Jump to content

Rreth infinitivit (paskajores) të Shqipës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rreth infinitivit (paskajores) të Shqipes - Trajta e mënyrës së infinitivit të Shqipes, shkruan profesor K. Cipo, është ajo e participit (pjesores) me parafjalën (me) përpara, e gegërishtes. Toskërishtja e zëvendëson këtë mënyrë me koniuktivin (lidhoren). Por, mund të përdorim, veç koniuktivit, me një nuancë të vogël kuptimore, edhe emrin foljor asnjëanës të pashquar me parafjalën (për) në krye. P.sh. Kam ardhur këtu, në Korçë, për të blerë ca fasule e ca mollë ; Kish ardhur në Tiranë për të kërkuar një punë më të mire. Format : për të blerë, të kërkuar zëvendësojnë infinitivin duke përcjellë edhe nuance e qëllimit. Infinitivi me formën : për të, plotëson edhe emra për të treguar një veprim të pritshëm : gjilpërë për të qepur, kartë për të shkruar, kohë për punë.

Duke qasur kuptimin e e këtyre formave të paskajore të Shqipes do te vërejmë se nuk janë plotësisht me kuptim të njëjtë. P.sh :

Shkoi me punue dhe shkoi për të punuar
Kohë me punue dhe kohë për të punuar

Të dyja këto forma i hasim në përdorimin e përditshëm, dhe pjesorja është kallëzuesor i veprimit që shfaq folja ose emri asnjanës i dukurisë. Po t’i analizojmë si shprehje frazeologjike, kuptojmë ndryshimin në nuance kuptimore të tyre :

- Tek pjesorja me parafjalën (me) veprimi është i padiskutueshëm që kërkon të përmbushet ;
- te pjesorja me shprehjen parafjalore (për të) ky veprim është në vartësi situatës a të vendit ku do të kryet veprimi, pra tregon një mundësi, por edhe pasiguri dhe dyshim tek vepruesi.

Nga sa kuptojmë, forma e paskajores së Shqipes me parafjalën (me) dhe pjesoren e shkurtuar ka kuptim të përcaktuar domosdoshmërie, ndërsa forma me shprehjen parafjalore (për të) me pjesoren e plotë ka funksione më te kufizuara kuptimore dhe të ndërvarura nga rrethanat.

Lidhur me këtë pohim, profesor Aleksandër Xhuvani në “Vepra 1” shprehet kështu :

  1. Shqipja ka pas një infinitivë me kuptim indoevropian, me qënë se gjithë kategoritë e tjera gramatikore i ka analoge me të gjuhëve indoevropiane
  2. Ky infinitiv mund të ketë qënë identik me një nga trajtat e ndryshme, me të cilat na paraqitet participi në shqip.
  3. Ky infinitivë vërtet u zhduk dhe u zëvendësue me një infinitivë perifrazik, si përmbledhje logjike e fjalive te ndryshme që formohen me parafjalën (me)
  4. Infinitivi perifrazik ka qënë i përgjithshëm në Shqip, se ka qënë përdor lashtazi dhe në toskërisht, por me kohë u zavendësue, në tokërisht, me fjali të varme prej influencës së greqishtes së re.(1980:262)

Aktualisht, në Shqip mund dhe duhet te përdoret padyshim infinitivi, që është më i afërt me atë të gjuhëve indoevropiane që mund te shërbeje si baza e gjallimit të lidhjeve Shqipes me këto gjuhë. Vlera e infinitivit, të ruajtur mrekullisht ne gegërisht, është se me të mund të shprehen koncepte identike metonimike, që përdoren në gjuhët e tjera të kulturës dhe të shkencës. Sot, në gjuhën e gjallë përdoren, pa përjashtim, edhe të gjitha ato forma që përbëjnë zhvillime të brendshme historike të kësaj forme, që ndihmojnë në përsosjen dhe saktësinë konceptuale të mendimit.

Funksionet kryesore të infinitivit (paskajores) në shqip sipas "Albanische Gramatic" të Buchholz dhe Fiedler janë :

Në ndërtime pyetëse

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ma mirë ↓me e krye ↓punën apo me fjetë ?

Intonacioni i fjalisë te infinitive (paskajorja) është i dallueshëm. Kjo qartësohet po ta kthejmë këtë fjali në formën lidhore (konjuktive) : A është më mirë të punosh apo të fleshë ? Por, me pak vemendje, kuptojmë se në formën lidhore folësi është i ndërvarur nga rrethana apo gjendja e bashkëbiseduesit.

Si pjesë e predikatit foljor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

P.sh.Lypi me hanger = lipi të hajë (për të ngrënë) Due me i harue të gjitha=dua t’i harojë të gjitha Më nep me pi - më jep të pi (jo - për të pirë) Filloi me u interesue=filloi të interesohej (Jo- për t’u interesuar).

