Jump to content

Polikarpi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shën Polikarpi)
Shën Polikarpi

Polikarpi (Polycarp of Smyrna or Saint Polycarp, 80 – 167) ishte nxënës i shën Gjonit dhe sipas dëshmisë së Polikarpit, Gjoni e kishte shuguruar ipeshkëv në Smirnë. Kur kishte vdekur shën Gjoni, Polikarpi ishte tridhjetë vjeçar. Me rendësi është të thuhet se për ne Polikarpi është dëshmitar i traditës së gjallë, sikurse ishte edhe dëshmitar i bashkëkohësve të vet në shekullin e dytë.

Kur shkruam për Ignacin, patëm rast të shohim se këta dy takohen në mes veti në Smirnë. Ignaci ishte i burgosur dhe shkonte në Romë. Ignaci i kishte dërguar një letër që të qëndrojë i fortë në veprimtarinë e vet dhe ky i tillë qëndroi deri në vdekje. Polikarpi ishte vërtetë njeri i madh, lutej shumë, sepse e dinte se lutja është arma më e forta, e cila kundërshton mëkatin dhe djallin dhe në anën tjetër siguron jetën e tillë, si e kërkon Zoti prej nesh. Ishte luftetar i madh kundër herezive dhe heretikëve. Pas vdekjes së tij, kisha në Smirnë e nderon shumë Polikarpin si mësues apostolik dhe profet. Kah fundi i jetës, rreth vitit 155, erdhi në Romë që të takohej me Papën Anicetin dhe të bisedojë rreth kremtimit të Pashkëve. Pas dy vitesh vdesë në mundime shumë të rënda nga Antonini perandor, me akuzë se ishte ateist. Polikarpi kur pësoi martirizimin ishte në moshë të shtyrë, 86 vjeçar. Në atë ditë ishin të pikëlluara të gjitha kishat në Azi, sepse e humbnin një njeri shumë të madh. Festën e tij e festojmë më 23 shkurt. Vdekjen dhe mundimet që i pësoi i shkroi detajisht njëfarë Marcioni rreth vitit 177, në një vepër nën titull: Martyrium s. Policarpi. Kisha e Smirnës i shkruan bashkësisë në Frigji se si prokonzuli Kuadrat e zoritë Polikarpin ta mohojë Jezu Krishtin, por ky i përgjigjet në mënyrë shembullore: 86 vite i shërbej Atij dhe asnjë të keqe nuk ma ka bërë, e si mund tani ta mohoj Mbretin tim, i cili më shpëtoi?! Pas këtyre fjalëve e lidhin në një kazan, duke e munduar. Polikarpi e luti këtë lutje e cila mbeti e madhe deri me sot: O Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm, Atë i të dashurit dhe i të bekuarit shërbëtorit tënd Jezu Krishtit, nga i cili të njohëm Ty... Unë të bekoj, sepse më pranove të jem i denjë që në këtë ditë dhe në këtë orë të më pranosh në aradhën e dëshmitarëve, si bashkëpjesëtar të kelkut të Krishtit për ringjallje në jetën e pasosur të trupit dhe shpirtit. Më prano sot para fytyrës sate si fli të pëlqyeshme dhe të denjë sikurse me përgatite më parë, sikurse me paracaktove, sepse Ti je Zot dhe nuk ka mashtrime në Ty, por Ti je i vërtetë. Për të gjitha hiret që m’i dhe, të falënderoj, nëpërmes Jezu Krishtit shërbëtorit tënd. Nëpër Të Të qoftë lavdi në bashkim me Shpirtin Shenjt, tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Martyrium s. Policarpi, 14). Pasi që flaka nuk i bëri asgjë, e shporuan me heshtë. Gjaku i tij i shenjtë e fiku zjarrin. Me të u martirizuan edhe njëmbëdhjetë besimtarë, në mesin e të cilëve ishte edhe shën Germani. Nga shën Polikarpi mbetën shumë shkrime dhe një shembull i qartë i fesë. Ishte vërtet bari i mirë i grigjës, të cilës i shërbeu me besnikëri. Letra e drejtuar filipianëve është ndër ato letra, në të cilat ai i bashkangjet letrës së shën Ignacit të dërguar nga burgu. Në këtë letër përcjellëse shkruan për problemet morale, i qorton të krishterët që të sillen mirë në botën pagane që i rrethonte dhe i këshillon që të jenë të dëgjueshëm ndaj meshtarëve dhe diakonëve. Iu shkruan që të jenë të sinqertë njëri ndaj tjetrit. Në fund iu bën me dije për salvimet që edhe ata ndoshta mund t`u nënshtrohen. U flet edhe për mësimet e gabuara, të cilat i shpallte njëfarë Valensi dhe për këtë Kisha në Filipe ishte shumë e shqetësuar. Këta heretikë mohonin Krishtin si Njeri, kryqin dhe të ngjallurit e tij. Polikarpi këta heretikë i quante “të parelindurit e djallit”.