Sabai

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Sabas)
Saba

Ikonë e Shën Sabës
"Shenjtor"
Lindi 439, Caesarea Mazaca, Cappadocia sot Turqi
Vdiq 5 dhjetor 532
Nderohet nga Kisha katolike,
Kisha ortodokse
Dita përkujtimore 5 dhjetor

Shën Saba (abat, 439 - 5 dhjetor 532) është shenjt popullor nderohet kryesisht në Kishën greke. I lindur në Mutalaska të Kapadokisë, pasi kaloi rininë në një kuvend të fshatit të tij, ai deshi të bënte përvojën e shkretëtirës. Shpirtrat e mëdhenj kaliten në vetmi. U mirëprit në «kurorën» e Shën Theoktistit afër Detit të Vdekur dhe qëndroi dhjetë vjet aty dhe mësoi rregullat e kuvendit. Pastaj deshi të bënte një hap të mëtejshëm drejt vetmisë së plotë dhe mori lejen që të tërhiqej çdo javë në një shpellë ku hyhej vetëm me një shkallë litari. Shkonte në kuvend të dielën dhe në festat liturgjike për të kremtuar euharistinë në bashkësi. Murgj të tjerë deshën ta imitonin duke populluar shpellat dhe përroskat përreth murgut të shenjtë. Ai, sipas shembullit të Antonit, patrikut të madh të Tebaides, i dha lamtumirën vetmisë duke mbledhur në një «kurorë» atë grigjë të shpërndarë në pritje të një bariu. Lindi kështu «kurora» e madhe e Detit të Sabës, mes Jerusalemit dhe Detit të Vdekur.

Me durim atëror, por edhe me autoritetin e abatit, ai i drejtoi murgjit e tij, të cilët ishin çmësuar me rregullat e bashkësisë pas përvojës anarkiste vetmitare. I organizoi sipas rregullave të jetës së kuvendit të caktuara nga Shën Pakomi një shekull më parë, të cilat ai i kishte shkruar gjatë një qëndrimi të shkurtër në Egjipt. Në vitin 491, patriku i Jerusalemit e shuguroi meshtar, duke e angazhuar në veprimin baritor dhe si udhëheqës i të gjitha kuvendeve të krahinës me titullin arkimandrit (epror) i vetmitarëve palestinezë. Dhe si i tillë, e ngriti zërin e tij edhe në çështjet materiale, përveç atyre fetare. Mori pjesë aktive në luftën kundër herezisë monofiste. Arriti të merrte nga perandori shfuqizimin e taksave në punët artizanale, që rëndonin kryesisht mbi vetmitarët dhe tregtarët e vegjël. Në Romë, në kodrën përballë Aventinos, në shekullin VII lindën nga murgjit grekë një kuvend dhe një bazilikë kushtuar Shën Sabës.

Nga viti 1965, trupi i paprishur i shenjtit iu kthye kuvendit të tij, ende lulëzues, nga papa Pali VI, si një gjest «ekumenik» ndaj Kishës lindore. Trupi i Shën Sabës ishte zhvendosur më parë në Venecia e pastaj në Romë për ta shpëtuar nga ushtria pushtuese myslimane.

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]