Jump to content

Rruga e Arbrit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rruga e Arbrit (rruge))
Pamje e një segmenti të rrugës së Arbrit

Rruga e Arbërit është rrugë në ndërtim e sipër e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra. Ky aks rrugor që shkurton largësinë mes Tiranës dhe Dibrës. Afati në vitin 2021 është vendosur në Strategjinë e Transportit nga Ministria e Punëve Publike, dokument ky i miratuar në fillim të shtatorit 2008 nga Këshilli i Ministrave. Rruga që e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Ky variant u shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 metra mbi nivelin e detit si dhe është varianti me kushte më të mira gjeologo-inxhinierike e hidrologjike.

Sipas inxhinierëve, ky variant mund të vlejë shumë mirë si alternativë mjaft kompetitive e Korridorit të 8-të. Projekti Ndërtimi i Rrugës së Arbrit, sipas këtij varianti, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin dhe trevat e tjera në Maqedoni, Sofjen, etj. Varianti u shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 m mbi nivelin e detit, që do ta bënin këtë rrugë të vështirë për t'u vozitur gjatë periudhave të gjata e të vështira të dimrit dhe tepër të vështirë për t'u mirëmbajtur, si dhe është varianti me kushte më të mira gjeologo-inxhinierike e hidrologjike. Rruga e Dibrës, e quajtur Rruga e Arbrit, rrugë aq e pasur me histori, parashikohet të jetë një ndër rrugët më të bukura turistike në trevat shqiptare.

Rruga e Arbrit, vetëm 75 kilometra e gjatë, do të lidhë Tiranën me Dibrën e Madhe (Maqedoni). Rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 km/orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, edhe se përgjatohet ose ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Zonat ku kalon Rruga e Arbrit fillimin e saj e ka në qendrën e Tiranës, në sheshin "Skënderbej", vijon nëpër qytet përgjatë Rrugës së Dibrës për të arritur në Brar dhe kaluar shkallën e Tujanit, luginën e bukur të Brarit, në luginën e ngushtë e të thellë të malit të Dajtit, me kanionet mahnitës të ngushtë e të thellë. Rruga përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit e Gurit të Bardhë, në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës dhe pasi kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, del në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës dhe për të vazhduar deri në Dibër të Madhe.

Zonat e Shqipërisë nëpër të cilat do të kalojë rruga janë:

1. TIRANË

2. ZALLDAJT

3. MURIZË

4. GURI I BARDHE

5. URA E VASHËS

6. PLANI I BARDHË

7. BULQIZË

8. URA E ÇERENECIT

9. GJORICË

10. DIBËR

Edhe qeveria "Nano" ka pasur një projekt për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Kryeministri Fatos Nano ka firmosur studimin për ndërtimin e kësaj rruge. Rruga e Arbrit parashikohej të ishte 10 metra e gjerë dhe me një gjatësi prej 72.6 kilometrash. "Ne sot jemi mbledhur për të shqyrtuar në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Rrugëve një nga rrugët më të hershme, atë të rrugës Tiranë-Dibër, e quajtur ndryshe Rruga e Arbrit. Për këtë rrugë është folur shumë dhe nevojat për të janë evidente", tha Nano pas nënshkrimit të marrëveshjes në atë kohë.

Rruga e vjetër Durrës-Fusha e Tiranës-Dibër Pozita e përshtatshme gjeografike e trojeve tona, që prej kohëve më të vjetra ka përshtatur trasimin në to të shumë rrugëve të njohura në histori. Më e njohura ka qenë Via Egnatia e shekullit II p.e.s e ndërtuar nga romakët, e cila nga Durrësi-Elbasani-Ohri e Selaniku shkonte në Konstandinopojë. Veç Egnatias, nga Durrësi drejt brendësisë niseshin dhe rrugë të tjera që degëzoheshin në fushën e Tiranës, siç kanë qenë ajo Durrës-Lissus-Naissus, rruga Tiranë-Kërrabë-Elbasan, degë e Egnatias, etj. Veç këtyre nëpër Tiranë kalonte dhe rruga e detit për në Dibër, e njohur me emrin "Rruga e Arbrit". "Rruga e Arbrit" ka origjinën nga Periudha Romake, shekulli I dhe II, siç dëshmojnë stacionet rrugore "Mansion" (Mansaj) të Gurit të Bardhë. Në shekullin XI, rruga përmendet nga kronistja bizantine, Ana Komnena, ndërsa në vitin 1257 këtej kaloi komandanti britanik Gjergj Akropoli. Normanët e Boemundit kalonin në këtë rrugë gjatë luftimeve. Në defterin turk të 1467-s Guri i Bardhë etj., përmenden si fshatra "Dervene" që ruanin e mirëmbanin rrugën. Stacione të rëndësishme të rrugës kanë qenë Zall-Dajti në Malësinë e Tiranës dhe Guri i Bardhë. Guri i Bardhê, i njohur për traditat arsimdashëse, kulturore e mikrpitëse ështe shumë i njohur nga banorët e zonës së Dibrës. Në këto fshatra ndodhen mjaft gjurmë të rrugës si hane, karakolle, kalldrëme, ka shumë ura, etj.

