Jump to content

Ramadan Zaskoci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ramadan Zaskoci nga Mamzi, i dalluar në lëvizjen antiosmane e antiserbe në vitet 1876-1914, mori pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878) dhe në mbrojtjen e tokave shqiptare nga shovenistët malazezë (1879) si dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881), por sidomos në krye të malësorëve lumjanë, bashkë me krerë të tjerë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 20 (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre serbe në nëntor 1912.[1]

Ai lindi në burg, pasi që babai dhe nëna e tij ishin të burgosur pas pjesëmarrjes në disa kryengritje antiosmane të kohës. Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë. Ai ishte në krye të malësorëve lumjanë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre të Serbisë në nëntor 1912. Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë.

Zaskocit familjen ia masakruan, shtëpinë ia dogjën disa herë si hakmarrje për humbjet që u shkaktoi osmanëve e më pas serbëve. Tentuan ta joshnin me para e pushtet, por e ndalën veç me tradhti. Ai vritet nga shqiptarët e paguar nga serbët.[2]

Fillimet luftarake të luftëtarit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fshati Mamëz i Kukës ka qenë vendbanimi i familjes Selman Brahës. Nga kjo familje doli patrioti, prijësi popullor i vegjëlisë lumjane, Ramadan Zaskoci. Ramadani ndonse i pa shkollë, por me zgjuarësi të rrallë natyrale, u burrërua para kohe dhe shumë shpejt u bë aktivist e luftëtar i vendosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 gusht 1878, u krijua e para degë e Lidhjes u krijua në Prizren, kryetar u zgjodh Ymer Sulejman Prizreni, e cila grumbulloj rreth vetes mjaft aktivist. Ramadani hyri në histori me të shtënat e kapaklisë dhe një celine, pushkë shqiptare që mbushej nga gryka më 27 gusht 1878, në moshën 18 vjeçare, duke vrarë telegrafistin personal të Mehmet Ali Pashës, figura që kishte përfaqësuar Turqinë në Kongresin e Berlinit. Ky ishte aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ramadan mori pjesë Kuvendi i Zojzit 1883 lidhi besën ndërmjet lumjanëve, Podrimasve e Prizrenit se të gjithë së bashku, nuk do të vriteshin ndërmjet tyre për gjaqet, dhe se do të luftonin e mbroheshin bashkërisht.[3]

Në krye të organizimit dhe drejtimit të trupave luftarake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Lumë rol të rëndësishëm në luftën kundër pushtuesve të huaj kanë luajtur edhe mbledhjet e “Dheut”. Në këto mbledhje merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinës. Ato kishin të drejta dhe detyra. Zgjidhnin një kryesi prej 18 burrash me pleq, më trima dhe më të zotët e fjalës, mendjes dhe pushkës. Bisedohej për probleme të rëndësishme të krahinës e lidhej besë për një afat të caktuar. Kur popullit i kanosej ndonjë rrezik atëherë jepej kushtrimi në 7 e 70. Në fillim të viti 1903 në Bicaj u bë mbledhja e “Dheut”, ku u zgjodh kryesia prej 18 vetë, dhe kryetar Ramadan Zaskoci. Vendimet që u morën u përmblodhën në një dokument të njohur me emrin “Masbatae” (turqisht, lutje) dhe u morën këto vendime: Populli i Lumës është i vendosur të jetojë sipas zakoneve të trashëguara prej të parëve; nuk pranon urdhra të reja të qeverisë turke, as të mytesarifit të Prizrenit e kajmekamit (nënprefektit) Bicaj dhe njeh vetëm vendimet e 18 burrave të kryesisë që janë zgjedhë njëzëri prej “Dheut”.

Ramadan Zaskoci udhëhoqi e drejtoi mbledhjet e “dheut” në Lumë nga viti 1903 deri sa u vra në vitin 1914, duke i sjellë dëme të mëdha dhe të pallogaritshme forcave osmane dhe serbëve në luftërat e zhvilluara gjatë viteve 1903, 1904, 1907, 1909, 1910. Kanë mbetur në kujtesë e përcillen në breza luftërat e popullit të Lumes sidomos të viteve 1912-1913 kundër pushtuesit serb.[3]

