhasjen" e tyre me Zotin dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund "të përlëshohen me paqe", meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Perëndisë në personin e Krishtit. Gëzohu o hirplote, Hyjlindëse Virgjëreshë, se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë, Krishti Perëndia ynë, që ndrit në errësirë. Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë, që prite në krahët e tu Shpërblenjësin e shpirtrave tanë, i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve (Përlëshorja). Me lindjen Tënde, Ti shenjtërove gjirin e Virgjëreshës dhe bekove duart e Simeonit, O Krisht Perëndia ynë. Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë. Falu paqe të gjithë të krishterëve ortodoksë, O i vetmi Njeridashës (shkurtorja). Eshtë zakon në shumë Kisha, që në këtë ditë të bekojnë qirinjtë

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Perlove, Shelley; Silver, Larry (2009). Rembrandt's Faith: Church and Temple in the Dutch Golden Age (në English). Penn State Press. f. 191.  9780271048383.