Vazhdimi i Rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë fillon nga kufiri shtetëror në Gjoricë, ku kalohet nga Shqipëria në Maqedoni, aty ku lugina e Drinit ngushtohet në vendin e quajtur Zatarajca, ku ka qenë një urë e vjetër prej druri, përballë kodrave të Kojnarës, poshtë urës së vjetër me harqe të Spiles, e cila është mbuluar nga diga e hidrocentralit të Dibrës së Madhe. Pasi kalon kodrat e Kojnares, rruga vazhdon për në qytetin e Dibrës.

Nga Dibra në drejtim të Gostivarit rruga kalon nëpër grykën e ngushtë e të bukur të Radikës, duke vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit, Tetovës e Shkupit. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, e nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova në Shkup 45 kilometra. Kështu distanca totale nga Tirana deri në Shkup do te jetë rreth 210 kilometra.

Pasuritë natyrore të zonave ku kalon Rruga e Arbrit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në rajonin e Dibrës takohen shumë vendburime, objekte e shfaqje të mineraleve të dobishme metalore e jo metalore. Minerali i kromit përbën një nga pasuritë më të mëdha që gjendet në rajonin e Dibrës. Atë e takojmë në masivet ultrabazike perspektivë lindore të vendit tonë, në atë të Bulqizës dhe të Lurës. Në masivin Bulqizës janë zbuluar vendburimet më të mëdha të kromit siç janë: Vendburimi Bulqizë-Batër, Qafë-Buall, Almarinë, Tërnovë, etj. Në pjesën veriore gjenden disa objekte kromi siç janë: Objekti Zabeli, Majat e Bregut, Kodra e Lerës, Fushë-Balgjaj, Kepat e Dik-Nelit, Liqeni i Dervishit, Selishta Veriore, Selishta Jugore, Bataçet e Kacnisë, Fushë Shtrungëza, Rrënja e Milloshit, Maja e Hurdhës, Druni i Boshtive, Qafë-Murra, etj. Në veri-perendim jane të njohura vendburimet e Shkallës, Cërujës, Majës së Kunorës, Majës së Burrelit e Qafës së Burrelit. Vendburimi i Shkallës eshte një ndër vendburimt e masivit tê Bulqizës ku përmabjtja në % e Cr në minaralin e kromitit është më të lartat. Në masivin e Lurës janë kryer më pak punime të kërkim-zbulimit e megjithatë janë zbuluar disa objekte e shfaqje të mineralizuara kromi si në Krej Lurë, Kesule, Blac, Kumbull, Lajthize, Dodaj, etj. Në rajonin e Dibrës janë zbuluar edhe disa minerale të tjerë metalorë si minerali i Manganit në Topojan e në zonën e Gollobordës, minerali i hekurit pa nikel në zonën e Korabit, minerali i bakrit në zonën e Pregj Lurë-Arrmollës dhe të Peshkopisë (Pilafe, Zimur, Cerjan), minerali i hekur-nikelit në zonën Lajthizë-Nome, shfaqje e shenja të arsenik-polimetaleve në zonën e Dipjakës e Radomirës dhe shenja të mineraleve të rrallë e të çmuar për të cilët nevojiten punime e studime të mëtejshme. Rajoni i Dibrës është i pasur edhe me minerale e shkëmbinj industriale jo metalore, shumë të rëndësishëm për ekonominë e tregut si: Gurët dekorative karbonatike dhe ofiolitike e mermeret, shkëmbinjtë gëlqerorë si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e inerteve karbonatike, gëlqeres e çimentos, të Gjipseve e anhidriteve si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e parafabrikateve të gjipsit, allçisë, çimentos së bardhë, etj. Argjilat si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e tullave, qeramikës, e çimentos, ranorëve, kuarciteve, travertinave, inerteve lumore e shkëmbore (karbonatike), bojërave të dheut, pirofilitit, squfurit, kryprave minerale në evaporitet, grafiteve, shapeve, rrasave, etj.