Risi të sjella në artin taktik të luftës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Forcat kryengritëse krijuan grupime të fuqishme sipas drejtimeve taktiko-operative duke u pozicionuar në rajone, nga ku pozicionet ishin dominues. Sasia e forcave në grupimin kryengritës i kalonte 5-6 mijë veta. Udhëhiqnin luftëtarë të sprovuar si në betejën e Caralevës Hasan Budakova (Hyseni), Isa Boletini dhe Ramadan Zaskoci, shtegu i Jezercës mbahej prej 1.000 lumjanëve. Shtegu nuk lejonte pushtimin e grykës së Caralevës prej ushtrisë turke. Nga qarku i Prizrenit, kryesisht nga Pordrina dhe Luma, ishte ngritur një forcë në luftë. Nga bajraqet e Pordrinës, ku ishte dhënë kushtrimi me rastin e ngritjes së Llapit në kryengritje, rreth 1.000 trima ishin vendosur në rajonet e Caralevës që i përkisnin vetëm rajonit të Rahovecit dhe rreth 2.000 luftëtarë u përkisnin rajoneve të Kabashit, te Budakovës e të Suharekës. Mbi 500 trima ishin të qytetit të Prizrenit me Sheh Hasanin. Edhe pse nuk kemi një shifër përfundimtare, të dhënat dëshmojnë se në rajonet e Shtimjes, të Caralevës dhe të Jezercës, ishin në gatishmëri për qëndresë rreth 6.000 luftëtarë. Gjendja e armatimit dhe e municionit ishte e rëndë, ku si numër e si cilësi nuk kishte të krahasuar me atë të grupimit turk. Llogaritej që në fushën e luftës, sipas traditës dhe përvojës të Kaçanikut, të sigurohej një sasi armatimi. Armatimi varionte nga arma e ftohtë e deri tek pushka. Furnizimi me ushqim nuk ishte i lehtë në stinë pranverore. Populli kishte bërë traditë që në beteja, luftëtarët e vet t’i furnizonte në mënyrë të pakursyer me bukë e mish, por “vakti i thatë” dhe vështirësitë e situatës pengonin furnizimin nga fshatrat e fushës pjellore të Podrinës deri në lartësitë që mbroheshin. Mungesat në këtë drejtim i mbulonte shpirti i sakrificës. Komunikim ishte problem i madh për të tri drejtimet: Caralevë-Mitrovicë, ku ishte drejtimi më i vështirë; Caralevë-Rahovec-Gjakovë dhe Caralevë-Prizren-Bicaj. Komunikimi në këto tri drejtime kishte rëndësi vendimtare për fatin e betejës dhe për fatin e vetë forcave kryengritëse në Shtimje, në Caralevë e në Jezercë. Rezervat kryengritëse nga Gjakova me në krye Sulejman Batushën dhe ato të Lumës përgatiteshin për organizimin e qëndresës në qafat e malësisë së Gjakovës dhe në luginat e Drinit. Ndërkohë forcat kryengritëse të Pordrinës, të Lumës, të Opojës, të Hasit, të Malëziut e të Dibrës së Vogël ishin organizuar me një bashkëveprim të përsosur ndër-rajonal e ndërkrahinor. Forca njerëzore ishte e gatshme, e organizuar dhe e drejtuar në bazë fshati e krahine. Detyra luftarake në bazë çetash e batalionesh ishte e saktësuar, deri në çdo luftëtar. Asgjësimi i një grupimi të tërë forcash ushtarake serbe kërkonte pikërisht këtë organizim forcash e mjetesh. Taktikë origjinale të mbështetur në forcën njerëzore, morale e materiale, në konfiguracionin e terrenit, me veçoritë e pengesave ujore e në kushtet e motit. Dhe kjo ishte përllogaritur, që asgjësini i grupimit pushtues serb të arrihej me goditje të njëkohshme, me rrethimin, me copëtimin e me asgjësimin e tij në një kohë sa më të shkurtër. Përvoja e Ramadan Zaskocit triumfoi në këtë fushë si rrallëherë. [3]

  1. ^ https://www.youtube.com/watch?v=87HFWIyd2hc
  2. ^ http://telegrafi.com/jeta-e-trimit-te-harruar-qe-luftoi-osmanet-dhe-serbet-lindi-ne-burg-te-prishtines-u-vra-ne-tradhti-nga-njerezit-e-tij-video/
  3. ^ a b c https://telegraf.al/opinion/ramadan-zaskoci-figure-me-permasa-kombetare