Në ndërtime kryefjalore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • - Asnjanit nuk ja mbante me fol –asnjërit nuk ja mbante të fliste (jo –për të folur)
  • - Asht e kot me fol me te= Është e kot të flasësh me të(jo- për të folur me të)

Me një qëmtim më të vëmendshëm forma e njëjtë, e pranueshme, është ajo lidhore e standardes dhe jo paskajorja e standardes. Edhe për vet faktin, se: paskajorja e shqipes ka funksion kryefjalor, ndërsa forma standarde ka kuptim kundrinor.

Rrethanor kohe të paraprirë nga- para se

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Matu mirë para se me folë.=Matu mirë para se të flasësh. (Jo –për të folur)

Në ndërtime kushtore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ban me ngri deti, do të shkojshim në çarapa leshi në Itali Bëri të ngri deti, do të shkojmë me çorape leshi në Itali. Bo me e pa keni me u habit Po ta shihnit do të habiteshit

Në ndërtimet rrjedhore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa me u ba nji liqe. Zbrazi sa mundi ujë rreth e rreth, aq sa për t’u bërë një liqen.

Në ndërtime qëllimore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sytë janë me pa –sytë janë për të parë ; vetëm në kësi rastesh ka një përputhje të pasakajores së vërtet me atë standarte.

Në ndërtimet krahasore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nuk asht aq i prapët sa mos me i xan besë=nuk është aq i prapë sa të mos t’i zeshë besë.

Në ndërtime përcaktore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nuk e ka fort zakon me u sjell zyrave=Nuk e ka fort zakon të sillet zyrave (jo-për t’u sjellur) Asht koha me ngrit në kambë=Është koha të ngrihemi në këmbë (Jo- për t’u ngritur)

Në disa ndërtime të së ardhmes në disa forma modale ka përqasje, si

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • - Kam me punue - do të punoj -Kam për të punuar
  • - Nuk mundem me ardh – Nuk mundem të vij
  • - Duhet me ja ba Kristit një dhuratë për ditëlindje
  • - Duhet t’ja bëjë Kristit një dhuratë për ditëlindje
  • - Atij s’asht me i folë me gojë
  • - Atij s’është për t’i folur me gojë.

Paskajorja standarde e ka fushën kuptimore më të kufizuar dhe veprimi i shprehur është në vartësi të situatës dhe të vendit ku do të kryet veprimi. Është një veprim që përfshihet në të ardhmen, ndërsa infinitivi me parafjalën me është një veprim që ndodh shumë afër çastit të ligjërimit.

Në përfundim : forma e lashtë e infinitivit të shqipes është me parafjalën (me) bashkë me pjesoren lakonike të ruajtur më së miri në gegërisht. Kjo formë nuk është mundur të shmanget si formë shkrimore stilistike e gjuhës së personazheve në letërsinë artistike, nga që individualizon gjuhën e personazhit dhe evidenton larminë jetësore gjatë dialogut dialogun. Me të identifikohet vendasi i krahinave veriake të Shqipes. Kështu, përdorimi i pjesores së shkurtuar me parafjalën me nuk u mund të përjashtohet nga gjuha e letërsisë artistike, se qe një përjashtim kategorik dhe që nuk përkonte me zhvillimet historike të gjuhës së folur sidomos në krahinat veriake të trevave shqiptare. Për më tepër forma e paskajores me parafjalën (me) gjallon masivisht, sot e gjithëditën në gjuhën e folur, dhe për më tepër sot vështirë se mund të gjesh zona qytetare dialektikisht “të pastra”.

Mendojë se rigjallja e infinitivit të lashtë të Shqipes dhe përdorimi i saj në gjuhën e shkruar është një domosdoshmëri dhe një obligim shkencor veçanërisht, për lëvruesit e gjuhës : artist, gjuhëtar e sidomos mësuesit e gjuhës Shqipe, për vet faktin se hapësirat metonimike të gjuhës shqipe nuk mund të limitohen e të mbyllen edhe pse rregullat e gjuhës standarde mund ta kenë përjashtuar përkohësisht infinitivin.

Ligjërimi në shqip bazohet në dy dimensione stilistike, aë shprehen me : pjesë të ndryshueshme të ligjëratës dhe pjesë të pa ndryshueshme të ligjëratës, që studiohen edhe si kategori gramatikore, me anën e të cilave përshfaqet me saktësi dhe qartë mendimi.

Duke hulumtuar, termat dhe kategoritë standarde të shqipes, kam vënë re se ato gjenden në format e ngurosura apo të mermerizuara, po e quaj kështu. Ajo kategori gramatikore që realisht është standarde i emërtojmë : pjesë të pandryshueshme të ligjëratës, tek të cilat nuk identifikohen,pra nuk ekzistojnë ose u janë bjerë, kategoritë që përcaktojë shprehjen e mendimit : të vetës, të numrit, të kohës dhe të mënyrës.

Funksioni pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës, dihet, është : organizues, njësues dhe qartësues i mendimit. Ato janë formësueset përmbajtësore të gjuhës dhe mëvetësuesete kuptimit të saktë të mendimit. Për vet faktin, që : infinitivi i shqipes me parafjalën me dhe me pjesoren e shkurtuar na shfaqet si një formë e mermerizuar, s’ka pse të mos e përdorim aq më tepër kur duam të shprehim qart mendimet. Këtë do ta kuptojmë po të pranëvemë të dy këto forma P.sh :

  • Aftësia me u përshtat = me u njësu, të njësohesh ;

Aftësia për t’u përshtatur = për t’u shndërruar si, me shndërue

  • Kemi nevojë me u eduku = se na mungon

Kemi nevojë për tu edukuar = për ta plotësuar

  • Kam dëshirë me u kthye në Atdhe = vendim për t’u kthyer

Kam dëshirë për t’u kthyer në Atdhe= kam mall të kthehet

  • Është herët me e lan punën = nuk ka mbrit ora (çasti)

Është herët për ta lënë punën = nuk ka përfunduar procesi

  • I zoti me qeverisë = e bën punën mire

I zoti për të qeverisur = është kandidat për post ;

  • Asht me qesh e me qa = më vjen keq, bëj kujdes

Është për të qeshur e për të qarë = është bërë jo mirë ;

  • U munduen me hap derën = nuk mundën me e hap

U munduan për ta hapur derë = ju desh kohë për ta hapur ;

  • Kam ardh me u regjistru = dua ta përfundoj regjistrimin.

Kam ardhur për t’u regjistruar = po qe se ka vend ;

  • Më vjen me qa == më vjen keq

Më vjen për të qarë = për të lotuar ;

  • Nuk kena me e pranue fajin = është imponues – e tashme

Nuk kemi për ta pranuar fajin = kërkon bashkëpunim – e ardhme Dallime kuptimore kanë në vetvete këto pjesore të shqipes. Kështu :

  • Kam punue në Ministri = Kam ba punë me kualitet
    • Kam punuar në Ministri = Kam qënë i punësuar ;
  • Tuj punue = këshillë e mjeshtrit të punës
    • Duke punuar = këshillë nga përvoja e të tjerëve
  • Pa punue = prove e vet folësit,

Pa punuar = këshillë ;

  • Bjeshkët e Namuna == e mistershme, që u ka dal zani për ndodhi ;

Bjeshkët e Nëmura == të përgojuara (përfoluna !) nga dikush.

Nga shembujt e mësipërm na bëhet e qartë, se : trajta e infinitivit me pjesore të shkurtuar është një pasuri e shqipes dhe mundet dhe duhet të përdoret si një formë stilistike e shkruar me anën e së cilës arrin të shprehet çart mendimi dhe sqarohet pozicioni i folësit në relacion me veprimin.

Gjuhëtari, At Nikollë Gazuli ka përvijuar në fjalorin e tij të gegënishtes, mes një pune të lavdëruar hulumtuese (qe mbledhur dhe për interesin që pati Profesor Nobert Joklit për gjuhën shqipe) sjell dëshmi të gjalla që na bindin për domosdoshmërinë e përdorimit të infinitivit të gegenishtes si pasuri gojore që i shkon natyrshëm shqipes, që po përdoren ose duhen përdorur, si :

Me e true, me vendue, me ndërhy, me e shujt, me pshurrë, me bëza, me shbi, me e shmek (shfry), me shpërdhos, me shpërdoru, me shpërthy, me tëhollue, me tëkur, me tëfundu, me tfillue, me tndy, me tfurk, me tërbu, me vagullue, me vegue, me shtërzy, me ndërzy, me hyp, me palue, me rrokëllue, me thumbat, me davarit, me kobue (vjedh), me agu, me bijue(lind), me cekue (me mbri në fund), me josh, me brit, me u lbyr, me marr frym, me cërkue (me mjelë), me u batue, me ndy, me mbrru, me randu, me rendue, me ndërkambë, me ndërkry, me ndërliku, me ndërmjet, si dhe format përcaktore : i pagjamë, i parod, i pamëshirshëm, i panjeri, i përba, i përtha, etj.

Duke qënë përbërëse e sistemit foljor të gjuhës shqipe, infinitivi merr vlera unikale dhe nuk duhet të shinjestrohet, duke e përjashtuar e aq më tepër duke dhunuar me forma standarde që përjashtojnë stilin e komunikimit gojor dhe artistik, e aq më keq qartësinë e mendimit në shqip.

Gjuha formale në vetvete është metonimi, abtraksion dhe sado të mundohemi, si studiues, nuk mund të vendosin barriera standarde, mesa mund ta ndalojmë Kostandinin e legjendës të ngrihet nga varri me përmbush amnetin. Gjuha, thotë F. De Saussure, është një prodhim i frymës kolektive të grupeve gjuhësore. E për këtë arsye, Shqipes nuk mund t’i vihen kufijë dialektor apo krahinor, edhe për faktin se rrënjët e saj të lashta janë dhe mundet të gjenden edhe përtej këtyre kufijve të saj natyror, në gjirin e Familjes së Madhe të gjuhëve indoevropiane. Është detyrimi ynë të përsosim dimensionet e saj si në gjerësi dhe në thellësi të shtrirjes.